Deklaratë e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”
Himara është vetëm shqiptare, ku që në lashtësi është banuar nga popullsi ilire me rrënjë tek fisi Kaonëve
Shoqata Laberia “Nderi i Kombit”, po ndjek me vëmendje zhvillimet në Himarë dhe deklaratat e kandidatit Fredi Bejleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore për blerje votash. Shoqata “Laberia” denoncon së pari të gjitha deklaratat antishqiptare të z. Beleri për të ashtuquajturin minoritet grek në Himarë pasi këto deklarata po sjellin rizgjimin e episodeve të përplasjeve greko-shqiptare në Himarë, prishjen e miqësisë, debatin shterpë, dhe ndezin tensione artificiale mes dy popujve. Zhurmnaja e ndezur nga qarqe shoviniste, për të ashtuquajturën etni greke në Himarë (zemrën e Labërisë), nuk është një risi e Belerit, pasi ka vite që përplaset si valët e detit në të dy brigjet e Jonit dhe prej vitesh vjen rrotull me batica e zbatica në elikën e politikës midis fqinjëve. Ajo në vite ka marrë trajta dhe forma si shprehje individësh, politikanësh, herë, herë grupesh ekstremiste dhe së fundi, prononcime të ndërsjella midis kryetarëve të shteteve. Deklarimi dhe shpërthimi i kandidatit për Kryetar Bashkie të qytetit të Himarës Fredi Beleri, se Himara është etni greke, nuk është as e re e as e papritur për opinionin shqiptar, por një ritual që është përsëritur prej shumë aktorëve antikombëtar në momente të ndryshme historike. Ajo që të indinjon dhe të revolton nga kjo sjellje, është se qeveritë tona në 33 vite nuk kanë mbajtur qëndrime parimore, por kanë toleruar dhe lejuar që të hyjnë e dalin në Himarë, deputet të Parlamentit grek, kryeministra dhe ministra si në shtëpinë e tyre, të cilët janë sjellur si zot shtëpie, pa u shqetësuar nga organet tona ligjvënëse. Sentenca e njohur antilabe e Napolon Zervës, se: “ Le të ketë një çik Shqipëri, por mos të ketë Labëri” ka prevaluar në të gjitha fushatat zgjedhore për pushtetin vendor dhe për një legjislacion kishim në krye të Bashkisë të Himarës Vasil Bollanon e OMONIES. S’është as e re as e papritur kjo situatë, që u krijua me Fredi Belerin, veçse një kopje e fushatave zgjedhore paraardhëse. Populli thotë: “ ç’të mbjellësh do të korrësh”. Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, ka 30 vjet që përballet me fenomenin e synimit për greqizimin e Himarës dhe denigrimin e të drejtave të çamëve, që u përzunë me dhunë nga trojet e tyre. Jo rastësisht Shoqata Labëria Kuvendin e saj të Tretë e bëri në 7 Maj të vitit 2005 në Himarë, për t’u thënë himarjotëve dhe sejmenëve të tyre se Himara është Labëri, nuk është Greqi. Por ndodhi ajo që pritej. Kryetari i Bashkisë së Himarës Vasil Bollano, nuk na lejoi ta zhvillonim kuvendin në sallat e institucionit të Bashkisë dhe u detyruam ta realizonim në një lokal privat të një labi nga Treblova e Vlorës. Atmosfera ishte rrënqethëse. Himara ishte mbushur me parulla në gjuhën greke, në gjithë fasadat e mureve të shtëpive, që shkruanin: “Poshtë Labëria”, “Himara është Greqi”, “Himara nuk është Labëri” “ Labëria s’ka vend në Himarë”, etj. Kjo situatë kondraverse nuk shqetësoi as partitë politike dhe as qeverinë që në heshtje i miratonte veprimet e Bollanos. Shoqata Labëria në këtë kohë po përballet edhe me një veprim tjetër antikombëtar lidhur me pasurinë shpirtërore të Labërisë, “polifoninë” që në UNESCO është regjistruar si “isopolifoni “, që e ka origjinën nga Sirenat greke dhe buron nga muzika kishtare bizantine. Ndaj dhe në këtë rast ne nuk do të heshtim. Do ta mbajmë si gjithmonë ndezur zjarrin atdhetar. Është rasti të përgëzojmë drejtësinë për qëndrimin institucional, duke mos lejuar politikën të diktojë mbi ligjin për çështjen e ndalimit të Belerit nga organet e drejtësisë. Himara si krahinë, që në lashtësi është banuar nga popullsi ilire, me rrënjë tek fisi i Kaonëve. Ajo është zemra e Labërisë dhe askush nuk do të luajë me të. Askush të mos harrojë gjeniun e letrave shqipe F.S. Noli i cili ka thënë: “ Kur lëngon Shqipëria zgjohet Labëria. Dhe kur të vdes të më shoqëroni me këngë labe”.