ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Diç na u kalb në mbretëri të … Arnautistanit

Shkrime relevante

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot...

Mendime rreth deklaratës së Aleksander Vuçiq për deklaratat e Vesli Clark

Gani I. Mehemti Vuçiq për deklaratat e Clark: S’e kuptoj se në...

Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranoj nënshkrimet e kriminelëve, janë të pavlefshme

Aurel Dasareti Nëse kuislingu Hashim Thaçi nuk ishte kriminel, pse jeton në...

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, në shënjestër të qëllimit të njëjt

Nga: Ryzhdi Baloku, Pejë Nga ngjarjet e përjetuara të gjeneratave të kohës...

Shpërndaj

Agim Morina, Londër
Më vjen shumë keq që ndër disa veprimtarë kulturorë ende nuk asht kriju një ndërgjegje e balancueme kombtare, një ide e një interesi të përbashkët dhe e një kufini moral, i cili nuk do të duhej me u shkapërcy kalehtaz. Kjo më erdhi në mendje – edhe një herë – kur pashë që qenka përkthy dhe qenka botu në gjuhën shqipe një shkrimtar shovinist e antishqiptar serb si Milorad Pavići. Nuk po du me folë për vlerat apo jovlerat e veprës së tij, sepse këtu nuk bahet fjalë për këtë. Po flas për personin me mendje kriminale, me ndjenja antishqiptare dhe antinjerëzore që ka pasë ky person. Si asht e mundun që ndër dhjeta shkrimtarë të shkëlqyeshëm serbë të gjendet bash ky faqezi, të përkthehet, të botohet e të reklamohet? Bile të hyjë në radhën e librave të financuem prej Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipnisë? Kaq mendjefjetun janë institucionet kulturore, rrethet e shkrimtarëve, ndërgjegjja e opinionit publik? Kaq asht ndulkë mendja e krijuesve dhe e përkthyesve e me ardhë në këtë shkallë vetëposhtnimi? Shqiptarët nuk e meritojnë këtë!
Mun me ndodhë që përkthyesi i kësaj vepre nuk e njeh biografinë e këtij shkrimtari mendjekriminal, tue qenë se ka jetu në një rreth tjetër kulturor. Por, ka pasë një radhë redaktorësh e recensuesish që asht dashë me u marrë me këtë punë ma seriozisht.
Nuk duhet me harru që vetëm pak vjet kanë kalu nga lufta në të cilën ma shumë se 12 mijë shqiptarë, fëmijë, gra e pleq u masakruen prej falangave serbe, më qinda mija shtëpi u dogjën e rreth një milion shqiptarë u dëbuen me dhunë. Kjo luftë u nxit e u përkrah prej mendjeve kriminale si kjo e Milorad Pavićit. Pavići ishte njeriu që ishte i bindun se shqiptarët janë ata që po i terrorizojnë serbët! Këtë e bante pikërisht si pjesë e fushatës antishqiptare të Miloševićit me të cilën duhej të arsyetoheshin masakrat kundër shqiptarëve. Dhuna dhe masakrat serbe ndaj shqiptarëve shkojnë mbrapa në histori edhe nja 150 vjet dhe vazhdojnë edhe sot. Një prej krimeve ma të fundit të shtetit serb: ndalimi i librave në gjuhën shqipe për nxanësit shqiptarë në Preshevë.
Në këtë atmosferë dhune e krimi serb, me e gjetë një shkrimtar serb me mendje kriminale, me e përkthy dhe me e botu asht ma shumë se TURP!
Vetë nuk po thom ma shumë sepse çfarëdo me thanë bahet e pakuptimtë. Por po ia la fjalën Mirko Kovačit, një shkrimtari malazias. Ma poshtë janë disa citate të marra nga artikull i Kovačit “Shkrimtar me moshë dyqindvjeçare”, në të cilin ky autor ban një analizë të biografisë intelektuale të Milorad Pavićit.
Në fund më duhet me thanë që unë s’e kam lexu përkthimin shqip të librit “Visore pikturu me çaj” por muj me thanë që përkthyesi qysh në titull e ka huqë sepse “visoren”, gjegjësisht “peizazhin” e ka vu në shumës. Në origjinal titulli asht “Predeo naslikan čajem” dhe jo “Predeli naslikani čajem”. Pra, bahet fjalë për një “peizazh” e jo për shumë “peizazhe”. Tash, kur një autor e huq qysh në titull, atëherë mbetet me marrë me mend se çfarë ka ndodhë me përmbajtjen e tekstit. Edhe në anglishte, fjala vjen, përkthimi asht “Landscape Painted with Tea” dhe jo “Landscapes…”.
Por habia s’pati fund kur kuptova edhe këtë – sado e pabesueshme por e vërtetë – se bash kjo vepër qenka përzgjedhë (bashkë me 17 vepra të tjera) si fituese e Fondit të Përkthimit Letrar për vitin 2015 dhe se ky institucion asht kriju dhe financohet nga Ministria e Kulturës së shtetit shqiptar, nga Republika e Shqipnisë!
Shënim:
Le të më falin qelibarët [namuzlijtë] – si thoshte Konica – ngaqë në artikullin e Kovačit ka shprehje vulgare, të pahijshme. Por, krejt kjo asht ba për me i qëndru besnik përkthimit.
SHKRIMTAR ME MOSHË DYQINDVJEÇARE
“…NË EMËN TË DEMOKRACISË KOMBET E VOGLA TERRORIZOJNË KOMBET E MËDHA, KËSHTU QË, SIPAS MENDIMIT TË SHKRIMTARIT TË FAMSHËM [MILORAD PAVIĆIT], HEBREJTË TMERROHEN PREJ PALESTINEZËVE, ANGLEZËT PREJ IRLANDEZËVE, SERBËT PREJ SHQIPTARËVE!”
“Milorad Pavići asht shkrimtari i parë që i dërgoi telegram përkrahjeje Kongresit të Tetë të komunistëve serbë (1987) kur Slobodan Miloševići bani grushtshtet dhe mori pushtetin. Vidosav Stevanovići e tha në mënyrë spirituoze: “Të gjitha telegramet përkrahëse për Kongresin e Tetë kanë qenë të rrejshme, por vetëm njëni ndër ta ka qenë i vërtetë: aj i shkrimtarit Milorad Pavići”.
(…)
“Në librin e Ana Šomlos “Kazarët apo rilindja e romanin bizantin” (“Hazari, ili obnova vizantijskog romana”), në të cilin autorja shënon bisedat me shkrimtarin “e shekullit XXI”, Pavići e shpall Slobodan Miloševićin “Shën Sava i ditëve tona”. Ana Šomloja, edhe vetë shkrimtare, person gjykimkthjellët, i sugjeron shkrimtarit që lavdatat për Miloševićin t’i heqë, por aj e mohon këtë tue thanë se Çmimi Nobel nuk mun me u marrë pa lobimin e shtetit. Mbasi lobimi nuk pati sukses (“Shën Sava i ditëve tona” ma shumë merrej me nekrofili e me xhenaze, e ma pak me letërsi), atëherë edhe Pavići u kthy kundër të shejtit të vet sapo ra prej pushteti, dhe e nxiu me citatin nga romani: “Ktheje përmbys njeriun, dhe ja ku e ke Satanain”.
(…)
“Më kujtohet një herë në Panairin e Librit në Beograd, A. D. 1990 kam taku miqtë në tezgën e BIGZ-it ku redaktori jem ma dha librin e bisedave me Milorad Pavićin, “Kazarët, apo rilindja e romanit bizantin”. E hapa librin dhe papandehun e në çast gjeta perlën se Gorbachevi dhe Miloševići janë tue u përpjekë me e ndalë “gjenocidin që po nxitet kundër pjesëtarëve të qytetnimit krishterë lindor”. Derisa po e shkruj këtë artikull prap e shfletova këtë libër që lirisht kish mujtë me u qujtë libër i marrëzive dhe i ditunive të fryme, sepse gëlon prej përgjithësimesh dhe mitesh banale gjithmonë të kandshme për rajë e për asqerë. Kur madhnia e pranueme tashma botnisht, ashtu qysh ishte dikur Cici, lanson që Miloševići asht Nemanja dhe Shën Sava i ditëve tona, atëherë halabakëve u bahet ma e lehtë me vra në emën të një shejtori dhe në mbrojtje të gjanash të shejtnueme. Shkrimtari thotë se serbët gjatë gjithë historisë së tyne, në çaste vendimtare, kanë dijtë me pjellë njerëz të mëdhaj, kështu në shtetin mesjetar serb Nemanja kishte një strategji për kohë lufte, e Shën Sava strategji për kohë paqeje. “Tash, besoj, Miloševići dhe Raškovići kanë një strategji të tillë. Dhe kjo asht e randësishme për Serbinë”, thotë shkrimtari akademik dhe dyqindvjeçar Pavići. Dhe çfarë ndodhi dhe si përfunduen strategët modernë, kjo na asht e njohun tashma. Miloševići u transportu nga Serbia lidhë në pranga e Raskovići fatkeq, së paku simbolikisht, iu afru idhujve mesjetarë, sepse kur dështoi në politikë, u punësu si mjek në spitalin Shën Sava, që ndodhet në rrugën që quhet “e Nemanjës” në Beograd; dhe kjo asht e tana që mori dhe përfitoi nga shejtnia. Në këtë spital, sipas fjalëve të vajzës së tij, “u dergj prej pikëllimi”. Sapo Nemanja i ri, “strategu, për kohë lufte”, u arrestu dhe u ekstradu në Hagë, Cici Pavići shpejt u kthy kundër tij dhe kundër viganit të cilin në kohët kritike e kishte pjellë populli serb, kundër luftëtarit i cili kishte pësu fiasko në të gjitha frontet, me gjithë faktin që kishte “një strategji në rast lufte.” Me gjemba asht rruga prej shenjtorit deri te Satanai.”
(…)
“Pavići asht shkrimtar, akademik, dijetar, anëtar i këshillit të Kunorës*, anëtar i PEN-it serb, anëtar i Société Européenne de Culture, kryetar i English Speaking Union-it në Jugosllavi, kryetar i shoqatës serbo-ukrainase – por të gjitha këto do t’i këmbente për një titull të vojvodës. E, megjithatë, diçka i ka mungu për një titull të tillë; megjithatë asht përpjekë me kumtimet e tij se “për herë të parë në këtë shekull sërbofobija asht ma e fuqishme se antisemitizmi”, dhe se “Vukovarin e kthyem në gërmadha duhet me e rindërtu në stilin e barokut serb” – por këto qenë vetëm efekte në skenën e helmueme. Kritikët e nacionalizmit do ta kishin krehë veç kalimthi, e thuhet se “babai i kombit” [mendohet në Dobrica Ćosićin – vër. A. M.] kurrë nuk e ka pasë në huj, dhe se ia ka pasë zili sukseseve të tija letrare. Bani vaki që ky mjeran edhe e bani një shkrolë që fitoret nuk shpaguhen dhe se ma mirë do t’i kishte dalë po të kishte qenë turk. [kjo lidhet me deklaratën e Pavićit se po të kishte qenë turk do ta kishte fitu Nobelin – vër. A. M.]“
(…)
“Në romanin “Fjalori kazar” një djalosh katërvjeçar thotë se demokracia asht “pičkin dim”**. Por kur një gazetar i “Village Voice-it” e pyet shkrimtarin Pavići çfarë asht për të demokracia, shkrimtari përgjegjet me gjuhën e katërvjeçarit nga romani i tij dhe përsërit se demokracia asht “pičkin dim”. Gazetari i hutuem kurrqysh nuk kishte mujtë me marrë vesh kuptimin e kësaj fraze, por Pavići kishte kambëngulë se demokracia asht “pičkin dim”, dhe se në emën të demokracisë kombet e vogla terrorizojnë kombet e mëdha, kështu që, sipas mendimit të shkrimtarit të famshëm, hebrenjtë tmerrohen prej palestinezëve, anglezët prej irlandezëve, SERBËT PREJ SHQIPTARËVE!”
* Krunski Savet = Këshilli i Kunorës i familjes mbretnore serbe ku bajnë pjesë edhe antishqiptarët e përbetuem: Matija Bećkovići, Emir Kusturica etj.
** “pičkin dim” serb. “tym pidhi”, shprehje në serbishten vulgare për diçka që ka pak vlerë, një asgjasend, një hiç.
Edhe me 2016. Prap me Pavicin në Tiranë. Kjo tregon se nuk asht shkamje e chastit, as rastësi koketimi i disa qarqeve me eksponentë të klerofashizmit të Milosevicit.
Qysh thoshte aj që i kaloi miu nëpër mustaqe:
“S’po e kam gajle që më kaloi një herë nëpër mustaqe, por po tutem se po e ban udhë”.
Skandali ma i madh: kjo vepër e Pavicit qe përzgjedhë (bashkë me 17 vepra të tjera) si fituese e Fondit të Përkthimit Letrar për vitin 2015 dhe se ky institucion asht kriju dhe financohet nga Ministria e Kulturës së shtetit shqiptar, nga Republika e Shqipnisë!
Me paret e popullit shqiptar me përhapë helmin e gjarpnit helmues antishqiptar.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu