ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Dita e arsimit Shqiptar, dita e arsimit plisbardh !

Shkrime relevante

Shpërndaj

Foto: Nxënësit e shkollës shqipe “Naim Frashëri” në Pazar të Ri në vitin 1941, ku pothuajse të gjithë djemtë mbajnë PLISIN (qeleshen) në kokë.

Nga: Agron Isa Gjedia

  • Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, më 5.3.2023, hapi për herë të dytë foto-ekspozitën e titulluar:

“Nderim dhe homazh për mësuesit patriotë që përcollën dritën e diturisë në “tokat e lira” në vitet 1941-1945”.

Paneli i drejtimit të veprimtarive në nderim të 7 marsit 2023, “Festa e Mësuesit”.

Nga e majta: Shpresa (Mulaj) Lusha, Zv. Kryetare e Shoqatës “Bytyçi”, Prof. As. Dr. Shefqet Hoxha, znj. Luljeta Dano, studiuese, Av. Agron Isa Gjedia (duke folur), Dr. Afërdita Onuzi, z. Izet Duraku, gazetar, botues, shkrimtar dhe studiues.

Data e madhe e kombit shqiptar, 7 Marsi, pavarësisht se është një datë e shënuar në kalendarin e përvitshëm të çdo shqiptari, gjithsesi nuk duhet të mjaftohemi me kaq por duhet shënuar zyrtarisht si e tillë, pasi ajo është simbolikë e kontributit dhe sakrificës së një plejade të artë arsimdashësish dhe mësimdhënësish patriotë, në ballë të të cilëve qëndronte Ministri i Arsimit të asaj kohe, Ernest Koliqi. Mësimdhënësit, asaj kohe, nuk kursyen asnjë gjë, duke shfrytëzuar në mënyrën më të mirë kushtet dhe rrethanat të cilat

në fakt nuk ishin aspak të volitshme, vetëm e vetëm për ta përmbysur terrin e injorancës dhe për t’i dhënë rrugë “revolucionit të dijes”. Për fat të keq, shumë prej tyre më pas ranë viktima të “inkuzicionit” e terrorit KOMUNIST në JUGOSLLAVI dhe jo vetëm.

Hapja masive e shkollave shqipe në “Tokat e Liruera”, është aksioni më i madh i kryer ndonjëherë në kushte specifike, si për përhapjen dhe masovizimin e arsimit në tokat e çliruara, por edhe për përdorimin e plisit nga moshat e reja të arsimit fillor dhe jo vetëm.

—Për shumë arsye duhet të shënohet me të madhe si një datë historike me rëndësi të pazëvendësueshme edhe “DITA e ARSIMIT SHQIPTAR”, njëherit edhe “DITA E ARSIMIT të PLISBARDHËVE”.

Është për t’u theksuar se mbajtja dhe rëndësia e PLISIT TË BARDHË ndër shqiptarë nuk konsiderohej vetëm një parim njerëzor, por ishte si një besim në fuqinë hyjnore të tij, prandaj mbajtja e tij të bënte shqiptar (krahas elementëve të tjerë), të bënte burrë, të bënte patriot, të bënte të virtytshëm dhe të moralshëm e bashkë me të gjitha këto të fuste në interferencë me universin e “botën e përtejme” etj.

Fotoekspozitë e hapur nga Shoqata Mbarëkombëtarë “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, me dt. 05.03.2023, në lokalin KLAJDI-Park (Tapizë, Krujë), me rastin e mbajtjes së veprimtarive për festën e 7 Marsit, Ditën e Mësuesit.

Duhet të jesh mendjehollë e patriot i dlirë e i virtytshëm që të godasësh me kaq përpikmëri njëherësh, për përhapjen e dijes përmes arsimimit dhe rrënjosjen e traditës të përfaqësuar nga simboli ynë unik kombëtar shqiptar, sikurse është plisi i bardhë.

Kjo ditë e shënuar si “DITA e ARSIMIT SHQIPTAR”, njëherit edhe “DITA E ARSIMIT PLISBARDHË”, duhet të jetë e caktuar zyrtarisht më 25 tetor të çdo viti, pikërisht me rastin e lëshimit të qarkores përkatëse nga ana e Ministrit të Arsimit të Mbretërisë Shqiptare, Ernest Koliqi, (1939-1942), qarkore në të cilën thuhej:

“Për herë të parë themelohet shkolla jashtë kufijve të vjetër shtetëror, të cilat në kuptimin e plotë janë me vlerë historike, të cilat premtojnë se do ta çrrënjosin prapambeturinë dhe do t’i shërojë plagët e robërimit dhe se shkolla shqipe do të jetë në shërbim të popullit”.

Ky akt zyrtar u bë realitet e nuk mbeti në letër. Është një kontribut i pazëvendësueshëm dhe i pakonkurueshëm deri më sot që të ndodhte një “revolucion”, shkollimi në tokat e liruara, nëpërmjet shkollës në gjuhën amtare. Përmes shkollave të hapura u kontribuua për të dalë nga errësira e padijes në dritën e dijes, si dhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare, pa dallim krahine, feje dhe ideje, por thjesht për vetëdijen e shqiptarëve të një geni, një rrace, një gjuhe.

Sa i përket njohjes zyrtare të kësaj date duhet të veprohet pavarësisht “tabuve” të ngritura artificialisht, dhe ndryshe nga sa e kanë pasë dhe e kanë zakon të “parët e këtij veni”, të cilët janë udhëhequr dhe akoma vijojnë të udhëhiqen nga “parimi” primitiv, sikurse është ai më kriminali për një drejtues: “Prish çfarë gjen e puno si të vijë!”, duke e lenë ecjen përpara në raport me kohën në vendnumëro, po ashtu edhe zhvillimin e progresin, por edhe botëkuptimin për historinë e popullit tonë. Është afër mendjes se duhet të udhëhiqemi nga parimi: “Shto nga sa gjete e pasuro!” në drejtim të zhvillimit, sepse historia nuk fillon të shkruhet ashtu si do njëri apo tjetri egoist i semurë i këtij vendi. Të tillët do të mbeten në histori duke sabotuar mbarëvajtjen e këtij populli.

Shkrimi i saktë i historisë do të thotë pasqyrim i realitetit duke u bazuar mbi prova dhe fakte të konfirmuara, e për rastin ne fjalë, faktet nuk mungojnë dhe mjaftojnë (edhe pse të lëna anonime për dekada gjatë regjimeve komuniste në Shqipëri dhe në Jugosllavi). Bazuar në to duhet të shënohet edhe “DITA e ARSIMIT SHQIPTAR”, njëherit edhe “DITA E ARSIMIT PLISBARDHË”, dhe kjo duhet të shënohet krahas Ditës së Mësuesit e cila është datë e shënuar e cila nuk e ezauron siç duhet kontributin e dhënë për shqiptarët në këtë lëmi të dijes dhe përhapjes së saj ndër shqiptarë.

Foto: Mësuesit e parë shqiptarë të Tetovës

Gjatë viteve 1941-1945 (periudhë kur nisi të lulëzojë përhapja e arsimit shqip, sa akoma nuk kishte filluar goditja e programuar e përhapjes dhe zhvillimit të tij), jo vetëm se u hapën shumë shkolla shqipe në “tokat e lirueme” që kishin qenë nën Jugosllavinë e Vjetër (për t’u zëvendësuar me një të re edhe më genocidialë), por nxënësit dhe mësuesit e frekuentonin shkollën masivisht vetëm me plisa të bardhë.

Frekuentimi i shkollave me uniformën kombëtare shqiptare të plisit të bardhë, bëhej e mundur duke krijuar njëherësh një unitet estetik e artistik. Ky ishte një akt si rrallë më parë dhe nuk do të ndodhte asnjëhërë tjetër që nxënësit të frekuentonin shkollën me plisa të bardhë pas asaj periudhe të “artë” për arsimimin shqip në tokat e lirueme nën Jugosllavi.

Në të mirën e njohjes së fakteve dhe fenomeneve historike me rëndësi kombëtare, anatemuar apo lënë qëllimisht në harresë, Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, hapi për të dytën herë radhazi, ekspozitën me foto të nxënësve të klasave dhe të shkollave shqipe më plisa të bardhë mbi krye. Bëhet fjalë për shkollat të cilat u hapën gjatë vitëve 1941-1945 në tokat e lirueme nga shkau-Serbi.

Ato shkolla, gjatë asaj kohe, janë hapur në trojet shqiptare të banuara masivisht me shqiptarë e të “shliruara” përkohësisht nga Mbretëria Serbo-Sllave (Jugosllavia e vjetër), sikurse kanë qenë shkollat e klasave të ulta (por jo vetëm) në Maqedoni, në Kosovë, në Preshevë, në Malin e Zi dhe në Sanxhak.

Për ta sjellë në vëmendje atë kontribut të harruar qëllimisht, kemi hapur foto-ekspozitën nga shkollat e ulta dhe jo vetëm, të asaj periudhe e cila si e tillë, për herë të parë është hapur më datën 28 maj 2022 në Zogaj të krahinës Bytyç, Malësia e Gjakovës-Tropojë.

Ekspozita erdhi në kuadër të zhvillimit të punimeve të një Konference shkencore me temën bosht të saj “Plisin e Bardhë”, organizuar dhe realizuar nga ana e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren.

Kurse për herë të dytë, kjo foto-ekspozitë u hap më datën 05.03.2023 në lokalin KLAJDI-PARK në Tapiz të Krujës, me rastin e mbajtjes së disa veprimtarive të organizuara nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren dhe Forumi i Femrave Bytyçase, me rastin e festave të 7 dhe 8 marsit, shoqëruar me diçiturën në banderolë, si vijon:

“Nderim dhe homazh për mësuesit patriotë që përcollën dritën e diturisë në tokat e liruara në vitet 1941-1945”.

Për të mos mbetur anonim, sikur kanë mbetur shumë ngjarje dhe fakte historike pozitive e me rëndësi për historinë e popullit shqiptar, e pikërisht për t’i bërë prezent protoganistët e hapjes dhe masovizimit të atyre shkollave, në ekspozitë u paraqitën në një format të madh edhe fotot e Ernest Koliqit, i cili aksionin patriotik me vlera të pamohueshme e filloi gjatë qeverisjes së Shefqet Verlacit, duke i nisur në shtatorin e vitit 1941 mbi 200 arsimtarë normalistë drejt tokave të lirueme. Numri i arsimtarëve gjatë qeverisjes së Mustafa Krujës dhe pas tij, arriti deri në 714 persona.

Një pasqyrë e përmbledhur për përhapjen e arsimit në Kosovë gjatë asaj periudhe, përmes të cilit krijohen koncepte më të gjalla, është paraqitur në “Ëikipediaenciklopedia e lire”.

“Eikipediaenciklopedia e lire”, Arsimi në Kosovë ka njohur këto zhvillime: —Me krijimin e Mbretërisë Jugosllave nisi fushata kundër arsimit shqiptar: u mbyllën 55 shkolla shqipe me rreth 4 mijë nxënës dhe 100 mësues; u ndalua deri ushtrimi i riteve fetare në gjuhën shqipe mirëpo gjuha shqipe vijoi të mësohej fshehurazi. —Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, pas shkatërrimit të Mbretërisë Jugosllave, gjendja e arsimit dhe e shkollave shqipe në Kosovë u kushtëzua nga ndarja e Kosovës në tri zona pushtimi. Në zonën italiane të pushtimit që përfshinte pjesën më të madhe të viseve shqiptare, shkuan vullnetarisht disa mësues nga Shqipëria, të cilët dhanë ndihmesë të vyer në luftën kundër analfabetizmit masiv. —Në Pejë, më 21 nëntor 1941 u hap gjimnazi dhe Shkolla Femërore e Punës, në Prishtinë u ngrit Shkolla Normale “Sami Frashëri” dhe nisën nga puna shkollat e Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës etj. Në vitin 1942 u hap i pari kurs pedagogjik në Prishtinë —Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Kosovën me një sistem arsimor relativisht të përhapur, me 278 shkolla fillore dhe 11 shkolla të mesme, madje më 26 tetor 1946 u rihap Shkolla Normale në gjuhën shqipe.

Prandaj duhet të shënohet se “DITA e ARSIMIT SHQIPTAR”, njëherit edhe “DITA E ARSIMIT PLISBARDHË”, është ajo e fillimit me hapjen e 200 shkollave në trojet shqiptare nën ish Jugosllavi, si një ngjarje fenomenale në rrugën e përhapjes së diturisë në popullin shqiptar dhe të ngritjes së vetëdijes kombëtare.

Dihet se 7 marsi është marrë si një pikë referimi për t’u shënuar si Dita e Mësuesit, duke marrë për bazë ditën e hapjes së Mësonjëtorës së Korçës, më 7 mars 1887, kohë e cila i përket periudhës së fundme të Perandorise Osmane.

Këtë vit, 7 marsi përkon me 136-vjetorin e Mësonjëtores, por ka të dhëna nga studiues të ndryshëm se shkollat në Shqipëri janë hapur që nga viti 1258, prandaj promovimi i pastudiuar i datave të shënuara, sikurse është edhe Dita e Mësuesit, i kushton “sakrifikimit” të lashtësisë së historisë së kombit tonë në drejtime të shumta.

Por, krahas 7 Marsit që shënon “lulen” habertare të paralajmërimit të “pranverës së dijes” (por, me një lulë nuk vjen pranvera!), duhet të shënohet edhe “DITA e ARSIMIT SHQIPTAR” ose “DITA e ARSIMIT KOMBËTAR SHQIPTAR”, njëherit edhe “DITA E ARSIMIT PLISBARDHË”, e cila duhet të përkojë me nxjerrjen e aktit përkatës për hapjen e shumë shkollave shqipe në “tokat e lirueme” nga shkau.

Në mos tradhëti, është miopi të lihet pa u vlerësuar zyrtarisht sot e kësaj dite, hapja e njëherëshme e 200 shkollave shqipe në tokat e çliruara, toka që më pas, për një kohë të gjatë, iu lanë në përkatësi JUGOSLLAVISË së TITOS, gjatë së cilës ndodhi regresi i atyre arritjeve.

Duhet vënë në dukje së ndonëse 7 Marsi është shënuar zyrtarisht si dita e hapjes së shkollës së parë shqipe, dhe kjo pa dyshim është një ngjarje e shënuar për përhapjen e dijes dhe ndriçimin e mendjeve të kombit shqiptar, hapja e 200 shkollave shqipe është jo vetëm ngjarje por edhe një fenomen i padiskutueshëm në këtë lëmi.

Pra, pas një inkuzicioni të egër serbosllav, hapja e 200 shkollave shqipe në tokat e shliruara është një “super” shtatë mars në historinë unike (e jo atë parciale) të arsimit të kombit shqiptar, që ka vlerat dhe rëndësinë e vet, por pa pas “nevojë” për ta konkuruar një ngjarje tjetër historike. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një fenomen të papërsëritur ndonjëherë më parë. Ai moment e fenomen historik ka bërë epokë në arsimin shqip.

Ndonëse Dita e Mësuesit me të drejtë është kushtëzuar me datën e hapjes se shkollës së parë shqipe (iu përket historianëve çështja nëse është përcaktuar drejt se cila është shkolla e parë shqipe), është e domosdoshme që krahas saj të shënohet edhe Dita e arsimit shqip, për të cilën duhet të shërbejë ngjarja e pamohueshme e vendimit për hapjen e shkollave shqipe në “tokat e shliruara” nga zaptuesi genocidal serbo-sllav. Ngjarja për të cilën po flasim është një fitore e vërtetë e arsimit shqip.

Foto: Shkolla fillore “Lirija”, Reçan i Gostivarit në Maqedoni

Ka ardhur koha që historianët, e po ashtu edhe politikanët, ta shohin historinë drejt e në sy, e jo ta lënë në harresë si “të paqenë” atë që ka ndodhur. Duhet të sqarohet qartë se çfarë është në dobi e çka është në dëm të kombit tonë, pa ia mbajtur “ison” të tjerëve që çështjet i shohin në interesin e tyre, në dëmin e interesave tona kombëtare shqiptare.

Mua personalisht (por kjo nuk është çështja), nuk ka “bir nëne” të më bëjë të mendoj ndryshe. Jam mëse i vendosur të deklaroj haptas se fakti i hapjes në mënyrë të njëherëshme të 200 shkollave shqipe (që më pas shkuan duke u shtuar) në tokat e shqiptarëve të shliruara nga serbo-sllavia, është ngjarje dhe arritje kombëtare shqiptare, injorimin e së cilës e bëjnë veç armiqtë e kombit.

Përkundër inkuzicionit OTOMAN e atij Serbosllav, nuk mund të lihet pa u shënuar përhapja e arsimit shqip gjatë kohës së Austro-Hungarisë dhe pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, me ç’rast, pa e lavdëruar atë pushtim, duhet vlerësuar kontributi i patriotëve shqiptarë të cilët shfrytëzuan konjukturat në dobi të arsimit shqip.

Pra, për ta arritur atë nivel të përhapjes së arsimit shqip në “tokat e shliruara” gjatë Luftës së II-të Botërore, ka pas protoganistë e kontribuues të cilët kanë vepruar me një kthjelltësi dhe vetëdije të lakmueshme kombëtare, shtuar këtu edhe aftësinë e paparë për të shfrytëzuar kushtet dhe rrethanat e asaj lufte në favorin e çështjes sonë kombëtare.

Në dijeninë time, dy nga këta kanë qenë kontributorët kryesorë (nëse ka të tjerë mbeten për t’u evidentuar), të pakonkurueshëm deri sot, që i dhanë përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe një impakt në trajtën e një “bumi”, pikërisht atje ku arsimi shqip ishte i persekutuar, pra në tokat shqiptare të Maqedonisë, të Kosovës, të Sanxhakut, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të cilët ishin nën sundimin genocidal të Mbretërisë së vjetër e më pas të re të Jugosllavisë.

Këta janë patriotët të cilët punuan aq seriozisht për perspektivën e çështjes kombëtare: Ernest Koliqi, Ministër i Arsimit, dhe Mustava Kruja, ish Kryeministër (4.12.1941-1943).

Është e qartë se një ministër, sikurse ishte Ernest Koliqi, nuk mund të vepronte lirshëm për hapjen si dhe për masovizimin e arsimit shqip në “tokat e shliruara”, pa pëlqimin, pa

miratimin e aq më tepër pa bashkëpunuar me kryeministrin më jetëgjatë në detyrë, pas hapjes se shkollave shqipe në “tokat e shlirueme” gjatë pushtimit të Italisë fashiste.

Që të gjithë arsimtarët që shkuan atje, ishin “skuadrat e shpëtimit mental” dhe me të drejtë konsiderohen meteorët e ndriçimit të kombit tonë, sepse po të mos ishte filluar nga aty, regjimi komunist i cili u vendos pas Luftës së II-të Botërore në “tokat e shliruara”, u vu pas faktit të kryer dhe do të kompromentohej nëse vijonte menjëherë me masa drastike kundër arsimit dhe arsimtarëve shqiptarë në ato territore, pavarësisht se ata ishin vënë në syrin e OZNA-s. Që të gjithë, me kohë u përballën me përndjekje, burgosje, dëbime e deri në pushkatime.

Në kushtet e pushtimit të paevitueshëm fashist të vendit tonë, këta patriotë që e deshën më shumë se veten vendin e tyre, shfrytëzuan apo krijuan hapsirat e mundshme për të përhapur dritën e diturisë në ato nivele që kurrë më parë nuk kishin qenë e mundur as të imagjinohej.

Por nga ana tjetër, menjëherë filloi persekutimi i arsimtarëve shqiptarë me motive politike-ideologjike. Duke i quajtur armiq, u dëbuan nga arsimi 714 mësues, një pjesë u burgosën dhe një pjesë u detyruan të largoheshin për në Turqi. Më tej, filluan të ndaloheshin disa tekste në gjuhën shqipe dhe të përktheheshin të tjera nga gjuha serbo-kroate etj.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ai represion serbo-sllav i ndërmarrë kundër mësuesve dhe kundër përhapjes së arsimit shqip në shqiptarët nën sundimin e JUGOSLLAVISË komuniste të TITOS, nxorri edhe më në pah punën dhe kontributin e lartë të arsimtarëve shqiptarë në “tokat e shliruara”, sikurse edhe të vetë Ministrit të asaj kohe, Ernest Koliqi.

Në nderim të këtij të fundit, për kontributin e tij për përhapjen e arsimit shqip, Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, ka formuar Çmimin “Ernest Koliqi”, për tua dhënë atyre individëve që kontribuojnë për përhapjen, për forcimin dhe konsolidimin e arsimit shqip në Shqipëri, në Kosovë e në mërgatë ku ka shqiptarë.

Me rastin e shënimit njëherësh të Ditës së Mësuesit, Ditës së Nënës dhe 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, hapja e kësaj foto-ekspozite, jo vetëm se shprehte një simbolikë të rëndësishme, por thyente tabutë e vendosura nga regjimi komunist, hapte shtigje të reja nga ku duhet kundërshtuar historia, por edhe krijoi imazh, solli mesazh duke shërbyer si kujtesë kolektive historike.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Foto: Nxënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Pazarin e Ri gjatë fillimit të vitit shkollor 1942-1943, të rreshtuar në formën e shqiponjës dykrenare dhe flatrave.

Foto-ekspozita u ndoq me mjaft interes, jo vetëm nga femrat pjesëmarrëse në atë veprimtari, por edhe nga një grup me pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e Veriut e nga mërgata, të cilet ishin mysafirë të Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë-Prizren”.

Na nderoi me pjesëmarrjen e tij një grup vëllezërish arbëreshë nga Hora e Arbëreshëve në Siçili, në krye me Giorgio Cuccia, në përbërjë të të cilit ishte edhe Roberto Ferrara. Ky rast përbënte një lajm për ne dhe jo vetëm, pasi të ftuarit nga larg mbetën të impresionuar me mikpritjen e nikoqirëve, me organizimin e në mënyrë të veçantë, me ndjekjen e foto-ekspozitës e cila u ndoq me mjaft interes.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

I pranishëm ishte edhe gazetari i RTSH-së, Beni Tafili, ndërsa grupin e kosovarëve e përbënin: inxhinieri Jakup Reka, gazetari dhe kameramani Zenel Hajrizi dhe profesor Sallah Jonuzi, emigrant në Zvicër.

Kjo foto-ekspozitë, jo vetëm se do të vijojë të shfaqet edhe në vende e në raste të tjera, por edhe do të pasurohet me të tjera foto, për të vijuar drejt një botimi të caktuar.

Nga Agron Isa Gjedia,

  • Themelues i “Festa e Plisit të Bardhë, nismë për t’u shpallur Festë Mbarëkombëtare”, dhe nismës që “Plisi i Bardhë” të regjistrohet në organizatën UNESCO si element i trashëgimisë kombëtare shqiptare.

Ps!

Ky shkrim që është një kronologji historike për rrugën e arsimit shqip në viset e liruara, është shkruar në Tiranë, më 17.03.2023

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu