ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Dita e Shën Nënë Terezës në Quinto Di Trevizo dhe mikpritja për diplomatët kosovarë

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Gëzim Muçolli
Edhe këtë shtator në provincën e Trevizos, komuniteti shqiptar e festoi Ditën e Shën Nënë Terezës e cila tashmë ka marrë përmasat e një manifestimi ndërkulturor që pasqyron nivelin e lartë të integrimit të mërgatës tonë.
Të gjitha rrugët shpienin drejt qytetit të Quinto di Treviso ku ndodhet edhe qendra më e organizuar dhe bashkuar në çdo veprimtari kulturore dhe patriotike të qytetarëve të mërguar nga Kosova, Shqipria, Maqedonia e viset tjera etnike shqiptare. Pikërisht aty ndodhet edhe monumenti në bronx i shtatores së shenjtores shqiptare Nënë Terezës, i cili përveq vlerave artistike ka edhe mesazhin e begatisë shpirtërore dhe ndjenjës së afërsisë dhe identifikimit me vlerat e larta humane që barte për së gjalli nobelistja e parë dhe humanistja shqiptare Nënë Tereza.
Pas një viti të vështirë plot me sakrifica që u shënuan në kronikat e kohës për shkak të pasojave të pandemisë së Covid 19 dhe shtërngimeve të masave shëndetësore të diktuara nga qeveria italiane, komuniteti shqiptar i prirë nga inxh. Bajram Desku, kryetari i Shoqatës Kulturore-Humanitare “Shën Nëna Terezë” e Trevizos me vëmendje dhe kujdes të veçantë organizuan për herë të tretë festën dedikuar mërgatës shqiptare në kuadër të Ditës së Shën Nënë Terezës, e cila u mbajt të shtunën me 18 shtator 2021. Ajo ditë e shënuar nuk ishte vetëm festë e shqiptarëve por edhe e vendit të mikpritjes me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve dhe autoriteteve italiane që nuk mungojnë asnjëherë në manifestimet shoqërore dhe kulturore të mërgatës më aktive në provincën e madhe të Trevizos.
Manifestimit kulturor i parapriu vizita e ambasadores së Republikës së kosovës në Itali, zonjës Lendita Haxhitasim në selinë e Komunës së Quinto di Treviso. Pikërisht në orën 10 kryetarja e komunës, zonja Stefania Sartori priti me dashamirësi në sallën solemne Ambasadoren e cila shoqërohej nga konzulli i përgjithshëm në Milano Adrian Andreja tashmë i njohur me realitetin dhe njerëzit e vyeshëm të kësaj ane gjatë vizitave të mëparshme në mesin e komunitetit kosovar në këtë qytet.Kryetarja në këtë takim kishte ftuar edhe kryetarin e Shoqatës z. Bajram Desku, me përfaqësues të dalluar nga veprimtarët e mërgatës si: Hetem Zogaj, Albert Bashota, Musa Ahmetaj, Agim Mulosmani, si dhe Valdete Llumnica-Muçolli e Gëzim Muçolli nga qyteti i Padovës.
Kryetarja Sartori e falenderoi për vizitën ambasadoren kosovare duke folur për nivele të larta integruese dhe të këmbimeve ndërkulturore që janë arritur me komunitetin shqiptar. Poashtu duke lavdëruar edhe nismat biznesore të suksesshme të firmave kosovare zonja Sartori nuk harroi të përmendë dhe të falenderojë për ndihmën e konsiderueshme humanitare dhe financiare që dhanë këta mërgimtarë të vyeshëm nëpërmjet Shoqatës së tyre për të ndihmuar kundër gjendjes së rënduar nga pandemia e koronavirusit. Fjalë falenderimi për komunitetin foli edhe z. Fulvio Pettenà, ish-kryetar i provincës së Trevizos dhe mik e këshilltar i kryetarit të regjionit Veneto, z. Luca Zaia.
Ambasadorja znj, Lendita Haxhitasim duke shprehur kënaqësinë për mikpritjen dhe për konsideratën e madhe të zyrtarëve italianë dhe përkrahjen e tyre ndaj komunitetit tonë falenderoi për rezultatet e arritura dhe komunikimin direkt si dhe ofroi përkrahjen e saj për të krijuar kushte për thellimin e marrëdhënieve bilaterale të shkëlqyera Kosovë-Itali.
Në bisedë morën fjalën edhe Bajram Desku dhe Gëzim Muçolli duke theksuar aspektet e bashkëpunimit dhe të krijimit të mundësive të reja për projekte interkulturale.
Më pas ambasadorja dhe konzulli i Republikës së Kosovës vizituan edhe ambientet e fabrikës së njohur të pompave me piston me famë ndërkombëtare “Luigi Catterin” ku u pritën me respekt të veçantë nga pronari Mario Catterin dhe motra e tij Elena. Aty falë infoprmacionit të zgjeruar nga kryepuntori Ing.Bajram Desku, patën rast të njihen me historikun e kësaj fabrike të themeluar nga nga babai i tyre i cili kishte bërë edhe shpikje të reja teknike. Bajrami duke i dhënë vlerën kësaj familje industrialistësh theksoi edhe faktin se ata gjithëmonë kanë qenë sponsor të veprimtarive të ndryshme të Shoqatës Shën Nënë Tereza dhe të Shkollës Shqipe në Quinto di Treviso, madje kanë sjellur tortën për dyqind veta me rastin e të gjitha festave tematike të ndryshme të komunitetit shqiptar. Në oborrin e fabrikës diplomatët shqiptarë panë duke valuar edhe flamurin shtetëror të Kosovës të cilën pronari e kishte vënë për nder të mysafirëve të nderuar.
Më pastaj Ambasadorja Haxhitasim dhe konzulli Andreja vizituan firmën e mirënjohur të afaristit të shkëlqyeshëm z. Bedri Suka i cili ka vite që zhvillon me sukses biznesin e tij duke sjellur në tryezat e mërgimtarëve shijen e prodhimeve ushqimore nga vendlindja. Bedriu përkundër vështirësive fillestare për shkak të pengesave të shumta që kishte qarkullimi i mallërave kosovare, ka arritur me sukses që ti plasojë ato në tregun italian dhe sot nuk befasohet askush kur në repartet e ushqimeve etnike të qendrave të mëdha tregtare gjen prodhime vendore nga firma Market Kosova . Bedriu është shumë aktiv edhe në rrjetin e bizneseve të afaristëve kosovarë në Itali dhe ka ide dhe projekte të ndryshme për avancimin e shkëmbimeve tregtare në mes të Kosovës dhe Italisë.
Meqenëse ishte afruar edhe koha e drekës diplomatët kosovarë të shoqëruar nga mikpritësit e tyre shkuan në restaurantin modern italo-kosovar “Al volo” në afërsi të aeroportit ndërkombëtar “A.Canova” të Trevizos ku për nder të tyre shtruan drekë solemne pronarët Bedri Suka e Ymer Berisha si dhe veprimtari e afaristi i nderuar Albert Bashota,
Ambasadorja vizitoi edhe lokalet e shkollës të mësimit plotësues të gjuhës shqipe që mban emrin e nderuar të shenjtores shqiptare Shën Nënë Terezës. Në klasën e stërmbushur me fëmijë shqiptarë të lindur në Itali për punën me nxënës dhe sfidat e ndryshme foli mësuesja Shkurta Zogaj si dhe koordinatori i shkollës Bajram Desku. Ambasadorja L.Haxhitasim i përshëndeti dhe i përgëzoi për suksesin e tyre fëmijët e vegjël si dhe prindërit e sidomos nënat shqiptare që kishin ardhur për ta përshëndetur dhe nderuar diplomaten e nderuar, si dhe vlerësoi rolin e madh që kanë prindërit dhe familja në ruajtjen e gjuhës dhe vlerave tjera të trashëgimisë kulturore.
Në orën 15, filloi pjesa qendrore e manifestimit pikërisht në hapësirën para shtatores së Nënë Tertezës në sheshin pranë rrugës Guglielmo Marconi nr. 27,në udhëkryqin me rrugën San Pio X . Kryetari i Shoqatës kulturore dhe organizatori i këtij manifestimi mbajti një fjalë rasti. Bajram Desku duke përshëndetur mysafirët dhe autoritetet italiane që kishin ardhur për të nderuar figurën, jetën dhe veprën e humanistes më të madhe të botës.Ai mes tjerash tha se u bënë tri vite qysh kur e kemi inauguruar shtatoren e bronxtë të Shën Nënë Terezës, në kujtim të veprimtarisë madhore të kësaj Nënë me prejardhje shqiptare e cila tërë jetën e saj e kaloi në shërbim të njerëzimit. Para pesë vitesh me cermoni të madhërishme në sy të krejt botës, me 4 shtator 2016 Papa Françesko në Vatikan e shpalli shenjtëreshë.
Për ta realizuar këtë monumenti që për ne simbolizon shumë, meritë të madhe kanë edhe autoritetet komunale të Quinto di Treviso, sidomos ish-kryetari i atëhershëm z. Mauro Dal Zilio me bashkëpuntorët e tij i cili përkrahu dhe ndihmoi në finalizimin e këtij projekti të komunitetit shqiptar dhe italian,për të cilin ai propozoi që të
angazhohemi që ta nderojmë me dhënjen e titullit Qytetar Nderi i Republikës së Kosovës.
Jemi mirënjohës ndaj popullit italian i cili në momentet më të vështira gjatë luftës për çlirim dhe më pas na ka ndihmuar vazhdimisht duke mos harruar asnjëhere vuajtjet që kemi pasur. Na ka pritur mirë edhe kur kemi ardhur për të kërkuar punë dhe na kanë ndihmuar në procesin e integrimit shoqëror dhe kulturor.
Na kanë ndihmuar që të krijojmë edhe shkollën shqipe duke na dhënë falas në shfrytëzim edhe lokalet për mësim e këtu falenderim i veçantë është për Parrokian e Quinto di Treviso dhe don Stefano Bressan. i cili vazhdon të na ofrojë kushtet për të ruajtur të gjallë në mesin e fëmijëve tanë gjuhën tonë të dashur, gjuhën shqipe.
Në fund ai tha se ndodhemi edhe para projekteve të tjera bashkëpunimi dhe me kalimin e kohës besojmë se do ti realizojmë duke ftuar përfaqësuesit e bizneseve italiane që të vizitojnë dhe të investojnë në Republikën e Kosovës, ku mund të hapin degë të veprimtarive të tyre e duke punësuar të rinj. Ai ftoi të japin kontribut të madh pronarët e bizneseve kosovaro-italiane që janë dëshmuar si element i rëndësishëm i integrimit dhe kontribues i stabilitetit ekonomik të kësaj zone të pasur të Italisë veriore.
Ambasadorja Haxhitasim me këtë rast vuri një kurorë me lule te shtatorja e Nënë Terezës dhe iu drejtua të pranishmëve me fjalë të zgjedhura dhe plot respekt për mikpritjen si dhe për shembullin e mirë të integrimit të mërgatës sonë.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Mauro Dal Zilio, nënkryetar i komunës si dhe lutje për Nënën Terezë bëri edhe kryeprifti i Kishës së Quinto di Treviso Don Stefano.
Në fund të ceremonisë pati edhe këngë e valle të luajtura me mjeshtëri nga grupi artistik Iliria Veneto si dhe nga valltarët e Shoqërisë Kulturore “Dardania” nga Montebelluna që udhëhiqet me sukses nga prof. Faik Tafolli si dhe nxënësja e shkollës shqipe Kleopatra Hajdini nga kjo shoqatë performoi një pjesë artistike me violinë.
Pas mbarimit të ceremonisë pjesa përfundimtare ishte takimi me veprimtarë të shoqatave të ndryshme nga Veneto i cili u mbajt në ambientet e parrokias së Quintos ku përfaqësuesit e diplomacisë kosovare patën rastin të kuvendojnë hapur për problemet , vështirësitë dhe sukseset e mërgatës në këtë regjion të Italisë.
Sipas protokollit takimin e hapi dhe e moderoi Bajram Desku i cili prezentoi me radhë veprimtarët e pranishëm si dhe Shoqatat ku ata zhvillojnë aktivitetetin e tyre patriotik-kulturor. Në panel ishin ambasadorja Lendita Haxhitasim, konzulli i përgjithshëm në Milano Adrian Andreja dhe Gëzim Muçolli veprimtar nga Padova.
Ambasadorja para të pranishëmve shprehu kënaqësinë e saj që më në fund ndodhej në mesin e mërgatës. Me disa nga ju jemi takuar edhe një herë tjetër në një takim virtual “online”, dhe për shkak të masave kufizuese të qarkullimit ishte e pamundur mbajtja e një takimi sikur sot. Ne ambasadorët vijmë e shkojmë kurse ju jeni dhe vazhdoni të qëndroni këtu duke u dëshmuar me dashurinë dhe përkushtimin që ia kushtoni vendit tuaj. Besoni sebëjmë që të dëgjohet edhe në Kosovë vullneti dhe dëshira juaj për të bërë diçka pozitive edhe në vendin prej nga keni ardhur. Kam filluar të takoj mërgatën tonë fillimisht këtu në Veneto ku është mjaft e organizuar e pastaj do të takohemi edhe me veprimtarë në regjionet tjera të Italisë. Momentalisht jemi duke bërë përpjekje për të krijuar një mundësi sa më të drejtpëtrdrejtë komunikimi e të qëndrueshme, e këtu na ndihmojnë edhe reagimet dhe ineteraksionet tuaja që unë pranoj me vëmendje duke dëshiruar një komunikim vertikal për të përcjellur mesazhet e atyre që me përkushtim punojnë për të mirën e vendit. Element i veçantë në këtë mes është vazhdimi i shkollës shqipe që ndihmon për të ruajtur sdhe mbajtur gjallë gjuhën dhe traditat kombëtare. Kam parë gjitthë punën që është bërë me shoqatat, shkollat, fondacionin humanitar të njerëzve bëmirës plot vullnet për ti ndihmuar njerëzit dhe familjet në raste urgjente, një vazhdimësi aktivitetesh dhe vullnetin e madh për sukses dhe mirësi. Tashmë ne në ambasadë jemi duke identifikuar dhe duke plotësuar shenimet tona për veprimtarinë e shoqatave dhe veprimtarëve për të pasur një pasqyrë të vërtetë, një arkiv të historikut të ngjarjeve dhe veprimtarive kulturore në Itali.
Edhe konzulli i përgjithshëm Andreja foli për njohjen e tij dhe takimet e shumta me mërgatën, dhe shtoi se ishte i kënaqur që tash po ia prezentonte ambasadores diasporën tonë që dallohet për punën, mikpritjen dhe gatshmërinë dhe pozitivitetin për të bërë gjëra që e nderojnë atë dhe vendlindjen.
Bajram Desku edhe njëherë përsëriti kërkesën e kahmotshme të mërgimtarëve të kësaj ane për të hapur këtu një konzullatë, drejtuar qeverisë së Kosovës duke marrë parasysh edhe numrin e madh të mëgimtarëve që jetojnë në regjionin fqinj Friuli Venezia Giulia, të cilët duhet të shkojnë në ambasadën e Kosovës në Slloveni për të nxjerrur ndonjë dokument. Ai rikujtoi edhe faktin se për ta legjitimuar kërkesën tonë vite më parë është mbledhur Peticioni për hapjen e konzullatës që e kanë nënshkruar mijëra mërgimtarë.Ky peticion është dorëzuar në Ministrinëe Punëve të Jashtme, në Ministrinë e Diasporës dhe në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Ambasadorja pohoi se qysh se ka kuptuar për kërkesën për konzullatën , ajo ka përcjellur edhe njëherë gjithë informacionin në Ministri dhe pritet që pas një rioorganizimi që është duke u kryer në Prishtinë do të vijë radha e vendimit edhe për këtë konzullatë të kërkuar me kaq arsye nga mërgata. Poashtu ajo tha: Ju kërkoj që të keni durim sepse pas kësaj, do të krijohet mundësia që të precizohen pastaj edhe kushtet dhe funksioni i “Konzujve të Nderit”, titull që i jepet qytetarëve të nderuar të shtetit mikpritës që janë dalluar me kontribut të veçantë për prezentimin dhe rritjen e kontakteve politike, kulturore dhe ekonomike me Kosovën. Ambasadorja Haxhitasim iu kërkoi të pranishëmve që ti dërgojnë në ambasadë nga 2 faqe tekst ku do të shkruajnë për veprimtarinë e secilës shoqatë apo shkollë shqipe.
Avdi Beqiri, kryetar i Shoqatës kulturore “Bashkimi Kombëtar” nga Bassano del Grappa foli për punën e madhe që është bërë te ta duke qenë shoqata e parë, më e vjetra e cila dallohet edhe me shkollën e parë shqipe si dhe aktivitetet sportive. Ai u pajtua që të krijohet edhe arkivi i mërgatës si dhe foli edhe për problemet aktuale në mësimin plotësues sidomos për mundësitë e pakta të zgjedhjes së mësuesve në diasporë.
Sanije Berisha, mësuese në shkollën shqipe në SHK Dardanija në Montebelluna tha se megjithë vizitat e shpeshta të përgjegjësve të arsimit dhe personaliteteve politike nga Kosova nuk është bërë aq sa kemi pasur nevojë për përkrahje institucionale, njohje të diplomave, etj.
Ragip Thaçi kordinator i shkollës shqipe në Bassano del Grapa dhe kryetar i Këshillit të mësuesve në Veneto, tregoi se bërthama e aktiviteteve shkollore të diasporës në Itali ka filluar me shkollën e tyre që ka mbi dy dekada që vepron si dhe dallohet me faktin që mësuesit shpërblehen me nga 10 euro orën nga fondi i shoqatës. Krijimi i Këshillit të mësuesve ishte i domosdoshëm për mirë-organizimin e mësimit shqip, Dëshira e mësuesve është që mësimi të mbahet në shkolla shtetrore dhe të ndiqet shembulli i mësuesve dhe shkollave shqipe si ato në Austri dhe në Suedi.
Fjalën e morën edhe Isuf Zenelaj,drejtuesi i shoqatës kulturore “Zëri i atdheut” nga Montebelluna , pastaj mësuesja e kësaj shkolle Raimonda Deda si dhe Sami Binakaj kryetar i Shoqatës Kulturore “Kosova” nga Portogruaro, poashtu ishte kuptimplotë edhe biseda me vlera veprimtarit të dalluar z. Agim Mulosmani. mërgimtar nga malësia e Gjakovës nga familja e madhe e Mic Sokolit i cili duke e përshëndetur ambasadoren foli edhe për bashkëpunimin vëllazëror midis mërgimtarëve pa marrë parasysh se a vijnë nga Kosova, Maqedonia apo Shqipëria si një vlerë e unitetit kombëtar që në diasporë ka vlerë të madhe.
Konzulli i përgjithshëm iu përgjigj të gjitha pyetjeve që kishuin të bënin me çështjen e dokumenteve personale, pasaportave, lejekalimit të përkohshëm, legalizimit të diplomave përmes ekuipolencës dhe sidomos pyetjeve përherë insistuese me pamundësinë e konvertimit të patent-shoferave të marrur në Republikën e Kosovës.
Në fund të takimit duke i falenderuar për pjesëmarrjen fjalën mbyllëse e mbajti Gëzim Muçolli i cili pasi foli për procesin e suksesshëm integrues të mërgatës sonë, paraqiti dëshmi dhe fakte për ngjarje që janë preokupuese për pasqyrimin e drejtë të jetës dhe punës së mërgimtarëve në Itali. Ai kërkoi nga dy diplomatët që t’ia paraqesin propozimin e tij Ministrisë së punëve të jashtme në Prishtinë që Misioni diplomatik në Romë të shtohet deri në 20 antarë për shkak të rëndësisë që ka Roma si kryeqyteti i Italisë i mirënjohur edhe me emrin historik si “Caput Mundi”. Këtë ai e arsyetoi edhe me faktin se duhet punuar shumë me qeverinë italiane dhe miqtë tonë në Itali duke ditur se ky shtet ka lidhje të fuqishme me shumë shtete sidomos afrikane që shumë shpejt do të mund ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Ai propozoi poashtu që ambasada të interesohet që të krijojë një listë me libra e tekste të mirëfillta shkencore që mund t’i ndihmojnë studiuesit e rinj në Universitetet italiane që kanë për temë diplome ngjarjet dhe historinë e Kosovës sepse siç shihet në disa raste në mungesë indikacionesh për literaturë të mirëfilltë shkencore, tezat e diplomës janë shtjelluar duke u bazuar në materialet historiografike e propagandistike serbe të cilat e shtrembërojnë realitetin historik të shqiptarëve. Poashtu duke folur edhe për fenomenin e tashëm të migrimit dhe paraqitjen e shtetasve të Kosovës sidomos para policisë kufutare të Triestes si kërkues azili për qëllime politike, ai iu kërkoi të gjithë të pranishmëve që t’ia përcjellin kujtdo që merr në këtë mënyrë rrugën e mërgimit mos të gabojnë e të dëshmojnë rrejshëm duke njollosur edhe gjakun e derdhur për lirinë dhe pavarsinë e shtetit të Kosovës.
Takimin e mbylli me shprehjen e vullnetit dhe të pozitivitetit nga ana e të gjithëve për të vazhduar edhe më mirë aktivitetet dhe bashkëpunimin si në nivel lokal poashtu edhe regjional dhe në gjithë territorin ku shembull më i mirë dhe premtues për t’u ndjekur si model është puna e kryesisë dhe mërgimtarëve të shoqatës Shën Nënë Tereza Nga Terevizo , simbol dhe premtim i sukseseve në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe patriotike kombëtare.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu