Shkruan: Autor: Dr. sc. Bekim Vishaj
- Në vend të përkujtimit
Populli ynë ka dhënë shumë dëshmorë për lirinë e vendit. Dëshmorë ka dhënë Kosova, Dukagjini, Deçani, por edhe Kodralia si një fshat i vogël por me një histori të madhe gjatë historisë ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës. Nga ky fshat kanë dalë ndër breza shumë intelektualë të kohës, por Kodralia në luftën e fundit në vitet 1998/1999 ka dhënë shumë dëshmorë për lirinë e atdheut. Në fshatin Kodrali ka familje të ndershme dhe patriotike ku ndër breza i dhanë atdheut djemtë më të mirë për lirinë e vendit tonë.
Vëllazëria (vllaznia) e Ferizajve është një familje e gjerë dhe e respektuar në këto anë. Familja e ngushtë e Adem Bajramit (Ferizaj) nga Kodralia, ishte një familje e respektuar. Nga kjo familje në vitin 1984 u vra në Ushtrinë Jugosllave Agron Haxhi Ferizaj dhe në vitin 1999 ra dëshmorë Skënder Haxhi Ferizaj (ushtarë i UÇK-së), këta të dy ishin djemtë e mësuesit Haxhi A. Ferizaj.
Haxhi Adem Ferizaj (29.05.1929-15.08.1997), si i ri fillon shkollimin e tij, ishte njëri ndër mësuesit e parë në komunën tonë, punoi si mësimdhënës në disa shkolla të Rajonit, ishte veteran i arsimit, por njëkohësisht përveç punës si mësimdhënës ishte edhe pjesëtar i lëvizjes ilegale të kohës, veçanërisht i lëvizjes kombëtare në vitet ’50-të për të vazhduar deri vonë. Për shkak të punës në arsim, veprimtarisë dhe qëndrimeve nacionaliste, Haxhiu ishte halë në sy për regjimin titist, për çka (disa herë) ishte përjashtuar nga procesi mësimor. Njëkohësisht dy djemve të tij, Skënderit e Agronit nuk iu lejua shkollimi i lartë në Kosovë. Por, Haxhiu duke e ditur rëndësinë e shkollimit për djemtë e tij, vendosi që t’i dërgojë për shkollim në Sarajevë. Skënderi dhe Agroni, vazhduan arsimimin e tyre dhe rrugën e trasuar nga i ati, si aktivist të lëvizjeve ilegale të kohës. Skënderi me vëlla Agronin dhe me motrat e tyre po rriteshin me mund dhe sakrifica nga prindërit. Prof. Haxhi Ferizaj dhe jeta e tij ishin sfidë e vërtetë, sinonim i shumë familjeve shqiptare, me plot vuajtje e sakrifica, sidomos pas vrasjes së djalit të tij Agronit dhe burgosjes së Skënderit, por ai gjithmonë qëndroj i paepur, i fort dhe ballëlart për kombin e vet, për djemtë e vet që tani janë dëshmorë të kombit.
Skënder Ferizaj (12.08.1956 – 13.04.1999), ishte djali i madh i familjes, shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Pejë, ndërsa studimet e larta i filloj dhe i vazhdoi në Universitetin e Sarajevës, drejtimi i shkencave matematikore, nuk arriti t’i përfundojë sepse para diplomimit, në janar të vitit 1981, pushteti e detyroi të shkonte në shërbimin ushtarak. Fillet e veprimtarisë atdhetare të Skënder Ferizajt janë që në ditët e hershme të rinisë së tij. Atëherë, kur ai vijonte mësimet në shkollën e mesme (atëherë -“11 Maji”)e sot “Bedri Pejani” në Pejë. Nga viti 1977, ai i kishte vënë kontaktet e para me veprimtarë patriotë të kohës, kontakte kishte edhe me anëtarët e organizatës së njohur ilegale Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare nën Jugosllavi, lëvizje këto të udhëhequra nga figura të njohura atdhetarësh dhe patriotike të kohës, siç ishin Jusuf Gërvalla, Adem Demaqi etj. Në vitin 1981, në pranverën e madhe studentore, Skënderi gjendej me shërbim në armatën jugosllave, por ai mori pjesë në disa prej këtyre demonstratave, pasi kishte rastisur që ato ditë të gjendej me pushim në familjen e tij. Sapo ishte kthyer në shërbim, së bashku me disa nga shokët e tij ushtarë shqiptarë në kazermën e Shkupit, kishin marrë vendimin që të vetorganizoheshin para çdo situate, nëse APJ, do tentonte ta përdorë ushtrinë kundër protestuesve shqiptarë në Kosovë, atëherë ata nuk do ta zbatonin urdhrin, por do t’i kundërviheshin me armë ushtrisë jugosllave. Skënderi ishte arrestuar nga shërbimi sekret ushtarak. Gjykata ushtarake e dënoi me7 vite burgim për veprimtari armiqësore kundër RSFJ-së. Pasi i’a vranë të vëllain e vetëm Agronin, në nëntor të vitit 1984 pas më shumë se katër vjetësh si i burgosur, Skënderin e liruan nga vuajtja e dënimit, kinse për shkaqe lehtësimi të dhembjes që kishte familja!
Por, Skënderi nuk ndalej asnjëherë në përpjekjet për liri, ishte pjesëmarrës edhe në protestat dhe demonstratat gjithë popullore të viteve 1989 e deri 1999, ai mori pjesë aktivisht dhe shpeshherë ishte njëri ndër organizatorët kryesor në fshat dhe më gjerë.
Skënderi, kishte për pasion këngën dhe poezinë. Gjatë kohës së lirë merrej edhe me aktivitete kulturore, e donte dhe kultivonte bukur muzikën folklorike, adhuronte rapsodët Dervish Shaqa e Shaqë Avdia, kishte prirje për shkrim poezish (te gjitha shënimet iu dogjen nga lufta), kishte shpirt artisti, me të tjerët organizonte dhe ndihmonte të rinjtë në aktivitete te ndryshme kulturore, organizonte dhe udhëhiqte grupin artistik dhe muzikor, sidomos gjatë viteve të 90-ta.
Pas fillimit të luftës frontale në Gllogjan me 24 Mars 1999, udhëhequr nga vëllezërit Haradinaj, e cila datë shënon betejën e parë frontale në Dukagjin. Edhe Kodralia si fshat, do të formojë celulat dhe organizimet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njësite këto për t’i dalë zot atdheut, pra itërë fshati,i madh e i vogël, plak e iri do te rreshtoheshin në radhët e UÇK-së. Edhe Skënder A. Ferizaj, pa u hamendur fare u radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 24 prilli, ai u rreshtua në UÇK,në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në Kodrali, kreu shumë detyra me nderë dhe përkushtim. Skënderi mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Carrabreg, në luftimet tjera si në Gerdaja, Llukë e Epërme, Pozhar, Kodrali etj. Nga dhjetori i vitit 1998, ai u sistemua në sektorin e logjistikës të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të ZOD, ku veproi me përgjegjësi të lartë në furnizimin me armatim e municion dhe me mjete tjera të nevojshme për luftëtarët e kësaj brigade të përqendruar në vijat e frontit në Rrafshin e Dukagjinit.
Më 13 prill 1999 në fshatin Kodrali, Skënderi bashkë me kushërinjtë e tij, Ismetin, Bylbylin dhe Bashkimin, ishte zënë në befasi në pritën e vënë nga militarët dhe paramilitarët serbë. Po atë ditë ishin zënë nga armiku edhe Shaqë, Njazi, Ramadan e Halit Ferizaj dhe Isë Hasaj, nga i njëjti fshat. Nga forcat serbe, të gjithë ata ishin torturuar barbarisht dhe pastaj ishin ekzekutuar,trupat e tyre ishin zhdukur. Deri në vitin 2003, Skënderi konsiderohej i zhdukur pa gjurmë, eshtrat e tij u identifikuan në një varrezë individuale në Çabrat të Gjakovës, u rivarros me nderime të larta ushtarake, më 8 janar të vitit 2003 në vendlindjen e tij, në Kodrali.
Agron Ferizaj (30.09.1957-23.08.1984), shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Pejë, edhe përkundër vështirësive të mëdha materiale dhe tjera, kishte arritur që më 1983 ta kryente Fakultetin e Veterinarisë, në të njëjtin vit u kthye në vendlindje, Agroni u punësua në Istog, njëkohësisht krahas punës së tij primare, për një kohë të shkurtër punoi edhe si mësimdhënës në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Më 6 janar 1984, atë e dërguan me urgjencë në shërbimin ushtarak në Novi Sad, e lëvizin vazhdimisht me shërbim,nga Baçka Topollë e Vojvodinës, më 23 gusht 1984, me përcjellje ushtarake e sollën në shtëpi te vdekur, të mbyllur në arkivol të hekurt me arsyetimin se “kishte bërë vetëvrasje”. Organet ushtarako-policore serbe nuk lejuan që t’i bëhej obduksioni nga ekspertët shqiptarë. Familja e tij pat ngritur akuzë penale kundër eprorëve të Garnizonit në fjalë, nga Gjykata Supreme Ushtarake, u kërkua shpjegim rreth vrasjes së të birit. Familjes iu tha se, ky ishte një “sekret ushtarak”, duke e “këshilluar” të mos e vazhdonte më tej këtë çështje, fat i rëndë për familjen dhe Agronin si i ri, fat i njëjtë si shumë djem tjerë shqiptarë, që gjendeshin asokohe në armatën jugosllave e që po vriteshin mizorisht dhe që pastaj i arsyetonin me arsyetime “vetëvrasje” të njëjta të gjithë ata.
Në shenjë nderimi, vëllezërit dëshmorë Skënderi dhe Agroni janë përjetësuar në lapidar, me shokët tjërë dëshmorë dhe martirët e fshatit Kodrali pushojnë të qetë në varrezat e fshatit.
***
Kodralia i kujton gjithmonë me respekt dhe mburret me trimat e vet që i dha lirisë. Lavdi për Skënderin dhe Agronin, për Salihun dhe Përparimin, për Valin dhe Naserin, për Nimonin dhe Bashkimin, për Ismetin dhe Bylbylin, për bacën Shaqë dhe profesor Njaziun, për Shpendin, Zeqën dhe Hajdarin, për martirët Halitin, Ramdanin dhe Isën.Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit !