Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Janar 2023
“Documents diplomatiques français” kanë botuar, dokumentin Top Sekret (1932-1939. Seria e parë, 1932-1935. 3, 17 mars – 15 korrik 1933 / Ministria e Jashtme, 29 maj 1933, f.588-591) të takimit të zhvilluar asokohe midis ambasadorit francez Georges Degrand dhe Mbretit Zog në Tiranë dhe dërguar në vijim Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës Joseph Paul-Boncour, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
- Degrand, Ministër i Francës në Tiranë,
Për Z. Paul-Boncour, Ministër i Punëve të Jashtme.
Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères
- Nr. 90 deri 100. Top sekret.
Tiranë, 29 maj 1933.
(Marrë : 6 qershor, ora 11:30)
Gjatë audiencës që më dha mëngjesin e sotëm, Mbreti për herë të parë më priti pa praninë e ministrit të Oborrit, i konsideruar nga të gjithë kolegët e mi si informatori i legatës italiane.
Gjithashtu për herë të parë ai foli për çështjet politike dhe aksionin e Francës në Shqipëri.
Fillimisht ai u interesua për negociatat e konferencës së çarmatimit dhe Paktit Katërpalësh. Unë iu përgjigja se Franca, e preokupuar me ruajtjen e paqes, kishte bërë lëshime të mëdha, por nuk mund të hiqte dorë nga garancitë e sigurisë.
Mbreti më tha se pozicioni ynë ishte i pakundërshtueshëm dhe se shtetet që na refuzuan ndihmën e tyre nuk mund të dyshonin për këtë.
Ai gjithashtu më tha se ishte për të ardhur keq që Franca dhe Gjermania nuk u morën vesh, sepse, shtoi ai, Gjermania nuk ka çfarë të kërkojë në perëndim, ku çështja Alsace-Lorraine është zgjidhur përfundimisht, dhe duhet të kufizohet në avancimin ekonomik dhe intelektual në lindje.
Ai e sheh akoma më pak të kuptueshme mosmarrëveshjen italo-franceze, por shpreson se … (2) e marrëdhënieve të treguara nga Z. de Jouvenel me të ngarkuarin me punë të Shqipërisë në Romë, do të rriten.
Ai më është dukur se fajësonte italianët edhe më shumë se gjermanët, pa dyshim, sepse mendonte për mosmarrëveshjet e tij me Romën.
Pas një digresioni për çështjen e S.V.E.A.-së, Mbreti trajtoi me qartësi çështjen e marrëdhënieve franko-shqiptare dhe aksionin e Francës në Shqipëri :
“Franca, më tha ai, e ka gabim të shpërfillë problemin shqiptar. Shqipëria është një vend i vogël, por që mund të thirret për të luajtur një rol të rëndësishëm në lojën e shahut ballkanike.
Franca është e dashur dhe e respektuar mes nesh: shkoni në fshatin më të vogël dhe pyesni fshatarët tanë; të gjithë kanë ruajtur kujtimin e ushtarëve tuaj, të gjithë e dinë se Franca është një komb i madh, trim dhe bujar.
Ju e dini gjithçka që kam bërë vetë për të zhvilluar kulturën franceze, e cila sot ka përparësi ndaj të tjerave në Shqipëri. Do të vazhdoj duke fortifikuar gjimnazin e Korçës. Sapo dhashë urdhrin për të përkthyer për shkollat tona librin e admirueshëm të Presidentit Doumer, ‘Le livre de mes fils’.
Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères
Por, që prej dhjetë vitesh, përfaqësuesit e Francës, padyshim me udhëzime nga qeveria e tyre, kanë mbajtur distancë ndaj punëve të mia.
Franca praktikon një politikë fshirjeje (pothuajse mungon) në Ballkan. Është një gabim, çështja ballkanike është e rëndësishme.”
Pas kësaj parathënieje, të zhvilluar në një notë keqardhjeje pa ashpërsi, mbreti vazhdoi :
“Franca është një komb i fuqishëm, sot më i pasuri në botë, është bujare me të vegjlit. Ajo u erdhi në ndihmë jo vetëm miqve të saj, por edhe Austrisë, Hungarisë, Turqisë, armiqve të saj të dikurshëm. Ne kemi nevojë për mbështetje financiare. A do të jemi të vetmit që nuk dëgjohen? Shqipëria është një vend i pavarur si gjithë të tjerët dhe unë do të siguroj që të mbetet i tillë. A nuk do të bëni asgjë për ne?”
Unë iu përgjigja mbretit se ndihma e dhënë Austrisë dhe [Hungarisë] ishte dhënë pas ndërhyrjes së Lidhjes së Kombeve dhe me ndihmën e qeverive të tjera, dhe i kërkova t’i adresohej Gjenevës dhe të kërkonte që të dërgohej një hetues këtu, siç kishte bërë Shqipëria në vitin 1922.
“Ne nuk kemi vetëm miq në Gjenevë, u përgjigj mbreti, dhe atëherë është një proces shumë i gjatë, situata jonë kërkon zgjidhje të shpejta. Kisha menduar për një ndihmë amerikane, por amerikanët kanë aq vështirësi saqë hoqa dorë.”
Ndërsa, në vazhdim, ai aludoi për Antantën e Vogël, unë e devijova bisedën te marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, të cilat janë përmirësuar prej disa kohësh :
“Nuk kam asgjë për t’u ankuar ndaj Beogradit, – më tha ai, – sepse ata respektojnë agjitatorët shqiptarë që kanë emigruar atje. Por Jugosllavia, nga ana e saj, nuk ka asgjë për të më qortuar. Unë kurrë nuk i kam hapur asaj ndonjë telash. Njerëzit bëjnë një gabim në Beograd kur kërkojnë një afrim me Sofjen. Asnjë marrëveshje nuk do të jetë e mundur nga kjo anë derisa të ekzistojë Komiteti Maqedonas. Asgjë e ngjashme mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe do të doja një afrim dhe marrëdhënie miqësore me jugosllavët.”
Mbreti iu kthye temës që e preokuponte, por unë munda ta devijoj intervistën edhe një herë rreth çështjeve ekonomike dhe shfrytëzova rrethanat për t’u ankuar për inercinë e administratave dhe tregtarëve shqiptarë, si dhe pasaktësitë në statistikat doganore të qeverisë së tij.
Ai më kërkoi t’i çoja ankesat e mia drejtpërdrejt tek ai, sepse, shtoi ai, “unë nuk jam mbret me të drejtë hyjnore, jam shërbëtori i parë i popullit tim”.
Në fund të takimit, ai më përsëriti se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një shtet plotësisht i pavarur dhe më lejoj të largohem duke më thënë se do të më kontaktonte (ftonte) së shpejti.
Është një formulë të cilën ai e përdor me dëshirë dhe e cila deri më tani nuk është ndjekur me shumë efekt.
Deklaratat e mbretit Ahmet Zogu nuk kanë asgjë që duhet të na habisë.
Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères
Siç e theksova në letrën time nr. 29, ai më kishte sugjeruar tashmë nga një nga të besuarit e tij. Që atëherë, një thashethem, burimin e të cilit nuk kam mundur ta zbuloj, ka bërë të ditur se, Italia duke mos përmbushur angazhimet e saja, qeveria franceze ka vendosur t’i vijë në ndihmë Shqipërisë.
Nga ana tjetër, ndryshe nga sa u kishte pohuar disa kolegëve të tij, ministri italian nuk firmosi çekun prej tre milionë e gjysmë franga ari për të paguar kompanitë e punëve publike; ai duket se dëshiron të përfshihet në një politikë presioni financiar dhe para nisjes së tij për në Romë la të kuptohet se do të këshillonte qeverinë e tij të mbyllte të gjitha çezmat. Se si iu përgjigj Duçe sugjerimeve të tij do ta dimë së shpejti, pasi zoti Koch do të kthehet nesër në Tiranë.
Së fundi, S.V.E.A. thuhet se ka informuar qeverinë shqiptare se është dakord të shtyjë bisedimet për huanë e vitit 1926 për më 30 qershor, por duke kuptuar se propozimet e saj të mëparshme do të shërbenin si bazë për negociatat e reja, domethënë në kushtet ku vetë parimet e të cilave ishin hedhur poshtë prej saj.
Mbreti Ahmet Zogu gjendet në një udhëkryq. Qëndrimi i tij prej disa muajsh sugjeron se ai është gati të rezistojë dhe një nga miqtë e tij më tha sot se, megjithëse e dinte se i kërcënohej pasuria dhe madje edhe jeta e tij, ai vendosi të shkëputej nga Italia dhe të rifitonte lirinë e plotë edhe pse qeveria italiane do të rifillonte pagesat e saj; Ai pushoi oficerët italianë të shtëpisë së tij ushtarake dhe të shkollës profesionale. Pjesën tjetër do ta pushojë gradualisht.
Në politikën e tij të re, Mbreti Ahmet Zogu mbështetet nga i gjithë opinioni publik me përjashtim të katolikëve të Shkodrës, të cilët i ka pakënaqur me ligjin e tij shkollor, por, nga ana tjetër, arkat janë bosh dhe buxheti do të paraqitet vetëm pasnesër në Dhomë : ai përfshin reduktime serioze dhe, nëse është e nevojshme, një draft i dytë do t’i paraqitet Parlamentit, i cili do të sjellë një reduktim masiv të shpenzimeve ushtarake. Tani e tutje, duke filluar nga mbreti, të gjitha pagat do të ulen me një të dymbëdhjetën. Nuk është e thënë që këto masa do të mjaftojnë për të arritur një ekuilibër absolut.
Ministri i Mbretërisë të S.H.S, më tha se, nëse mbreti Ahmet Zogu jepte garanci, veçanërisht duke zvogëluar fuqinë e ushtrisë, Antanta e Vogël ndoshta nuk do të refuzonte t’i vinte në ndihmë për ca kohë për t’i dhënë atij mjetet për funksionuar. Ministri rumun, duke avancuar përpara si gjithmonë, thuhet se i ka kërkuar zotit Titulesco të studiojë kushtet e ndihmës financiare, megjithëse ky i fundit, më tha, se nuk ishte shumë në favor për një ndërhyrje të menjëhershme në çështjet shqiptare. Nuk do të habitesha nëse ministri rumun, i cili u prit nga Mbreti javën e kaluar, të mos e kishte nxitur apo të paktën ta inkurajojë që të na drejtohej.
Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères
Nuk do të mungoj ta mbaj të informuar Shkëlqesinë Tuaj për zhvillimin e kësaj situate dhe veçanërisht për qëndrimin e qeverisë italiane, e cila, për mendimin tim, mbetet faktori përcaktues për një ndërhyrje zyrtare të Antantës së Vogël në Shqipëri. Nëse mund të pranohet se Jugosllavia nuk qëndron joaktive dhe nuk refuzon ndihmën e kufizuar dhe të fshehtë për Mbretin Ahmet Zogu për ta penguar atë të bie sërish nën zgjedhën italiane, unë besoj se Antanta e Vogël, dhe aq më tepër Franca, mund t’i vinin në ndihmë vetëm nëse ai do të arrinte të çlirohej përfundimisht dhe nëse kabineti i Romës do ta pranonte publikisht këtë fakt të kryer.
* Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/documents-diplomatiques-francais-1933-takimi-i-ambasadorit-francez-me-mbretin-zog-ne-tirane-dokumenti-top-sekret-derguar-ministrit-te-puneve-te-jashtme-te-frances/.