Eshref Ymeri
Në faqen e internetit të gazetës “ExLibris” të datës 12 mars 2025, lexova analizën me titull “A mund të ndreqet ky “mëkat” i Asdrenit?”. Autor i asaj analize është Profesori Emil Lafe, pedagogu im i talentuar në vitet studentore (1962-1966), dijetar i shquar i gjuhës shqipe,
Më emocionoi veçanërisht përmbajtja e rreshtave në vijim:
“Pse duhet ta kemi dhe ta ekzaltojmë në himnin tonë (që është më parë një himn kombëtar i gjithë shqiptarëve e pastaj edhe i shtetit) fjalën tradhëtor? Kjo pyetje më ther së brendshmi sa herë e dëgjoj dhe më shkon mendja ta quaj Një mëkat i Asdrenit”.
Ja strofa e Himnit të Asdrenit:
Prej lufte veç ai largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor.
Ja ndreqja e Profesor Emilit:
Prej lufte kurrë nuk largohet
Kush është lindur arbëror!
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Ose:
Prej lufte kurrë nuk largohet
Ai që lindet arbëror!
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Ndreqja që ka bërë Profesor Emili është e shkëlqyer. Është i pari intelektual i shquar që e ka vënë re dhe e ka ndrequr atë “mëkat” të Asdrenit.
Kam përshtypjen se fjalën “tradhëtor” Asdreni e ka pasë përdorur nën ndikimin e disa ngjarjeve dëshpëruese në historinë tonë kombëtare, për arsye se shfaqje të tradhtisë hasen që së lashti në kodin moral të pellazgo-iliro-shqiptarit.
Në Legjendën e Rozafës vëllai i vogël tradhtohet nga dy vëllezërit e tij.
Mbretëresha Teuta e Ilirisë, që luftonte kundër legjioneve romake, tradhtohet nga princa të tjerë ilirë që bashkëpunonin me romakët.
Skënderbeun e tradhtoi i nipi, Hamza Kastrioti.
Ilirët, të parët në Gadishullin e Ilirisë, përqafuan katolicizmin në vitin 313, pas Ediktit të Milanos të Perandorit Konstantin (272-337), por pas dyndjes së errësirës otomane dhe largimit të Skënderbeut për në botën e amshuar, shqiptarët, në masën 90%, e tradhtuan katolicizmin dhe përqafuan fenë e pushtuesve, çka nuk ia lejuan vetes as grekët, as bullgarët, të cilët again e Stambollit e kishin në prag të derës.
Pikërisht tradhtia ka qenë ajo, e cila ka pasë shërbyer si farë përçarjeje në radhët e etnisë shqiptare. Ajo tradhti-përçarje e mallkuar solli si pasojë që, megjithëse kemi qenë etnia më e madhe e Gadishullit të Ilirisë, për pazotësinë tonë, ujqit evropianë, si askund në mbarë botën, na i bënë kashtë e koqe trojet tona etnike, duke na i hallakatur në gjashtë shtete.
Do të ishte mrekulli sikur ndreqjen që propozon Profesori Emil Lafe, ta marrin në konsideratë autoritetet përkatëse të vendit tonë dhe ta pasqyrojnë menjëherë në tekstin e Himnit të Flamurit.
Profesori i nderuar Emil Lafe, për këtë nismë që ka ndëmarrë, meriton plotësisht mirënjohjen më të thellë nga ana e elitës intelektuale shqiptare, si edhe vëmendjen e Presidentit, të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit.
I propozoj Profesor Emilit që të takojë ndokënd nga deputetët e Kuvendit për t’i rekomanduar shtrimin dhe diskutimin e këtij problemi në njërën nga seancat e tij.
Kaliforni, 12 prill 2025
I nderuari prof. Eshkref Ymeri!
Portali DRINI-us – udhëheqës i të cilit është i respektuari Bajram-Gjergj Kabashi, gjithëjrë publikon shkrime të mirëfillëta. Edhe shkrimi juaj i mirëfillët, i publikuar po këtu, më zgjojë kërsherinë të lexojë dhe të jap koment.
Më pëlqeu shumë që Ju, shkrimin e prof. Emil Lafe (ish koleg i juaj i viteve 1962-1966) të lexuar në gazetën “ExLibris”e publikoni në portalin DRINI.us, prej të cilit mësova që prof. Lafe ka ndreq “mëkatin” (gabimin) e Asdrenit (sa i përket Himnit) dhe në vend të fjalës “tradhëtor” e ka ndreq në “arbëror”.
Ju lumt mendja dhe ju lumt dora! I lumt edhe prof. Lafe!
*
IMH
P.S:
Prof. Eshref, kërkoj falje për gabimin teknik, që kam shkruar gabim emrin e juaj “Eshkref” në vend që të shkruaj Eshref! Më falni, ju lutëm!