ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendëspresidentit Josep Borrell pas takimit të nivelit të lartë me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti 

Shkrime relevante

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Shpërndaj

Bruksel, 18/08/2022 

  • Dialogu Beograd-Prishtinë: Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendëspresidentit Josep Borrell pas takimit të nivelit të lartë me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti  

Të kontrollohet kundrejt videos! 

Ju faleminderit për durimin. E dini si janë këto takime, e di kur fillojnë por nuk e di kurrë se kur mbarojnë.  

Sot, prita këtu në Bruksel presidentin Aleksandar Vuçiq nga Serbia dhe kryeministrin Albin Kurti nga Kosova. Ky ishte takimi i tretë i nivelit të lartë i dialogut që synon normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Më lejoni të them se takimi i sotëm nuk ishte takim normal. Nuk ishte takim i rregullt. 

Së bashku me Përfaqësuesin Special [të BE-së] Miroslav Lajçak, të cilin dua ta falënderoj [për] punën e mirë, e thirrëm këtë takim sepse po përballemi me zhvillime shumë negative në terren dhe me tensione në rritje në veri të Kosovës.  

Mund të themi se ky takim kishte të bënte me përgjegjësinë e të dy liderëve për të kërkuar zgjidhje në mirëbesim, për të siguruar që paqja dhe stabiliteti të mbizotërojnë në këtë pjesë të Kosovës – në veri të Kosovës. 

Dhe kjo ndodh në një kohë kur jemi në një moment kritik për [rajonin] dhe Evropën. Po e shohim rikthimin e luftës në kontinentin tonë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Po përballemi me një moment dramatik dhe shumë të rrezikshëm për kontinentin tonë. Dhe ky nuk është një moment për rritjen e tensioneve – është koha për të kërkuar zgjidhje dhe për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura prej kohësh.  

Siç u thashë të dy liderëve, ky ishte një takim në modalitetin e menaxhimit të krizës. Ishte një takim për menaxhimin e krizës, nuk ishte takim i zakonshëm. Dhe qëllimi i këtij takimi ishte që të qetësohet situata në terren. 

Në anën tjetër, jemi të fokusuar në rrugën përpara për normalizimin gjithëpërfshirës në mes të Kosovës dhe Serbisë.  

Të dy liderët patën mundësinë të bisedojnë – në hollësi – për këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse [për normalizimin e marrëdhënieve], pasi që tensionet aktuale në terren janë simptoma të çështjes më të gjerë të statusit të pazgjidhur të marrëdhënieve të tyre. Ajo që po ndodh është një simptomë. Sot po ndodh atje, nesër mund të ndodhë diku tjetër sepse ekziston një problem bazë. 

Mendoj se si presidenti Vuçiq ashtu edhe kryeministri Kurti e kuptuan se nuk ka alternativë ndaj dialogut [të lehtësuar nga BE-ja] për ta zgjidhur këtë problem.  

Sigurisht, ka dallime të mirë-njohura mes tyre në lidhje me pikëpamjet e tyre për atë se cili do të jetë statusi përfundimtar i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, se cili duhet të jetë ai. Por ata janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta në periudhën e ardhshme për të çuar shpejt përpara procesin e normalizimit. 

Dhe unë do ta kem këtë shumë lart në agjendën time, me mbështetjen e posaçme të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. 

Çështjet aktuale ishin pikat më urgjente në agjendën tonë. Jemi dëshmitarë të tensioneve të fundit për targat dhe dokumentet e hyrjes/daljes për personat që udhëtojnë midis Kosovës dhe Serbisë.  

Komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron të shohë tensione të reja në periudhën e ardhshme dhe palët do të jenë plotësisht përgjegjëse për çfarëdo përshkallëzimi në terren.  

Dhe për fat të keq, ende sot nuk kemi [arritur] te një marrëveshje. Por ky nuk është fundi i tregimit. Të dy liderët u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të rifillojnë në ditët e ardhshme. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Unë nuk dorëzohem.  

Sot nuk ka marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi. Duhet të vazhdojmë të diskutojmë, duhet të kërkojmë zgjidhje. Procesi do të vazhdojë. 

Dhe, në mbyllje të takimit, ua bëra gjithashtu të qartë të dy liderëve se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të mbetet objektivi i tyre përfundimtar, për të cilin të dy ata janë zotuar. E për këtë, ata duhet të gjejnë një mënyrë për të përparuar në këtë rrugë – dhe hapi i parë i kësaj rruge është të kërkojnë një zgjidhje për situatën aktuale.  

Ka qenë një ditë e gjatë takimesh dhe mendoj se rezultati më i rëndësishëm është të themi se jemi pajtuar që duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku, në një mënyrë që është inteligjente dhe e përgjegjshme politikisht, në kërkim të një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe reciprokisht të pranueshme në një situatë që po krijon pasiguri dhe jostabilitet në radhë të parë për qytetarët e rajonit, por edhe për Evropën në tërësi. 

Është përgjegjësi dhe detyrë e jona që të vazhdojmë të punojmë për të kërkuar një zgjidhje që, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur. 

Ju faleminderit shumë për vëmendjen tuaj. 

Vegëza e videos: https://audiovisual.ec.europa.eu/en/video/I-229115

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu