Shkruan: Murteza OSDAUTAJ
(Mbi tekstet shkollore dhe PIRLS, për komunat që s’kanë librari, për gruan shqiptare që u shpall ‘non grata’ në Serbi për shkak se djali i saj mbante veshur një triko me shqiponjë dhe për Rita Orën tonë)
1.
Se ne jemi të prirë të krijojmë kriza politike nga asgjëja, nuk është fare gjë e paditur. Problemi është se në krijojmë kriza për shkak të problemeve që kemi brenda nesh dhe jo për problemet që nuk varen nga ne. Vendimi i MASHTI për ta përdorur një mënyrë të re të pajisjes me libra të nxënësve, paraqiti një numër mbrapshtish që rrinë të fjetura brenda nesh sikur krimba teje. T’i shohësh ‘të tronditur’ drejtorët komunalë të arsimit për mënyrën e re të shpërndarjes së teksteve shkollore është fare qesharake. Ta shohësh reagimin e prindërve është më se e mjerë. Krejt halli i tyre ishte se si Ministria iu ka nxjerrë punë dhe ata s’mund ta menagjojnë këtë situatë të re të ‘rëndë’. Drejtoritë komunale ‘e kanë hallin’ se si të fillohet viti shkollor pa libra, ndërsa prindërit ‘e kanë hallin’ se nuk dinë ta përdorin platformën e-kosova. Për mua krejt kjo është një farsë.
Tash, siç e dini, para disa muajsh dolën rezultatet e testimit ndërkombëtar në fushën e kulturës së leximit (ang.: reading literacy) PIRLS. Ky test përfshinë nxënësit e klasave të katërta apo fëmijët e moshës 9-10 vjeçe. Si edhe në PISA, edhe në këtë testim, nxënësit tanë dolën më të dobëtit duke u radhitur të fundit në Evropë. Siç mund ta keni parë, asnjëri nga drejtorët komunalë të arsimit, askush nga shoqatat e prindërve, askush nga sindikata e mësimdhënësve dhe askush nga Ministria nuk dolën, së paku, me një deklaratë publike, për ta shpjeguar problemin, për të treguar se përse jemi të fundit në Evropë dhe për t’i paraqitur masat që mund t’i merr shteti dhe akterët e tjerë për ta rregulluar gjendjen. Drejtoritë komunale ‘çele gurë gojën’. Prindërit, si gjithmonë, indiferentë ndaj arritshmërisë së dobët dhe sukseseve të dobëta ndërkombëtare të fëmijëve të tyre, vazhdojnë duke e ‘populluar’ fejsbukun me librezat e fëmijëve të mbushura me 5-she të dhëna pa mëritë. Asnjë reagim prej tyre ndaj shkollave, asnjë kërkesë ndaj mësuesve, DKA-ve dhe MAShTI-t. PIRLS-i u shfaq si problem i madh sistemor serioz dhe u hesht nga të gjithë sikur të mos të kishte ndodhur kurrë dhe sikur situatën ta kishim siç e ka Finlanda.
Por drejtoritë komunale të arsimit, të manipuluara nga rrymat politike apo duke e shfrytëzuar rastin për të treguar se ‘janë gjallë’, e ‘pjellën’ problemin e teksteve shkollore. U bë bujë e madhe mediale se si DKA-të do të kenë probleme me fillimin e vitit shkollor dhe se si, meqë MASHTI nuk po shpërndanë libra me kamionë siç bëhej me herët, ‘rrezikohet’ fillimi i mësimit. Sindiaktat në një zë me DKA-të dhe prindërit në një zë me të gjithë të tjerët vetëm për ta krijuar një mjegull dhe një aferë politike të paqenë. Ajo që u pa, e shpërfaqi një lloj psikologjie dhe një lloj mbrapshtie kronike që e kemi dhe që duket sikur është gjenetike. Duke mos bërë asgjë, bile doke mos bërë bash asgjë, në i shfrytëzojmë disa momente pikante politike për t’u shfaqur dhe për të krijuar situata dhe afera të paqena vetëm sa për ta dëshmuar ekzistencën tonë.
Ok. Qeveria e ka ndërruar mënyrën e pajisjes me tekste shkollore të nxënësve e që ndoshta nuk është më e mira por ajo nuk i ka privuar nxënësit nga e drejta për t’i pasur tekstet falas. Ajo ka kërkuar nga prindërit që ata t’ua blejnë fëmijëve të tyre tekstet dhe pastaj të rimburosohen ose, tashmë, do t’i subvencionojë paraprakisht. Reagimi i prindërve ishte interesant dhe dëshpërues. Një pjesë dilnin dhe e qanin buxheti e familjes që do të dëmtohej, një pjesë e madhe e tyre dilnin dhe qaheshin se nuk dinin ta përdornin platformën e-kosova, kishte të atillë që ‘nuk kishin’ xhirollogari apo kishin ‘xhirollogari të deaktivizuar’ ndërsa, pjesa më e madhe e tyre qaheshin se duhej, ta zëmë, nga Kaçaniku ose Klina të shkonin në Pejë ose në Ferizaj për t’i blerë librat dhe shkuarja në Pejë, Ferizaj, Gjilan apo Prizren shkaktonte shpenzime shtesë që e ‘dëmtonin’ buxhetin e dobët familjar.
Dokrra. Pjesa me e madhe e prindërve, burrat, nuk lënë ‘Pazar të kerreve’ pa shkuar dhe nuk lënë kafene pa frekuentuar nëpër qytete e përmendura. Nënat, vetëm gjatë sezonit të dasmave e konaxheqeve, kanë shpenzuar qindra e qindra euro tek sallonet e ondulimit dhe për blerjen e stolive e fustanave. Pse tregohen kaq ‘të varfër’ e kaq ‘të paditur’ këta njerëz kur bëhet fjalë për librat e fëmijëve të tyre. Apo këta njerëz jetojnë në asi lloj mendësie dhe në asi lloj ‘mindset’-i në të cilin për librat mendohet si për një shpenzim të bërë kot, të pavlerë dhe humbjekohe ose ‘djegie e parave’.
Pollavra!
2.
Se popullata jonë është në një gjendje të keqe dhe që shkollën dhe librin e konsiderojnë si një ‘pauzë prindërore’ për t’u ‘liruar’ nga fëmijët, dëshmon edhe fakti se pjesa më e madhe e prindërve hallin e kishin në ‘rrezikun’ që të mos fillonte mësimi nga shkaku i ‘mungesës’ së librave shkollore dhe të ‘librarive’ sesa që shfaqnin ndonjë brengë për suksesin apo arritshmërinë e fëmijëve të tyre..
Libraritë!
Doli se një numër i madh i komunave tona nuk kishin librari. Po ta bëjmë një llogari duke e paramenduar se secila komunë ka nga 40 000 banorë dhe po ta konsiderojmë librarinë si një vend ku shitet libri, atëherë, duhet të llogarisim se diku 15 komuna nuk kanë librari që d.m.th. se në 15 komuna libri nuk është pjesë e jetës private dhe publike të atyre banorëve dhe ata, nëse iu teket për ta bërë ndonjë libër apo kanë nevojë për një libër të tillë, nuk kanë se ku ta blejnë në komunat e tyre. Nëse llogaria bëhet me 40 000 banorë për komunë, atëherë dalin, diku, 600 000 banorë të Kosovës që nuk kanë ‘mundësi’ për të blerë libra ose që nuk kanë asnjë interesim për t’i pasur ato. Po kështu, po t’ua heqim emrin ‘librari’ shitoreve që shesin materiale për zyre e jo libra, atëherë duhet të mendojmë për një gjendje edhe me ‘kritike’ në lidhje me librin dhe në lidhje me ‘qasjen’ e popullsisë në veprimtarinë botuese dhe në libra. Mund të llogarisim në masën prej 1 milionë banorësh të cilët asnjëherë brenda vitit nuk kanë hyrë në ‘librari’ dhe e tërë kjo masë e njerëzve nuk kanë libra në shtëpitë e tyre. Është gjë e ditur, se 82% e nxënësve 15 vjeç, në projektin hulumtues të kryer para dy vjetësh, janë evidentuar që s’kanë lexuar asnjë libër në jetën e tyre.
Tragjike!
E zbuluam pra edhe një problem të shtetit tonë. Problemi është mendësor, kulturor, social, psikologjik dhe, më së keqi, etnokulturor.
Zbulimet që rrodhën nga problemi me librat shkollorë janë të nivelit nacional dhe, si të tilla duhet të merren shumë parasysh. Mos leximi është ‘kulturë’ kombëtare dhe duke qenë e tillë, pop-kulturë, shndërrohet në antikulturë dhe në një lloj sëmundje kronike kulturore gjithëkombëtare që mund të sjellë pasoja negative afatgjate e të pakthyeshme. Kulturat e huaja, politikat e huaja, dashakeqjet e huaja dhe armiqësore, kur gjejnë një popull të palexuar sikur ky i yni, e kanë shumë me të kollajshme nguljen rrënjë në mendësinë e shtresës se palexuar shqiptare të Kosovës.
Ja pra pse ne xhami shkohet më lehtë se në shkollë. Shkohet sepse aty askush s’të detyron të lexosh. Aty do të dëgjosh rrëfimet e dyshimta të hoxhës i cili duke qenë pjesë e një rrejti politik islamik, shpërndanë te masa e palexuar ide dhe ideologji që, në të vërtetë, nuk i përkasin edhe vet islamit. Dhe derisa kemi të bëjmë me prind të palexueshëm që nuk e kanë lexuar dhe që nuk e njohin as Migjenin dhe as Naimin, me fëmijë të palexueshëm që kurrë s’ka dëgjuar as lexuar për “Lugjet e verdha’ dhe asnjëherë në jetë nuk i ka dëgjuar nënën dhe babain duke folur për Fishtën e Konicën, klerikët, të secilës rrymë fetare, gjejnë hapësirë për shpërndarjen e ideologjive të tyre shkombëtarizuese dhe anti shqiptare që po përhapen me një progresion gjeometrik pa u penguar nga askush dhe, më së paku, nga shteti.
Me një mendësi të tillë, me një kulturë të tillë kundër librit dhe dijes, që tash ka marrë fund çdo garë që mund ta bëjmë me popujt tjerë të Evropës.
Ndoshta për këtë arsye jemi humbës historikë dhe të historisë.
3.
Para dy-tre ditësh një familje shqiptare nga Gostivari, derisa po udhëtonte nëpër Serbi, është ndaluar nga policia serbe për 20 orë, është maltretuar, është ushtruar dhunë ndaj saj në aspektin fizik, psikologjik dhe kombëtar. Arsyeja është e thjeshtë. Një fëmijë i familjes mbante në trikon e tij një shqiponjë dykrenore të flamurit shqiptar. Policët serbë e ndalën familjen. E Mbajtën për 20 orë, e dënuan me qindra euro dhe, në fund, prindërit e fëmijës i shpallën ‘persona non grata’ deri në vitin 2031.
Kjo nuk është hajgare. Është ngjarje e vërtetë që duhet t’i shkojë në mendje secilit shqiptar që ende e ndien veten shqiptar. Nuk është e rastësishme që në Serbi dhe Maqedoni lejohet gjithçka tek shqiptarët që ata i bën të duken më pak ose joshqiptar. Në këto dy shtete lejohet që shqiptarët të hapin shkolla fetare, që të vishen sikur të ishin arabë, që vajzat shqiptare të mbulohen e të duken sikur të ishin nga një kohë dhe kontinent tjetër, që klerikët të mbajnë ligjërata perverse që bien ndesh me çdo normë tradicionale, kulturore, demokratike e historike shqiptare. Shqiptarëve dhe klerikëve shqiptarë iu lejohet të flasin kundër perëndimit, iu lejohet ta shajnë traditën dhe historinë kombëtare shqiptare, iu lejohet ta mohojnë historinë dhe figurat kombëtare. Popullsisë i lejohet gjithçka që këta njerëz të duken të paatdhe dhe të pa identitet me qëllim që, kur të ketë nevojë Serbia dhe Maqedonia, t’i përdorin këto paraqitje dhe manifestime antikombëtare dhe antikulturore të këtyre fatprerëve për të dëshmuar para kombeve dhe politikave botërore se si shqiptarët qenkan një popull islamik, oriental dhe antiperëndimor. Për këtë gjë, pra, shqiptarëve nuk iu lejohet vetëm manifestimi i përkatësisë së tyre kombëtare qoftë edhe kur bëhet në mënyrën më të thjeshtë, me mbajtjen e flamurit kombëtar apo të një shenje identifikuese kombëtare. Atyre nuk ju lejohet përdorimi i teksteve shkollore shqipe, atyre iu mohohet mbajtja dhe ekspozimi i flamurit kombëtar, atyre nuk iu njihen diplomat e fituara në universitete shqiptare dhe atyre iu mohohet çdo e drejtë kombëtare e lejuar me të gjitha konventat evropiane dhe të OKB-së. Po i bënë këto, dënohen me burg dhe edhe iu hiqet nënshtetësia.
Në anën tjetër klerikët dhe antishqiptarët e kanë çdo të drejtë dhe kanë qasje në çdo medium për përhapjen e ideologjive të tyre antikombëtare dhe, pseudoislame, anakronike e primitive.
Kjo është Serbia, e tillë është Greqia dhe më e keqe do të ishte Maqedonia po të kishte më shumë fuqi.
Rasti i nënës nga Gostivari e cila u keqtrajtua për 20 orë të tëra nga policia serbe vetëm pse djali i saj në triko e kishte një shqiponjë, duhet ta bëjë të mendojë secilin shqiptar kudo që është dhe edhe shtete tona të cilat duhet të reagojnë ashpër. Ata duhet ta kuptojnë se kur nga Serbia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut të ndalohet ta mbash të vetmen shenjë unike që të identifikon si komb në botë dhe të lejohet të besh çfarë të duash tjetër por që nuk është pjesë e identitetit tënd evropian, këtu ka një hile në të cilën ata janë futur pa dashje apo nga mosdija e tyre tragjike duke i bërë një shërbim të mirë Serbisë për politikat e saj shfarosëse antishqiptare.
Shqiptarët duhet ta kuptojnë dhe rasti i familjes nga Gostivari e dëshmon këtë gjë katërçipërisht, se jemi të rrethuar me shtete armike të cilave iu pengon vetëm përkatësia jonë si komb, si identitet evropian dhe si ekzistencë. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se ngarendja pas klerikëve të shitur, paraqitja fizike dhe e veshjeve e ngjashme me veshjet e kombeve të lindjes është anakronike, antihistorike, antikombëtare dhe shkon, drejtpërdrejt, në favor të politikave antishqiptare të Serbisë dhe të shteteve armike ndaj shqiptarëve.
Rasti i familjes nga Gostivari duhet të jetë një shenjë se shqiptarët kanë armiq jo pse janë myslimanë apo të krishterë por pse janë, shqiptarë dhe pse e kanë një flamur me sfond të kuq e me shkabë të zezë dykrenore. Pra shqiptarët kanë armiq jo për arsye të lashtësisë së tyre, për arsye të veçantisë së tyre historike, për arsye të luftës së tyre për liri dhe për arsye se për të gjitha shtetet që i rrethojnë paraqesin pengësë për realizmin e politikave të tyre fashiste ekspansioniste.
Shqiptarët nuk i ndihmon as fakti se janë myslimanë dhe as fakti se mund të jenë të krishterë, ata i shpëton fakti se janë shqiptarë dhe në garë historike me të gjithë popujt tjerë evropian.
Derisa po e shkruaj këtë shkrim nuk sdi asgjë për gruan shqiptare dhe djalin e saj që u mbajtën 20 orë në policinë serbe duke u keqtrajtuar dhe dënuar në mënyrën më bizare.
4.
E kisha përfunduar këtë shkrim kur e pashë në TV dhe në fejsbuk se Rita Ora kishte kënduar me flamurin serb në një koncert në Hungari. Nuk po e përshkruaj ngjarjen dhe reagimin e njerëzve por po e theksoj se ende mendoj se dikush që ia kishte dhënë flamurin Rita Orës nuk e kishte bërë këtë gjë nga naiviteti apo rastësisht. Dikush e kishte përgatitur këtë ‘fans’ që ta bëjë një gjë të tillë me qëllim që ta diskreditojë artisten shqiptare me famë botërore. Nëse nuk ka qenë e përgatitur nga shërbimet sekrete serbe dhe nëse ky ka qenë akt individual i një serbi, kjo ngjarje tregon se jo vetëm shteti serb por edhe serbët kanë një urrejtje dhe një racizëm fashist kundër shqiptare dhe janë të gatshëm që, në secilën situatë dhe kudo, të bëjnë gjithçka për ta diskredituar imazhin kombëtar të shtetit dhe të kombit tonë por edhe për t’i damkosur dhe diskredituar personalisht figurat e rëndësishme të artit dhe të kulturës tonë që kanë bërë emër në botë.
Në garën e kombeve, Rita Ora nuk mund të diskreditohet lehtë. Ajo lufton në mënyrën e saj për kombin e saj dhe për artin e saj. Rasti i saj duhet të na kujtojë se kush është armiku jonë dhe cilat masa duhet t’i ndërmarrim për të dalë fitues ndaj tij. Dihet se fitues nuk mund të dalim, me shkollat aktuale, me palexueshmërinë aktuale, me padijen aktuale, me indiferencën aktuale të të gjithë neve ndaj proceseve në të cilat, po nuk ecëm shpejt, mbesim të fundit.
Rita Ora ecën tutje, sikurse duhet të ecim edhe ne. Ajo ka aq shumë autoritet sa gjithçka e pastroi me deklaratën e saj se është një shqiptare kosovare krenare.
Edhe ne jemi krenarë me të dhe me të gjitha vajzat tona kampione po duhet të mos harrojmë se Serbia nuk flenë! Ajo rri zgjuar dhe gatitet për aktin tjetër kundër shqiptarëve dhe Kosovës.
Të zgjuar duhet të mbesim edhe ne!