ARKIVI:
18 Tetor 2024

Copëza nga Ditari: 78 ditë ankth dhe shpresë

Shkrime relevante

Telekomi apo Z-Mobile, kush e humbi apo kush e fitoi arbitrazhin

Selatin Retkoceri, Llugaxhi, Lipjan ___ Zhvillimet e fundit në skenën politike në të...

Mustafa Bajrami me qëndrime antishqiptare për identitetin tonë kombëtar!

Shkruan Luan Dibrani Mustafa Bajrami është një figurë e njohur për qëndrimet e...

Rilindja,18 tetor 1978: U dha Çmimi Nobel për Paqe , Nënë Tereza – laureate

-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja shkruante historinë/ PRISHTINË, 17 Tetor 2024- Behlul...

Marrëveshja e Ohrit që përjashtoi Shqiptarët nga Kushtetuta e Maqedonisë!

Ahmet Asani ▪︎ 23 vite më parë, më 13 gusht të vitit...

Shpërndaj

Shkruan: Bardhyl Adem Selimi, Tiranë

(Ditar)

Copëza nga Ditari i Imri Musliut

E lexova këtë libër jo si librat e tjerë, ngadalë ngadalë, por “me një frymë”. Padyshim kisha përpara një Ditar Lufte, pra diçka burimore, nga dëshmitar okular. Por, nga dëshira për ta bërë të njohur, shkëputa vetëm ndonjë frazë apo ide. Shpresoj t’iu pëlqejë!
24 mars 1999
Aleanca e NATO-s i filloi sulmet mbi caqet serbe mbi Kosovë dhe Jugosllavi (Serbi). Ky lajm na gëzoi dhe na shqetësoi njëkohësisht sepse u përzien, gëzimi aq i pritur dhe frika. Gëzimi se po sulmohet një ushtri barbare dhe frika se po ajo ushtri do të hakmerret mbi ne, si asnjëherë më parë gjatë historisë.

25 mars
Treni i mbingarkuar me refugjatë lëviz në drejtim të kufirit me Maqedoninë, gjersa malet ushtojnë nga pushkët e rezistencës. Uroj që të mos mbeten vetëm ushtarët në male.

26 mars
Flaka e sotme ka përfshirë lokalet afariste në bllokun nga Furra e Mikelit e deri te Fabrika e Veglave dhe e Ujtive Elektrike, në gjatësi rreth 300 metra përgjatë hekurudhës. Të gjitha këto lokale janë të shqiptarëve.

27 mars
Kanë thanë se sonte kanë me na i kallë shpijat!
Kanë thanë Ikni kah të mundeni, se nuk dihet çka sjell nata!
Këto ishin “lajmet” që na i futën ethet në bark dhe shkaktuan valë të madhe refugjatësh, si nga qyteti ashtu edhe nga lagjia Poshtëria. Pa rënë terri, u mbush lagjia Burimi përplotë refugjatë, por, me të rënë terri ajo u vërshua edhe nga një valë e madhe e të ikurve.
…Sot në të gdhirë e gjithë bota islame drejtohet kah xhamitë për ta falur Kurban Bajramin, mirëpo vetëm myslimanët e Kosovës nuk do të luten në xhami. Ata vetë sot po bëhen kurban për një të ardhme më të mirë për brezat që po vinë.
28 mars
Fshati Zaskok është më shumë se një kazermë ushtarake serbe….shtëpitë serbe janë bërë mbështetje shumë e fortë për ushtrinë e stacionuar këtu.. U fol për një valë refugjatësh prej 60 mijë vetësh për në Shqipëri…Kemi harruar se vendi të cilin e njohim mirë është aleat për ditët si këto..
29 mars
Dikush është duke futur huti në popull dhe është duke i shërbyer atij që nuk duhet. Me lajmet..
Para pak ditësh, u vra avokati Bajram Kelmendi me dy djem të tij. Ky luftëtar i paepur për të drejtat e njeriut ishte halë në sy për pushtuesin…

30 mars
Sërish lajme disinformuese për të futur frikë.
Tani e tutje Serbia do të bombardohet 24 orë në ditë dhe jo vetëm natën.

31 mars
Rruga e Pleshinës nxin nga turmat e njerëzve që ikin këndej në panik..Një varg shkon kah lagjia Blinisht tjetri nga Dubrava…Kanë rënuar shtëpinë e madhe të Rizah Mahallës dhe familjarët janë nën gërmadha.

1 prill
Lajm i ditës. Ibrahim Rugova takohet me Milosheviçin në Beograd. Kjo që pashë në televizor më brengosi….
Gjatë natës tre trena lëvizën në drejtim të kufirit me Maqedoninë.

2 prill
Disa predha armike e goditën edhe lagjen time…nga frika e predhave fillojnë të dalin në malin më të afërt, i madh dhe i vogël. Këtu në lagjen Burimi janë 204 vendas dhe 100 refugjatë nga Shtimja..
Gremja po granatohet pa pushim..Duket se edhe serbët kanë humbje, se nuk po bëjnë asnjë hap përpara..Në një anë të Gremes lufton një njisit i UҪK.
Ndonëse shi, ne punuam tërë natën për gropimin.
3 prill
Fëmijët qajnë e dridhen nga të ftohtit…Vendosëm të kthehemi nëpër shtëpira për t’i ngrohur ata. Më vjen keq që njerëzit kanë nisë ta shajnë Zotin…

4 prill
Tani Gremja me 400 shtëpi të djegura dhe të rrënuara dhe me gjithë ata banorë të vetët dhe të ardhur nga shumë fshatra të tjera është tërhequr në Lugun e Berishës tek Gjirizi, nën tenda najloni dhe dikush edhe nën qiell të hapur dhe pret me ankth çka do të bëhet më tej pas gjithë kësaj…
5 prill
Lagjia Burimi ndodhet nën shenjëstrën e serbëve, 600 m në lindje në një shtëpi të lagjes Lisi, ndodhet një njisit i UҪK dhe 800 m në veri forcat serbe.
..Në kufirin Kosovë- Maqedoni kanë vdekur 20 vetë dhe 60 mijë presin aty..
Kosova do çlirohet një ditë dhe këtë liri do ta shijojë më shumë ai që e pret aty dhe jo jashtë saj.

6 prill
Sot mixha Ukë e solli një lajm të hidhur. Mbesa e tij e vogël, Qendresa, 8 muajshe, të cilën e barta në krah nëpër mal e në mot me shi me 2 prill, mbrëmë kishte vdekur! Në varrim morën pjesë vetëm tre pleq dhe hoxha sepse varrezat ndodhen në oborrin e xhamisë, ku janë stacionuar forcat serbe me autoblinda dhe raketa kundërajrore.

7 prill
Përkundër armëpushimit të shpallur pas marrëveshjes Milosheviç- Rugova, NATO nuk i ndërpreu bombardimet, sepse dhelprës nuk i zihet besë. 26 raketa u hodhën mbi Nish,
8 prill
Mbrëmë në vijën Ferizaj- Shtime qielli ka shndërritë gjithë natën, kurse Kamogllava është djegur gjatë ditës së djeshme.
Deri dje, UҪK konsiderohej organizata terroriste kurse sot një zëdhënës i NATO-s e krahasoi atë me një Feniks.

9 prill
Rusia është duke luajtur një rol destruktiv kur është në pyetje Kosova. Kjo lojë do ta dëmtojë Kosovën gjithësesi, por edhe Serbinë,,

10 prill
E pyetën një njeri për arsyet e shkuarjes në luftë. Nuk shkova unë në luftë por lufta erdhi te unë. Edhe neve na erdhi lufta në derë të shtëpisë, ndërsa tani, dashje pa dashje, u gjendën në vorbullën e saj. Sot luftojmë me të gjitha forcat, për të mos na gëlltitë e zeza me teshë e koteshë.

11 prill
Tani në të gjitha bazat ajrore të NATO-s janë 600 gjuejtës. 6 raketa goditën kazermën e qytetit.

12 prill
Sot e takova bashkëfshatarin tim, bacën Sefë. Atë e kishte rrahur ushtria serbe në oborrin e ambulancës në Ferizaj, në praninë e pesë mjekëve! Ai ishte pensionist, i lodhur nga mosha dhe nga sëmundja.

13 prill
Llamba e vajgurit ëshët bërë burim i dritës, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë tash së voni, që e konsideron veten vend i zhvilluar.
..Në një raport nga Shtimja u tha se, nga raketat e parmbrëmëshme në Ferizaj, copat e tankeve kanë fluturuar deri në 300 metra!
14 prill
Rusia, si zakonisht, e përkrah Serbinë verbërisht. Masakrat mbi popullsinë civile nuk i dënon dhe çdo gjë shqiptare e quan terroriste. Ajo, falë Zotit, nuk e ka më forcën e dikurshme, por ka mbetur si gjarpëri pa dhëmbë.
15 prill
Në gjakovë u qëllua një vargan refugjatësh, me ç’rast u vranë 100 veta. Serbia e akuzon NATO=n por si duket këtë e ka bërë vetë. Edhe në Hajvali, afër Prishtinës, kanë vdekur 12 shqiptarë nga një raketë.
16 prill
Fshatrat që digjen në një hark:Viti-Pozhoran-Lypjan formojnë një kurorë tymi, që krijon përshtypjen e një katastrofe natyrore.
Sot, në afërsi të fshatit Doganaj, u plaçkitën dhe u rrahën ata pak guximtarë që donin të dilnin në Ferizaj për ilaçe dhe tharm buke. Tre të rinj i nxorën nga vetura afër ambulancës së qytetit dhe i zhdukën që aty.
17 prill
Populli ka mbetur në mëshirën e fatit dhe kasapit.
18 prill
Pasdite, një turmë e madhe refugjatësh u kthye prapë nga kufiri në Han të Elezit për në Ferizaj. Ata, pos që janë plaçkitur, edhe i kanë shërbyer armikut si mur i gjallë për t’u mbrojtur nga bombat e NATO-s. Pilotët, shumë here, kanë deklaruar edhe para mediave se kanë parë civilë të ngujuar nën ura dhe në vende të tjera. Për këtë gjë dhe i kanë anulluar këto caqe nga listat e tyre dhe nuk i kanë goditur. Armiku shpesh herë po i maskon civilët dhe ata po bien viktimë.

19 prill
Këtu njerëzit janë ballë për ballë me urinë dhe vdekjen, por bota ende nuk po i kupton.
..Ferizi e Musa kishin vizituar disa të njohur në Lugun e Berishës. Ishin tmerruar nga kushtet e jetesës atje.

20 prill
..shumëkush ka harruar se në Kosovë po vdesin për bukë e ilaçe, po vritemi e masakrohemi nga kanibalët, po digjemi e deportohemi jashtë kufirit.

21 prill
Disa udhëheqës na kanë thënë se Kosova do pavarësohet pa luftë, ndërsa Noel Malcolm thotë se do ketë më shumë luftë, më shumë vuajtje dhe shtim të krizës aktuale…

22-23 prill
Nënë Aishja e Jusuf Gërvallës ka kaluar në Shqipëri. Kur e pyetën pse nuk erdhe më herët, ajo tha: nuk doja t’i leja librat e Jusufit. Vetëm ato i kishin mbetur, se Jusufin ia vranë.
Kryetari Zhak Shirak, për luftën e Kosovës tha: këtu po lufton demokracia me barbarizmin.

Imri Musliu

Përjetim i vërtetë vështirësish të luftës

Jakupi kish qëlluar në Greme dhe me vete kishte sjellë motrën me gjithë fëmijë. Rrugës malore kishin hasur në rrebeshin e plumbave dhe ishin futur në një hendek ku ishin bërë gjithë baltë.
Pas pushimit të krismave, Jakupi kishte ardhur këndej, kurse motra me fëmijë ishte kthyer prapë në Lugun e Berishës. Mbi lagje, rrëzë mali, u takova me të dhe bashkë shkuam në lagjien e Abazëve, sepse më thanë se fëmijët e mi mund të kenë shkuar atje. Pamja që e hasim na huton pa masë. Gjithkah dyer të hapura dhe asnjë njeri të gjallë, as të vdekur! Na lind dyshimi se mund t’i kenë rrëmbyer dhe masakruar serbët! Si pa frymë, i kërkojmë të gjitha dhomat dhe ahurin e bagëtive, por asnjë shenjë nuk gjejmë!
Këto çaste përjetohen rëndë. Sekondat na bëhen orë! Tani ecim pip në këmbë pa e menduar rrezikun që na kanoset. i kërkojmë edhe disa gropa ku më parë njerëzit kanë nxjerrë gurë. As aty nuk ka ndonjë shenjë.
Më poshtë hasim një lopë të Jakupit, të shtrirë përtokë. Një armë e rëndë e kish goditur në gjoks dhe ajo kish ngelur e ngordhur në vend.
Nisemi teposhtë, por as uji i ftohtë nuk na i freskon më buzët. Goja na është bërë pelin. Kthehem tani vetë në lagje ku njerëzit ende silleshin si pa kokë, duke i kërkuar të vetët. Nëna ime u merakos shumë për fëmijët dhe gruan time. Nuk dija si ta ngushëlloja me një fjalë të mirë.
Nisem në lagjen Poshtëria, tani nëpër terr. Disa shtigjeve të ndërtuara enkas, pas vendosjes së forcave serbe në Zaskok, arrij të Shaip Mahalla. As ai nuk dinte gjë për fëmijët e mi. Kisha besim se mund të ishin strehuar atje..
Ushtria serbe ndodhet andej murit të oborrit të Shaipit dhe nuk flasim por në majë të gishtave kalojmë aty pari. Shaipi më tha: M’u këputën këmbët kur pashë se u derdh gjithë ai barot në Mahallë (në lagjen Burimi)! Aty ku godiste praga, ngrihej një pluhur sikur shkundim një thes mielli. Në jetën time nuk kam parë diçka të tillë, madje as kur kam qenë ushtar.
Kthehem në shtëpi nëpër terr duke menduar çka t’i them nënës time për gruan dhe fëmijët e mi që nuk i gjeta. Më mban shpresa se mund të jenë futur diku, se përndryshe kjo do të jetë nata më e gjatë në jetën time. T’i kërkoj në këtë terr është njësoj sikur të kërkoj gjilpërën në shkretëtirë pas një uragani. Tani është ora një pas mesnate e gjumë nuk kam. E porosis Ferizin të më zgjojë në orën 4-30 sepse tani nuk më mjaftojnë as 24 orë në ditë!
Gjumi nuk më zuri nga e gjithë ajo që përjetova. Gruaja dhe fëmijët e mi mund të jenë strehuar në ndonjë gërrellë por edhe mund të kenë pësuar nga ndonjë predhë armike, sepse zjarri ishte mjaft i dendur dhe ka qenë rrezik edhe për njerëzit e stërvitur e lëre më për fëmijët e gratë. Por kur mora vesh se me ta kishte qenë edhe Raifi me të shoqen dhe vajzën e tij, u lehtësova pak sepse ai i di shtigjet malore nga mund të kenë kaluar në fshatin Pleshinë.
Kur më thirri Ferizi, dola dhe duke i mbathur këpucët cingëroi ora me zile, 4-30. Vëzhguesi kishte vërejtur disa drita në Lugun e Mahallës gjatë natës dhe ishte frikësuar se mos kishte hyrë ndonjë njësi speciale serbe, sepse ato, kohët e fundit, janë aktivizuar shumë. Nuk vonoi dhe u kuptua dritat kishin qenë të njerëzve të ikur gjatë natës nga kampi i najlontë në Lugun e Berishës. Me të vërtetë, pas sulmit të djeshëm, nuk dihet e ardhmja e banorëve të mbetur në Greme, Zaskok dhe Pleshinë.
Një shi i imtë i kishte lagur pa mëshirë ata hallexhinj gjatë tërheqjes së mbrëmëshme nëpër gjithë atë baltë. Tani, nga frika se mund të ketë ushtri serbe në anën e epërme të lagjes Burimi, 11 veta marrim guximin t’i hyjnë malit këtë mëngjes të hershëm e me shi. Me vete marrim një qen i cili është mësuar për kësi situatash. Ecim pa folur asnjë fjalë dhe lagemi deri në palcë! Mali ushton nga shiu dhe vështirë mund të vërehet rreziku, por ne ecim pa u ndalur. Edhe mjegulla e dëndur na krijon përshtypjen se ndodhemi në një vend të panjohur. Afër një burimi, midis mali, gjejmë një tendë të boshatisur dhe hyjmë aty për të pushuar pak, për për t’i shtrydhur rrobat që kullojnë ujë. Hakiu dhe Jakupi gjatë kësaj kohe zdirgjen deri në Lugun e Berishës për të marrë vesh se çka kishte ndodhur mbrëmë. U kthyen, jo vetëm të lodhur e të rraskapitur por edhe të prekur në shpirt nga ajo që kishin parë. Tendat ishin boshatisur dhe kampi kishte mbetur shkretë.
Granatat serbe qëllojnë kurse NATO sot festoon 50-vjetorin dhe nuk sulmon!
Kah ora 14, kthehemi në lagje, të bindur se nuk ka forca serbe mbi një rrip të gjatë 5-6 km mbi lagjen Burimi. Disa rrugicave, duke më ndihmuar edhe mjegulla, të mos më hetojnë serbët e stacionuar afër xhamisë në Zaskok, arrij prapë të Shaip Mahalla. E kuptova se fëmijët dhe shoqja ime ndodheshin në anën e majtë të rrugës Pleshinë- Ferizaj, afër 200 m matanë punktit serb! Ata, një ditë më pare, kishin kaluar në Pleshinë disa rrugëve malorë, që më shumë ngjanin në hendeqe dhe kishin dalë të lagjia e Gavazëve. Pasi aty nuk kishin gjetë strehim, kishin vazhduar deri në Pleshinë të Ulët që është ngjitas me fshatin Zaskok dhe ishin vendosur në shtëpinë e Imri Selimit. Fëmijët e Shaipit, duke kaluar disa kopshte e oborre, shkuan deri në shtëpinë e Imriut dhe, bashkë me fëmijët e mi dhe Raifin me familje, erdhën.

24 prill
Djegiet e shtëpive po vazhdojnë aty ku ka ende çka të digjet. Në një anë kinse po vepron një diplomaci e zbehtë kurse në anën tjetër po vepron makineria shkatërruese serbe, pa asnjë ngurim, madje mund të thueht ajo po vazhdon me një nxitim më të madh.

25 prill

Sot djali im, Arbeni, duke luajtur në oborr, gjithë ditën e ka përsëritë refrenin “Haj medet o haj medet!”. Kjo më kujtoi kohën e studimeve, kur një shok i imi, tani mjek pediatër, më pat thënë se nuk e donte folklorin sepse çdo këngë fillon me “Haj medet”. Tani shoku im ndodhet diku në Shqipëri, dhe po të kisha mundësi, do ta pyesja: si do ta fillonte sot ai një këngë për kohën nëpër të cilën po kalojmë, me 800 mijë të shpërngulur dhe me sa, kush e di, varreza massive nëpër Kosovë dhe ndodhta edhe në Serbi, dhe me Kosovën e bërë shkrumb e hi?! Me siguri se nuk do ta fillonte me “ Lum e lum, o ban Kosova!”

26 prill
Ҫdo ditë dëgjojmë lajme rrënqethëse për vrasje, djegie, dëbime, masakra e dhunime.
.. Shpërngulja vazhdon dhe shpesh ndodh që treni nuk ndalet fare në stacion, sepse vjen i mbingarkuar me udhëtarë nga vise të tjera të Kosovës. Populli ka marrë një rrugë të pa krye duke u munduar të ikë sa më shpejt nga ky ferr!

27 prill
Sot OKB miratoi një rezolutë të zbutur për Kosovën nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës…Kjo është edhe më brengosëse, kur këta shtete kërkojnë edhe heqjen e embargos së armëve ndaj Jugosllavisë.

28 prill
Axha Bajram sot kishte shkuar për të bluar në mullirin e fshatit Talinovc të Muhaxherve dhe ishte vonuar. Atë, me t’u kthyer, e kishte ndaluar policia dhe e kish dërguar në kafeterinë famëkeqe Pranvera në Ferizaj. Njerëz me veshje civile dhe polici Nebojsha Gjorgjeviq nga Neredimja e Epërme e kishin rrahur pa mëshirë. Dorën e djathtë, gjurin e djathtë dhe mollëzën e faqes së djathtë ia kishin bërë thëngjill! Më pas, ish inspektori i Sigurimit, Shparavalla e kishte futur edhe në rrymë elektrike, kështu ai e kishte humbur vetëdijen dhe, me t’u këndellur, e kishte parë veten të rëzuar në baltën e bodrumit. Më vonë kishte ardhur një polic dhe e kishte urdhëruar të ikte në shtëpi.

29 prill
Sot Dojçe Velle njoftoi se nga fshati Zaskok kanë ikur të gjithë banorët, gjë që s’është e vërtetë. Lajme të tilla na i këputin krahët neve që po rrimë në Kosovë, përkundrazi bëhemi më të fortë kur dëgjojmë se ka njerëz që nuk duan të shpërngulen.

30 prill
Ushtarët dhe paramilitarët serbë janë trima me njerëzit e paarmatosur dhe vajhalli për ata që kapen prej tyre. Por kur në qiell duken gjuejtësit e NATO-s, ata ikin nga sytë këmbët duke braktisur kundërajrorët e duke u fshehur therrave dhe llugave apo nëpër gypa të kanalizimit atmosferik, sikurse janë parë këto ditë këndej Urës së Dudit.
Prandaj themi “serbi do zor”, përndryshe nuk shkulet…

1 maj
Politikanët po thonë se kjo gjendje mund të zgjasë, gjë që po e shton pasigurinë.
2 maj
Ҫdo gjë është në lëvizje. Aty ku ka lëvizje ka shpresë. Ku është shpresa, padyshim është edhe jeta. Ne ende shpresojmë në atë që ka thënë Zoti: Terri nuk e mund dritën por drita e mund terrin një ditë.
3 maj
Në shtëpinë e B. Hoxhës në Berishaj të Gremes kishin hyrë ushtarë serbë dhe kishin kërkuar një thikë për të therrë një viç, të cilin ia kishin grabitur dikujt.. Thonë se një ushtri që vjedh i ka ditët e numuruara.

4 maj
Serbët shpesh i ndërrojnë pozicionet dhe, pas, lënë fushat e minuara. Sot tre të rinj kishin kaluar në këto fusha, njëri kishte vdekur në vend, një tjetër ishte plagosë rëndë.

Së fundi gjuejtësit e NATO-s i kanë qëlluar dy autobuzë me civilë, nga të cilët disa janë bërë shkrumb e hi…

5 maj
Dihet se asnjë luftë nuk është absolutisht e drejtë, sepse në çdo luftë ka edhe qëllime të tjera, por tek e fundit as kjo botë nuk është absolute. Lufta e UҪK është e drejtë sepse po bëhet për lirinë e popullit të Kosovës në tokën e vet e jo diku tjetër, edhe lufta e NATO-s është e drejtë sepse po e përkrah një popull të cilit i ka ardhë shpirti në fyt nga një pushtues i egër sa s’ka më.

6 maj
Lajmi për shkurjen e Rugovës në Itali i ka hutuar njerëzit, sepse nuk e dinë a është i marrë peng nga Milosheviqi apo kish kërkuar ndihmë për t’u larguar nga Kosova.

7 maj
Sefë Mahalla nga Zaskoku kishte blerë një kilogram arpaxhik për ta mbjellë, por policët i kishin thënë: nuk ke nevojë për gjera të tilla sepse edhe një javë do ta pastrojmë Kosovën nga shqiptarët. Të gjithë do t’i vrasim!

8 maj
Policia kriminale serbe e ka arrestuar edhe mjeken dhe poeten Flora Brovina. Armikun e pengoi fakti se ajo i mjekonte fëmijët…Në se e likuidojnë Florën, asaj do t’i rritet edhe më shumë nami që ka fituar në popull, dhe pastaj për Serbinë më shumë do të ketë efekt negativ emri i saj, se puna të cilën do ta bënte ajo.

9 maj
Vrasja e professor Aganit do ta thellojë hendekun ndërmjet LDK dhe UҪK, por efekt më të madh arriti Milosheviqi me lirimin e Rugovës (I cili edhe më herët kishte mospajtime të mëdha me UҪK). Kur Rugova i tha Shrëderit dhe Ҫernomerdinit se UҪK duhet të çarmatoset për t’u zgjidhur problem i Kosovës në mënyrë paqësore, pikeçuditjet nuk do kishin fund pas kësaj fjalie…
10 maj
Vuk Drashkoviqi tha se “luftës po i avitet fundi” dhe se “duhen pranuar forcat e OKB” (NATO-n nuk e përmendi). Kjo flet se armikut po i shtrëngohet laku rreth qafës..

11 maj
Pas zbrazjes së Prizrenit, tani po zbrazet edhe Peja. Milosheviqi do hyjë në librin e Ginesit se ka zbrazur gjithë Kosovën për dy muaj!

12 maj
Aleanca i ka intensifikuar sulmet. Tani çdo ditë nga bazat e saj nisen 600 aeroplanë.
Ushtarë serbë, të ndihmuar nga serbë locale, po grabisin shtëpitë e fshatarëve. Njëri nga Nishi ndërsa tjetri nga Zaskoku (djemtë e Veliçkos dhe milici Vica, djali i Radovanit)

13 maj
Ushtria jugosllave po vret civilë në Padesh të Tropojës. Pse e lejoi UҪK? Ushtria shqiptare flet për ngritjen e aftësisë mbrojtëse…

14 maj
Parlamenti i Shqipërisë aprovoi sot një rezolutë për Kosovën dhe u prkrah qeveria e dalë në Rambuje, por Sali Berisha nuk mori pjesë. Ai e përkrah qeverinë e shkuar të Bukoshit. Tani, kur tri të katërtat e popullsisë janë përzënë jashtë Kosovës, politikanët ende nuk janë ngopur me tragjedinë e popullit të vet,

15 maj 1999
Kam filluar të besoj se edhe në NATO ka shkije

Në zonën operative të Nerodimes po zhvillohet luftë e ashpër dhe e pabarabartë.
Ka mbi 20 ditë që po zhvillohet kjo luftë. E pabarabrtë si nga numri i ushtarëve dhe nga armatimi. Kij parasysh dhjetëra mijë civilë pa bukë dhe ilaçe përreth UҪK që, në një farë mënyre, janë lak në fyt për të. Përparësia jonë është morali i lartë se po mbrojmë atdheun, ndërsa serbët një mit të rremë. Por NATO bombardon më shumë aty ku nuk ka luftime ndërmjet UҪK dhe serbëve. Prandaj armiku e ndoqi popullatën në zonën e Nerodimes. Shumë prej saj ranë në duart të armikut. Serbët pastaj dikë e vranë, dikë e torturuan dhe dikë e përzunë jashtë kufirit. NATO nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për këtë.
Dje u godit një vargan refugjatësh, të cilët po deportoheshin nga serbët për në Shqipëri. Aty vdiqën 80 veta dhe u plagosën 50! Ata ishin grumbulluar me forcë në një vend ku kishte tanke serbe, e pastaj NATO i kish qëlluar me raketa i kish bërë shkrumb e hi!
Serbia po e akuzon NATO-n për këtë tragjedi, por edhe unë kam filluar të besoj se edhe në NATO ka shkije!

16 maj
Ushtarët serbë po vazhdojnë të plaçkisin Dje, pa dalë mëngjesi, ishin futur në lagjen Lisi dhe i kishin zënë njerëzit në gjumë. i kishin plaçkitur dhe pastaj kishin kaluar në lagjen Karametaj por aty nuk kishin takuar asnjë njeri.
17 maj
Sot u përlesha me një ushtar serb që kish ardhë të marrë marka gjermane nga unë. Shoku i vet më plagosi me qytë. Për fat erdhën në ndihmë familiarët dhe ata u larguan.
Te Rizahi kishin marrë 50 marka gjermane. Ushtari i kish puthur market e gjermanit disa here. Kështu bën “patrioti i vërtetë”. Gjermani po ia djeg plang e themel, ndërsa ky i puth paret e gjermanit. Kjo është ajo që na jep shpresë , sepse serbët nuk kanë ardhur në Kosovë për të fituar luftën, por për të fituar para Ky do jetë fundi i turpit të tyre dhe fundi i zullumit në Kosovë.
18 maj
Në shtëpinë e N.G. kishte hyrë dikush mbrëmë dhe e kishte bërë lëmë thiu! Ai dje doli për te stacioni i trenit për të shkuar në Shkup, te kushëriri. Atij nuk i hynë në shtëpi serbët por fqinjët e afërm. Kjo vërteton se ne ende nuk jemi ngopur me tragjedinë e cila na ka mbërthyer.

19 maj
Dje Rugova i tha një gazetari në Bruksel për pyetjen “Përse nuk e njihni qeverinë e Rambujesë të cilën e keni miratuar vetë”: kjo nuk është e parëndësishme!
Kjo tregon se kthetrat e lakmisë janë më të rrezikshme se kthetrat e Milosheviqit.
20 maj
Kofi Anan, kryetar i OKB, e vizitoi sot Shqipërinë dhe refugjatët kosovarë në Kukës. Ai nënshkroi në gipsin që i ishte vënë një gruaje shqiptare në këmbë, për shkak të një plage që kishte marrë më herët nga serbët.

21 maj
Qedomir Arsiq, i cili është rritur me shqiptarë dhe asnjëherë nuk është cilësuar si nacionalist serb, sot e mban në shtëpi komandantin e ushtrisë serbe, i cili na plaçkit dhe na keqtrajton me ushtri.
Prandaj shprehja e të parëve se “serbë të mirë nuk ka” sot jo vetëm që është e pranueshme por edhe e moderuar…
22 maj
Familja e Latifit u shpërngul. Për shtëpinë e tij po kujdeset Agimi. Ai i mori pulat e Latifit dhe i bashkoi me ato të tia. Por ato ikën prapë në shtëpi të vet. Kjo nuk do koment!

23 maj
Bota po bisedon me Milosheviqin por ai nuk zbaton ato që i thotë. Kur shpall armëpushim, e ndez luftën deri në skajshmëri. Ai është i paparashikueshëm edhe për Serbinë!

24 maj
Edhe bishat e malit kanë dalë fushës, se për to ka ushqim me bollëk. Në Udhën e Kodrës, pashë disa gjurmë të shputave të një ariu, që kishin ngelur në baltë. Kishte ecur mespërmes rrugës pa e prishur terezinë. Si duket edhe arijtë e kanë kuptuar se malet janë shpallur zona lufte dhe kanë dalë fushave!
25 maj
E morën rrugën e arratisë katër familjet e mëdha të lagjes: Shefqet Mahalla,, Banush Mahalla, Raif Mahalla dhe Sefë Mahalla. Sepse dikush kishte thënë se kufiri me Maqedoninë mund të mbyllet dhe shqiptarët mund të përdoren si mur i gjallë nga serbët. i lanë shtëpitë, bagëtinë, lidhur në ahure, qentë, pulat, zabelet, kopshtet, arat e pemishtet dhe ikën për të shpëtuar kokën! U përshëndetën pa fjalë sepse fjalët sot na janë lidhur nyje.

26 maj
Djegiet kanë vazhduar kohë pas kohe. Është shumë keq që nuk mund t’i filmoj se nuk kam teknikë. Megjithatë një kamraman i huaj kishte filmuar një kuadër ku shihen ushtarë serbë duke dalë nga një shtëpi shqiptare me plaçkën e tyre. Njëri e mbante në duat një televizor, tjetri një kasetofon dhe më tej në një oborr, disa ushtarë tërhiqnin një traktor për ta larguar që aty.

27 maj
Në mëngjes e kumtuan lajmin se prokurorja e Hagës, zonja Luiz Arbur, grua rreth 50 vjeç sdo ta bëjë publik lajmin se Slobodan Milosheviq,Milan Milutinoviq. Dragoljub Ojdaniq dhe Vllajko Stojilkoviq do të kërkohen nga Haga si të dyshuar për krime lufte dhe ndaj tyre do të shpallet fletëarresti.

28 maj
Mbrëmë u dtyrova ta zgjidh qenin që trëmbej nga gjëmimet e predhave. Pasi e zgjidha, ai më ngjitej pas trupit sikur kërkonte nga unë shpjegime për të gjitha këto!

29 maj
Milosheviqi hyri n histori – tha zëdhënësi i NATO-s Xhejmi Shea. Ky njeri i cili hyri në histori, i shkeli 85 rezoluta të OKB dhe e detyroi NATO të ndërhyjë në Jugosllavi si dhe bëri që nga gjyqi ndërkombëtar të akuzohet për krime lufte një kryetar që ende në pushtet. Populli ka thënë: Mos bëj çka s’ka ba kush se e gjen çka s’e gjen kend! Ky i theu të gjitha ligjet kurse për ta dënuar, bota i theu ligjet ekzistuese.
30 maj
Sot pushoi transmetimin RTS. Rreth 1100 avionë bombarduan sot, nga ata 800 amerikanë.
Mendoj se duhen dënuar ata që përhapin panik, sepse demoralizojnë njerëzit. Shpesh lajmet dalin të rreme.

31 maj
Në Shalë të Bajgorës u ej=kzekutuan mbi 100 civilë, 210 ishin ekzekutuar që më 8 maj në Komunën e Istogut. Ata ishin duke ikur me familjet e veta për në Mal të Zi. i kishin ndarë burrat nga gratë dhe i kishin pushkatuar. Një i ekzekutuar me plumb në gojë, për çudi, kishte shpëtuar gjallë dhe kishte dhënë deklaratë me shkrim para gazetarëve me qenë se me gojë nuk kishte mundur të flasë. Ai kishte qendruar gjashtë orë i alivanosur, pastaj i kishte ardhur vrtëdija dhe ishte arratisur.

1 qershor
Deri tani janë regjistruar 131 fëmijë pa prindër në Kosovë kurse 251 prindër po i kërkojnë fëmijët e vet e nuk i kanë gjetur!
2 qershor
NATO e goditi edhe kazermën e UҪK në Koshare. Aq shumë gjak u derdh për ta marrë atë. Gjithashtu ajo e shkatërroi vijën e parë të mbrojtjes në Kukës duke i nxjerrë bunkerët nga dheu! Aty në NATO sikurse duket ka njerëz të Milosheviqit.
3 qershor
UҪK ka ndërmrrë një ofensivë me 4000 ushtarë, të quajtur “Shigjeta”. Njoftohet për suksese në front. Kurse pala serbe flet për “dështimin e plotë të UҪK”..
4 qershor
Parlamenti i Serbisë miratoi me 2/3 planin e paqes. Shumëkush dyshon se Milosheviqi do ta shkelë sërish vendimin..Në Pashtrik vazhdojnë luftime të ashpra.
5 qershor
Mblodha rrugës disa letra të hedhura nga avionët e NATO ku u bëhet thirrje ushtarëve serbë të dezertojnë dhe të mos u binden urdhërave.
6 qershor
Rrafsh tri orë, në një hotel në Maqedoni janë zhvilluar bisedime ndërmjet gjeneralëve të NATO dhe Serbisë për modalitetet e tërheqjes së ushtrisë serbe nga Kosova. Ndërkaq po zhvillohet luftë e ashpër ndërmjet UҪK dhe ushtrisë jugosllave në kufirin Kosovë- Shqipëri.
7 qershor
Pas dështimit në Bllacë, dështoi edhe mbledhja e Kumanovës. Aty kishin ardhë edhe gjeneralë rusë..
8 qershor
Dje forcat jugosllave sulmuan tre fshatra në Maqedoni
9 qershor
Mbledhja e G7 plus Rusia dje përfundoi me sukses. Në orën 21 rifilloi Mbledhja e Kumanovës. Një analist anglez tha se UҪK ndodhet në Prishtinë dhe do marshojë para se të hynë forcat e NATO atje. Shpresoj të jetë kështu!
10 qershor
Në orën 21-10 u njoftua se ushtria jugosllave e nënshkroi marrëveshjen e tërheqjes nga Kosova. Para gazetarëve doli gjenerali britanik Majkëll Xhekson dhe jugosllavi Svetozar Marjnoviq
11 qershor
Dokumenti u nënshkrua. Por ende vazhdon djegia e fshatrave dhe e brendisë së Ferizajt
12 qershor
Dje pasdite dëgjova, besoni apo jo,një këngë fëmije: Po lufton Drenica, o si i ka hije! Nuk kam dëgjuar moti këngë e kur kjo bëhet nga një fëmijë është edhe më emocionuese! Fëmija sikur kishte ndjerë diçka në zemrën e tij. Fill pas kësaj, erdhi mësuesi Ilaz Delolli nga Zaskoku dhe solli lajmin e mirë se ushtarët serbë ishin tërhequr me gjithë armatimin e rëndë. Serbët e uniformuar të fshatit ishin strukur nëpër oborret e tyre me armatimin personal Krenaria e vetëm pak orëve përpara ishte zhdukur si vesa para diellit!

* Konspektoi Bardhyl Selimi, 14 maj 2022

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu