Bardhyl Mahmuti
Zoti Kryeministër!
Me vëmendje të madhe ndëgjova fjalën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në konferencën ndërkombëtare për lansimin e studimit mbi pasojat afatgjate të dhunës seksuale gjatë luftës.
Duke u mbështetur në një interpretim tërësisht të gabuar, gjatë fjalës së tij, kryministri Kurti theksoi se “përdorimi i dhunës seksuale gjatë luftërërave të viteve të 90-ta në ish-Jugosllavi lanë pasoja të përhershme në shumë familje. Kjo ka qenë edhe njëra ndër strategjitë e Serbisë. Në heshtje e përjashtim shoqëror, të mbijetuarat e këtyre krimeve u bën forca lëvizëse për njohjen dhe dënimin e këtij krimi të luftës.Në Kosovë është përdorur si mjet lufte nga Serbia, mjet që ka lënë pasoja të gjerë te individi, familja, mbarë populli e shoqëria”.
Siç është informuar opinioni publik shqiptar, duke filluar nga data 12 qershor 2024, në 25-vjetorin e përfundimit të zbatimit të gjenocidit në Kosovë, në faqen e internetit të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, kam filluar të botoj në vazhdime librin tim të titulluar “Gjenocidi në Kosovë – Aspekte teorike dhe studime rastesh”. Si koinçidencë, pjesa e 27 e fejtonit, e publikuar sot, lidhej pikërisht me dhunën seksuale dhe interpretimet e gabuara nga juristë dhe historianë të Kosovës.
Për të shmangur parafrazimet e tekstit në fjalë, në këtë rast do të shkëpus një pjesë të shkrimit të publikuar sot, me shpresë se do të ndihmojë të kuptohet se emërtimi i saktë i dhunës seksuale që zbatuan forcat e armatosura serbe gjatë luftës në Kosovë nuk janë as “krime lufte” e as “mjet lufte”, por akte gjenocidale. Emërtimi i saktë i këtij krimi është kusht paraprak që të adresohen drejtë plagët e së kaluarës.
Dhuna seksuale – Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit
Në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare, dhunimi dhe të gjitha format e dhunës seksuale, që paraqesin lëndim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës, janë të përfshira në të tria kategoritë e krimeve të rënda: krimi i gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.
Në rastet kur dhuna seksuale ndodh gjatë një konflikti të armatosur, qoftë të karakterit ndërkombëtar, qoftë të karakterit jondërkombëtar të përkufizuar në të drejtën ndërkombëtare humanitare, atëherë kemi shkelje të të drejtave themelore të njeriut, të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe të protokolleve shtesë I dhe II të vitit 1977.
Ajo që vlen të theksohet lidhur me dhunën seksuale në kuadër të krimeve të luftës ka të bëjë me faktin, se përgjegjësia penale është individuale për autorët e krimeve, sepse kjo dhunë nuk është rezultat i një strategjie shtetërore, por akt individual. Në dallim nga dhunimet e tjera individuale, dhuna seksuale në kuadër të kësaj kategorie cenon njërën nga kategoritë e mbrojtura me këto akte juridike ndërkombëtare. Dhe, si e tillë, është përfshirë në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 8, § 1, pika b-XXII).
Kur dhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale ushtrohen gjatë aksioneve të përmasave të gjera dhe sistematike kundër një popullsie civile, e cilësdo përkatësi kombëtare qoftë, atëherë kemi të bëjmë me krim kundër njerëzimit, sepse në këtë rast viktima lëndohet në atë që është njerëzore, sipas Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 7, § 1 dhe 2, pika g në të dy paragrafët)
Në dallim nga krimet e luftës, aktet kriminale që hyjnë në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit mund të kryhen edhe në kohë paqeje dhe dallojnë nga krimi i gjenocidit, për faktin se aktet kriminale të cilësuara si krime kundër njerëzimit nuk janë domosdoshmërish të drejtuara kundër një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar. Vetëm atëherë kur dhuna seksuale lëndon integritetin fizik dhe mendor të anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racial apo religjioz, me qëllim të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht grupi si i tillë, përbën akt gjenocidal në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, neni II, § b.), Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 6, § b. dhe Elementet e Krimeve Elementet e Krimeve, neni 6, §b, Génocide par atteinte grave à l’intégrité physique ou mentale).
Për të shmangur çdo konfuzion lidhur me atë se cilat akte hyjnë në këtë kategori, në tekstin juridik të titulluar Elemente të Krimeve, saktësohet:
“Elementet e gjenocidit përmes lëndimit të integritetit fizik dhe mendor janë në rastet kur:
- Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;
- Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;
- Autori i krimit kishte për qëllim të shkatërronte tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial, fetar.
- Një veprim i tillë është bërë në kuadër të një serie veprimesh të ngjashme, të drejtuara kundër këtij grupi, apo që mund të shkaktonte një shkatërrim të tillë.
Me qëllim që të saktësohet se cilat veprime hyjnë në aktet gjenocidale, që kanë për qëllim të shkaktojnë lëndimin e integritetit fizik dhe mendor të pjesëtarëve të grupit të vënë në shënjestër, në fusnotën 3 të këtij neni saktësohet: “Pa u kufizuar në format e shfaqjes, ky veprim përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese” (Cour pénale internationale, Textes juridiques fondamentaux, Eléments des crimes, Article 6 (b), Génocide par atteinte grave à l’intégrité physique ou mentale, f. 2).
Me një fjalë, sipas këtij dokumenti juridik themelor të së drejtës ndërkombëtare, në kategorinë e krimit të gjenocidit hyjnë vetëm aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese që u bëhen anëtarëve të një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, me qëllim që të shkatërrohet grupi si i tillë.
Ajo që është me rëndësi të thuhet lidhur me gjenocidin përmes dhunës seksuale, si formë e lëndimit të integritetit fizik dhe mendor, ka të bëjë me faktin se në këtë kategori nuk hyn dhuna seksuale që është bërë si akt individual për shfryrje të epsheve, por vetëm aktet që kanë për qëllim shkatërrimin të cilitdo nga grupet e lartpërmendura.
Pikërisht për këtë arsye, preokupimi i strukturave që kanë planifikuar dhe zbatuar planin e gjenocidit është fshehja e krimeve. Meqenëse në Kosovë viktimat ishin evidente, strategjia e Serbisë dhe e mbështetësve të saj ishte zvogëlimi i numrit të viktimave dhe zhvendosja e përgjegjësisë nga shteti, në grupe dhe individë (paramilitarë), që gjoja ishin jashtë kontrollit shtetëror.
Rrëfimet publike për disa raste të dhunës seksuale në Kosovë e dëshmojnë më së miri këtë strategji. Gjatë disa dhunimeve kemi “ndërhyrjen” e eprorëve ushtarakë serbë, “duke i qortuar” ata që kryenin dhunime dhe i trajtonin si “pisa”. Madje kemi raste, kur kriminelët prezantohen si “të dehur ose nën ndikimin e lëndëve narkotike”. Në këtë mënyrë, shteti serb përpiqet t’i prezantojë si veprime individuale aktet e dhunës seksuale dhe të mohojë vërtetësinë, se synimi i kësaj dhune ishte lëndimi i rëndë i integritetit fizik dhe mendor i shqiptarëve të dhunuar, me qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë.
Dihet se dhuna seksuale ka pasoja të rënda për viktimën. Por kur dhuna seksuale hyn në funksion të strategjisë së shkatërrimit të një grupi, siç ishin dhunimet e shqiptarëve në Kosovë, atëherë qëllimi i dhunimeve seksuale nuk është vetëm shkatërrimi i viktimave të drejtpërdrejta, por, nëpërmjet dhunimeve, synohej të lëndohej integriteti mendor edhe i të afërmve të viktimave, i tërë grupit, i të gjithë shqiptarëve. Vetëm në kuadër të këtij qëllimi mund të shpjegohen dhunimet e meshkujve dhe detyrimet e dhunimeve brenda anëtarëve të së njëjtës familje, ku prindi detyrohej të kryente marrëdhënie seksuale me fëmijën e vet dhe anasjelltas.
Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm kur përpiqemi të hedhim dritë mbi këtë formë të gjenocidit, sepse rrezikojmë të individualizojmë një krim shtetëror. Fatkeqësisht kemi raste, kur viktima e dhunës seksuale ka rënë viktimë e strategjisë së shtetit serb dhe deklarojnë se janë dhunuar nga “paramilitarë”. Tragjedi e dyfishtë!