Diasapora kosovare nuk mundet dhe nuk duhet të identifikohet vetëm me individë që shkelin rregulla duke ngarë automobila të shpejtë dhe të shtrenjtë, me të atillë që “fryhen” sa pasuri kanë e të tjerë që bëhen viralë për ndonjë budallallëk që flasin. Diaspora është shumë më shumë se kaq, është diasporë e njerëzve punëtorë e profesionistë, me arritje të jashtëzakonshme.
Imer Mushkolaj
Një djalë që po kërkon një vajzë kosovare për martesë, një tjetër që tregon në aeroport sa para do t’i harxhojë gjatë pushimeve, i treti që “fryhet” me ndonjë automobil të mirë, një vajzë që tregon se iu ka sjellë çokollata zvicerane familjarëve, një tjetër që nuk di të flasë mirë shqip dhe bëhet meme e kështu me radhë. Në këtë mënyrë, shumicën e herave, prezantohet në media dhe rrjete sociale diaspora kosovare.
Kësaj tabloje duhet shtuar edhe paragjykimet dhe gjeneralizimet për ta – që nga vozitja e dikujt pa respektuar rregulla nëpër rrugët e Kosovës (“kështu nuk kish bo n’Zvicër), deri te refuzimi për ta pranuar ndonjë këshillë nga ta (“mos të na shesin mend, le të vijnë të jetojnë në Kosovë”).
Pata kënaqësinë të jem i ftuar në një ngjarje që mblodhi rreth 700 profesionistë të diasporës kosovare në Zurich të Zvicrës. Ishte, thjesht, ideja për krijimin e një platform, e cila i mbledh ata herë pas here për t’u njohur me njëri-tjetrin, për të shkëmbyer ide e mendime. Që nga biznesmenë e politikanë, inxhinierë e arkitektë, deri te mjekë, artistë, specialistë teknologjie, ndërtimtarë e sportistët u bënë bashkë për të dhënë mesazhin sa shumë janë e sa punë të mira bëjnë.
Të arriturat e tyre ishin përnjëmend mbresëlënëse dhe suksesi kishte mbërritur pas shumë pune e sakrificash. Njëri fliste për menaxhimin e qindra profesionistëve që merreshin me inteligjencë artificiale gjithandej botës, tjetri ishte pronar i disa klinikave shëndetësore, i treti rrëfente për investime dhjetëramilionëshe në ndërtim, i katërti për përfaqësim politik në institucionet zvicerane e kështu me radhë. Secili e secila me plot përgjegjësi për punën që kryejnë dhe me plot respekt për vendin që ua bën të mundur ta kryejnë punën si duhet.
* * *
Të tillët nuk shihen shpesh në media. Disa nuk duan të shfaqen, e të tjerët nuk kanë kohë, sepse janë të zënë me angazhime. Kamerat “i pushtojnë” të tjerë, të atillë që sjellin në Kosovë automobila që kushtojnë qindra-mijëra euro dhe që janë “arritja më e madhe” për ta. Kamerat “i duan” ata që rrëfejnë se si kënaqen duke harxhuar para e duke lënë bakshishe të majme, ata që bëhen viralë me ndonjë deklaratë “spirituoze”, ata që tregojnë qysh i do shefi e të tjerë që flasin për jetën luksoze që bëjnë.
Kjo kategori mërgimtarësh domosdo shkakton reagime, shpesh mosdurueshmëri e ndonjëherë edhe neveri te qytetarët që jetojnë në Kosovë. Ata, duke u imponuar me mënyrën e tyre të sjelljes dhe qasjen për jetën dhe punën që bëjnë, krijojnë paragjykime për diasporën në përgjithësi. Por, ata nuk janë diaspora. Ose, më saktë, nuk janë diaspora veç ata.
Të jesh i suksesshëm si kosovar në Zvicër nuk është lehtë. Natyrshëm, ka paragjykime – pavarësisht vetëdijes së lartë të shoqërisë zvicerane. Megjithatë, kompani kosovare atje kanë arritur aq shumë suksese, sa që është e pamundur që dikush të mos jep vlerësimin maksimal për të arriturat e tyre.
Ngjarja e organizuar nga CH-AEPN (Ch Alb Professionals & Entrepreneurs Network) në Zurich ishte pasqyra më e mirë se sa shumë profesionistë kosovarë ka në Zvicër, se sa suksese kanë arritur e sa krenarë janë me të arriturat e tyre. Qindra pjesëtarë të diasporës, të mbledhur aty, ishin dëshmia më e mirë se diaspora e Zvicrës nuk mundet dhe nuk duhet të identifikohet me “vlera”, që në të vërtetë nuk i përfaqësojnë ata.
Diaspora është shumë më shumë se një grup personash që “fryhen” me gjëra të kota dhe bëjnë budallallëqe të vogla. Është diasporë e njerëzve punëtorë e profesionistë, me arritje të jashtëzakonshme.