ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Dashuria për jetën motiv moralizues

Shkrime relevante

Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!

Florim Zeqa  Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata elektorale e partive...

Historia e ortodoksizmit shqiptar, e shpjeguar me urti e fakte historike

https://www.youtube.com/watch?v=w60i7AO1Tfk&fbclid=IwY2xjawGuhGNleHRuA2FlbQIxMQABHXRlD0TIhxlydf7v48mN8HSJIi7BbPDau5JBPjMJ1nP4EoSdRc3EvbXR7A_aem_Orfl15eTgvC5InDLU_u30Q Fan Stilian Noli

Putini është i varur nga lufta

Vladimir Putin në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe industrinë...

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Shpërndaj

Nga: Shefqet Dibrani

Asllan Bisha, “NË SAFARI”, novela, botoi “ART CLUB”, Ulqin 2017, faqe 138. ISBN 978-9940-638-34-4

Sa herë shkojë për verime në Ulqin, kam parasysh se atje takoj miq dhe të njohur, kryesisht shkrimtarë të kësaj ane të cilët kanë mbetur në margjina të asaj që i thuhet krijimtari e gjithëmbarshme e letërsisë shqipe.
Pa dyshim Asllan Bisha është njëri ndër ta, krijues i cili tërë veprimtarinë e ka të lidhur me Ulqinin dhe zonën përreth. Qoftë si ekzistencë sociale, por edhe si veprimtari krijuese, tematika ka të bëjë me detin, kufirin, Malësinë dhe me qytetin e Ulqinit. Edhe motivet e tregimeve, të novelave dhe prozës së gjatë, janë me motive nga deti, nga zona kufitare e Ana Malit, ndërsa mbijetesa është lajtmotivi esencial i mbiekzistencës kulturore dhe intelektuale e këtij shkrimtari.
Hiq librin e parë me tregime “Valët e detit”, i botuar nga “Rilindja” në Prishtinë, 1986, “Net peshkimi”, tregime për fëmijë, Podgoricë 1988, dhe “Nusja e detarit”, ribotim me tregime, nga “Toena” në Tiranë, në vitin 2000, të gjithë libat tjerë (17 sish), janë të botuar nga “Art Club”, asociacion ky që mban gjallë jetën kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi. Libri “Në Safari”, përbëhet nga nëntë novela, kryesisht të shkurtëra dhe me tematikë të ndryshme.

KUR KËNDON QERLEKU

Novela “KUR KËNDON QERLEKU”, bazohet në një gojdhënë e përfolur në këto anë. Sipas saj paska jetuar një plak me emrin Beqir, kurse ngjarja zhvillohet në brigjet e Barbanës dhe ka të bëjë me jetën e atyshme, edhe pse jeta e tyre ishte lidhur pashmangshëm me atë lum, ripërtrirja e familjës kishte rëndësi jetike. Ndonëse novela zhvillohet si anektodë, ajo ka një mesazh moralizues për shoqërinë.
Beqirit i kishte vdekur gruaja, nusja e të birit ishte ajo që kujdesej për të dhe shtëpinë, ndërsa i biri punonte në fushë nga mëngjesi gjer në mbrëmje. Me kalimin e kohës plaku vëren se nusja e të birit kishte ndryshuar. Ajo po mallkonte lopët, delet dhe dukej mjaftë e mërzitur. Plaku për një çast mendoi se ndoshta ai ishte bërë barrë e familjes, prandaj kishte dal Bregut të Bunës. Aty vërejti se “Dy qerlekë që kishin afruar gushat, ledhatonin njëri-tjetrin”, kjo pamje magjike do t’ia zgjidh enigmen plakut, i cili merakosej për nusën e djalit. Atij i kujtohej edhe vetja, jeta që i kishte ikur pa e shijuar si duhej, andaj tha: “Eh, more bir, e harrove nusën! Rinia duhet jetuar dhe shijuar. Çdo gjë në botë është e krijuar me dashuri!” – qeshi me vete, duke menduar se si të gjente mënyrën për ta këshilluar djalin?
Në vazhdim, biseda bëhet më artistike, e matur dhe me mesazh këshillues. Po, a fle me nusën? – i buzëqeshi plaku të birit dhe vazhdoi t’ia kujtoj se “Vera është e gjatë…”. Ndonëse i ati nuk kishte folur kurrë këso gjëra me të birin, kësaj radhe e këshilloi atë t’i “lëshonte qetë më herët në kullotë. Është gjyna kishte thënë ai. Janë lodhur, ndërsa unë po shkojë me dhentë (delet) në ograjë”. Djali e kuptoi këshillën e t’Et. I ndal qetë, madje e qortoi vetën pse ashtu e kishte harruar nusën?!
Sakaq ajo ia solli drekën, ai e ledhatoi duke e lënë për mbrëmje për t’ia vakur ujin. Nusja u ndje më mirë, ajo edhe me plakun u soll më kujdesshëm sepse priste me padurim mbrëmjen dhe burrin kur ti kthehej. Për qiftin e ri, ajo natë ishte e lumtur, fjetën më gjatë, të nesermën edhe nusja ishte më e qetë dhe plakut i shërbeu si ma mirë!
“Kur këndojnë qerlekët – të gjithë janë më të gëzuar, – tha plaku!…”
Beqiri e priti ditën e lumtur, për të cilën kishte ëndrruar gjatë… Nusja, u lindi nipa dhe mbesa, familja u shtua dhe gëzimi mbusholloi, ashtu siç mbushullon pranvera!…

