Prishtinë, 24 janar 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 462 kadetëve të gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës. Prej tyre, 343 pjesëtarë janë shqiptarë, 79 janë serbë, 23 boshnjakë, 6 turq, 6 egjiptianë, 3 ashkali dhe 2 pjesëtarë janë romë.
“Ka shumë mënyra për t’i shërbyer vendit, personalisht dhe kolektivisht, privatisht dhe publikisht, por nuk ka rrugë më të drejtpërdrejtë sesa ta veshësh uniformën policore dhe ta marrësh përsipër t’u përgjigjesh nevojave dhe thirrjeve të përditshme të qytetarëve. Andaj nga sot, duke u betuar në këtë ceremoni diplomimi, me këto uniforma të reja që po ju rrinë kaq bukur dhe me këto armë e pajisje në brez që po ju kanë hije kaq shumë, ju po i bashkoheni një kategorie të veçantë institucionale, e cila e ka për obligim t’i përgjigjet detyrës për ruajtjen e rendit dhe respektimin e zbatimin e ligjit në baza ditore në Republikën tonë”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të adresimit të tij para pjesëtarëve të ri të Policisë së Kosovës.
Duke qenë vitit 2025, Vit i Grave, kryeministri Kurti përmendi se në Policinë e Kosovës shërbejnë 1247 vajza dhe gra me grada dhe detyra të ndryshme, ndërkaq nga sot po bëhen 1303 zyrtare policore. Me këtë rast kryeministri bëri thirrje që të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës që kanë dëshirë dhe që ndjehen të gatshme t’i shërbejnë vendit, si dhe atyre që e përfytyrojnë veten si police, të aplikojnë në konkurset e Ministrisë së Brendshme, për ta jetësuar këtë vullnet dhe realizuar këtë ëndërr.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se është shumë i lumtur e krenar që ndodhej sot aty për të shënuar një hap tejet të rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe për mbarë Republikën tonë. Nga sot, me rastin e diplomimit të djemve e vajzave tona të gjeneratës së 61-të, Policia e Kosovës do të jetë edhe më e fortë, e Republika jonë edhe më e sigurt.
Në fund të ceremonisë u bë shpërndarja e certifikatave për kapitenët e klasave të Gjeneratës së 61-të Policisë së Kosovës nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Në katër vjet e fundit kanë diplomuar gjashtë gjeneratë të kadetëve të rinj, me ç’rast Policisë së Kosovës i janë bashkëngjitur gjithsej 2475 policë të rinj.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani-Sadriu,
E nderuara zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, znj.Emilija Rexhepi,
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla,
I nderuari Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z.Gazmend Hoxha,
Të nderuar ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtues e përfaqësues të institucioneve të Republikës,
Shkëlqesi ambasador dhe të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë,
I nderuari Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z.Petrit Ajeti,
Të dashur familjarë të kadetëve,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Ka shumë mënyra për t’i shërbyer vendit, personalisht dhe kolektivisht, privatisht dhe publikisht, por nuk ka rrugë më të drejtpërdrejtë sesa ta veshësh uniformën policore dhe ta marrësh përsipër t’u përgjigjesh nevojave dhe thirrjeve të përditshme të qytetarëve. Andaj nga sot, duke u betuar në këtë ceremoni diplomimi, me këto uniforma të reja që po ju rrijnë kaq bukur dhe me këto armë e pajisje në brez që po ju kanë hije kaq shumë, ju po i bashkoheni një kategorie të veçantë institucionale e cila e ka për obligim t’i përgjigjet detyrës për ruajtjen e rendit dhe respektimin e zbatimin e ligjit në baza ditore në Republikën tonë.
Struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate kadetësh që nga sot që po bëhen policë, e tregon edhe vet strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë. Në gjeneratën e 61-të, po diplomojnë gjithsej 462 pjesëtarë të ri të Policisë, prej të cilëve 406 djem dhe burra dhe 56 vajza e gra. Nga kjo gjeneratë, 343 pjesëtarë janë shqiptarë, 79 janë serbë, 23 boshnjakë, 6 turq, 6 egjitptianë, 3 ashkali dhe 2 pjesëtarë janë romë. Kjo larushi etnike, përveçse e reflekton barazinë në qasje dhe në mundësi ndaj secilit në shoqërinë tonë, e shpërfaq edhe suksesin e integrimit të komuniteteve joshumicë në institucionet e Kosovës, deri këtu në institucionet e sigurisë.
Që nga fillimi i detyrës sime si Kryeministër, jam munduar të marrë pjesë në të gjitha ceremonitë e diplomimit të kadetëve të Policisë së Kosovës, për çka më vjen shumë mirë që tani, kur po përmbyllet mandati jonë 4 vjeçar si qeveri, zotimi ynë për 2000 policë të rinj po përmbushet dhe po tejkalohet, meqë gjatë këtyre katër viteve, janë diplomuar 6 gjenerata kadetësh me gjithsej 2475 pjesëtarë të rinj policorë.
Por sot, dua ta shpreh një urim dhe inkurajim të veçantë. Dy javë më parë, më 10 janar, e kemi shpallur vitin 2025 si Vit i Grave. Në policinë e Kosovës shërbejnë 1247 vajza dhe gra me grada dhe detyra të ndryshme, kurse nga sot po bëhen 1303 zyrtare policore. Meqë atyre po u shtohen edhe 56 police të reja, që dua t’i falënderoj veçanërisht duke iu uruar për kurajon, interesimin dhe gatishmërinë për t’i shërbyer vendit tonë. Me këtë rast, dua t’i ftoj të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës që kanë dëshirë dhe që ndjehen të gatshme t’i shërbejnë vendit, si dhe atyre që e përfytyrojnë veten si police, të aplikojnë në konkurset e Ministrisë së Brendshme, për ta jetësuar këtë vullnet dhe realizuar këtë ëndërr.
Të nderuara familje të kadetëve, prindër, nëna e baballarë, gjyshër e gjyshe, motra dhe vëllezër, ju faleminderit për bijat dhe bijtë që keni rritur dhe edukuar, si dhe ju faleminderit për mbështetjen që u keni dhënë atyre nga dita kur kanë vendosur të aplikojnë për police e policë, e deri sot kur do t’i përqafoni mes urimesh që kanë arritur të bëhen police dhe policë.
Të dashur kadetë, ju që po ju drejtohem për herë të fundit në këtë cilësi, nga tash, të dashura police dhe policë të Kosovës, mos e harroni asnjëherë betimin tuaj, respektoni përkushtimin ndaj ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës si dhe shërbeni me nderë e me integritet edhe profesional dhe personal. Ruajeni rendin dhe zbatojeni ligjin, sepse kësisoj e bëni Republikën e Kosovës shtet më të sigurtë dhe vend më të jetueshëm.
Gëzuar detyra e re dhe u pensionofshi në uniformën e Policisë së Kosovës.
Urime, urime dhe urime!
Ju faleminderit!