Prishtinë, 10 prill — Në kulmin e luftës në Ukrainë, kur përballja e Rusisë me Prendimin ka hy në javën e gjashtë dhe po jep mesazhe se lufta mund të vazhdojë në kohë të papërcaktuar, shërbimet e fshehta serbe, me gjasë të mbështetura edhe nga ato simotra ruse, përkohësisht duket se kanë gjakuar spostimin e vëmendjes në një front tjetër, duke pas në shënjestër sërish Kosovën dhe interesat e saj.
Megjithëse lajmi bombë për tentimin e vrasjen e ish Këshilltarit Federal të Zvicrës — Dik Marti, tok me konfirmimet nga ana e Shërbimeve Intelegjente të Zvicrës, por edhe deklarata e vetë z. Dik Marti, nuk linin të dyshohej se, vrasja ishte projektuar e porositur nga shërbimet e fshehta serbe, sërish një lagje e medias ka filluar t’i fryjë propagandës antishqiptare, duke u zhytur në llumin-llucë të luftës hibride ruso-serbe!
E përditshmja zvicerane Tages Anzeiger, në ballinën e saj sot solli këtë titull: “Këshilli Federal mobilizon ushtarët elitë për të mbrojtur Dik Martin”. Ndërkaq shpjegimi telegrafik vazhdon që në nëntitullin e tekstit: “Ish-nëtari i Këshillit të Lartë Federal të Zvicrës, i cili hetoi krimet e luftës në Kosovë, është nën mbikëqyrje 24-orëshe — pjesërisht edhe nga ushtria. Prokurori i Përgjithshëm po heton çështjen”.
Tek po zhytesha në leximin e shkrimeve që kishin të bënin me këtë lajm senzacional, një mik imi ma dërgoi një analizë të veçantë, që ndërkohë paska publikuar Instituti për Studime Nëdrmkombëtare të Sigurisë (me seli në Beograd), që më bëri ta lë anash për pak çaste zhurmnajën rreth fatit tragjikomik të Dik Martit, që nuk dallon shumë nga fati i të gjitha marionetave të të gjitha kohërave.
Drejtuesit e këtij instituti, sikur kanë parasysh sentencën e Dante Alighierit, tek shprehej se “vendet më të nxehta në ferr janë të rezervuara për ata që qëndrojnë neutralë në kohë krize të mëdha morale”.
E qartë, konstatimi i kokave të kthjellta serbe se “Serbia nuk mund të qëndrojë neutrale” tutje në raportet mes Perendimit dhe Rusisë, meqë ai pozicion do të mund të rezultonte me pasoja “katastrofike për të”, atëherë , sipas autorëve të analizës në fjalë, Beogradi duhet të marrë vendim të shpejt, që d.t.th se Serbia, sipas tyre, duhet t’i bashkohet urgjent Perendimit.
“Vendimi i saj duhet të jetë i shpejtë, sepse përndryshe të tjerët do të vendosin për Serbinë”, konkludojnë autorët e analizës në fjalë.
Në shikim të parë, asgjë e jashtëzakonshme, nëse kemi parasysh historinë emarrëdhënieve mes Rusisë dhe Serbisë, madje edhe atë të vitit 1948, kur Jugosllavia pat marrë vendim për pozicionim krejt tjetër ngasa do të dëshironin shumica absolute e qytetarëve të ish Jugosllavisë, rrjedhimisht edhe të Serbisë.
Rasti Marti ndërkohë rikthehet në vëmendjen e publikut jo vetëm zviceran. Kësaj radhe si objekt i krimit shtetëror serb, interesave të të cilit i kishte shërbyer tek kishte përvetësuar dosjen e shërbimit serb duke e prezantuar para Këshillit të Europës si raport të tij personal! Ndërkohë duket se për likuidimin e tij kanë qenë të interesuar segmente të Intelegjencies serbe që punojnë për agjendën e shërbimeve ruse. Po këto segmente, tashmë është verifikuar se, kishin qenë të implikuar në puçin e dështuar në Maqedoni dhe në Mal të Zi.
Putinit dhe Rusisë ndërkohë i duhet ta zhvendosin agresionin e tyre nga Ukraina në Ballkan, por mundësisht duke tronditur edhe Perendimin me aksione të kësaj natyre. Aksioni me gjasë nuk është cilësuar si i dështuar nga ana e Intelegjencies zvicerane, prandaj masat e rrepta ët sigurisë ndaj personit të Dik Martit vazhdojnë edhe sot. Por në rast se ky aksion i pregaditur e studjuar mirë nga dy shërbimet simotra serbo-ruse, do të përmbyllej me sukses ndaj Dik Martit, pasojat do të ishin katastrofale jo vetëm për Zvicrën, por edhe për shqiptarët. Zvicra do të ndëshkohej rreptë për qëndrimin e saj të qartë ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës, kur pa hezitim hoqi dorë nga pozicioni i saj tradicinal neutral dhe iu bashkua Perendimit, ndërkaq shqiptarët dhe me theks Kosova, do të mund të bëhej një objekt i një lufte të gjerë speciale serbo-ruse dhe jo vetëm.
Për të parandaluar skenarë ogurzi të kësaj natyre, që implikojnë shumë palë, Uashingtoni dhe Brukseli duhet të marrin vendime të shpejta, jo vetëm për integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perendimor brenda strukturave euroatlantike, por edhe për t’i prerë linjat e bashkëpunimit mes Beogradit dhe Moskës.
Serbia në raport me shqiptarët ka më shumë se një shekull (1877/78), që është angazhuar intenzivisht për shuarjen e kombit shqiptar. Tashmë janë të njohura për historiografinë tri valët e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve. Ato gjithësesi përfunduan edhe në dëm të gjeografisë shqiptare, meqë humbi Toplicën e krahina të tëra ku përfshiheshin tetë qytete e më se 998 fshtra ku popullsia shqiptare ishte shumicë e ndjeshme, ndërkaq në vitin 1912 edhe Kosovën dhe Sanxhakun (Novipazarin e Tutinin) që ndërlidhte atdheun e shqiptarëve me atë të boshnjakëve, si një rrip toke me peshë gjeopolitike të ndjeshme edhe sot e kësaj dite.
Dik Marti sërish shndërrohet në “objekt loje” për palën serbe, por kësaj radhe duke tentuar ta viktimizojnë. Herën e parë për ta dëmtuar historinë e lavdishme të UÇK-së, ndërkaq kësaj radhe duke e vënë atë në shërbim të luftës hibride serbo-ruse në raport me Ballkanin Perendimor dhe përgjithësisht Perendimin.
Beogradi edhe me këtë rast vazhdon të bëjë lojë të dyfisht: në njërën anë të pregadisë terrenin për shkëputje nga Rusia, duke ndërtuar agjenda strategjike që do t’i mundësonin Perendimit të tumirë Anschluss-in e Republikës Serbska në Bosnjë dhe aneksimin e veriut të Kosovës, në anën tjetër, duke toleruar segmente të intelegjencies së vetë që, tok me simotrat ruse, të trandin Perendimin, duke startuar me akte të terrorit mu në zemër të Europës.
Serbia tashmë është e qartë, në politikën e saj të jashtme po pregaditet të bëjë një kthesë të madhe, duke mos mbetur asesi si aksesore e Putinit, por ajo për këtë po kërkon të shpërblehet shumëfish, jo vetëm me garancione për investimet e Perendimit në ekonominë e rrëgjuar serbe, por edhe me territore, respektivisht përmbylljen e projektit serb të fundit të shekullit 19-të — zgjerimin në Perendim, në brendi të Bosnjës, por mundësisht edhe me veriun e Kosovës.
Flijimi i Martit për një kthesë të kësaj natyre, do t’i hynte në punë për justifikimin e aneksimit të veriut të Kosovës, meqë do ta shiste si vepër hakmarrëse e ish pjesëtarëve të UÇK-së, pra e Kosovës. Ky akt i krimit shtetëror serb mbeti vetëm në tentativë falë syçeltësisë së Intelegjencies zvicerane dhe u përmbyll pa dëme kolaterale. Megjithatë, si i tillë, ai flet shumë për rrezikun që paraqet regjimi fashist i Vuçiqit, tashmë i rimandatuar për ta drejtuar Serbinë edhe për një mandat.
Hulumtimi i mediumit zviceran ka bërë që të bien sërish kambanat e alarmit, të cilave në rrugë zyrtare e pa zhurmë u kishte rënë policia e shtetit në dhjetor të 2020-s, duke u bazuar në informacionin që kishte marrë prej shërbimit inteligjent zviceran.
Një burim i televizionit zviceran (“RTS.ch”) qenka shprehur se dokumenti që ka marrë policia shkruante se “Dick Marty, sipas urdhrit të shërbimit sekret serb, duhet të vritet. Vrasja e Martyt duhet të kryhet nga serbët që ka kohë që kanë kryer misione të tilla për shërbimin sekret serb, që i ka trajnuar, dhe që thuhet se janë ‘profesionistë’ që do të kryenin vrasjen mjeshtërisht ‘pa lënë asnjë gjurmë’”.
Tragjeditë personale, ashtu si edhe shpërfaqja e akteve heroike individuale, jo rrallë janë të ndërlidhura me fatet e popujve. Ky akt kriminal në tentativë ndaj Dik Martit zanafillën mund ta ketë tek historia makabre e “tregëtimit me organet e ushtarëve serb”, që sipas Intelegjencies serbe e paskërkan bërë UÇK-ja. Në këtë histori ishin ngatërruar keq dy personazhet publike zvicerane: Dick Marty dhe Carla DelPonte, duke ra në kurthin e propagandës serbe. Por, nëse në këtë kurth kishin ranë atbotë dy zyrtarë të lartë të shtetit, siç e dëshmon pjesa në vazhdim e kësaj drame, nuk ranë edhe shërbimet e intelegjencies zvicerane.
1. Shih artikullin e plotë të TA: