Shkruan: Eneida Jaçaj
Populli shqiptar është populli më i vjetër i Europës, me origjinë dhe gjuhë pellazge indo-europiane, i cili mbart mbi vete gjithë historinë e kalvarit të kryengritjeve dhe veprave për bashkim kombëtar, betejat, luftërat triumfuese shekullore dhe tradita të veçanta, që nga koha e ekzistencës së tij. Ndonëse ishin një nga popujt më të varfër në Europë dhe Ballkan, shqiptarët trashëgonin një pasuri shpirtërore në folklor, kulturë, muzikë, letërsi, vlera dhe virtyte. Gjithmonë i kanë shkuar përshtat epitete si një popull bujar, mikpritës dhe shpirtgjerë, duke mos u bërë kurrë pjesë e luftërave barbare dhe “pazareve” plaçkitëse ndaj popujve të tjerë. Shqiptarët kanë qenë të bashkuar në sofrën e tyre, të etur për dije, arsim dhe kulturë; kanë patur virtyte të veçanta luftarake për të mbrojtur atdheun nga zgjedha e huaj, pasi nga gjiri i mëmëdheut kanë nxjerrë shumë trima, ku mbi gjakun dhe veprat e tyre ka marrë kuptim fjala “Liri”. Prijësi i Arbërit apo Prijësi i Ilirëve, strategu Skëndërbeu, udhëheqësi i parë i shqiptarëve, “prometeu i lirisë” që theu në shumë beteja turqit, dhe vendosi marrëdhëniet e para diplomatike miqësore me Perëndimin, është figura që identifikon shqiptarët për trimërinë, forcën, zgjuarsinë, ndjenjën e patriotizmit, gatishmërinë për të ruajtur trojet, gjuhën, traditat, doket, për të mbajtur gjallë me të drejtë ekzistencën dhe lavdinë e kombit shqiptar. Ishin një popull që lëngonte nga dhimbja e shtypjes dhe mjerimit, por kurrë nuk e dorëzuan shpirtin te uzurpuesit e tokave shqiptare, pasi i karakterizonin tiparet e burrërisë, nderit dhe respektit.
Varfëria ekstreme, e cila përkthehet në pafuqi, ka bërë që popujt e tjerë më të fuqishëm, të nxjerrin në pah tentakulat gllabëruese për territore dhe burime natyrore, duke përfituar nga gjendja jo e mirë e shqiptarëve dhe nga pozita strategjike e Shqipërisë. Kështu, fatkeqësisht, populli shqiptar ka qenë i shtypur, i nëpërkëmbur, duke filluar që nga periudha mesjetare e pushtimit nga Perandoria Osmane në shekullin e XIV-të, luftërat ballkanike, e deri te copëtimi i Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1913. Shtypja e vazhdueshme, mohimi i gjuhës shqipe, e nxitur edhe nga Kisha Ortodokse Greke, bëri që ndjenja e nacionalitetit te shqiptarët të thellohej sa më shumë, duke ruajtur gjuhën si asetin më të çmuar për ekzistencën e një kombi, dhe mbi gjakun e trimave do të themelohej i pavdekshëm, kombi shqiptar! Duke dëshmuar edhe një herë ndjenjën e patriotizmit dhe dëshirës për dituri, në shekullin e 17-të, misioni i klerit katolik shqiptar nuk ishte vetëm për edukimin fetar të popullsisë, por, ata janë përpjekur të hapin shkolla për të shkruar dhe lexuar gjuhën shqipe.
Ky informacion gjendet edhe në dorëshkrimin e Sospellos, i cili asokohe ishte Vikar Apostolik për Shqipërinë. Një komb sa më i ditur të jetë, aq më të vështirë do ta ketë armiku ta nëpërkëmbë dhe shtypë! Dëshira për të mbajtur gjallë dritën e kombit, gjuhën shqipe, pasi duke njohur shkrim-këndim do t’i ndihmonte shqiptarët për të ndërmarrë veprime më të zgjuara, përvijohet më së miri edhe te një tjetër atdhetar i shquar, Papa Kristo Negovani, prifti shqiptar i cili luftoi për çlirimin e vendit nga falangat greke, dhe punoi fort për shkrim-këndimin e gjuhës shqipe. Gjatë pushtimit osman, shumë shqiptarë arritën të largoheshin nga vendi, për shkak edhe të kushteve të mjerimit, por mërgata shqiptare i forcoi lidhjet me Shqipërinë, duke përdorur të gjitha mjetet për lëvizjen kombëtare. U krijuan disa shoqëri të diasporës kulturore, por që në thelb kishin çlirimin e shqiptarëve nga robëria dhe pengimin e copëtimit të trojeve të arbërit.
Visar Dodoni, një prej veprimtarëve të diasporës shqiptare, thoshte: “Ahere fytyr’ e dëshirës së shqiptarëve ishte përlindja e letraturës shqipe; po qëllimi që mshifnin dëshirat ish liria kombiare…”. Qëllimi i tyre ishte edhe arsimimi i kombit, që gjuha të mos harrohej, duke mos lejuar të asimiloheshin nën ndikimin e pushtuesve osmanë dhe kishës greke. Sa më i paditur të jetë një komb, aq më të lehtë do ta ketë pushtuesi ta mbajë në kthetrat e robërisë! Në vitin 1885, Naim Frashëri, bashkë me të vëllanë dhe shqiptarë të tjerë në Stamboll, pjesë e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, ia dolën të bindin Portën e Lartë për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Ndërsa në 7 mars 1887, u hap zyrtarisht shkolla e parë shqipe në Korçë, ku mblodhi plot djem dhe vajza.
Ndjenja e nacionalitetit, sa vinte forcohej, edhe në periudhat më të mëvonshme, kur shteti shqiptar ende lëngonte nga padrejtësitë e kombeve më të fuqishme. Shqiptarët kishin nevojë që zëri i tyre të dëgjohej në qarqet më të larta diplomatike europiane dhe amerikane, që çështja shqiptare të merrte zgjidhje, ndonëse ishin vetë fuqitë e mëdha europiane që e kishin lënë enkas Shqipërinë nën pushtimin osman, për të penguar daljen e Serbisë në det, dhe ishin përsëri shtetet europiane që copëtuan Shqipërinë, për të kënaqur vendet e tjera, që të merrnin pjesë në Luftën e Parë Botërore, përkrah tyre; plani ishte që Shqipëria të copëtohej më shumë, duke e humbur ekzistencën si komb. Ismail Qemali, së bashku me shqiptarë trima, të ardhur nga të gjitha krahinat, dhe delegacione nga diaspora, shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 1912, duke e shkëptur vendin nga pushtimi i Perandorisë Osmane; krijoi qeverinë e parë shqiptare dhe hodhi bazat e ndërtimit të shtetit të parë shqiptar. Por, kjo qeveri ishte shumë e brishtë, dhe çështja shqiptare nuk ishte zgjidhur plotësisht de juro dhe de facto. Kështu, këtu pati rol diaspora shqiptare, me figurat e ndritura të kombit, që punuan fort nëpërmjet aktiviteteve dhe diplomacisë për ndërtimin e plotë të shtetit shqiptar.
Diaspora shqiptare e Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, luajti një rol thelbësor për çështjen shqiptare, duke bërë përpjekje të shumta që shteti shqiptar të njihej dhe të ngriheshin institucione të konsoliduara demokratike. Diaspora e parë shqiptare ishte ajo e Italisë dhe Greqisë. Shumë shqiptarë, në kohën e pushtimit turk, emigruan në Iali, që më pas u quajtën Arbëreshët e Italisë, pasi ruajtën gjuhën dhe zakonet. Shkrimtari italo-arbëresh, Jeronim De Rada, me veprat e tij, ka ndihmuar në njohjen e çështjes shqiptare, dhe në veprën “Këngët e Milosaos”, nxjerr në pah veçoritë luftarake të trimave shqiptarë. Pra, intelektualë me peshë i jepnin më shumë rëndësi çështjes shqiptare, në sytë e zyrtarëve të lartë në Europë dhe SHBA, duke bërë që zgjidhja në të mirë të kombit shqiptar, të vinte sa më parë. Shoqëri të tjera shqiptare u krijuan në Rumani, Bukursht, Egjipt, Turqi, etj.
Por diaspora shqiptare më e madhe është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ky vend shihej gjithmonë si “toka e premtuar”, për shkak të mirëqënies së tij. Figura të njohura, personalitete të shquara, me veprat dhe aktivitetet e tyre, dhanë një kontribut të veçantë për çështjen shqiptare. Fan Noli dhe Faik bej Konicën, më 28 prill të 1912, themeluan Shoqatën Pan-Shqiptare Vatra, e cila kishte në qendër të saj problemet e Shqipërisë, ku luftoi për bashkimin e shqiptarëve dhe lirinë e trojeve, duke mos lejuar një copëtim të dytë të territoreve shqiptare. Noli do të mbahet mend për takimet dhe dialogun me ish-Presidentin Amerikan, Uoodrou Uillson, i cili dha ndihmën e madhe për njohjen e shtetit shqiptar. Presidentit Amerikan nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, duke u bërë zëri i të gjithë shqiptarëve, që kufijtë e Shqipërisë të mos tkurreshin akoma edhe më shumë pas vendimit jo të drejtë të Konferencës së Londrës, në vitin 1913. Më herët u krijua shoqëria e parë shqiptare, “Malli i Mëmëdheut”, më 1 janar 1906, në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes në Buffalo, Nju Jork. Më pas, më 15 shkurt 1909, pranë shoqërisë “Besa-Besë” në Boston, u krijua gazeta “Dielli”, me kryeredaktor Fan Nolin, e cila shërbeu në dobi të çështjes shqiptare. Shkrimtarja dhe publicistja, Sevasti Qiriazi, ka dhënë kontribut me shkrime në disa revista të kohës.
Ajka e intelektualëve ishte shpërndarë nëpër botë, për ta nxjerrë Shqipërinë nga errësira dhe për të sjellë epokën e dritës dhe besimit, drejt një të ardhmeje më të sigurt. Pa kryengritjen e shqiptarëve, brenda dhe jashtë, në sallonet e botës, sot, Shqipëria nuk do të ekzistonte!! Edhe në ditët e sotme, diaspora shqiptare luan rol të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës në brezat që rriten jashtë kufijve, por është shndërruar në zërin e të gjithë shqiptarëve, për parashtrimin e problematikave të ndryshme, në Senatin Amerikan. Në Nju Jork, kryeqytetin e botës, por edhe në shtete të tjera, janë hapur shkolla shqipe, ku mësohet shkrim-këndim, historia e Shqipërisë, këngë dhe valle të të gjitha krahinave. Gjithashtu, zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, mbrëmje, për të ruajtur dhe forcuar lidhjet ndër shqiptarë. Pra, roli i diasporës shqiptare ka qenë dhe mbetet i qenësishëm, për një Shqipëri të zhvilluar europiane, të begatë dhe demokratike!
“Populli shqiptar është populli më i vjetër i Europës, me origjinë dhe gjuhë pellazge indo-europiane, i cili mbart mbi vete gjithë historinë e kalvarit të kryengritjeve dhe veprave për bashkim kombëtar”
Nuk muj me besu qe jam tu e lexu nje kesi shkrim qe ndoshta shkruhet ne klase te 6-te te shkolles fillore, gjysevjetori i pare i klases se gjasht te shkolles fillore. Popull me i vjeter i Europes e me origjine indoerupiane…? I vetmi popull europian jane basket. Dhe tutje logjika thot se shqipetaret jane indoeropian pra te ardhur ne Europe, nder te paret por nuk jane autokton europian. Logjike e thjesht, me dy premisa.
“PAK FJALË PËR GJUHËN SHQIPE, LASHTËSINË DHE ORIGJINËN E SAJ.
Gjuha shqipe bën pjesë në familjen indoeuropiane, ashtu si dhe suedishtja. Por suedishtja ka motra, siç janë danishtja, norvegjishtja e islandishtja (gjuhë skandinave) dhe kushërira, siç janë gjermanishtja, anglishtja e holandishtja – dhe këto të gjitha së bashku formojnë grupin e gjuhëve gjermanike në familjen indoeuropiane. Shqipja jonë nuk ka as motra e as kushërira! Po nuk është vetëm shqipja kështu. Edhe greqishtja e armenishtja janë gjithashtu gjuhë indoeuropiane pa motra e pa kushërira. Ndryshe nga greqishtja e nga armenishtja, që kanë dokumente të shkruara shumë të lashta, libri i parë shqip që njohim, është i vitit 1555 (Buzuku). Pra gjuha shqipe është një gjuhë shumë e vjetër, por e dëshmuar me shkrim mjaft vonë, në shek. XVI. Po në këtë shekull kemi edhe përkthimin e parë të Biblës suedisht, por suedishtja ka qenë e shkruar edhe më herët, të paktën që nga shek. XIII.
Për arsye të kësaj dëshmie mjaft të vonë me shkrim, edhe origjina a burimi i gjuhës shqipe shfaqet si një problem shkencor sa interesant, aq dhe i vështirë për t’u zgjidhur. Prejardhja e një gjuhe lidhet me prejardhjen e popullit që e flet. Shqiptarët janë një popull i gadishullit të Ballkanit. Po që kur janë shqiptarët në Ballkan? Sa të lashtë janë në këto troje? A janë autoktonë? Le të shikojmë si qëndron puna. Lajmet për Ballkanin e kohës antike greko-romake na vijnë nga autorët grekë e romakë. Prej tyre dimë se në pjesën perëndimore të gadishullit të Ballkanit, përgjatë gjithë bregdetit të Adriatikut dhe në brendësi banonin fise ilire, dimë edhe emrat e këtyre fiseve; kurse në anën lindore të gadishullit (atje ku janë sot Rumania e Bullgaria) banonin fise trake. Gjithçka që kanë shkruar autorët grekë e romakë për ilirët, është përmbledhur dhe botuar shqip në vëllimin “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” (botimi i parë: Tiranë, 1965, 591 fq.).”
Një pjesë nga ligjërata e prof. Emil Lafe mbajtur në Malmö, në Konferencën e mësuesve, 28, 29 maj 2022.
Profesor Emil Lafe është studejuesi më i mirë e njohësi më i madhe shqiptarë i gjuhëve dhe familjeve të gjuhëve, qyah në fillim të vititeve 1970 kur punonte me me pofesoreët M. Domi e Eqrem Cabej.
Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 24 qershor 2022 ((08:48)
Përmirësim: Profesor Emil Lafe filloi te punoi ne fillum te viteve 1961, 1962 bashke me profesoret Aleksander Xhuvani, Mahir Domi dhe Eqrem Çabej por ne fillim të viteve 1970 publikoj një tekst, dispence per gjuhet ”Hyrje ne gjuhesi” qe perdorej si tekst i domosdoshem dhe ishte i vetmi ne Univerzitetin e Tiranes dhe Prishtines, per studentet e Gjihes dhe Letersise Shqipe.
Sinani