ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Çfarë mund të shkruhet nesër për Ibrahim Rugovën?

Shkrime relevante

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Shpërndaj

Lis Bukuroca, Gjermani

(Naser Aliu)

 „Nëse sheh një njeri që është i patrembur përballë rreziqeve, i lirë nga pasionet, (…), i qetë në mes të stuhive, një njeri që i sheh njerëzit nga lart dhe perënditë e tjerë nga e njëjta lartësi, nuk do të ndiesh një ndjenjë respekti për të?“  Lucio Anneo  Seneca, Lettere a Lucilio fq. 32, 4

Ndoshta nesër dikush do të lexojë librat e historianit të madh francez dhe do të pyeste veten:„Vallë qenka frymëzuar Ibrahim Rugova nga Augustin Thierry?“

Duke ditur ai lexues eventual se Rugova kishte specializuar në Paris, mund edhe të mendonte, por jo aq shumë ne që e kemi përjetuar veprimtarinë e tij. Ne do të thoshim: „Rugova ishte i tillë për nga natyra; i urtë, paqedashës, refleksiv, jo-hakmarrës, me shumë durim, me një pacifizëm, i cili mund të quhet edhe humanizëm kategorik, (duke u bazuar te maksima e Kantit), por i pandikuar nga jashtë.“

Mirëpo, meqenëse ai lexues i ardhshëm nuk mund ta njihte si ne, atëherë mund edhe të besonte për ndikim nga Thierry dhe se pacifizmi i tij, bazohej pikërisht tek ai, më konkretisht, te një mendim i tij në librin: „Histoire de la Conquête de L’Angleterre par les Normands“, publikuar në vitin 1821 në tre vëllime.

Çfarë shkruan zbuluesi i klasave Thierry në librin e tij „Historia e pushtimit të Anglisë nga normanët“ në faqen 89: „…tani populli i shtypur do të tërheqë vëmendjen; njëlloj interesimi në drejtim të vetin, që nuk e ka pasur më herët, sepse kauza e tij, do të bëhet kauzë e mirë: do të jetë raca e përvuajtur dhe e shtypur.“

„…car sa cause deviendra la bonne cause“, „…sepse kauza e tij, do të bëhet kauzë e mirë!“ 

Paradoksale: më shtyp, më diskrimino, më keqtrajto, më anulo të gjitha të drejtat dhe kauza ime, do të bëhet e mirë: gjithandej e pranueshme dhe unë do të çlirohem prej teje! Historiani Thierry thotë se e një popull i shtypur tërheq vëmendjen drejt vetes. Në fakt, sa më brutale që bëhej Serbia, aq më shumë kauza jonë kuptohej. Sa më shumë që ajo na arrestonte, dëbonte e vriste, kauza jonë bëhej aq më e fuqishme në opinioni botëror, rrjedhimisht aq më e gjykueshme Serbia.

Pse redaktuesi i shumë burimeve historike të mesjetës, Augustin Thierry,  ka të drejtë? Sepse kudo i pafuqishmi, i dobëti dhe i drejti ngjallin emapti te të tjerët. Pikërisht këtë e arriti Ibrahim Rugova me politikën e tij aktive. (Politika e tij nuk ishte pasive. Rezistencën e popullit e dëshironte të atillë, por  jo veprimtarinë e vet. Ai në mënyrë aktive demaskonte politikën shoviniste serbe…) Se Thierry ka të drejtë e dëshmon edhe Izraeli sot: pas plojës skëterrë, që iu shkaktua popullit të pafajshëm hebre, u krijua Izraeli. Hitleri e deshi zhdukjen e tyre, por pasoi sendërtimi i shtetit: sot një vend me mirëqenie dhe me një demokraci të qëndrueshme. Megjithatë, Thierry nuk ishte mësues i Rugovës.

Media perëndimore herë do ta quajnë Gandi i Ballkanit, herë Gandi i Prishtinës. Megjithatë nëse lexuesit të ardhshëm nuk do t’i duket i mjaftueshëm ai mendim për të kuptuar doktrinën pacifiste të humanizmit absolut, do të vazhdojë të besojë se Rugova ishte tradhtar dhe njeri i Millosheviqit.

Nëse ai lexues nuk do t’i besonte (para)gjykimit eliminues të akademik Rexhep Qosjes, gjatë hulumtimeve të veta, ai mund lexojë edhe këtë mendim:

„Na futni në burg dhe do të ju duam ende. Hidhni bomba mbi shtëpitë tona dhe kërcënoni fëmijët tanë dhe ne do t’ju duam ende. Dërgoni vrasësit tuaj me kapuç në shtëpitë tona natën, na rrihni dhe na lini gjysmë të vdekur dhe ne do t’ju duam ende. Por jini të sigurt se ne do t’ju rraskapitim me aftësinë tonë për të vuajtur. Një ditë ne do ta fitojmë lirinë, por jo vetëm për veten tonë: aq shumë do t’i apelojmë zemrës dhe ndërgjegjes suaj, saqë në planin afatgjatë do t’ju bëjmë për vete dhe fitorja jonë do të jetë një fitore e dyfishtë…“ 

E kush e ka thënë atë mendim? Atë e ka thënë Martin Luther King Jr, pastori baptist amerikan dhe aktivisti për të drejtat qytetare.

Hyjnore! Edhe një herë, „… jini të sigurt se ne do t’ju rraskapitim me aftësinë tonë për të vuajtur… në planin afatgjatë do t’ju bëjmë për vete dhe fitorja jonë do të jetë një fitore e dyfishtë.“  Sjellja e Rugovës ishte e tillë: e pa urrejtjeje, mirëpo as ai nuk ishte mësues i Rugovës.

Pacifizmi aktiv i Rugovës gjendet edhe në mendimet e Gandit: „Urreje mëkatin, duaje mëkatarin!“ dhe do të vazhdojë tutje: „Jodhuna e vërtetë është e pamundur nëse më parë nuk fitohet beteja kundër çdolloj frike. Asgjë nuk arrihet pa sakrifica dhe pa guxim…“  

Pra „Jodhuna e vërtetë është e pamundur nëse më parë nuk fitohet beteja kundër çdolloj frike.“ Sepse duhet guxim i madh për ta mundur frikën dhe për të udhëhequr një popull të pafuqishëm dhe të shtypur: për ta bërë atë edhe më të fuqishëm, jo duke e frymëzuar me urrejtje, por me durim dhe humanizëm; jo duke e dëmtuar imazhin si komb, por duke fituar vazhdimisht mbështetje dhe duke ia marrë Serbisë aleatët njërin pas tjetrit. Sidoqoftë, as prej Gandit Ibrahim Rugova nuk do të jetë i ndikuar.

Nëse nuk i mjaftojnë lexuesit ato argumente, që aq bukur përkufizojnë politikën e Rugovës, atëherë ai mund të lexojë  edhe historinë e Mandelës dhe të nënvizojë këtë mendim: “Unë kam mësuar se guximi nuk është mungesa e frikës, por triumfi mbi të. Njeriu i guximshëm nuk është ai që nuk ka frikë, por ai që mposht frikën.“

Në vitin 1989 Rugova zgjidhet kryetar i LDK-së, në vitin 1992 Kryetar i Republikës së Kosovës. Njeriu që ka frikë nuk pranon kurrë atë pozitë! Jo gjatë atij ankthi politik.

Por nëse lexuesi i ardhshëm lexon se nga Italia Ibrahim Rugova kishte kërkuar ndaljen e bombardimeve? Atëherë atij, nga ky shekull, në shekullin e tij, mund t’i thuhet kjo:

Edhe Krishti i gozhduar kishte thënë: „O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë!“, por natyrisht se vendimi i mbetet Atit, jo Krishtit, si i mbeti edhe NATO-së, jo Rugovës, por kërkesën e pat bërë Krishti, kërkesën e pat bërë edhe Rugova. Ata dy nënvizuan qëndrimet e tyre për njeriun, për jetën, sepse ata dy, si edhe Gandi, urrenin mëkatin, por jo mëkatarin dhe Rugova besonte si Buda se „urrejtja nuk shuhet me urrejtje, në asnjë kohë. Urrejtja shuhet me dashuri. Ky është ligji i përjetshëm.“ Këtë e dinte shumë mirë Rugova, sidoqoftë, as Buda nuk ka ushtruar ndikim në politikën e tij.

“Ajo që ka rëndësi në jetë nuk është se ne kemi jetuar, por si kemi ndryshuar jetën e të tjerëve.” thoshte Mandela dhe, Ibrahim Rugova, ka ndryshuar edhe jetën e Rexhep Qosjes, sepse ky veproi mu ashtu si i konvenonte kombit shqiptar: e ktheu Kosovën nga Perëndimi.

Epilog

Ishte Rugova i ndikuar nga ato personalitete të lartpërmendur? Nga Buda, nga Krishti për shembull? Nga Gandi, nga Mandela? Simpatia ndaj Krishtit nuk mund t’i mohohet, por ai nuk ishte nxënës. Ai ishte vetvetja, prandaj edhe nuk mbeti nxënës i askujt, por përfundoi si Mësues i çdokujt. Diku 2000 vite qytetërim,bota la pas vete katër personalitete politike, që me pacifizëm luftuan kundër pushtuesit ose kundër padrejtësive brenda një shteti: Gandi, Martin Luther King, Mandela dhe Rugova. Ata kanë edhe diçka tjetër të përbashkët: ata fituan kundër së ligës!

Fal humanizmit të tyre kategorik e radikal, ata do të mbeten të mëdhenj gjithmonë, sepse nuk ndienin nevojë për të urryer, por për të mundësuar dhe për lehtësuar jetën: për të ndërtuar ura të qëndrueshme për të ardhmen. Po pse qëndrimi i Rugovës ka aq shumë ngjashmëri me personalitetet e lartpërmendur? Pse? Sepse urtësia dhe humanizmi mund të jenë kudo të ngjashëm, si edhe dashuria, por jo urrejtja. Ajo mund të ketë motive dhe pikënisje të ndryshme, kurse pacifizmi ka vetëm një: jetën. Njeriun!

A e çliroi Rugova Kosovën? Jo! Rugova ndihmoi të na kuptojë Perëndimi dhe, ai na kuptoi. Ai shtroi rrugën nëpër të cilën marshoi pastaj UÇK. Pse mund të thuhet kështu? Sepse nga viti 1945 deri më tani në botë ka pasur 169 konflikte luftarake, sipas „Bundeszentrale für Politische Bildung, „Qendrës Gjermane për Edukim Politik“ mirëpo e dimë të gjithë, se nuk ka intervenuar e as nuk intervenon kudo SHBA, apo NATO.

Rugova përfitoi aleatë kur nuk patëm asnjë, UÇK u shfaq në çastin e duhur dhe SHBA me NATO-n na ndihmuan të çlirohemi. Ibrahim Rugovës duhet t’i përkujtohet lindja dhe 21 janari, dita e vdekjes, por pa harruar kurrë edhe mirënjohjen ndaj UÇK-së. Ata, me luftëtarët, me të masakruarit, me të dhunuarat dhe me 50% të popullsisë së dëbuar, përshpejtuan ardhjen e NATO-së në Kosovë kurse George Bush, e kurorëzoi me pavarësi kontributin e  Clintoni-t, të Bleri-t dhe të mijëra vetave tjerë…

____________

Libra nga Lis Bukuroca

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore,

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore,

Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu