Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Korrik 2022
“Comœdia” ka botuar, tre shkrime gjatë muajve gusht, shtator dhe dhjetor të 1925 rreth veprës dhe jetës së shkrimtarit, politikanit dhe diplomatit shqiptar Stavro Stavri, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :
Një shkrimtar shqiptar
Comœdia, e hënë, 3 gusht 1925, f.3
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
- Stavro Stavri së shpejti do të botojë me bashkëpunimin e çmuar të zonjushës Alice Brenot një përmbledhje me “Përralla nga Orienti”. Z. Stavro Stavri pati botuar, në vitin 1922, një vëllim interesant “Studime mbi Shqipërinë”; ai përshkroi aty zakonet, historinë fetare e letrare, zakonet familjare të këtij vendi, ku ai është një nga përfaqësuesit më të shquar.
Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Shqipërisë, Deputet i i Tiranës, i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në Beograd, ish-profesor i gjuhës shqipe në Shkollën tonë të Gjuhëve Orientale, z. Stavro Stavri, i cili ka përfunduar tek ne doktoraturën në degën e drejtësisë është një mik i madh i Francës dhe propagandon me zjarr kulturën e saj. Së shpejti, në Shqipëri do të ketë pesë shkolla të mesme franceze për djem dhe vajza (gratë atje janë pothuajse të gjitha të bukura dhe pjellore). Dhe le të theksojmë gjithashtu se nëse “Skypetarëve” (kështu e quajnë veten shqiptarët) nuk u mungojnë as automobilat dhe as avionët, ndërsa hekurudhat, si të thuash, nuk ekzistojnë akoma.
Shqipëria ka ruajtur pamjen e dikurshme, një pamje shumë e veçantë pavarësisht pushtimit turk që zgjati pesë shekuj. Do të gjejmë në botimin e radhës, i cili u mundësua sipas traditës gojore, të gjithë folklorin, ritet, dashuritë, skenat tragjike apo idilike të një populli të lashtë, të ashpër, besnik, për të cilin fjala e dhënë mbetet një gjë e shenjtë.
Dasma e Stavro Stavrit
Comœdia, e premte, 25 shator 1925, f.2
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
- Stavro Stavri, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Beograd, është martuar në Paris me zonjushën Alice Brenot, Doktorante në degën e Letërsisë, e diplomuar në “Ecole des Hautes Etudes de Paris”.
Folklori oriental
Comœdia, e enjte, 17 dhjetor 1925, f.4
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Zonjusha Alice Brenot, e cila është bërë, siç kemi bërë të ditur, zonja Stavro Stavri, aktualisht ndodhet në Beograd ku autorët dhe artistët francezë gëzojnë një pritje të lumtur. Nuk mendojmë se po bëjmë një zbulim të madh duke thënë se të preferuarit janë z. Pierre Benoit dhe princesha e bukur Aurore de Kœnigsmark, luajtur nga zonja Huguette Duflos.
Për sa i përket zonjës Stavro Stavri, ajo po përfundon, me bashkëpunimin e të shoqit, një përmbledhje me “Përralla nga Orienti”, të titulluar kështu, sepse çdo vend i Orientit do të gjejë vendin e vet në të. Ne do të vlerësojmë veçanërisht në këtë libër legjendat shumë të vjetra vendase, nga të cilat folkloristët do të mund të përfitojnë.
* Aurenc Bebja, Francë. https://www.darsiani.com/la-gazette/com%C5%93dia-1925-shkrimtari-shqiptar-stavro-stavri-dhe-zonja-e-tij-franceze-alice-brenot-do-te-sjellin-se-shpejti-librin-perralla-nga-orienti/.