Këshilltari Chollet ka thënë se SHBA-ja e përkrah plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe se Kosova duhet t’i plotësojë obligimet e dala nga ai.
“Ne besojmë që ky dialog është mjeti më i mirë për Kosovën që të sigurojë të ardhmen e vet të plotë euroatlantike. Dhe presim nga Kosova t’i plotësojë të gjitha obligimet e saj në dialog që përfshin themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij”, ka deklaruar ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, nuk do të përkrahnin assesi çfarëdo aranzhimesh që nuk janë në vijë me Kushtetutën e Kosovës dhe se pret propozimet nga Qeveria e saj.
“Ne presim nga Qeveria e Kosovës të paraqesë disa propozime në tavolinë. Dua ta bëj të qartë që ne nuk e përkrahim dhe nuk do të përkrahim aranzhime si ato të Republikës Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të përkrahë çfarëdo aranzhimi që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vet dhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshja e Brukselit – Gjykata Kushtetuese ka vendosur që është e domosdoshme të themelohet bashkësia e komunave me shumicë serbe dhe që ne besojmë që formimin e tij e bën ligjërisht obliguese për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Chollet.
Ai ka vënë theksin te raportet “shumë të forta” mes Kosovës dhe SHBA-së, e veçanërisht ka potencuar se zyrtarët aktualë më të lartë shtetërorë amerikanë kanë një histori më të hershme që i lidh me Kosovën.
“Presidenti i SHBA-së, Biden, sekretari Blinken, zv.ndihmës ekretari Eescobar, si dhe unë, e shumë zyrtarë të tjerë të Qeverisë amerikane, kemi kaluar një pjesë të madhe të jetës sonë profesionale duke u përpjekur të punojmë me Qeverinë dhe me njerëzit në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, ka deklaruar ai.