ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Curraj i Epërm, me trashëgiminë e besimit në Zot, Vatikani dhe Shën Pjetri i Alpeve Shqiptare

Shkrime relevante

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Arbër Gashi mbrojtës i identitetit kombëtar, luftëtar i vendosur i islamizimit të kombit !

Luan Dibrani, Gjermani  Arbër Gashi është një figurë e njohur dhe aktivist...

Halil Geci ia përkujton Kryeministrit Kurti se ende nuk e ka pranuar në takim për të biseduar rreth “Komunikatës 59”

Halil Geci, Skenderaj Kërkesë për takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Datë:...

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajtën mbledhjen e dytë të përbashkët

Prishtinë, 18 nëntor 2024  Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria...

Shpërndaj

Më 6 gusht, 2022, në Curraj të Epërm, u bë promovimi i restaurimit të Kishës 125 vjeçare, e cila u rezistoi rrebesheve të kohës deri më sot.
***
Kjo ditë, e bekuar për këtë komunitet, u realizua përmes nismës dhe lobimit të bijve të kësaj treve, kryesuar nga zoti Skënder Përpepaj, të cilët punojnë dhe jetojnë jashtë Atdheut, duke qenë edhe organizatorët kryesorë të organizimit dhe strukturimit të aktivitetit. Është një mirënjohje ndaj tyre që do të jetojë gjatë në memorien e banorëve të kësaj famullie.
Përveç banorëve të famullisë, tashmë të shpërndarë brenda e jashtë Shqipërisë, në Evropë dhe Amerikë, ishin të pranishëm edhe besimtarë nga treva nikajmërturase, Dukagjin e Kosovë, por edhe përfaqësues zyrtarë nga Malësia e Gjakovës, Dibra, Puka, Kosova, kryeqyteti shqiptar, Vlora, Mali i Zi dhe Diaspora.
Veprimtaria, e motivuar në emër të këtij objekti kulti, simbol besimi dhe kulture i katundit tonë, mori pagëzim dhe bekim nga përfaqësuesi i dioqezës së Sapës, monsinjor Simon Kulli, bashkë me meshtarë të tjerë, që kremtoi dhe meshën e shenjtë, në objektin e restauruar dhe me fytyrë të re, mbushur përplot me besimtarë, brenda e jashtë saj.
Përmes fjalëve të zotit, monsinjor Simon Kulli, falënderoi banorët e famullisë dhe sponsorët, listuar emër për emër (Skënder Përpepaj, Gaspër Prebibaj, Nikolin Vatnikaj, Fran Vukaj, Mhill Prebibaj, Skënder Qokaj, Prelë Përpepaj, Besnik Vatnikaj, Gegë Prebibaj dhe Agron Përpepaj), që bënë të mundur rinovimin e objektit. Gjithashtu përcolli dhe mesazhe të dobishme ndaj besimtarëve për ruajtjen e Kishës, për lutje dhe pastrim shpirtëror të tyre, pasurim dhe mirëmbajtje të objektit, por edhe zhvillim të zonës, duke ruajtur identitetin e gjithçkaje që posedon kjo zonë, sidomos pronësinë mbi tokën, duke kujtuar edhe përbetimin e të parëve të këtij katundi.
Aktiviteti promovues, me banorët e fshatit, të ftuar zyrtarë, artistë të fjalës, këngës dhe muzikës të këtij katundi, trevës nikajmërturase dhe Malësi e Gjakovës, u zhvillua në Logjet e Mrishajve, strukturuar dhe kompozuar nga ciceronët Ndue Vatnikaj dhe Alma Mehmeti, të cilët me zërin kumbues dhe elegant njëkohësisht, elektrizuan mbarë të pranishmit, me këngëtarë, vallëtarë dhe instrumentistë virtuozë, të ardhur enkas për këtë rast gëzimi dhe bashkimi.
Fjala përshëndetëse e zotit Skënder Përpepaj, si nismëtar i restaurimit, bashkë me stafin e sponsorëve dhe mjeshtërve të objektit, i bëri rezyme të gjatë historisë së kishës, banorëve qëndrestarë në rrjedhë të viteve dhe kthimit në identitet që nga 1897-ta deri më sot. Gjithashtu, me rëndësi ishin fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve zyrtarë, si treshe bashkëpunuese dhe firmëtare e zhvillimit turistik të zonës mes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, me ministre zonjën Rozeta Hajdari, bijë nikajmërturase, kryetarit të bashkisë Tropojë, zotit Rexhë Byberi dhe zotit Skënder Thaçi, kryetar i shoqatës për promovimin e turizmit malor të Kosovës, si dhe shpalosja vizive e Kreut të bashkisë Tropojë, për përfshirjen në 115 fshatrat turistike, edhe të Currajve të Epërm, që u duartrokitën nga të pranishmit, me shpresën se, edhe fytyra zyrtare do i kthejë sytë prej kësaj ane, e braktisur tash 110 vjet shtet.
Mesazhet e folësve Lavdrim Krrashi, deputet i parlamentit shqiptar, Abdulla Domi, kryetar i Këshillit të Qarkut, Kukës, kryetarit të bashkisë, Pukë, zotit Gjon Gjonaj, përveç konstatimeve për bukurinë natyrore dhe njerëzore të kësaj treve, i mëshuan nxitjes së investime konkrete zyrtare në zonë dhe reklamimit të kësaj treve turistike etj.
Kreu i shoqatës “Nikaj-Mërtur”, zoti Gjin Progni, i mëshoi faktit që të trokitet më shumë në institucionet zyrtare që fjalët e bukura të mos ngelen në kuadrin e konstatimeve romantike, por të ketë projekte konkrete zhvillimore për turizmin në Curraj të Epërm. Zoti Mëhill Gecaj, si veprimar aktiv dje dhe sot për zhvillimin e kësaj perle natyrore, pasi përshëndeti gjithë të pranishmit, theksoi investimin dhe zhvillimin serioz që duhet të marrë kjo bukuri natyrore, që të konkurohet me treva të tjera turistike.
Ish Ambasadori Mal Berisha në Mbretërinë e Bashkuar që erdhi apostafat me avion për të vizituar dhe promovuar këtë trevë, edhe pse me heshtjen e Tij, shfaqi shumë dashamirësi dhe obligim ndaj këtij katundi, me potencialet dhe frymën e Tij, si njeri i ditur i punëve konkrete, Britani, Amerikë, Kosovë, Shqipëri, por edhe si nostalgjik i Currajve të Epërm, pasi babai i Tij, Bajram Zeqir Berisha, kishte shërbyer si mësues në shkollën e këtij fshati në vitet 1949-1950, i cili privatisht u shpreh: “Banorët e Currajt të Epërm janë nga njerëzit më inteligjentë, më të shkolluar, patriotë dhe të talentuar të Malësisë së Gjakovës”.
Po ashtu edhe zoti Flamur Gashi, si ish ambasador dhe Këshilltar i Presidentit për Rajonin nderoi me pjesëmarrjen e Tij, duke qenë një dashamirës i kësaj treve përmes lidhjes gjenuine me Malësinë e Gjakovës.
Kryetari i shoqatës “Unioni për vendlindjen Curraj i Epërm”, zoti Lekë Hysenaj, si përfaqësuesi real juridik i tërë mëhallëve të katundit Curraj i Epërm, pasi bëri përshëndetjen ndaj tërë të pranishmëve në këtë ditë shprese dhe besimi për ditë më të mira në këtë Katund, u ndal në disa pika kyçe që janë sintezë e mendimit unanim të të gjithë të pranishmëve dashamirës, që në këtë fshat turistik të mbizotërojë besimi në Zot, paqja, dashuria, bashkimi dhe zhvillimi real turistik, miratuar kjo edhe në kryesinë e shoqatës, të cilën si Union po e japim në ligjëratë të drejtë.
“M’lejoni që, si njâni prej banorëve t’këtij fshati simbol, por edhe si përfaqësues juridik i krejt mahallve të kësaj treve, t’u thom përzemërsisht: Mirë se u bashkuem e mirë se u pruni Zoti e kjo ditë!
S’pari, urimi ynë shpirtnor, bashkë me gzimin e ksaj dite, shkon për te tânë banorët e ktij katundi, emën për emën, por, veçantë, për bijtë tanë, që jau dha zëmra e xhepi me restaurue ket’ objekti kulti, me nismatar dhe organizator zotin Skënder Përpepaj dhe grupin dashamirës që ju ngjit nismës s’Tij, tuj bâ që kjo ditë e bekueme të marrë ma shumë dritë n’ket Sukë kishe e n’shpinë e Zotit. Bekoj Zot tanë ndihmaqart’ e ksaj Kishe!
Patjetër sot duhet me jau përcjellë një mirënjohje, due me thanë, bash speciale, në emnin tonë si katund, por edhe nga përfaqësues baritorë të kishs, si kanë ardhë me na bekue Ne e kishën se, familja e Grimc Demës (Prebibaj), e meriton nji miradije tonën, se ruejtën të mshefun, në kohën e errët të diktaturës, për rreth 25 vjet, truporen e Shnandout dhe kumbonën e kësaj kishe e, falë atyne, n’fillimet e Demokracisë, ju kthyen ksaj shpie hyjnore për shërbesat tona fetare.
Nji falnderim t’madh, edhe nji herë, e kena për nismatart e realizuesit e rrugës s’makins në tetor, 2018, ku banorët e këtij katundi, mrenda e jashta atdheut, banë mrekullinë tuj grishë xhepin e tyne e, falë ksaj rruge, jena sot në kto Logje e n’ket Sukë kishe, me te tana ngjyrat tona njerëzore e religjioze.
Mirënjohje të përhershme për Ne meritojnë edhe fiset Nikaj-Mërtur, Shalë e Shosh, Gash e Krasniqe e deri n’Kosovë që ju bashkuen piskamës sonë, si dikur ndër mote, që boria e makinës të kumbonte edhe n’Curraj t’Epër. Zoti i bekoftë këto fise legjendare që kanë ba e bajnë historinë, së bashku me Ne!
S’dyti, eksistenca e ksaj shpie Zoti, tash e restaurueme n’mënyrën tonë modeste, (ndërtue me 1897) ka mbet’ n’kambë, falë burrave qindrestarë e t’ditun të ktij katundi, të cillt, përmes fjalëve të Kukel Ndout, banë që ky objekt të mbetet i gjallë deri tash, tuj kanë ndër t’rrallat objekte fetare që i bâni ballë regjimit famëmkeq t’komunizmit.
Prandaj, ky objekt besimi, âshtë simboli dhe Vatikani ynë i shenjtë, Suka e kishës âshtë Shën Pjetri ynë, ndërsa Kisha jonë e Shnandout, si t’lumt Na për tâ, ashtë jo vetëm pastrimi ynë shpirtnor dhe forcimi i besimit në Zot, por mban në gjinin e ktij katundi dhe krejt pozicionit t’vet gjeografik, historinë, kulturën tonë materiale dhe shpirtnore, qindresën, mbijetesën dhe të drejtën tonë zakonore, si një komunitet njerzor që, rrallë kund, e gjen në trevat Veriore të Shqipërisë, sikur na i ka falë Ai, si p’e thom prapë, t’Lum’t Na për Tâ, si po i rreshtoj si ma poshtë:
– Një mjedis gjeografik me peizazh, ekosistem dhe monumente natyrore të një lloji të veçantë që konkurrojnë me shumë treva të shpalluna turistike, parqe kombëtare apo zona të mbrojtuna etj, pra, mjedis aristokrat, por që, paradoksalisht, regjimet e lanë popull të varfën, por sot, po të ketë infrastukturën e duhune dhe zhvillimin ndërtues tonin, çdo turist, vendas apo i huaj, mund të përmbushë një guidë të plotë turistike vetëm në fshatin tonë alpin, plus Qiresh-Kuç e Mulaj.
– Llojshmëni t’papame herbariumesh, bjeshkë e vërri, sa me ngjallë edhe t’dekunin.
– Nji kulturë tonën shpirtnore, të pasqyrueme në “Visaret e Kombit”, që mbahet si krenaria e folklorit shqiptar. Aedët e kësaj treve me Mirash Gjonin, Lulash Zefin, Mhill Prekën, Dedë e Shan Zefin, me rapsoditë e tyne, konkurrojnë Homerin e grekëve, kangët e Rolandit të francezëve, të Sidit të spanjollëve apo të Nibelungëve të eposit gjerman, bile përshkrimi si i ashtë ba Tanushës së Krajlit (marrë nga Mirash Gjoni) konkurron Laurën e Petrarkës të italianëve. Janë, këto, pohime studiuesish kompetentë dhe jo prodhime fantazie.
– Një etnografi të foluni, si gjuhësi e folësve, që pasqyron larminë tonë komunikuese, të lashtë e të re, me leksik, frazeologji dhe onomastikë shumë të pasune, me të cillën mund të mbrohen disa grada shkencore.
– Toka, bjeshkë e vërri, me kufij pronësorë të padiskutueshëm dhe të patjetërsueshëm, posedue pa ndërpremje dhe e fiksueme saktë, gati qe 300 vjet e kndej, simbas t’drejtës zakonore, bile, mu në ket’ Sukë kishe, burrat e te tana mahallve tona, mbytën “gurët e besë”, në vendin e quajtun “Pusi i Kishës”, simbas formulës së betimit se, toka e tyne dhe e katundit, s’do të shitej, falej a tjetërsohej kurrë jashta katundit.
S’treti, si përfaqësues zyrtar juridik i shoqatës “Unioni për vendlindjen Curraj i Epërm”, me tanë zanat e fortë të krejt vllaznive të këtij katundi, japim fjalën tonë të nderit, besës e ligjit, me aq sa kena mundësinë se, me përkushtimin tonë maksimal dhe frymën Tuej të sinqertë mbështetëse, do të jena vetëm të dobishim e jo t’randsishim, do t’bajmë maksimumin te institucionet zyrtare të shtetit shqiptar, organizmat joqeveritarë, mrenda e jashta Atdheut, që t’jau kthejmë sytë drejt zhvillimit konkret të kësaj perle natyrore dhe njerëzore, si e lakojmë kaq shpesh edhe n’rrjetet tona sociale, falë teknollogjisë, duke shmangë me zakon e ligj çdo ndërhymje individash apo grupi individash që janë ka kacavjerren me ba për veti ndonjë kashatë të vogël a t’madhe, për interesa vetjake, se, si e thotë Pashko Vasa “ …asht tokë e jona e t’part na e kanë lanë…”. Mos me na mashtrue kush n’pronën tânë,se, zhvilluesit e saj jena veç Na!
S’fundi, po u baj një apel njerëzor dhe vllaznor, që ta ruajmë me fanatizëm ket’ objekt besimi, ta hyjnizojmë atâ, me figura religjioze n’vite, dhe ky restaurim me na shërbye edhe si shtysë e fortë për rregullimin edhe t’shpive tona, tuj ruejt ftyrën dhe stilin tonë alpin, qysh e kena trashgue prej t’parve, tuj i përshtat edhe t’renë, edhe t’vjetrën.
Zoti i bekoftë tanë banorët e Currajve t’Epërm, fshatin dhe dashamirët tanë, si na nderuen me pjesmarrjen e tyne, e falë Zotit edhe bashkimi prej ksaj Kishe dhe dashtnija jonë besimtare na shoqnoftë gjithmonë! Falemnderit te tanve, n’ket ditë t’lumnueme!”

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu