ARKIVI:
30 Janar 2025

Cili është dallimi mes Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt ?

Shkrime relevante

Djegësi i Kuranit Salwan Momika u qëllua për vdekje

Salwan Momika në Malmö në 2023. Foto: Johan Nilsson, TT-NTB. MALMÖ, SUEDI...

Agim Vuniqi: Grada gjeneral e Ramush Haradinaj, duhet verifikuar prej NATO-s

Agim Vuniqi, New York Grada gjeneral, apo gjeneral i “vetëshpallur” i deputetit...

“Kosova po lulëzon…!”

Gani I. Mehmeti Kosova jonë e varfër, me padurim po i pret...

Shumëfetaria na dëmton, le t’i kthehemi besimit katolik, fesë së natyrshme të Shqiptarëve !

Msc Belisar Jezerci * DIVERSITETI FETAR NUK ËSHTË PASURI KOMBËTARE Historia e shqiptarëve...

Shpërndaj

Historia e Kosovës nuk është thjesht një varg ngjarjesh, por një arenë ku dallimi midis heroit dhe tradhtarit përcaktohet nga gjaku i derdhur dhe nga vendimet që vulosin fatin e një populli.
Në këtë histori, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj nuk janë thjesht dy emra në politikë – ata përfaqësojnë dy drejtime dhe ide të kundërta, të bashkuara nga etja e pangopur për pushtet dhe për pasurim të paimagjinueshëm.
Në pamje të parë, dy figura të papajtueshme: njëri mishërim i dinakërisë politike, tjetri simbol i guximit të palëkundur, ajo që i bashkoi ishte lakmia e pashuar për ta bërë të tyren gjithçka që u pëlqente syve dhe shpirtit të tyre.
Lufta: Nga hoteli “Rogner” dhe nga fushat e malet e Dukagjinit
Hashim Thaçi, i shitur si “udhëheqësi politik” i UÇK-së, nuk e nuhati asnjëherë erën e barutit, përveçse kur pinte kafen e tij të shtrenjtë në hotelin “Rogner” në Tiranë, duke luftuar nëpër fushëbeteja me armën e quajtur PlayStation, ndërsa të tjerët derdhnin gjakun në fushëbetejë. Për të, lufta ishte një skenë për poza fotografike dhe për të siguruar një karrige në tryezën diplomatike – një njeri që kishte frikë nga plumbat, por jo nga intrigat.
Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj nuk kishte luksin e hoteleve dhe makinave diplomatike që e çonin nga një takim në tjetrin. Ai kishte vetëm pushkën, besnikërinë ndaj shokëve dhe një betim të palëkundur për lirinë. Nuk kishte kohë për kalkulime politike, sepse çdo çast i tij i lirë ishte një përballje tjetër me armikun – barbarin, gjenocidistin, përdhunuesin dhe plaçkitësin. Ai historinë nuk e shkroi me deklarata, por me plagët në trup dhe varret e vëllezërve të tij.
Paslufta: Shteti si plaçkë apo si sfidë?
Thaçi nuk e pa shtetin si një amanet të shenjtë të dëshmorëve, por si një biznes privat. Atij nuk i interesonte forcimi i institucioneve, sepse ai vetë ishte institucioni. Vendimet e tij nuk bazoheshin në interesin kombëtar, por në ambiciet dhe interesat e klanit të tij, të uritur për pushtet dhe pasuri. Ai nuk pati asnjë problem të nënshkruante marrëveshje që rrezikonin sovranitetin e Kosovës, sepse për të Kosova nuk ishte atdhe, por territor për tregti.
Në ana tjetër, Haradinaj jo vetëm që nuk ishte pjesë e veprimeve që dëmtonin shtetin, por ai vetë u bë viktimë e lojërave të errëta politike që synonin eliminimin e atyre që nuk pranonin diktatin e klanit mafioz. E kuptoi herët se Thaçit nuk mund t’i besohej, ndaj vendosi të bashkëpunonte me Ibrahim Rugovën, duke u distancuar nga pazaret e ndyra të klanit “Pronto”.
Tradhtia si strategji: Nga Rambujeja te Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe
Thaçi kishte një talent të veçantë për të shitur tradhtinë si diplomaci. Kur nënshkroi në Rambuje, nuk e bëri ketë sepse ishte parashikues i mirë si Baba Vanga apo strateg i madh si Winston Churchill, por sepse për fat të mirë nuk e pati guximin ta kundërshtonte Perëndimin. Kosova nuk u shpëtua nga Thaçi, por nga Millosheviqi, i cili refuzoi marrëveshjen. Kjo është e vërteta e thjeshtë të cilèn propaganda e tij gjithmonë përpiqet ta fshehë.
Pas kthimit nga Rambujea, Thaçi nuk ndali me kompromiset e dhimbshme. Nga një lider i vetëshpallur u kthye në një negociator jashtëzakonsht të suksesshëm në lëshime ndaj Serbisë.
Nënshkrimi i tij për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është një tjetër dëshmi se ai ishte i gatshëm ta shpërbënte shtetin për të ruajtur pushtetin e tij. Ishte një lëshim i panevojshëm, sepse Kosova tashmë ishte njohur nga mbi 110 shtete.
Ndërsa Thaçi luante bixhoz me fatin e Kosovës, Haradinaj, Kurti dhe Limaj ishin në sheshe, në parlament dhe në të gjitha frontet kundër këtyre tradhtive. Ata e kuptuan se negociatat me Serbinë nuk duhet të prekin kufijtë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Gjykata Speciale: Nga frikacaku tek luftëtari
Kur Dick Marty lansoi shpifjen monstruoze për trafik organesh, Thaçi e bëri atë që dinte më së miri:
Ai premtoi një padi ndërkombëtare dhe më pas u fsheh si Struci.
Në vend që të luftonte për ta hedhur poshtë këtë akuzë, ai pranoi krijimin e Gjykatës Speciale, e cila kishte për qëllim ta paraqiste UÇK-në si organizatë kriminale.
Pse e bëri këtë?
Sepse kishte frikë. Sepse këshilltarët udbashë si Baton Haxhiu dhe Edi Rama i thanë se do të shpëtonte nëse do t’i tradhtonte shokët. Dhe si çdo frikacak që shet të vetët për të shpëtuar veten, nuk hezitoi ta bënte këtë.
Në anën tjetër, Haradinaj nuk pati këtë problem. Nuk pati frikë të përballej me drejtësinë ndërkombëtare. Dy herë shkoi në Hagë dhe të dyja herët doli i pafajshëm. Nuk i duhej një pazar me drejtësinë, sepse e dinte që nuk kishte kryer asnjë krim. Ky është dallimi midis një burri të vërtetë dhe një shërbëtori frikacak.
Epilogu: Trashëgimia e tradhtarit dhe trashëgimia e luftëtarit
Sot, Kosova ndodhet në një udhëkryq. Trashëgimia e Thaçit është një Kosovë me institucione të dobëta, drejtësi të kapur, ekonomi të shkatërruar dhe reputacion të dëmtuar ndërkombëtarisht. Ai është simboli i një klase politike që shtetin e pa si mjet për pasurimin personal.
Nga ana tjetër, Haradinaj mbetet një figurë kontradiktore, me disa vendime të gabuara politike, por pa njollën e tradhtisë. Nuk mund të krahasohet me Thaçin, sepse njëri shiti shokët për lirinë e tij, ndërsa tjetri humbi vëllezërit për lirinë e Kosovës.
Dallimi midis tyre është si dallimi midis një udhëheqësi të rremë dhe një luftëtari të vërtetë. Dhe historia, herët a vonë, gjithmonë ndan grurin nga egjra.
Tek ne ekziston thënia e urtë “kojta e korit burrin”. Dhe kojtes më së shumti ia ka parë sherrin Ramush Haradinaj, sepse Hashim Thaçi kurrë nuk ishte burrë.

K O M E N T E

2 KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu