ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Dëshirë e vetme e 75 – vjeçarit Hetem Ajeti, ribërja e Shqipërisë së plotë

Shkrime relevante

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Dje, pasdite, në Gjenevë të Zvicrës, u varros Aktori ynë i njohur Adem Muji

Arif Ejupi Me 21.12.2024 Më 16 dhjetor të këtij viti pas keqësimit të...

Shpërndaj

Nga: Arif Ejupi

Në pamundësi për ta shpalosur veprimtarinë e plotë të Atdhetarit, Hetem Ramadan Ajeti, në një shkrim gazete kësaj radhe lexuesve do t’ua prezantojmë vetëm episodin e përleshjes së tij me policin famëkeq Apostol Llaziq. 

Hetem Ramadan Ajeti lindi më 21 shtator të vitit 1947 në fshatin Sfeqël të Podujevës. Sipas disa dokumenteve të ruajtura nga vëllezërit Mehmet dhe Ismail Ajeti-Bushi, vërtetohet se truall i përhershëm i kësaj familje ka qenë fshati Sfeqël i komunës së Podujevës. 

Këtë familje e gjithë treva e Llapit e njeh për bujari, mikpritje dhe përpjekje të pareshtura për çlirimin e tokave shqiptare. Ajetajt në asnjë rrethanë apo situatë nuk devijuan nga porosia e të parëve të tyre që për Atdhe e identitet kombëtar duhet dhënë edhe kokën. 

Këtë amanet do ta jetësojë Ismail Ajeti,i shkolluar si autodidakt dhe mik i shtrenjtë i vegjëlisë dhe i zgjimit nacional. 

Ai më 23 dhjetor të vitit 1945 në fshatin Kranjë të Prespës,në trekëndëshin që ndanë kufirin Maqedoni-Shqipëri dhe Greqi, ia mundëson arratisjen në Greqi me katërqind luftëtarë Muharrem Bajraktarit, ish-udhëheqës i”Ballit Kombëtar” 

Po ky burrë fisnik dhe trim i pashoq më 8 shkurt të vitit 1950, derisa po e kryente detyrën e gardianit në burgun e Mitrovicës, ua hap dyert të gjithë të burgosurve politikë, ku së bashku me ta arratiset edhe ai. 

Djali i Llapit dhe Kosovës që bëri këtë heroizëm të radhës në mbrojtje të gjuhës, tokës dhe të nderit shqiptar të dyja herët u dënua me vdekje. 

Ai, i shpëtoi ekzekutimit falë intervenimit me urgjencë të Fuqive të Mëdha të Kontrollit Ndërkombëtar mbi ish-Jugosllavinë. Pas këtij dekreti Presidiumi i atëhershëm i ish-Jugosllavisë, lëshoi urdhër zyrtar që të gjithë të burgosurit politikë të lirohen pavarësisht pozitave të tyre. 

Nga kjo amnisti do të përfitojë edhe patrioti trim dhe i paepur Ismail Ajeti-Bushi. Ai lirohet nga kazamatet e ish- Jugosllavisë, më 15 shkurt të vitit 1960. 

Mirëpo, duke qenë i pakënaqur me pozitën e popullit të tij nën Jugosllavi, ai prapë riorganizon djem e vajza të Llapit, që në çdo kohë ishin të gatshëm për mobilizim ngase jeta nën çizmen sllave ishte bërë e padurueshme. 

Kontaktet me ta i mban ndaras përhirë të moszbulimit të tyre nga ana e pushtuesve dhe disa lojalistëve shqiptarë, të cilët veten në atë sistem e ndjenin rehat. 

Ismaili, shpeshherë shpjegonte s’e si në atë kohë të pa kohë të gjithë ata shqiptarë që kundërshtonin atë regjim skllavërues ekzekutoheshin pa gjyq dhe pa asnjë lloj prove. 

Gjithashtu metodë disiplinimi ishte bërë edhe internimi dhe mbajtja e tyre në kampe përqendrimi. Arsyeja e vetme përkatësia e tyre etnike. 

Për shumë vjet emrat e personaliteteve më të shquara të kombit tonë u anatemuan dhe u fshinë nga historia. 

Rinisë sonë në ato pak shkolla shqipe që punonin me planprograme serbe u ofroheshin tema nga jeta dhe vepra e autorëve të elaborateve që detyrë të ngutshme kishin spastrimin etnik të Kosovës. 

Që nga bankat e tetëvjeçares e deri në Universitet si lektyrë shkollore shqiptarët kishin sojin e fashistëve si: Spiridon Gopçeviq, Gjoka Perina, Ilija Garashanin, Vasa Çubrilloviq, Jovan Cveiq, Dobrica Qosiq, Ivo Andriq etj. 

Po ashtu u bëhej publicitet edhe partizanëve famëzi si: Dushan Mugosha,Milladin Popoviq e kolaboracionistit Ali Shukriu,të cilët në bashkëpunim me diktatorin Enver Hoxha, Shqipërinë e kishin kthyer në varr kolektiv të shqiptarëve demokrat dhe pro-perëndimor. 

Këto dhe shumë forma të tjera të shtypjes bën që Ismail Ajeti, të jetë përherë në ballë të Lëvizjeve tona për çlirim. Ai edhe pse e përjetoi ferrin në burgjet e ish-Jugosllavisë, deri në vdekje qëndroi përkrah të rinjve të Llapit, të cilët si atëherë ashtu edhe sot e vlerësojnë lartë figurën e tij. 

 

Ismaili duke u bërë shembull vetëflijimi dhe sakrifice brenda përbrenda familjes Ajeti do t’i përgatisë për rezistencë të rinjtë Hetem Ramadan Ajeti, Ali Adem Ajeti dhe Murat Mehmet Ajeti,duke e zgjeruar ndërkohë gamën e veprimit edhe me qindra djem të tjerë trima e të shkathtë për aksione. 

Me moral dhe qëndresë ai përgatit edhe gratë trimëresha si:Maliqe Jupolli Ajeti,Hyrë Monolli Ajeti,Shehide Begolli Ajeti,Zyhrije Sadaj Ajeti, Vahide Podvorica Ajeti, Kadife Çitaku Ajeti, Nurije Sheholli Ajeti, etj, të cilat me gjithë dhunën, burgosjet dhe vrasjet e vazhdueshme asnjëherë nuk ranë në dëshpërim e gjendje të pashpresë. 

Meqë, Hetemi kishte një zhvillim fizik dhe mendor për t’ia pasur zili Ismaili e trajtonte sikur fëmijë të tij.  

Ai në Hetemin shihte përfaqësuesin e ardhshëm e të vërtetë të luftëtarit trim e të pamposhtur. 

Hetemi, edhe pse ende shumë i rinj me mish e shpirt do të mobilizohet në luftën për çlirim kombëtar.  

Ai me armë në dorë do të luftojë kundër mendësisë së ngushtë të shovinistëve serbë, të cilët përdoren të gjitha mjetet represive për të na shkombëtarizuar e për të na lënë emërharruar në tokën tonë. 

Duhet pranuar se të luftosh pabarazinë dhe padrejtësitë, atëbotë ishte më e vështirë dhe më e komplikuar nga ç ‘dukej në pamje të parë. 

Por, idealizmi rinor i të rinjve të Llapit dhe viseve të tjera të Kosovës, nuk njihte vrushkujt e ujit as kërbaçët, as tytat e armëve, as zhurmën e poteren shurdhuese të tankeve dhe avionëve luftarak të kolonialistëve serbë. 

Të gjithë këta të rinj idealistë e atdhedashës ishin pajtuar që jetën ta shkëmbenin me vdekjen, pasi që ajo nënokupim s’kishte kurrfarë vlere. 

Kështu që më 27 nëntor të vitit 1968 në Podujevë, në shenjë revolte e pakënaqësie organizohen demonstrata në kërkim të simboleve kombëtare dhe të së drejtës për Universitet në Gjuhën shqipe. 

Hetem Ajeti më të dëgjuar fjalimin me aq zjarr të studentit të inxhinierisë Sabit Ibrahim Syla, para Kuvendit Komunal të Podujevës, del nga punëtoria ku mësonte zanatin e marangozit dhe futet në rreshtat e parë të demonstruesve. 

Në këtë demonstratë zanatçiu i rinj Hetem Ajeti, sikur edhe bën betimin. Ai që nga ky moment bëhet pjesë e të gjitha Lëvizjeve kryengritëse në Llap e më gjerë. 

NJË SITUATË PËR JETË A VDEKJE 

Dita e 25 janarit 1969 do të jetë një test tjetër i radhës për Ajetajt e Sfeqlës së Llapit. 

Derisa djali i tyre Hetemi po e priste trenin e linjës Podujevë-Polenicë, në kafenenë e stacionit hekurudhor papritmas u shfaq një i rinj serb së bashku me të dashurën e tij. 

Ai paarsyen më të vogël dhe për habinë e të gjithëve nisi të grushtojë një djalosh të pafajshëm rreth të njëzetave nga Gllamniku i Podujevës. 

Sipas,Hetem Ajetit dëshmitar okular i kësaj ngjarje me gjithë kaosin e krijuar dhe pështjellimin i riu shqiptar shpejt u këndell. 

Ai rrëmbeu një karrige dhe me tërë forcën e përplasi mbi trupin e serbit. Serbi që kishte natyrë të dhunshme dhe represive u gjend në nokaut klasik. Pas pak minutash i provokuar nga ky akt dhe i turpëruar përpara të dashurës së tij, filloi të gjuajë kuturu me gjësende të forta në turmën e njerëzve të pranishëm. 

Ai sikur donte ta kthente besimin tek serbët tjerë e sidomos e dashura e tij. Fyente me fjalët më të pista shqiptarët. Hetemi i pezmatuar nga këto skena të turpshme ia kthen këtij huligani me njëjtën shtizë. 

Po ashtu i tërheq edhe vërejtjen se nëse nuk pranë do ta pësojë edhe më keq. Nuk vonoi shumë dhe pas këtij debati të nxehtë u dëgjua një bori e pandërprerë alarmi, që u pasua nga frenimi i ashpër i makinës së policisë. 

Njerëzit e tubuar në kafene menjëherë filluan të ikin, si bletët nga një koshere që kishte marrë flakë. 

Hetem Ajeti, trim i lindur as që kishte lëvizur nga vendi. Mbi te u vërsulen policët e armatosur mirë. 

Ndër ta me temperamentin e tij të dhunshëm u dallua polici Apostol Llaziq,i cili duke e ndjerë veten tamam si gangster Hetemit, iu drejtua me fjalët” Ty të kam në regjistrin tim që nga 27 nëntori i vitit të kaluar.” 

Pastaj, vazhdoi:” Ky është vetëm fillimi do të bëjë që kur të më shohësh të vijë të vjellësh”. 

I rrëmbyer nga momenti i ngjarjes dhe i inatosur Hetemi ishte përgjigjur:” Ditët në vijim do të shohim s’e a do të vjell unë apo ti”. 

Ai, i tronditur nga kjo ngjarje e papritur duke bërë monolog me vetveten kthehet në shtëpi. 

Porsa mbërrin në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Sfeqël të Podujevës, e ëma me shikimin plot kureshtje e heton atë të gërvishtur në fytyrë. Ajo bukur e shqetësuar i thotë Hetemit– Çfarë të ka ndodhur djali im? 

Hetemi me kohë kishte parapërgatitur një shpjegim lehtësues për nënën Hyrë. Si gjithnjë i kujdesshëm ndaj saj thotë: “Asgjë-asgjë nënë rrëshqita nga vigu duke kaluar lumin. 

Në mënyrë që t’ia largojë plotësisht dyshimin nënës ai kishte lagur qëllimisht edhe rrobat. 

Në ato çaste e ëma u ndije e lehtësuar dhe përqafoi Hetemin, me çfarë e lehtësoi emocionalisht. 

Në anën tjetër ajo mallkonte lumin Dumnica, i cili nga të reshurat e pandërprera të atyre ditëve kishte dal nga shtrati i tij, duke i përmbytur përreth edhe arat e mbjella me grurë. 

NË STACIONIN E TRENIT NDODH SKENA E REVANSHIT 

Stacionin e trenit në Podujevë, polici Llaziq e konsideronte si vendin më të përshtatshëm për të provokuar ndjenjat e shqiptarëve. Ai edhe pse kolonialist e ndjente veten superior. 

Punëtorët shqiptarë që punonin në Korporatën Energjetike të Kosovës në Kastriot( ish-Obiliqi) pa aguar mëngjesi merrnin trenin e orës katër e një çerek Podujevë-Prishtinë -Fushë-Kosovë dhe anasjelltas. 

Kyfarë polici aventurierë me dëshirën e fortë për fyerje e poshtërim të tyre së bashku me kolegët e tij Kuzmanoviq e Parazanoviq i shqetësonin ata duke mos i lejuar që të uleshin në stolet e lira të vagonëve të trenit. 

Më një zë kërcënues u drejtoheshin duke u thënë: “të gjitha vendet janë të rezervuara” Këto gjeste të vazhdueshme të këtyre policëve do ta pezmatojnë edhe më tepër Hetemin. Ai, më 29 janar 1969,pagrimë mëshire në hyrje të kafenesë që gjendej brenda stacionit të trenit e çarmatos policin zullumqar Llaziq, duke e goditur disa here me levë në kokë. 

Polici i përgjakur përplaset përtokë. Hetemi edhe pse asnjëherë nuk e kishte dëshiruar një skenë si kjo shfryn pezmin e tij, duke e paaftësuar për jetë, policin Llaziq, i cili adhurohej rrejshëm nga serbët lokal të Podujevës. 

Pas kësaj ngjarje ai i pashoqëruar nga askush vetëdërzohet në stacionin e policisë në Podujevë. 

Edhe pse e dinte që atje do të haste në disa policë të predispozuar për dhunë ndaj shqiptarëve, sidomos ndaj atyre që kishin marrë pjesë në demonstratat e nëntorit ‘68-të. 

Përkundër pasojave dhe dhunës fizike Hetemi as që e kishte menduar arratisjen, ngase e dinte që me këtë veprim do ta rrezikonte seriozisht jetën e kushëririt të tij Ismail Hasan Ajeti, i dënuar dyherë me vdekje. 

Mehmeti kishte shpenzuar shuma të majme të hollash për lirimin e Ismailit nga burgjet jugosllave. Ai përpos që kishte shitur tokë, bagëti dhe drithëra kishte marrë para hua edhe nga farefisi dhe miqtë. 

Familja, Ajeti derisa të eksitojë nuk do ta harrojë kontributin e Latif Merovcit prej 100 (njëqind) lirave të arit. Në saje të humanizmit të tij Ismail Ajetit, dënimi i shqiptuar me vdekje i kthehet në dënim të përjetshëm. 

Pushtuesit serbë e malazezë me sjelljet tyre të egra mendonin që nëpërmjet dhunës, përndjekjes dhe burgosjeve do të eliminonin ideologët shqiptarë që luftonin për liri dhe bashkim kombëtar. 

Hetemi kujton fare mirë s’e si njeri ashtu dhe tjetri prej shtatë–tetë policëve serbë që ishin të pranishëm në çastin e dorëzimit të tij iu kishin drejtuar me fjalët:” Kush të mësoj të veprosh kështu? 

Madje, Kuzmanoviq e Parazanoviq i thonë “Paske qëndruar besnik në zanat që të la Ismail Ajeti, armik i deklaruar i Jugosllavisë. 

Por, ti do të pësosh edhe me keq s’e sa ai”.” Ne nuk durojmë një akt të tillë poshtërues të uniformës sonë” Ata duke e trajtuar tmerrësisht keq e me përbuzje Hetem Ajetin, e fusin në veturën e errët me rrjeta hekuri dhe transferojnë ashtu të përgjakur në burgun e Prishtinës. 

Ishte një ditë e ftohtë dimri kur Hetemin e merr në pyetje një inspektor pijanec dhe nën ndikimin e vazhdueshëm të dhunës më tepër kërkon nga ai informacione rreth demonstratave të 68-ës, se sa rreth sulmit të tij mbi policin Llaziq. 

Aq sa flet muri, aq i përgjigjej Hetemi. Inspektori i nevrikosur nga heshtja e Hetemit,nis ta fyejë atë në baza kombëtare. 

Të nesërmen në një rrethanë aq kritike dhe në një gjendje aq të rëndë shëndetësore Hetem Ajetin e vendosin në qelinë numër 25. Era e qelbur dhe një dyshek gjithë myk mbi një sustë të ndryshkur e kishin rënduar edhe më tepër gjendjen e tij. 

Në atë qeli aq të ngushtë gjendej dhe studenti i historisë Hasan Dërmaku,nga Shipashnica e Dardanës (ish-Kamenica) Ai në këtë burg mbahej me shumë shokë të tij si organizator i demonstratave të 68-ës.Një ditë herët në mëngjes Hetemin e nxjerrin nga qelia dhe e dërgojnë në pyetje. 

Hasani shfrytëzon këtë kohë të përshtatshme dhe nëpërmjet një forme që e njihnin shumë pak të burgosur bisedon me shokun e tij të jetës dhe aktivitetit Xheladin Rekaliu,i cili ndodhej në qelinë pranë. 

Xheladini ,ishte po ashtu një i burgosur politik nga Podujeva, i cili akuzohej si njëri nga kryeorganizatorët e ngjarjeve të 68-ës.  

Hasani i shpjegon atij se si në qeli i kanë sjellë një çun të rinj nga Podujeva. Pas kërkesës së Xheladinit ,si e quajnë atë djalë, Hasani e portretizon në hollësi të porsa vendosurin në qelinë e përbashkët. 

Duke thënë:“Xhelë i burgosuri lë përshtypjen e një njeriu miqësor dhe të besueshëm” 

Pastaj, vazhdon: Ky i rinj thotë se është pre e përleshjes me një kolon serb nga Orllani, i Podujevës i cili i punësuar si polic duke keqpërdorur profesionin i torturonte pa shkas banorët e pafajshëm të Llapit. 

Thotë, se quhet Hetem Ajeti, dhe është i Ajetajve të Sfeqlës së Podujevës. Paska bërë punën prej zanatçiu tek Hysen Jetullahu i Dëbërdolit, i vendosur në Sfeqël. 

Xheladini nga përshkrimi bindës dhe i argumentuar i Hasanit, menjëherë kuptoi se fjala është për bashkëmoshatarin e tij Hetem Ramadan Ajeti, i cili vetëm tri ditë pas përleshjes së ashpër me policin mizor Llaziq, ia kishte dal që të hakmerrej ndaj tij. 

Rekaliu,e dinte që hakmarrja do të ndodhë shpejt. Po ashtu ishte i sigurt që Hetemi, i rritur dhe edukuar nën autoritetin e Ismail Ajetit, në asnjë mënyrë s’do të lejonte poshtërimin e tij, dhe të llapjanëve të tjerë nga një ardhacak i rritur në stallë derrash. 

Llaziq vetëm pse i tekej shpeshherë i provokonte qytetarët e kësaj ane mbi supet e të cilëve rëndonte varfëria e tejskajshme dhe njëmijë halle të tjera. 

Xheladini i thotë Hasanit, nëse e kthejnë Hetemin në qeli mësoi të lutëm metodën e komunikimit me gjysmë zëri, pastaj vet do të bisedojë me te. 

Pasdite vonë dera e qelisë u hap më rreptë se që pritej. Dy gardianë e përplasen me rrembin Hetemin e bërë qull nga djersët dhe të verdhë dyllë mbi shtratin e papastër të qelisë. 

Hasanin e acaruan tepër këto sjellje të paligjshme të tyre. Ai, publikisht e dënoi sjelljen e këtyre njerëzve të papërgjegjshëm ,duke i denoncuar ata edhe tek eprori i tyre. Atë natë të rëndë ushqimin e tij të paktë Hasani ia jep Hetemit, kurse vetë mbetet pangrënë fare. 

Dalëngadalë u ofrua edhe koha e ndërrimit të rojeve të burgut. Hasani i mësoi përvetësimin e bisedës me zë të ulët Hetemit. 

Ai duke ndërmarrë masa sigurie vëzhgonte te dera e qelisë,kurse Hetemi bisedonte me Xheladinin. Xheladini me humorin e tij të lehtë dhe të këndshëm e përgëzon Hetemin për qëndresë duke i thënë:” Hetem, ti praktikisht tregove atdhedashurinë me levë”. 

Pastaj, Xheladini i flet Hasanit edhe rreth të bëmave të Ismail Ajetit -Bushit,i cili i heshtur dhe në rrethana tepër të rënda gjatë viteve 1945-1950,manifeston akte të rralla trimërie. 

Hasani papërfunduar mirë bisedën me Xheladinin, e merr në përqafim Hetemin,që nga ky moment ata janë të pandarë me njëri-tjetrin. 

Stafi udhëheqës i burgut të Prishtinës, duke hetuar veprimet e sinkronizuara të këtyre dy djemve të rinj llogariste edhe mundësin e arratisjes së tyre nga burgu. 

Atëkohë burgu i Prishtinës ishte shndërruar në çerdhe ethesh për qeveritarët jugosllavë dhe të përkëdhelurit e tyre. 

Në këtë burg mbahej elita udhëheqëse e demonstratave të 68-ës.Studentë e nxënës së bashku me shtresa të tjera të popullit të prirë nga ideologu i tyre Adem Demaçi,që po vuante dënimin e gjatë në burgjet e ish-Jugosllavisë, kishin bërë përgatitjen e avancimit të statusit të Kosovës. 

Prandaj, ethet ishin një dukuri e rëndomtë për autoritetet jugosllave dhe disa lojalistë shqiptarë, që veten e konsideronin si turq e jugosllavë. 

Të mbërthyer nga frika përgjegjësit e burgut Hetemin e ndajnë nga Hasani dhe e çojnë në dhomën numër 29-të. Mirëpo, edhe kësaj radhe ai do të jetë me fat. Në dhomë do t’i sjellin Muharrem Hazir Thaçin,e Carallukës së Malishevës, i cili ishte nip i të njëjtit fshat me Hetem Ajetin. 

Muharremi i përmbajtur dhe tejet serioz në burg mbahej po ashtu për një vepër që meritonte të admirohej. 

Ai, pas 21 vjetësh ishte hakmarrë për vrasjen e babait të tij. Më 10 shtator të vitit 1948 njëfarë Pero Sava Reshetar, nëpunës në Zyrën e Këshillit Popullor, të fshatit Llashka-Drenoc, komuna e Drenasit (ish-Gllogoci) kishte vrarë Hazir Hamzë Thaçin, vetëm, pse atij i mungonin 400 kilogram grurë, nga totali i caktuar prej 4000 mijë kilogramësh. 

Shumën e dhënë prej 3600 kilogramësh Haziri e kishte siguruar me insistimin e gruas së tij Sofije Beselica Thaçi. 

Ajo, nga frika që mund të pësojnë ndonjë të keqe fëmijët e saj Azemi, Muharremi, Ademi dhe Xhezidja, së bashku me Hazirin shkon derë me derë për mbledhjen e drithit, të ashtuquajturit rekuizim (otkup) të caktuar nga pushteti gjakpirës serbo-sllavë. 

Serbët dhe malazezët ishin ata që nëpërmjet kësaj takse ndëshkuese përpiqeshin që shqiptarët t’i gjunjëzonin, duke i provuar edhe me uri. 

Pas këtij akti të shëmtuar e tipik fashist Pero Sava Reshtar, kinse ishte dërguar pesë-gjashtë muaj në vuajtje të dënimit në burgun e Nishit. 

Rexhep Bunjaku, njëri nga ish-të burgosurit politik në këtë burg në shkrimet e tij rrëfen sjelljet prej krimineli të Pero Sava Reshetarit, ndaj të burgosurve shqiptarë. Reshetar, i “dënuar “shumë shpejt kthehet në Kosovë dhe avancohet në pozitë udhëheqëse si Drejtor i Sektorit të Përgjithshëm të PTT-së, në Prishtinë. 

Muharremi, 42 vjeç gjatë kësaj kohe gjendej në Shkup, ku punonte si punëtor në ndërmarrjen ndërtimore” Granit”.  

Ai, gjatë qëndrimit atje ishte acaruar edhe më tepër. Shokët e punës duke menduar që po e ngushëllonin i kishin treguar që me metoda të njëjta sllavo-maqedonasit, kishin likuiduar edhe shumë shqiptarë autokton të Maqedonisë së Veriut. 

Edhe pse nga duart e Muharremit sigurohej buka e familjes ai, vendos të lë punën dhe të kthehet në shtëpinë e tij në Carallukë të Malishevës. 

Sipas, rrëfimeve të shokut të tij të burgut të Prishtinës, dhe të Nishit,Hetem Ramadan Ajeti, shpeshherë Muharremi, kishte thënë që vrasja e babait të tij dhe puna e rëndë fizike ia kishin dëmtuar shëndetin. 

Muharremi një kohë të gjatë kishte vuajtur edhe nga disa ulcera leptike të shfaqura në zonën e ezofagut. 

Ai po ashtu kishte sqaruar se si e kishte kapluar ndjenja e ankthit dhe frikës që po vdiste pa i dhënë hakun e merituar Pero Sava Reshetarit. 

Muharremi disa ditë ishte vënë në përcjellje të tij. Kur e identifikon mirë e mirë dhe vërteton se ai gati çdoherë po drekon në restorantin “Union-Express ”që gjendej ngjitas Teatrit Kombëtar të Kosovës, kthehet pa stres e lodhje në shtëpinë e tij. 

Më 31 mars të vitit 1969,herët në mëngjes niset nga Caralluka, fshati ku edhe jetonte për në Prishtinë. 

Pasi vërteton që Reshatar kishte dal në punë dhe sillej me tre-katër veta brenda hapësirave të Postës, i shkon mendja të shtie mbi te. 

Mirëpo, e frenon veten me arsyen plotësisht të shëndoshë që krimin e Pero Reshetarit,është mëkat ta paguajnë me jetë njerëzit e pafajshëm. 

Muharremi katër-pesë orë do të shëtisë në qytet me shpresën se rastësisht mund ta takojë Reshetarin, në ndonjë vend, ku mund ta ekzekutojë pa dëmtuar askënd tjetër përveç tij. 

Ky edhe ishte qëllim i kahershëm i Muharremit. Ai si burrë i një vatre të vërtetë shqiptare edhe pse e kishte mundësinë s’ donte të hakmerrej në Savën, babain e tij, e as në vëllezërit e tij Milen, Jagoshin dhe Andrean. 

Këtë ditë kritike Muharremi në vakt dreke niset kah restoranti “Union-Express “kur vëren që aty ishte edhe Reshetar, ai gjakftohtë dhe i përmbajtur zen vend në një qoshe jo larg tij. 

Muharremi, me të hetuar që Reshetar, po i afrohet arkës për të paguar nxiton dhe i del përpara. 

I qetë si përherë i thotë” Sot, unë paguaj për ty “Me shpejtësi të paparë nxjerr nga beli revolverin ”Zbrojovka” dhe ia numëron një breshëri plumbash. Në ndarje i thotë” Të fala nga Haziri dhe fëmijët e tij”. 

Fshatarët e kësaj ane i gëzohen tepër këtij lajmi. Ata me dhjetëra herë kishin rrëfyer mbi keqtrajtimet që Reshetar ua kishte bërë atyre qoftë edhe për 1 kile të drithit të munguar. 

Të gjithë e dinin që kyfarë “otkupi” ishte shpikur me pretekst të vetëm për të ushtruar dhunë dhe vrasje ndaj shqiptarëve. 

Krismat e armës së Muharrem Thaçit dhe leva e Hetem Ajetit, ishin paralajmërim i mirë se kolonialistët serbë e malazezë asnjëherë s’mund të bëhen zot në tokë të huaj. 

 

 EPISODI I GJYKIMIT TË HETEM AJETIT DHE DËRGIMI I TIJ NË BURGUN E NISHIT 

Hetem Ajetit pas qëndrimit prej 8 muajve në paraburgim Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ia shqipton dënimin prej tri vjetëve burgim të rëndë, duke e cilësuar si të rrezikshëm për rendin dhe shoqërinë. 

Periudha kur Hetemi ishte dënuar ishte mjaft e acaruar dhe e nderë sepse në të njëjtën kohë u dënuan edhe kryeorganizatorët e demonstratave të vitit 1968. 

Prokurori publik Mentor Çoku pasi që analizon provat konstaton që është provuar fajësia e të akuzuarit Hetem Ajeti. 

Madje ai kërkon zgjerimin e aktakuzës duke nxjerr si provë rënduese pjesëmarrjen e Hetemit, në demonstratat e 27 Nëntorit të vitit 1968,të mbajtura në Podujevë. 

Këto demonstrata edhe pse ishin të ligjshme regjimi komunist i ish-Jugosllavisë i cilësonte si armiqësore dhe orvatje të hapur të shqiptarëve që Kosova të fitojë statusin Republikës së shtatë në kuadër të Federatës jugosllave. 

Një kërkesë si kjo i tmerronte serbë e malazezë në Beograd e Podgoricë. Rahat nuk ndiheshin as maqedonasit dhe një grup bukur i madh i të hibridizuarve gjithandej ish-Jugosllavisë. 

Po ashtu kolonët serbë e malazezë të vendosur në Kosovë, i frynin zjarrit me rrëshekun e shtrigës vetëm e vetëm që shqiptarët të mbetën rrogëtarë të përjetshëm të tyre. 

Prokuri Çoku kishte këmbëngulur që Hetem Ajeti,të dënohet sipas ligjit në fuqi për dy vepra penale. 

Derisa, Riza Fazliu gjykatës i rastit Ajeti, po përgatiste konfirmimin e dënimit reagon Tadej Rodiqi, i cili konstaton sjellje dhe qëndrim jo korrekt ndaj të shpallurit fajtor Hetem Ajeti. 

Me kërkesën e Rodiqit u zhvillua edhe seanca për këshillim ku u bë korrigjimi i gabimeve. 

Pas përmirësimit të këtyre lëshimeve Hetem Ajeti dënohet me tri vjet burgim. Tadej Rodiqi, drejtor dhe mësimdhënës në vitet e 50-ta,në Pro-gjimnazin e atëhershëm të Podujevës, kishte ruajtur konsideratën e tij të lartë ndaj Mehmet Hasan Ajetit-Mehës, të cilin e vlerësonte për mençuri dhe përpjekje pozitive, që çështja shqiptare të avancohet me përfshirjen e gjithmbarshme të rinisë shqiptare në shkollat me mësim në Gjuhën shqipe. 

Rodiq në një ndejë i kishte thënë ish-nxënësit të tij Ymer Adem Llugaliu, që thëniet e Mehmet Ajetit-Mehës” do t’i kujtojë përherë “Derisa të jemi të paarsimuar me ne do të luajë dreqi dhe i biri.” Dashurinë për Atdheun nuk e krijon bartja e plisit të bardhë, por penda e dijetarit të mirëfilltë.” 

Mehmet Ajeti ishte treguar largpamës dhe vizionar pikërisht në kohën kur disa të manipuluar nga regjimi  sllavo-komunist mendonin se shkolla të duhura për shqiptarët janë vetëm ato me përmbajtje fetare. 

Rodiqi gjatë gjithë jetës do t’i jetë mirënjohës Mehmet Hasan Ajetit,i cili me reputacionin e tij që gëzonte në Llap, kishte ndikuar tek shumë familje që të rinjtë e këtij regjioni të vijojnë shkollimin e mëtutjeshëm në pro-gjimnazin e atëhershëm të Podujevës. 

Madje, Mehmeti kishte dhënë vetë shembullin praktik duke e dërguar në këtë gjimnaz edhe të birin Xhevatin. 

Në fillim të viteve 70-të, Xhevat Ajeti së bashku me Shaip Latifin, Salih Ilaz Ejupin, Fadil Rasim Çitakun, Xhemshit Beqir Vokrrin, Enver Xhelil Breznicën, Selim Fetah Ejupin dhe Sabit Fazli Ejupin etj,shkojnë për studime në Tuzlla të Bosnje-Hercegovinës, ku edhe diplomojnë në fushën e gjeologjisë. 

Ndërkohë ata kthehen si kuadër me përgatitje superiore në minierat e Trepçës, Hajvalisë ,Goleshit dhe në Korporatën Energjetike të Kosovës në Kastriot (ish-Obiliq) 

Rodiqi këtë kontribut të Mehmetit, do ta shpërblejë me rastin e gjykimit të familjarit të tij Hetem Ramadan Ajeti. Ai do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet e mundshme juridike në mënyrë që i akuzuari Hetem Ajeti,t’i shmanget dënimit me burgim afatgjatë. 

Falë përpjekjeve të Rodiqit i akuzuari Hetem Ajeti dënohet vetëm me tri vjet heqje lirie. 

Me të kuptuar rastin të pakënaqur me vendimin udhëheqësit e drejtorisë së burgut në bashkëpunim me organet e larta ekzekutive të Kosovës,që ishin në varësi të Serbisë, më 12 prill të vitit 1971,nën masa të rrepta sigurie Hetem Ajetin dhe Muharrem Thaçin i transferojnë nga burgu i Prishtinës në atë të Nishit. 

Hetemi dënimin do ta vuajë në burgun famëkeq të Nishit së bashku me idealistët dhe organizatorët e demonstratave të vitit 1968, Osman Dumoshi, Ilaz Pireva, e Skender Kastati. 

Dy-tre muaj më vonë nga burgu i Prishtinës në atë të Nishit, përcillet edhe Kadri Osmani, i dënuar për shkak të organizimit të grevave të punëtorëve në ndërmarrjen “Napredak” të Prishtinës. 

Xheladin Rekaliu,në atë periudhë student i Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë, nga regjimi sllavo-komunist shihej si rrezik serioz për sistemin, andaj transferohet nga Prishtina në burgun skëterrë të Goli-Otok-ut të Dalmacisë. 

Rekaliu si 19 vjeçar në këtë burg qëndron me kriminelë dhe recidivistë të krimeve të rënda. Edhe pse heq të zitë e ullirit mbetet i pathyeshëm. Ai deri më 17 janar të vitit 1999,kur edhe vdiq e kishte një jetë plot tallase dhe vuajtje. 

Shumëherë ka qenë i arrestuar dhe i izoluar nga regjimi sllavo-komunist. Më 2 maj të vitit 1999 në Studime të Epërme të Vushtrrisë, Xheladinit kriminelët serbë ia masakrojnë motrën Sevdije Rekaliu Gjata dhe nipin 23 vjeç Meriton Shefki Gjata, nga fshati Bajçinë i Podujevës. 

Kryepersonazhi i këtij shkrimi Hetem Ajeti miqësinë e krijuar para tridhjetë vjetëve me Xheladinin jo vetëm që do ta ruajë por edhe do ta fuqizojë. 

Përkundër faktit që UDB-a,jugosllave i mbante në vëzhgim Xheladini ,Ismaili dhe Hetemi, arrinin që të takoheshin në mes veti në odën e Muhamet Latifit në Pollatë të Podujevës. 

Të gjithë të përmendurit i preferonin takimet në Pollatë,ngaqë Ismail Ajeti e kishte vajzën e madhe Shqipen të martuar për Muhametin. Kurse,Hetemi ishte nip i Ajet Latifit. 

Edhe Xheladini mund ta arsyetonte qëndrimin në këtë fshat pasi që babai i tij, Jetishi i kishte dajallarët tek Demajt e Pollatës. 

Në Pollatë të shumtën e herëve skicohej programi për organizimin dhe mbajtjen e protestave kundër pushtuesve serbo-sllavë. Po ashtu bëhej edhe strehimi i atyre që rrezikonin kapjen nga policia serbe. 

Rruga e gjatë deri tek mëvetësia e plotë e Kosovës u karakterizua me keqtrajtime, burgosje dhe vrasje të shumta të shqiptarëve. 

Viktimë e kësaj dhune të shfrenuar ishte edhe Hetem Ajeti, i cili në demonstratat e 1 dhe 2 prillit të vitit 1981 të mbajtura në Podujevë plagoset rëndë. 

Ndaj tij nga lokali “Beko” kishin shtënë persona të sigurimit shtetëror të Serbisë. Ky dyqan rrobaqepësie ishe pronë e një koloni serb, prindërit e të cilit në Podujevë, kishin ardhur me llavën e ardhacakëve serbë e malazezë, ndërmjet dy Luftërave Botërore. Pasojat e kësaj plagosje ai i ka vuajtur gjatë gjithë jetës. 

Ndërkaq, më 30 maj të vitit 1989,çuni i të vëllait Ali Adem Ajeti, bije heroikisht me armë në duar duke mbrojtur nxënës e studentë llapjanë, që atë ditë kritike po protestonin në mbrojtje të Kushtetutshmërisë së Kosovës. 

Hetem Ajeti konsiderohet edhe si njëri nga guerilasit e parë në Llap. Ai më 22 qershor të vitit 1998,së bashku me Zejnullah Zejnullahn-Zenën i lënë lukset e Zvicrës dhe aktivizohen në radhët e UÇK-së, Zona Operative e Llapit. 

Ata edhe pse në atë periudhë ishin 50-të,gjegjësisht 47-vjeç në këtë Luftë Çlirimtare japin kontribut të jashtëzakonshëm. 

Si Hetemi ashtu edhe Zejnullahu posedonin njohuri të mjaftueshme mbi armët, ngase studimin dhe përdorimin e tyre që në rininë e hershme ua kishin imponuar regjimet gjakatare të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë komuniste. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu