Nga: Rrahim Sadiku, shkrimtar nga Ferizaj
VITET KUR KOSOVA QEVERISEJ MASHTRUESHËM
Ishte apo nuk ishte në pushtet, PDK-ja për afër dy dekada, ishte faktori kryesor në qeverisjen e Kosovës së pasluftës. Prandaj ajo edhe është përgjegjëse për të gjitha ecuritë që pati vendi ynë gjatë kësaj periudhe.
Partia Demokratike e Kosovës lindi doli si kreaturë e atyre që kishin qëllime përfitimi nga mbarimi i luftës në Kosovë, me synim të vetëm që të shndërroheshin, pa i zgjedhur mjetet, në feudalë të saj. Ajo u zhvillua me të shpejtë dhe gati për dy dekada qeverisi (ose pati rol vendimtar në qeverisje), gjithnjë duke krijuar rrethana të jashtëzakonshme, duke mbetur gjithmonë si aparaturë mbrojtëse e atyre që ishin mbi ligjin dhe ngado t’i shikosh, të paprekshëm. E morën pushtetin, në emër të saj, ata që filluan të kishin bindje se shteti ishte bërë për ta e se edhe shteti e edhe liria u përkisnin vetëm atyre. Që nga ditët e para ajo nisi të mos i fshihte qëllimet e saj. Sepse në krye të saj e në pjesën militante të saj erdhën shumë nga të quajturit e të vetëquajturit komandantë, që edhe më parë kishin filluar serinë e pandalshme të uzurpimeve, plaçkitjeve, krimit të organizuar, shantazheve dhe reketimeve. Këta që vidhnin e rrahnin gjoksin se ishin çlirimtarë dhe u udhëheqës shpirtëror të popullit, u pasuruan marramendthi. Dhe atyre, sa më shumë grumbullonin pasuri, aq më shumë u shtoheshin apetitet dhe u rritej etja pasuri të fituar pa mund dhe për dominim përmes pushtetit. Pa u bërë viti ata që, deri në mbarim të luftës nuk kishin pasuri fare ose kishin vetëm ndonjë pasuri të vogël, tashmë ishin milionerë dhe kishin si prone të tyre shumë banesa, para të shumta për të investuar në biznese jashtëligjore, kishin në emër të tyre qindra hektarë toke shoqërore, plot lokaleve afariste, fabrika e pasuri të tjera.
Me ardhjen në pushtet, udhëheqësit e kësaj partie realizuan mundësinë të kapnin shtetin në të gjitha segmentet e tij dhe të mos lejonin që të bëhej as edhe lëvizja më e vogël, pa lejën e tyre dhe pa pasur interes ata. Kosova, që ato vite ishte vendi me ndihma më të mëdha nga e gjithë bota (për kokë banori), duke iu falënderuar PDK-së në pushtet, përfitoi shumë pak nga kjo. Kjo ndodhi sepse pjesa dërrmuese e atyre që erdhën në pushtet, ishin analfabetë ose gjysmëanalfabetë, pa ide shtetformimi, pa njohje të rrethanave; pa dituri për përgjegjësitë që kishin marrë dhe me bindje të plotë se punët e tyre do t’i kryenin ata që kishin ndihmuar çlirimin e Kosovës. Ata ishin plotësisht të nënshtruar, në raport me pushtetin e UNMIK-ut, që drejtonte veprimet për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe shumë agresivë ndaj banorëve të Kosovës, që të kishin mundësi të vidhnin e të keqpërdorinin pa pengesa.
Këta qeveritarë u pajtuan, pa kushte, me demobilizimin e ushtarëve të UÇK-së; ata e morën si të zakonshëm vendosjen e kufirit të ri brenda Kosovës, në veri të saj e me jashtështetësi të pranuar në heshtje për të gjitha vendbanimet serbe; ata nuk u lodhën fare kur Kosova, me popullsi mbi 90 për qind shqiptare, u shpall shtet multietnik; ata nuk kishin asnjë interesim për zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos jo jashtë asaj që u sillte përfitime atyre; ata nuk donin t’ia dinin se si zhvillohet puna dhe jeta institucionale në shtetin real; atyre nuk u shkonte në mend t’i jepnin vendin e duhur arsimit, si bazë e zhvillimit e shtetit, sot dhe në ardhmëri; ata nuk investonin në fusha shkencore, në institute e në fakultete, sepse kudo vendosnin njerëz të tyre, për të keqpërdour investimet; ata degraduan nga viti në vit të gjitha vlerat e trashëguara; ata keqdrejtuan zhvillimin dhe prishën normalitetin; ata krijuan të gjitha strukturat e pushtetit si nuk duhet, duke u besuar detura me peshë injorantëve, analfabetëve dhe personale destruktivë e me të kaluar të dyshimtë, sepse përmes tyre e kishin shumë të lehtë qeverisjen anarkike dhe shtimin e pasurisë personale e të klaneve që krijuan ndërkohë.
Paranë publike e shfrytëzuan për të krijuar sistem të drejtësisë të paefektshëm e efikas vetëm kur ishte në shërbim të drejtpërdrejtë të tyre; ata orientuan investimet në ato fusha ku kishin përfitime personale; ata shkatërruan qytete e fshatra, male e fusha, duke bërë ndërtime që sillnin përfitime për ta, po që degradonin ambientin dhe pasuritë e Kosovës. Duke iu “falënderuar” kësaj qeverisje të PDK-së, Kosova sot është vend mërgimtarësh, pasi më shumë se gjysma e popullsisë tashmë e kanë lëshuar Kosovën; ata ndikuan për ndërtime shtëpish megalomane, shumica prej të cilave tashti janë gjysmë të banuara ose të pabanuara, shkollash që, edhe pse të reja, nuk I plotësojnë kushtet për zhvillimin e mësimit bashkëkohosr dhe që nuk kanë mundësi të arrijnë qëllimin e tyre gjatë edukimit të brezit të ri; e bënë këtë vend, sa për sy e faqe, me shumë institucione që nuk kanë asnjë projekt të mirëfilltë pune; të gjithë Kosovën e shndërruan në vend investimesh stihike e anarkike; ata degraduan zhvillimin kulturor dhe u dhanë hapësirë çoroditjeve ekonomike dhe tashmë jemi bërë vend ku ambientin e mbizotërojnë asfalti, betoni dhe papastërtia.
Dhe nuk janë vetëm këto “meritat” e asaj qeverisjeje!
Sepse, megjithqë Kosova u bë shtet i njohur zyrtarisht nga shtetet më të mëdha të botës dhe shpalli pavarësinë e saj, me kufinj të njohur ndërkombëtarisht dhe atë shpallje e vërtetoi si të ligjshme dhe e pranoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, ata pranuan ta cënonin atë pavarësi dhe lëshuan pe lidhur me të, gjatë bisedimeve me Serbinë. Ata nuk donin ta kuptonin se po hapnin një derë shumv të rreikshme dhe nuk kishin mundësi ta kuptonin se Pavarësia e Kosovës arritje kulminante dhe mposhtje e mirëfilltë e kohës së robërisë dhe se përmes saj u ishte dhe grushti vendimtar pretendimeve serbe ndaj lirisë së Kosovës. Krerët e shtetit Kosovar, me apo pa vetëdije, pranuan të fillonin pranim e hapjes së temës së pararësisë, të kufirit, të shtetndërtimit në bisedimet e filluara me Serbinë. Dhe Serbia gjatë disa viteve bëri lojë poshtruese me qeveritarët e Kosovës, duke ua hedhur përpara “problemin e Shtëpisë së Verdhë”, duke i trembur me krimet e supozuara, të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së dhe në mes fjalësh, i shtyri të ndërkombëtarizonin këtë çështje dhe të votonin formimin e Gjykatës Speciale të Hagës, kundër luftës dhe kundër realitet që ato vite mbretëroi në Kosovë. E arriti këtë Serbia, duke pare injorancën dhe moslodhjen për shtetformim nga ana e njerëzve që Kosova kishte në pushtet. Ajo e solli punën sa i shtyri qeveritarët e Kosovës të hapej të pranonin serbët si shtetformuesë të Kosovës dhe madje edhe të nënshkruanin formimin e një minshteti serb në Kosovë, që po të realizohej, do të ishte një bombë e kurdisur, në vazhdimësi, kundër Kosovës e në shërbim të drejtpërdrejtë të ideve serbomëdha. Këta qeveritarë nuk u lodhën për ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë në Kosovë dhe u mjaftonte hapësira që kishin krijuar për të qenë të pushtetshëm në raport me bashkëkombasit e tyre e me mundësi të mëdha të pasuroheshin pa mund e pa frikë.
Por, Kosova e këtyre më shumë se dy dekadave, ka pasur edhe arritje. Por, arritjet e saj janë pothuaj gjithmonë rezultat i mbikëqurjes dhe ndihmës së gjithanshme ndërkombëtare e jo rezultat i qeveritarëve të saj. Sepse, kudo ka ndodhur qeverisaj reale e qeveritarëve tanë, punët kanë shkuar së prapthi, pra keq e më keq.
Memli Krasniqi, që tashti e ka marrë rolin udhëheqës në këtë parti, në PDK, tha para disa ditësh se qeveritarët e sotëm të shtetit duhet të marrin mësim nga qeverisjet e kaluara. Edhe ne e themi këtë. Por, ato qeverisje duhet të merren si mësim sesi nuk duhet qeverisur, sesi nuk duhet luajtur me shtetin, sesi nuk duhet duhet vjedhur e trajgtuar shteti, sesi nuk duhet nxjerr para interest shtetëror interesi vetanak; sesi nuk duhet nënshtruar shteti e vetja, në raport me të tjerët dhe sesi nuk ecet zvarritshëm e mashtrueshëm në udhëheqje të shtetit të lirë e në lirinë e fituar me gjak.
RRRaheem,
Kalxona diqka pr pushtetin e sotem ……..se ata e kane kryer ….
Qysh po punojne SOT pushtetaret…..????????