MARIA

Novela “Maria”, trajton fatin e një vajze e cila flijon dashurinë e saj për kodin moral të familjes. Ajo ishte mbesa e Tonin Skutarit, me origjinë nga Shkodra, e cila bashkë me Toninin ishte vendosur në Kotorr për të ushtruar zejen e tyre si argjentar. Për një kohë të shkurtër, dyqani i tij u bë me emër i njohuri në tërë Kotorrin. Ai bënte stoli edhe për kishat e qytetit, mbase kjo e bëri të njohur edhe në qytetin Raguza dhe në Venedik, madje edhe në Vatikan. Pas tridhjetë vitesh, Tonin Skutari u emërua fisnik i Kotorrit.
E vajza e Toninit, Maria kishte rënë në dashuri me inxhinierin austriak nga Tiroli, i cili ishte në krye të projektit rrugor që po ndërtohej në ato anë. E ëma i kishte thënë së bijes se “Tani je bijë fisniku. S’guxon ta turpërosh, ta rrënosh titullin e fisnikut. Ti do të fejohesh me parinë e Kotorrit, të Raguzës, të Romës”.
Dashuria e Marias me Albertin, inxhinierin nga Austria mori dhenë. Në tërë qytetin e Kotorrit flitej për çiftin më simpatik në qytetin buzë detit Adriatik. Lajmi i erdh i papritur Toninit, babait të Maries. Madje ai e bëri veten fajtor pse e shtyri fejesën e saj në derën e fisnikut në Raguzë. E këtë e arsyetonte se Raguza është përballë qytetit të Kotorrit, ndërsa ky djal është larg, fliste me unin e tij Tonin Skutari.
Këtë e bisedoi me të shoqën dhe ashtu shpejt e shpejt organizuan një udhëtim për në Raguzë, siç thanë ende pa rënë në dashuri të thellë me austriakun, se pastaj do të bëhet vonë. E ëma bisedoi gjatë me Marien për ta bindur se i ati është i vrazhdët por ka të drejtë pasi jeta atë e ka bërë të tillë, kështu që dalngadal e ëma e bindi Marien për të hequr dorë nga dashuria e saj me austriakun.
Pasi blen dhuratat e shumta dhe udhëtimi për në Raguzë shkoi mbar, ata u vendosën në një hotel për të vazhduar ceremania e fejesës dhe të martesës përnjëherë. E gjendur në këto rrethana, Maria e luti të ëmën një letër t’ia dorëzonte Albertit në të cilën shkruhej.

Albert i dashur,
unë theva zemrën time, për të mos thyer fjalën e prindit. Ky është fati im. Ti paç fat në jetë.
Maria

Maria u martua me fisnikun e Raguzës dhe vazhdoi jetën e saj të re atje. Prindërit u kthyen në Kotorr. Edhe letra i arriti Albertit, inxhinierit austriak. Ai u shqetësua shumë për fatin e Maries, por siç e përshkruan edhe autori, Alberti ishte me kulturë dhe karakter të qëndrueshëm. Më pas ai hartoi planin e ri të rrugës që po ndërtonte e cila ngjitej për në Kotorr, ku edhe sot dallohet shkronja e madhe e emrit “M”. Tashmë kanë kaluar më shumë se dy shekuj dhe legjenda jeton, siç jeton edhe rruga që e ndertoi inxhinier Alberti, dhe po aq rron edhe legjenda për dashurinë e tij për Marien.

KAPIDANI

Kapidan Davidi nga Ulqini kishte një jetë nëpër detra. Si autodidakt kishte nisur lundrimin si muço i anijes për të arritur në nivelin e kapidanit të anijes. Ai ishte lodhur dhe mërzitur nëpër detra prandaj kishte vendosur ta braktiste detin, ta shiste anijen dhe të kthehej në shtëpi me përvoja të mëdha dhe me përjetime të shumta nëpër detra.
Atyre ditëve u paraqit një tregtar i cili ishte i interesuar ta blinte anijen e kapidan Davidit, i cili pas një fatkeqësie në Grykë të Otrantos, kishtevendosur ta shiste anijen, dhe ndjente veten me fat që kishte shpëtuar por… në atë fatkeqësi valët kishin marrë muço Skënderin. Pas gjysëm ore bisedë ata i shtrin dorën duke i uruar fat njëri-tjetrit.
Kapidani u kthye në velorën e tij duke urdhëruar ekipin që për dy orë të braktisnin anijen, pasi do të vinte pronari i ri. Edhe ai mblodhi plaçkat e tij, ndërsa rrobat e Skënderit do t’mi japni mua me lot në sy, iu tha atyre kapidan Davidi.
Në rrëfimin e kësaj novele ka legjenda e mite të shkurtëra që lidhen me detin dhe me lutjet që duhet të shkonin në vesh të Bindit, Zotit të detit ilir. Kur mbërritën në tokën e Ulqinit, kapidani iu kërkoi falje për ndonjë qëndrim të ashpër, por iu tha ju e dini vendimin tim, unë do të lë detin përgjithmonë, ndërsa ju vazhdoni lundrimin me anije të tjera. “Paçi fat e Det të mbarë!”, kështu kapidani bëri lutjet detare për shokët e tij.
Xhavidi – emri në velore Davidi – dhe kapidan Xhavidi, para se të shkonte në shtëpinë e tij, bashkë me shokët shkoi te nëna e Skënderit, që e rrëmbyen valët e detit në Grykën e Otrantos. Nëna e Skënderit hapi portën, kur nuk pa të birin u dridh e tëra, andaj pyeti: “Kapidan, ku e kam Skënderin?” Furtuna na zuri në det e valët përpinë atë, mezi tha ai. Qofshi vetë dhe u shkreh në vaj. Erdhen edhe fqinjët, detarët tjerë shpjegonin rastin dhe vendimin e kapidanit, që nuk do të lundronte më në det. Do të kthehem në Gjerana, aty do të bëjë shtëpinë tha kapidan Xhavidi.
Shtëpia e tij ngrehu kokën, kopshti me plot pemë që u mbollën sipas dëshirës së kapidanit. E vetëm një javë pasi i kreu punët, kapidan Xhavidit iu sëmurë djali Agimi, ai bëri çmos që ta shëronte, por sëmundja e keqe e mori. Kapidan Xhavidi, pas një muaji u kthye me djalin në arkivol.
Të gjithë u tronditën për fatin e kapidanit, lajmi u përhap gjithandej. “Të nesërmen në oborrin e kapidanit shkoi edhe nëna e detar Skënderit”.
“Qëndro kapidan”, e ngushëlloi ajo.
– Po qëndroj, por më rëndë e pata në det atë natë kur dëgjoja Skënderin kur më thoshte:
“Mos më lë, kapidan! Të lutëm, mos më lë! Mos më lësho!”

GJAHTARI

Novela rrëfen për fatin e Gjeto Leka nga Kelmendi, i cili jetonte në Malësi, ku jeta ishte më e rëndë për t’u jetuar se kudo tjetër, sidomos dimrave të cilët në Bjeshkët e Nemuna, ishin të ashpër, por kur vera merrte e thatë si gjatë atij viti, dimri s’kishte si të pritej.
Gjeto Leka kishte filluar të mendonte për familjen dhe në mendjen e tij kishte vendosur për ta braktisur bjeshkën. Ishin këto arsye pse ai ftoi bashkëfshatarët e tij të cilët u mblodhën një të diele pas meshës. Vetëm prifti nuk kishte ardhur, pasi ai mendonte se fshatarët nuk mund të jetonin pa Bjeshkën, prandaj vetëm pesë shtëpi qëndruan me priftin, të tjerët bashkë me Gjeto Lekën, i cili iu printe vendosën ta lënin bjeshkën. Ata morën familjarët dhe gjënë e gjallë, bashkë me plaçkat që iu nevojiteshin. Karvani kishte mësyrë Shkodrën e cila as që dukej gjëkundi.
Të mërkurën mbërritën në Shkodër, se ashtu e kishte planifikuar kryeplaku. Ata shitën gjënë e gjallë lirë, dhe me ato para blenë gjëra të nevojshme për jetesë dhe vegla me të cilat do të punonin.
Plaku kishte paguar njeriun për t’i dërguar në Ambull buzë liqenit të Shasit, një vend i pabanuar dhe tokë e askujt. Ata u vendosën në mes fshatrave Fraskanjet, Shtodrit dhe Shasit. Kasollët e tyre u ngritën njëra pas tjetrës dhe Ambulli mori jetë, aty gjallërihej. Natyrisht shasjanët u shqetësuan për ardhjen e mysafirëve të pa ftuar, por kryeplaku i Shasit i qetësoi, iu tha se ata kanë ardhur nga halli. Dimri erdhi shpejt, dhe vetëm Gjeto Leka kishte blerë tokë, Arën e Madhe, nga beu i Shkodrës.
Shtodrolët u habitën kur kuptuan se ardhacaku kishte blerë Arën e Madhe, po më shumë u shqetësua gjahtar Idrizi, i cili mu ato ditë kishte gjuajtur rosat dhe patat e egra, pasi ara ishte e beut të Shkodrës, kurse Gjeto Leka kishte qit fjalë se askush nuk guxon ta shkelte arën e tij, pra as gjahtar Idrizi.
Dimri erdh dhe gjahtar Idrizi, gjuante rosat dhe patat në Arën e Madhe, andaj Sokol Marku, i çoi fjalë gjuetar Idrizit: “Ara e Madhe është e imja… mos shkel më arën time. Rosat dhe patat lëri të qeta. Unë mallin tim e mbroj nëse lypet edhe me armë”. Lulja, e shoqja e Sokol Markut, e luti të shoqin me butësi, “na kanë pritur mirë, kemi ardh në vend të tyre, lëre gjuetarin se rosat nuk ta hanë Arën e Madhe”. Por Sokol Marku ishte i vendosur për ta mbrojtur pronën e vet, në anën tjetër gjuetari kishte frigë se “jabanxhisë i shihet sherri”.
Gjuetar Idrizi, vendosi të zgjohej herët kur Sokol Marku të ishte në gjumë dhe ashtu veproi. Por dikush i çoi fjalë Sokol Markut se gjuetari zgjohet herët dhe vret rosat e egra në livadhin e tij. Do ta zë mendoi ai. I tregoi të shoqës, ajo e luti me përgjërim, por Sokol Marku ishte i vendosur për ta zënë gjuetarin në arën e tij.
Në një natë të ftohtë ai përgjëroi gjuetarin nëse ai do të futej në arën e tij. Ai gjithçka mendonte, edhe fjalët e Lulës e ngacmonin, e kur të ftohtit e madh e kishte mbërthyer, pa siluetën e gjahtarit që po vinte. Por ishin fjalët e së shoqës që e binden Sokolin të hiqte dorë nga veprimi, por vazhdoi të vëzhgonte se çfarë bënte gjuetari. Kur pa se ai hoqi çorapet e leshit dhe u fut zbathur në ujin e ftohtë akull, u fut edhe në arën e tij, por Sokol Marku, tash nuk u besonte as syve të tij. “Ky paska hall të madh”, mendoi ai. Pa gjahtarin kur rrëzoi pesë rosa dhe Sokoli e pa kur ai hoqi pantollonat dhe deri në brez u fut në ujë për t’i marrë rosat. U tranditë nga kjo pamje Sokol Marku, ashtu i ngrirë u kthye në kasollën e tij. Lulja e priste e shqetësuar! E zure e pyeti ajo? “Prit të ngrohem” iu përgjigj Sokoli. Ai rrëfeu i lemerisur tërë ngjarjen që pa.
Të nesërmen Sokol Marku i çoi fjalë Idrizit, gjahtarit plak. “Gjuaj rosa e pata në Arën e Madhe, n’daç ditën e n’daç natën”… por “Ruaje shëndetin o burrë!…”

DOKTOR LUANI

Novela për Doktor Luanin, duket si një ngjarje reale, si një ndodhi e mundshme, ndërsa në horizont dukej vullneti i studentit të ri për ta përmbushur dëshirën e babait, për t’ia realizuar ëndrrën atij, e bënë edhe më të vendosur, pavarësisht vështirësive që i dolën në kohën e studimeve. Ai e dinte se jo vetëm babai, por edhe fshatarët tjerë prisnin të kishin një doktor nga katundi i tyre. Motivi për ta gëzuar babain, e bëri më të vendosur për t’i përfunduar studimet.
Pas përfundimit të provimeve, Luani mori linjën e autobusit nga kryeqyteti për në Tivar dhe nga aty autobusin për Ulqin. Sapo mbërriti në shtëpi, i ati e pyeti hë? Diplomova iu gjegj Luani dhe gëzimi ishte i madh për të dyja palët, por babi nuk mund të mos shprehte gëzimin e tij. “Ma zbardhe fytyrën” i tha të birit. Atë mbrëmje pat festë në familjen e Doktor Luanit.
Të nesërmen u paraqit në komunë dhe në shtëpinë e shëndetit. Drejtori e priti me gëzim, ai i tregoi se tash kemi nevojë për mjek. Luani përgatiti dokumentet dhe që ishte ngjarje e kënaqshme. U detyrua të kthehej në Universitet, në Sarajevë, kurse vajtja e kthimi plotësohen me ndodhi të reja. Pasi rregulloi dr. Luani librezën, u paraqit në punë në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin për ta zëvendësuar dr. Petritin i cili kishte shkuar në pushim.
Dita e parë e punës shoqërohej me emocione dhe njëkohësisht edhe me përgjegjësi profesionale. Ajo rrodhi ashtu si diti, por dr. Luani do të përballet me një pacient të infektuar nga një e huaj me të cilën kishte pasur marrdhënie seksuale. Pasi u konsultua me të, dr. Luani e këshilloi pacientin për të vazhduar në Tivar, tek specialisti, pasi nuk kam përvojë sa duhet i tha doktori pacientit të tij. Ndërsa ai insistonte që ta shoqëronet dr. Luani për tek specialisti dhe ashtu u bë. Doktori porositi autoambulancën, dhe bashkë me pacientin vajtën tek specialisti. Pacienti nuk qetësohej pasi e dinte se edhe gruaja e tij tashmë ishte e infektuar nga ai. Doktor Luani, i kërkoi pacientit që ta dëgjonte këshillën e tij dhe të mos bënte asnjë veprim, pasi edhe sëmundja por edhe veprimet e turpshme kalojnë vetëm me durim dhe maturi, dhe ashtu u bë. Pacienti iu nënshtrua këshillave të mjekut. Dhe ashtu mbërritën me autoambulancë te specialisti në Tvar. Pasi u ekzaminua infeksioni, specialisti e sugjeroi dr. Luanin se edhe gruaja e pacientit duhet t’i nënshtrohej mjekimit. Pacienti e rregulloi me gran të cilës i kërkoi falje për gabimin që kishte bërë duke i premtuar se më nuk do ta përseriste.
Dr. Luani, në ditën e parë të punës shënoi në kronikë, se ndihmoi një pacient. Ai kujtoi edhe zonjushën gjermane që e kishte pickuar meduza e cila më nuk u paraqit tek dr. Luani. Sigurisht… në kronikën e asaj dite shënoi dr. Luani se profesioni që ka zgjedhur ai do ta bëjë edhe më të lumtur!

NË SAFARI

“Safari” është emri i një kafeneje në Plazhin e Zallit, që lidhej me emrin e “Shkretirës Safari në Afrikë”, kurse ngjarja vendoset në kohën e sistemit komunist, kur kishte përgjime të shumta. Profesori përcillej nga sigurimi i shtetit, ai këtë e dinte. Në një nga ato ditët e veres, ai u ndesh me një zonjë nga Praga dhe nën dyshimin se ajo ishte agjente për ta përcjellë profesorin, ai deshti të largohej për të mos u ngatërruar edhe me shtetin. Ndërsa Hana, zonja nga Praga ishte e vendosur që atë ditë te Plazhi në Zall t’i kalonte ato qaste në shoqërim me profesorin. Më pas dyshimet u tejkaluan kurse takimi në “Safari”, mbetet kujtim i rrallë për Profesorin dhe zonjën nga Praga.

TAKIMI I PAPRITUR

Ngjarja zhvillohet në kafe “Rumia”, aty ku Sylë Mani shkonte përherë të luante shah. Pasi shkeli në kafene të gjithë e pritën me respekt, ai kishte punuar tërë jetën mësimdhënës, prandaj e thërrisnin Profesor. Nga ana tjetër e tavolinës u dëgjua zëri i Agronit për një lojë shahu. Profesori ishte në formë, andaj të gjithë me kureshtje përcillnin këtë lojë shahu të cilën pa vështirësi e fitoi profesor Sylë Mani.
Pas pak, në kafe “Rumini” hyri edhe Hetuesi i cili ia prishi dëshirën Profesorit, e kjo ndikoi për ta humbur ai lojën e tretë nga Agroni.
Vite më parë, Hetuesi, bashkë me shefin e policisë e kishin kontrolluar shtëpinë e Profesorit por nuk kishin gjetur materialet e kërkuara gjë që ishin zemëruar, prandaj nuk kishin dëshmi për ta dënuar Profesorin, i cili asnjëherë nuk mësoi se kush e kishte denoncuar, pse diku në Ditën e Flamurit më 28 Nëntor, në zyrën e tij ishte ngritur nga një gotë “Konjak Skënderbe”.
Tash Sylë Mani ishte gjetur gju më gju me Hetuesin të cilit edhe tani ia kishte frikën. Por Hetuesi theu heshtjen duke i grishur të pranishmit me nga një pije. Madje i luti ata t’mos ia refuzojnë pijen pasi siç tha ai kishte një rast të veçantë. “Dola në pension” u shpreh ai, andaj mos ma refuzoni pijen. Ndërsa Profesori si me inat porositi “Konjak Skënderbe” dhe pasi ngritën dollitë, Hetuesi e luti Profesorin të bisedonin diçka “unë e ti” u shpreh ai. Ishte e kaluar ia ktheu Profesori! Por, Hetuesi ishte i vendosur të flsisnin në katër sy, andaj dolën në një tavolinë tjetër.
Ata porositën edhe pije të tjera, Hetuesi nisi i qetë rrëfimin duke u shfajësuar për rastin, pasi siç tha ai nuk kishte qenë fajtor. Juve ju kanë raportuar te Kryeshefi ata me të cilët ju rrinit çdo ditë. Unë bëra punën time tha pos tjerash Hetuesi. Më rëndë e kisha unë kur të erdhëm të kontrollonim në shtëpinë tuaj në Katërkollë se sa ju vet.
Në takimin e papritur të dy i shtrënguan duart dhe u ndanë si miq, ndërsa Profesori kujtonte Mësuesin Veteran i cili shtirej si mik i tij. Eh tha Profesori “Besnik banu, por besë mos nxen”.

DASHURI BUZË BARBANËS

Ngjarja vendoset në Barbanë, vend buzë kufirit me Shqipërinë. Mësuesit, e fejuara i kishte mbetur në anën e majtë të Barbanës. Sistemi kumunist e kishte edukuar vajzën që të mos iu besojë premtimeve të Mësuesit, që ishte i fejueri i saj dhe kishte mbetur në anën e djathtë të Barbanës.
Një nga ditët e atyre takimeve nga distanca ku në mes kishin vijën kufitare ajo i tregoi Mësuesit se nuk mund të kalonte kufirin pasi e kishin kërcënuar me burgosjen e vëllezërve. Unë nuk do të fejohem por ti mos më prit i kishte thënë preras ajo. Dhe Mësuesi i shqetësuar për fatin e tij që nuk e zgjidhte dot, ai në kafenen e fshatit kishte akuzuar Stalinin për prishjen e raporteve brenda Kampit Socialist.
Xixi, një raportues i rregullt i cili qëlloi aty, e raportoi rastin në polici. Të nesërmen Mësuesi ishte ftuar në polici dhe atje e akuzuan për prishje të rendit, të cilin Mësuesi e mohoi pasi pranoi se kishte shprehur mllefin kundër Stalinit që mi prishi punët edhe me të fejuarën. Por për fatin e tij, zëvendësi në polici e kishte njohur mirë Mësuesin, kishte respekt për të dhe ai e mësoi si të deklarohej, por të kishte kujdes nga Xixi, për të cilin edhe vet zyrtari policor kishte frikën se mund ta shkarkonte edhe atë. Prandaj kujdes i tha Mësuesit!
Në vjeshtën e atij viti, atëherë kur filloi viti shkollor dhe shqetësimi i Mësuesit për të fejuarën shtohej. Atyre ditëve në një dasmë, pasi ngriti disa gota, përsëri shprazi dufin e tij. Pas një kohe Mësuesin e ftuan në hetuesi. Aty ia thanë datën, vendin dhe kohën kur kishte folur me të fejuarën mëtanë kufirit në Barbanë. Mësuesi u zu ngusht nga saktësia e informimit që kishte hetuesi. Pastaj Hetuesi i kërkoi Mësuesit vigjilencë dhe bashkëpunim për të raportuar në polici. Por ai nuk pranoi duke dal mjaftë i brengosur nga ajo zyrë u ndal në kafenen e parë. Aty pari kaloi Xixi, kundër të cilit shprazi mllefin e tij. Në atë rast, Mësuesi mori vendim që të ikte mëtanë Barbanës, tek e fejuara e tij. Ai e dashuraonte atë dhe mendonte se do të gjejë punë dhe do të jetonte me të dashurën e tij.
Pas disa peripecive, kaloi perroin dhe u gjend në tokën e ëndërruar. Kur iu afrua rojeve kërkoi togerin i cili pas pak erdhi. Atë e morën në pyetje dhe të gjithë e shikonin me dyshim. E dërguan në kampin e Lushnjes, por mbajti mend porositë e kosovarit, sa më pak të flasësh më mirë e ke. Mos i besoni askujt dhe mos denonco njeri i kishte thënë ai.
Pasi i dhanë lajmin se ishte emëruar mësues në Malësi, po atë ditë Hetuesi i tregoi se e fejuara e tij ishte martuar dhe nuk dihej se ku ishte transferuar. Pastaj ia dhanë një shoqërues i cili do ta përcillte Mësuesin deri në detyrën e re. Këtë udhëtim ai shfrytëzoi për të ikur dhe për tu kthyer në vendlindjen e tij.
Kur arriti në shtëpinë e vet, vëllai dhe kunata e pritën me ngrohtësi duke u ndjerë keq për fatin e Mësuesit, i cili ua shpjegoi peripecitë e tij, burgun dhe se të fejuarën nuk e kishte takuar.
Vetëm në “Vjeshtën e parë ‘93” në Barbanë shpërtheu ahengu dhe refreni i këngës “Për mua paska qenë kismet. Me qenë ti e tjetër kujt…”. Ishin dallgët e jetës, edhe pas tridhjet e tre vjetësh, rrëfehej se dashuria buzë Barbanës është kthyer në legjendë!

SKËNDERI

Skënderi është një personazh tragjik. Vjeshta e atij viti në Valdanos përfundoi me shirat në Vjeshtën e parë që i bie muaji shtator. Era e madhe që fryu një ditë më parë kishte lënë gjurmët e veta me fuqinë rrënuese, këtë e vërejti edhe profesori kur ditën e premte, pas orëve të mësimit kaloi nga Rana. Pasi pa gjithë atë shkatërrim, profesori u ul në kafe për të kundruar më mirë detin i kredhur në mendime, kur përpara tij u paraqit Skënderi, të cilin fillimisht Profesori nuk e njohu.
Ai e luti Profesorin të mos ia prishte qejfin, të merrte një pije nga ai pasi kishte më shumë se tridhjetë vjetë pa u parë. Skënderi kishte emigruar në Gjermani por kujtimet i kishte lënë në vendlindje. Edhe pse Skënderi fliste për jetën e tij, për jetën në dhe të huaj, Profesori përseri nuk mundi të zgjidhte enigmën. Dikur Profesorit iu kujtua Skënderi, ai notuesi i pashoq, me trup sportisti që kërcente nga shkëmbinjtë sikur të ishte shqiponjë, i cili tashmë kishte ndryshuar shumë.
Pasi Profesori kujtoi të kaluarën e largët dhe sukseset e Skënderit e pyeti atë si je. Nëse nuk gabohem ti ke qenë i martuar me Ursulla, atë gjermanen bukuroshe sykaltër. Mjaftoi kjo pyetje e Profesorit, për ta tronditur Skënderin për t’ia prekur plagën nga e cila tashmë ishte rrënuar i tëri. Ai porositi edhe një birrë pastaj rrëfeu tërë historinë e vet. I zemëruar por edhe i thyer tërësisht. Ai i tregoi shokut të tij të rinisë për kohën e mirë dhe sukseset e shumta në Gjermani. Punova në cirk, fëmijët u rritën, u shkolluan dhe nisën jetën e tyre të pavarur, pastaj unë u pensionova nga puna në cirk, këtu filloi e keqja ime tha Skënderi. Vetmia më shtohej, fëmijët më mungonin, andaj fillova të konsumojë birrën, e cila është e mirë por më shtoi mbipeshë.
Ai tregoi se Ursulla e kishte braktisur, pasi kishte gjetur një doktor. Skënderi i thyer kishte lënë testamentin tek noteri për gjysmën e pasurisë së tij për Suzanën dhe djalin. Pastaj iu kishte lënë edhe një pusullë fëmijve. “Ursulla më tradhtoi, ju jeni fëmijët e mi dhe kurdo që të doni më vizitoni. Unë u ktheva për në vendlindje”. Pas një kohe Profesori dhe Skënderi u ndan, të dytë ndjeheshin të lumtur që u rinjohën. Lanë takimin për të nesërmen.
Të nesërmen, pas orarit të mësimit, Profesori kthehej kah Rana ku kishin lënë takimin e radhës. Sakaq u dëgjua zëri i Muezinit i cili lajmëronte: “Sot vdiq Skënderi, artisti ynë i dikurshëm… Varrimi bëhet sot pasdite në ora katër”, përfundoi lajmi kumbues.
Kështu në ora katër të asaj dite e përcollën Skënderin në varrezat e Callakut, në Pinjesh. Profesori: Skënderi nuk vdiq. Atë e vrau ikja e Ursulles me doktorin!…

MENDIM PËRMBYLLËS

Novelat e Asllan Bishës, përveç që kanë tematikë detin dhe jetën në zonën kufitare, shprehin dashurin e pafundme për Ana Malin, krahin kjo që zdirgjet deri në Ulqin. Pastaj në të gjitha rrëfimet në prozën e shkurtër dhe romanet e këtij autori do të ndeshemi me motivin e përndjekjes, përcjelljes dhe shatazhimit që bënte pushteti dhe diktatura komuniste. Roli i Mësuesi ose i Profesorit, kurdoherë është moralizues, profesion të cilin e ka ushtruar vet autori deri sa ka dalur në pension: Po ashtu vërehet se në të gjitha rrëfimet letrare të këtij autori përfundimet janë pozitive, të zgjidhshme dhe tejet moralizuese. Motivi i jetës, paqës dhe harmonisë është strumbullari tematik i prozës së shkrimtarit Asllan Bisha.

St. Gallen, 14.12.2021.
Shefqet Dibrani

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu