ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Del në pension z. Dalip Greca, kryeredaktor i gazetës më të vjetër shqiptare, gazetës “Dielli” në Amerikë

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Frank Shkreli

New York, 11 Korrik, 2021

Me ftesën e Federatës Panshqiptare të Amerikës ‘VATRA’, kisha kënaqësi të merrja pjesë në darkën solemne, që kjo organizatë historike e shqiptarëve të Amerikës organizoi në nderim dhe respekt të Editorit të “Diellit”, z.Dalip Greca me rastin e daljes së tij në pension. Siç dihet, z. Greca për 12 vjet udhëhoqi me profesionalizëm, korrektësi dhe ndershmëri gazetën “Dielli” dhe në “Vatër” ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Nderimi në këtë darkë ishte një mirënjohje e vogël kundrejt punës së madhe dhe vlerave që z. Dalip Greca kultivoi dhe transmetoi në “Diell” dhe “Vatër” për 12 vjet.  Darka e nderimit u organizua me datën 11 Korrik 2021 ditën e dielë ora 6:PM në restorantin “Tesoro D’Italia Restaurant, Pleasantville”, Nju Jork, ku morën pjesë më shumë se 100 vatranë dhe miq e kolegë të ftuar të Dalipit. Fjala ime përshëndetëse me këtë rast, si më poshtë:  “Përshëndetje i nderuar Kryetar i Federatës pan-Shqiptare Vatra, z. Elmi Berisha, anëtarë të Bordit, pjesëmarrës dhe dashamirës të z. Dalip, të “Vatrës” dhe gazetës “Dielli”. Një përshëndetje e veçantë, natyrisht, shkon për protagonistin kryesor të kësaj darke, z. Dalip Greca, që na ka mbledhur sonte këtu për të shënuar daljen në pension nga detyra, si Kryeredaktor i gazetës më të vjetër shqiptare, e që vazhdon të botohet për më shumë se një shekull.

“Rreth “Vatrës” e “Diellit”, ky ishte privilegji, roli dhe përgjegjësia e brezave të kaluar të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të veta”

Besoj se Dalipi, ashtu si edhe të gjithë ne që e kemi quajtur veten gazetarë gjatë karierës tonë, nuk i jemi përveshur këtij profesioni për t’u pasuruar, as për nam e zë, sepse rrallë kush pasurohet në këtë zanat, por sepse jemi shtyrë nga një dëshirë për të kontribuar për të mirën e shoqërisë ku jetojmë dhe të kombit, pjesë e të cilit jemi, që nepërmjet gazetarisë së lirë, të përpiqemi të zbulojmë dhe të njohim të vërtetën, në llogari të mirës së përbashkët. Vura re se në njoftimin e botuar në “Dielli”, Dalipi citonte të Madhin Faik Konica i cili ka shkruar në përvjetorin e parë të botimit të gazetës “Dielli”: “Me këtë numër, ‘DIELLI’ mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga ndonjëherë, rri mbi një gur dhe hedh sytë pas tij.  Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh se sa eci dhe ç’mbaroi gjer atje…”.  Sonte, z. Greca duhet të jetë shumë krenar “kur sheh se sa eci dhe ç’mbaroi gjer atje…” – krenar për të arriturat e tij gjatë këtyre 12 viteve si Kryeredaktor i “Diellit”, disa prej të cilave ai i radhit, modestësisht, në njoftimin për daljen në pension, e për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë e krenarë me punën e tij.  Dalip Greca gjatë këtyre 12-viteve u përpoq,  me sa pati mundësi dhe përballë rrethanave të vështira, shpesh penguese dhe me burime tepër të kufizuara, ta ringjallte dhe ta kthente “Diellin” në vijën e përcaktuar nga themeluesit e tij mendjendritur, ta kthente sado pak, në misionin origjinal të tyre.  Nuk ishte e lehtë për Kryeredaktorin e “Diellit” të këtyre 12 viteve të fundit, që të menaxhonte, si të thuash, një tranzicion të pritshmërive nga një brez vatranësh dhe lexuesish tek tjetri i shqiptaro-amerikanëve, sa i përket misionit dhe veprimtarisë së “Vatrës” dhe “Diellit”. Nuk ishte e lehtë që të plotësoheshin pritëshmëritë e të gjithëve, dhe as që të pajtoheshin mendimet dhe pritshmëritë e diasporës së vjetër të pas luftës së dytë botërore, me ato të diasporës post komuniste të pas vitit 1990, një sfidë kjo, që besoj se me ndihmën e Kryesisë së “Vatrës”, Dalipi e menaxhoi si mundi dhe si është më mirë, duke konsideruar rrethanat e këtyre 12 viteve të kaluara.

Kritikat e shqiptarëve ndaj “Diellit” ose medias në përgjithësi, të kujtojnë letrën e Faik Konicës dërguar një të riu, i cili dëshiron të hapë një gazetë të re: “…Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën”, i ka shkruar, ndër të tjera, Faik Konica një miku të ri që donte të hapte gazetë. Nën drejtimin e kryeredaktorëve të ndryshëm gjatë dekadave, gazeta “Dielli”, në periudhën e komunizmit në Shqipëri dhe gjendjes në Kosovë, shkrimet dhe lajmet ia drejtonte pothuaj, ekskluzivisht, shqiptarëve të diasporës në Shtetet e Bashkuara. Nën drejtimin e z. Greca “Dielli” ka trajtuar edhe tema e subjekte me rëndësi mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, disa prej të cilave nuk i ka trajtuar media në trojet tona. Uroj që kjo vijë redaksionale të vazhdojë edhe pas mandatit të z. Greca. Më kënaq fakti, që ndonëse ka vendosur të dalë në pension të merituar, Dalipi premton se nuk po i thotë, krejtësisht, lamtumirë “Diellit” as “Vatrës”!  Misioni i “Vatrës” dhe i “Diellit” nuk ka mbaruar, as s’ka ndryshuar aq shumë gjatë historisë së tij prej më shumë se një shekulli.Veprimtaria historike e “Vatrës” dhe e “Diellit” ka gjithnjë barrën e rëndë për të ndjekur dhe për të mbrojtur besnikërisht interesat kombëtare të shqiptarëve kudo, të Shqipërisë dhe të Kosovës, dhe të jetë gjithmonë e gatshme për të mbrojtur qëndrimet e shqiptarizmit. Ashtu që, siç është shprehur Ernest Koliqi me rastin e 50-vjetorit të gazetës “Dielli”, “Bashkatdhetarët e Amerikës, të cilët dijtën të ndërtojnë këtë qendër të fortë atdhedashunie – duhet sidomos sot të jenë në naltësinë e misionit historik që u përket, mbasi jetojnë e veprojnë në prehën të Demokracisë së Madhe Amerikane, në dorë të cilës është fati i botës, e prandej edhe i vendit tonë.”  Rreth “Vatrës” e “Diellit”, ky ishte privilegji, roli dhe përgjegjësia e brezave të kaluar të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve, për aq sa dinin e kishin mundësi, anë e mbanë trojeve të veta.

“Besoj se Dalipi, ashtu si edhe të gjithë ne, që e kemi quajtur veten gazetarë gjatë karierës tonë, nuk i jemi përveshur këtij profesioni për t’u pasuruar, as për nam e zë, sepse rrallë kush pasurohet në këtë zanat”

Ky rol dhe këto përgjegjësi mbeten të tilla edhe për brezat e sotëm dhe të ardhshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, në frymën dhe shembullin e dy kampionëve të mëdhej të shqiptarizmit dhe themeluesve të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe organit të saj “Dielli”, At Fan Nolit dhe Faik Konicës. Misioni i “Vatrës” dhe i “Diellit” vazhdon dhe i takon këtij brezi të ri sot ta çojë “Vatrën” e “Diellin” përpara, ndërsa gjithnjë do të kini mbështetjen e Dalipit pasi ai nuk tha “lamtumirë”, por pas kaq vitesh punë, ai ka vendosur, me të drejtë, për pak çlodhje dhe pak dëfrim të merituar. Më në fund dua të falënderoj sinqerisht Kryetarin e Federatës Pan- Shqiptare Vatra, z. Elmi Berisha dhe Kryesinë e “Vatrës” për organizimin e kësaj darke për Dalipin dhe për ftesën për të qenë me ju sonte. Jam i bindur se me urtësi e durim, nën drejtimin tuaj, me energji të reja të një brezi të ri shqiptaro-amerikanësh që shoh sonte këtu në numër të madh, “Dielli” dhe “Vatra”, kanë mundësinë dhe talentet që të vazhdojnë të shërbejnë si qendra bashkimi për të gjithë shqiptarët pa dallim, të vetëdijshëm për kontributet historike dhe për përgjegjësitë e “Vatrës” dhe të “Diellit”, si organizatat më të vjetra dhe më përfaqësuese të gjithë shqiptarëve të Amerikës. Me këtë rast, desha të shpreh një falënderim të veçantë Dalipit dhe Kryesisë së “Vatrës” që, gjatë këtyre 15 viteve të fundit, gazeta “Dielli” ka vazhduar, pa përjashtim, të botojë shkrimet e mia modeste. U jam mirënjohës! And finally, Mr. Greca, Having been retired for 18 years now, I highly recommend it. Take it from me, I think you have made the right decision. I wish you a long, healthy retirement, my friend. I know you’ll be busy but enjoy your well-deserved time off. I am sure your family, is very happy with your decision as well.  Nga unë dhe bashkshortja ime Viki, urimet tona më të përzemërta, z. Dalip! Shëndet e jetë të gjatë!”

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu