ARKIVI:
20 Dhjetor 2024

Dialog… me pyllin

Shkrime relevante

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Historia e pavdekshme e Marie Shllakut (1922-1946), të resë shkodrane që e dha jetën për AtMëmëdhe

Klajd Kapinova, New York Historia e pavdekshme e vajzës së re shkodrane...

Skandaloze – KMDLNJ e Prishtinës e ka injoruar Enver Hadrin dhe ekipin tonë

Reshat Sahitaj, shkrimtar   * Themeluesit e KMLDNJ 3prill 1983 Këshilli për Mbrojtjen e...

Thirrje për reflektim: A duhet të gjithë ne Shqiptarët të jemi të Krishterë ?

Nga: Agim Bajrami, Prishtinë ___ Përgjigjëja është PO , dhe kështu duhet të...

Shpërndaj

Kohët e fundit kam dëshirë të shtuar të takoj vetveten.
Bota e sotme ofron gjithçka materiale me shumicë, por duket sikur i ka vënë detyrë të rëndësishme “vetes” të na largojë nga thelbi, sidomos ai analitik, nga koha ku gjithsecili prej nesh përpiqet t’i kushtohet analizës së mendimit mbi jetën, problemet, zgjidhjen e tyre, pikëtakimit me veten e hulumtimit të saj në honet e thella të arsyes.
Herë pas here ndjej dëshirën të humbas në pyje të dendur, në rrugë që gjarpërojnë pa një drejtim të caktuar, nën kurora pemësh që mbartin mbi vete gjithë misterin tek i cili në njëfarë mënyre fshihet lumturia, ajo e vërteta, që lind prej natyrës, si vetë ne.
Sot po shëtisja nëpër pyllin e mjegullt që nis në stacionin e fundit të qytetit ku jetoj. Aty është fundi i vijës së botës së “qytetëruar” e të betonizuar e menjëherë mbas atij caku nis jeta e vërtetë, ajo e natyrës.
E kundroja natyrën me sytë e shpirtit që më ishin stampuar në pupila dhe atë ditë e shihnin gjithçka ndryshe. Jeta, ajo e vërteta, dukej aq e thjeshtë për t’u prekur, aq e afërt për t’u ndjerë e unë vetë isha pjesë e pandashme e saj. I hoqa këpucët dhe këmbët më prekën dheun e lagësht e të squllët nga lotët kapriçozë të shiut pranveror. Mbylla sytë dhe ndjeva aromën e gjetheve që i kthenin tingujt e ujtë në muzikë sinfonike e cila depërtonte ngadalë, butësisht, ëmbëlsisht timpanin e veshit tim dhe shkonte larg, përtej mendjes, përtej mendimit…
Prekja me gishtërinjtë e njomur gjethet e rrëzuara për tokë e poshtë tyre shtroja e kadifejtë e tokës fshihte ca bimëza të njoma, ca lule të vockëla, të vockëla fare, që çuditërisht syri im s’i kishte vënë re më parë. Ndala dhe vështrova më në brendësi. Përse s’më kishin rënë në sy ndonjëherë ato bimëza të vogla e plot freski që rriteshin në shtrojën e butë të tokës? Kaq e hutuar paskam qenë me gjërat e dukshme të kësaj bote? Natyra është e aftë të shpalosë jetën në detaje kaq të imta, kaq të përsosura edhe në sa nënshtresa të tjera që syri im s’arrin t’i shohë e mendja ime s’i rrok dot. Ato lulëza qëndrojnë aty, pa as më të voglin shqetësim pse syri im i gënjeshtërt s’ka arritur t’i dallojë dot përtej sipërfaqes, e jo më t’i vlerësojë ato. Sa ndryshe janë këto bimëza të vogla nga ne njerëzit. Ato qëndrojnë aty, në perfeksionin e tyre natyror dhe nuk presin asgjë e as vuajnë që syri im apo i ndokujt tjetër t’i vlerësojë e t’i admirojë. Ato jetojnë në paqe me veten e natyrën. Ndërsa ne, kemi nevojë të jemi të vlerësuar, të tërheqim vëmendje, të na marrin në konsideratë e të rrethohemi me sa më shumë mahnitje për pamjen, qëndrimet apo sjelljet tona.
Mendoja se diçka e tillë mund të më shërbente për të kuptuar më mirë atë që syri im i pakujdesshëm s’e kish dalluar e që mendja ime, nëse ndalesha një çast dhe e lija hapur në atë vend të bukur, aty midis pyllit, mund të shihte më thellë e të gërmonte më në brendësi të tij. Me siguri, kjo do të më bënte mirë e do t’më ndihmonte sepse kisha nevojë të ridimensionohesha, të shkëputesha nga bota e rrëmujshme që më shtynte e më largonte nga esenca e qenies, me ngjyrat dhe dritat e saj të shndrritshme e shpesh të rrejshme.
Ne jetojmë në botën e aparencës së vazhdueshme. Mjaft njerëz e jetojnë çdo ditë të tyre duke u shtirur e shtyrë ndër biseda të sipërfaqshme e duke nxjerrë prej tyre një bërthamë kotësie rreth së cilës vërtitet një filozofi e rrejshme mbi jetën, njeriun dhe lumturinë.
Mbylla sytë, ndjeva përtej shqisave që Natyra më ka falur, avullin që trupi im lëshonte i cili bashkohej me lagështirën e shiut të butë pranveror. Një zë i fuqishëm kumbonte brenda mendjes time: “Qëndro këtu, këtu ku je e vërtetë. Nuk ke pse i fshihesh vetvetes, as gabimeve të tua. Pylli të kupton. Ti je Natyra e derdhur në mijëra qeliza mishtore e fije të padukshme mendimesh që lidhin botën e jashtme me perfeksionin që Zoti ka krijuar. Ti je perfeksioni. Ti je njeriu! Zemra jote kryen funksione të mrekullueshme. Është e aftë të japë mirësi përtej dhimbjes, dashuri përtej vuajtjes. Mbylli sytë e qëndro këtu. Natyra ka nevojë për ty e ti për të. Je pjesë e pandashme e saj”.
Ecja, mendoja përhumbur veten të shndërruar në lulet e vockëla që rriteshin në shtrojën e butë të kores së dukshme të tokës por që bëheshin të padukshme kur syri im fokusohej në qindra cingërrima të parëndësishme që më merrnin orë çdo ditë nga jeta ime. Unë jam uji që rrjedh krojeve e lumenjve të Zotit, jam Fjala e tij, perfeksioni që Ai krijoi mbi tokë e përsëri vetja më duket kaq e vogël përballë pyllit, përballë heshtjes së tij. Ndjesia që po përjetoja ndërsa prekja me gishtërinjtë e këmbëve shtrojën e njomtë e të butë të dheut të lagësht, më solli ndërmend Martin Heidegger dhe metaforën e tij që lindi nga shëtitjet në pyllin pranë shtëpisë ku jetonte. M`u duk se ndjeva nëpërmjet kontaktit të përtejmë me Natyrën prezencën e tij e bashkë më të po përjetoja dhe kuptimin e vërtetë të metaforës së tij. Mund të humbas lehtësisht sot në rrugën pa drejtim konkret të pyllit të dendur që më ka mbështjellë në vërtetësinë e jetës brenda tij. Por në fakt unë nuk humbas, vazhdoj gjithnjë drejt pikësynimit përfundimtar, zhvillimit të vazhdueshëm të mendjes e të qenies time. Sa kohë jam me vetveten nuk mund të humbas. Humbin ata që nuk e kanë gjetur veten e nuk e kanë njohur ende atë, ata që presin dëshpërimisht një takim me veten e që pyllit të dendur me rrugët e panjohura nuk do i dilnin kurrë fund e krye në kërkim të gjetjes së të vërtetës duke prekur shtigje të panjohura e të paarritshme.
Ne prodhojmë çdo ditë, shumicën e kohës atë çka na kërkohet, atë çka na bën të dukemi të suksesshëm në sytë e të tjerëve e që shitet e blihet. Në botën e sotme ky quhet sukses e ne mbetemi deri tek vlera monetare e tij. Por çfarë ndodh me Natyrën?
Të gjitha kafshët jetojnë përmes aktivitetit të tyre por vetë jeta që bëjnë përkon me esencën e tyre. Ndërsa ne njerëzit e kemi kthyer përditshmërinë tonë në një detyrë të lidhur thuajse plotësisht me interesat, me përfitimin e asaj që nxjerrim prej këtyre interesave, me rendjen pas karrierës duke “recituar” sukseset tona si poezi të mësuara përmendësh e duke dënuar veten me gënjeshtrën, me shkëlqimin e rremë sipërfaqësor. Rendim të etur pas suksesit e kur vjen ndonjë mundësi e rrallë për të qenë vërtetë të lumtur apo për të jetuar pa rendur pas karrierës, suksesit, shmangemi, nuk e mendojmë dhe as e konsiderojmë atë. Frikë ndoshta? Frikë sepse nuk kemi qëndruar ndonjëherë aq gjatë me veten sa ta shohim në sy e t’i themi ato që ua fshehim të tjerëve duke u hequr ata që nuk jemi në të vërtetë. Frikë se mos dalim jashtë modeleve të servirura e të gatshme prej dekadash se kush është njeriu i respektuar e i dëshiruar nga shoqëria, ai i sukseseve, i shkëlqimit të rremë që fiton para me shumicë, njeriu material.
Në njëfarë mënyrë jam bindur se ne kemi frikë nga vetja, frikë të qëndrojmë me veten në një dhomë të mbyllur në errësirë apo mes pyllit të dendur nën efektin e shiut të butë që na futet ngadalë e pa u ndjerë deri në ndërgjegjje. Frika është njerëzore, shmangia nga vetvetja jo. Përse nuk heqim dot dorë nga falsiteti i zakonshëm? Ndoshta ngaqë nuk mundemi të heqim dorë nga garancitë tona materiale, që në realitet na shfaqen si të tilla po nuk bartin asnjë siguri në vetvete, kështjella prej rëre e plastike, pasuri prej letrash. Janë çështje të tilla që mund të jenë të rëndësishme në një moment të caktuar të jetës, por ka ndodhur që shumë prej atyre që i kanë arritur pasuritë materiale kanë shkuar deri në fund të tunelit të jetës e aty e kanë gjetur veten të pakënaqur e tragjikisht të palumtur.
Pikërisht aty mes pyllit, nën shiun e lehtë që më ka lagur edhe shpirtin, kuptoj se syri im nuk prehet në habi e interes tek pemët e vogla e të reja pavarësisht bukurisë së tyre. Ata që e duan jetën dhe natyrën në vetvete, ndërsa ndalen para një peme të re e të njomë kërkojnë të kuptojnë sado pak sekretin e natyrës e domosdo edhe të vetvetes. Por ky sekret fshihet tek pemët e vjetra, ato shekullore, plot rrudha e jetë që shpërthejnë nga mosha, nga vitet që mbartin mbi supe. Pema që jeton e ka nxjerrë prej rrënjëve të saj esencën e vetvetes e të harlisjes së gjelbërt. Kemi ne dot kurajon të shfaqemi si pemë të tilla? Ato të cilat e njohin sekretin e natyrës e të Zotit sa kohë kanë jetuar e përshkuar dhjetra rrebeshe e kohë të vështira në pyllin ku jetojnë? Mundemi ne të shfaqemi të vërtetë, me “rrudha të pahekurosa” e të tregojmë mësimet e mësuara nga çdo rrudhë e fituar në përpjekje për të kuptuar esencën e jetës? Ne jemi sipërfaqësorë në shumicën e rasteve, përpiqemi me të gjitha forcat të dukemi gjithnjë të rinj, të bukur, joshës, të aftë për të zgjuar interesin e të tjerëve, pse jo edhe dëshirën e tyre. Unë sot kam fituar kurajon për të qenë e për t`u dukur pema shekullore, me rrënjë si të sajat, që shpërndajnë lëng jetëdhënës të përftuar prej natyrës që më solli në jetë e të ushqyer prej përvojës.
Pa e kuptuar e kam lënë shiun të më lagë jo vetëm trupin, fytyrën, flokët po edhe të më futet thellë nën lëkurë. Tashmë e ndjej që ka përshkuar përtej rrobave e ka prekur me ata gishtërinjtë e tij të tejduktë shpirtin e mendjen time. Kisha kaq shumë nevojë të ushqehesha prej tij, ashtu si pemët që lagen në shi, si toka e butë ushqehet prej lëngut të tij.
I ndjej buzët e lagura, shiun që futet nën gjuhë duke ma dhënë të papërpunuar ndjesinë e mrekullueshme të përhumbjes e të qenit gjallë. Ka kënaqësi që nuk blihen në jetë. Ka raste kur jetën e mësojnë vetëm përmes ndjenjave dhe lumturisë që ato përcjellin ndërsa na latojnë me dashuri të pafundme shpirtin e provojmë nektarin e jetës pikërisht prej atyre çasteve kur jetojmë me zemrën e dikujt tjetër brenda trupit tonë. Kjo është esenca e jetës.
Rrekem të gjej arsyen përse ne njerëzit e kemi përjashtuar natyrën nga brendia jonë? Përgjigja vjen përtej pyllit të dendur, në kufirin ku fillon bota e “qytetëruar”, bota e betonit dhe trenave elektrikë. “Nuk kam kohë” – thotë bota jashtë pyllit. Koha! A shmanget varësia ndaj saj?
Ne s’e shmangim dot kohën, por varësinë prej saj mund ta shmangim. Ne jemi vetë koha, por harrojmë të jetojmë duke rendur pas garancive të jetesës. Ajo na mëson se duhet të ecim me të duke mbajtur mbi shpinë gjithçka kemi jetuar, të shkuarën e të tashmen, por jo të skllavërohemi prej saj. Edhe koha është në lëvizje si ne ose ne jemi të sinkronizuar me lëvizjen e saj. Nuk mund të presim një jetë të tërë të dalë dielli për ta nisur vallëzimin e jetës sonë, e rëndësishme është të dimë të vallëzojmë në shi. Ta lëmë veten të transportohemi nga koha, të jemi në gjendje ta jetojmë atë duke dëgjuar zemrën, zërin e ndërgjegjes të cilit s’duhet t’i fshihemi. Sa njerëz kemi lejuar të largohen prej nesh duke pasur frikë se do të na merrnin kohën nëse do t`i lejonim të qëndronin brenda zemrës e mendjes tonë? Sa ndjenja të mrekullueshme i kemi mohuar vetes prej frikës se nuk kemi kohë të rendim pas kënaqësive “të vogla” të jetës, si dashuria? Sa histori të bukura i kemi mbytur ende pa lindur pikërisht se kemi kërkuar t`i dalim në fund arsyetimit të përftimit të diçkaje konkrete prej tyre? Ne preferojmë t`i japim kuptim material gjithçkaje që jetojmë, harrojmë se shpirti ynë ka nevojë për ushqim materie, përtej materiales. Ka nevojë si pylli i dendur për shiun e butë që e ushqen pa ndalur.
Njerëzit, në ndryshim nga të gjitha format e tjera të jetës së këtij planeti, paguajnë çmimin më të lartë të të jetuarit.
Kemi ndërtuar botën materiale e jemi bërë skllevër të saj e po nëpërmjet saj përpiqemi të ndërtojmë domethënien e jetës. Mungon “egoizmi” i nevojshëm pozitiv që të na shtyjë në kërkim të vlerave, esencës së vërtetë të të jetuarit. Për të qënë të larë më pluhur lumturie duhet të kemi kurajo!
Pylli hesht e në heshtjen e tij flet mijëra fjalë. E dëgjoj më në fund zërin e tij, arrin të hyjë brenda, në thellësitë e shpirtit tim e më tregon rrugën që duhet të përshkoj për të dalë në krye. Pylli ishte me mua në të gjithë rrugëtimin tim me vetveten. Ai më njeh mirë e unë mësoj të njoh jetën përmes tij.
Bulëzat e avullit që dalin prej turpit tim në formë piklash të ujëta, bashkohen me shiun e butë në një amalgamë të ëmbël që bie përdhe` e shndërrohet në ushqim për tokën. Këmba ime prek dheun që ushqehet me to e përsëri i kthen tek unë në formë prekjesh të buta që ngjiten prej gishtërinjve të këmbës time në ndjesi që përkedhelin shpirtin. Gjeta rrugën që të çon në krye, ajo e cila lidh jetën ndërmjet dy paradigmave të njëtrajtshme e njëkohësisht aq të ndryshme ndërmjet njëra tjetrës. Dal e pasur nga pylli, me shpirtin plot e mendjen e rifreskuar për të prodhuar më shumë, më bukur, më vërtetë.
Lulëzat e vogla që fshiheshin në shtrojën e butë e ishin të padukshme më parë për sytë e mi, tashmë kanë ngritur kokën lart e me petalet e tyre shumëngjyrëshe duket sikur më përshëndesin e më ftojnë në takimin e rradhës. Syri im tashmë i sheh qartë ato, sytë e mendjes time janë hapur, freskuar e rizgjuar nga shiu i dritës që pyllit vetmitar i ledhaton pandalur kurorat e pemëve shekullore. Më ka bekuar dhe mua me ujin e jetës që në formë bulëzash të lagështa më ushqyen shpirtin. Prej sot ndjehem ndryshe, shiu i dritës është miku im, pylli është shtëpia ku gjej veten, lulëzat e vogla janë e vërteta që e shoh me sytë e mendjes, trupi im është lidhja me natyrën, fija e padukshme që lidh botën reale me krjimin më perfekt të Zotit, njeriun. Njeriu jam unë!
Pylli hesht… e në heshtje me të flas mijëra fjalë….
Shkëputur prej librit “Rrëfehem … me dashuri”.
Mund të jetë një imazh i 1 person, flokë bjonde dhe duke buzëqeshur
Ervina Toptani

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu