ARKIVI:
7 Prill 2025

Dy megamanipulimet librat e shenjt kundër etnosit shqiptar

Shkrime relevante

Nasim Haradinaj, po pres ta realizosh kërcënimin !

Nga: Ibrahim Kelmendi , Gjermani Më 17 mars 2025, Nasim Haradinaj, duke...

Historia e trishtuar e Ulqinit dhe Tivarit, si iu dhanë Crna Gores, Malit të Zi të sotshëm?!

Flori Bruqi, Prishtinë Ulqini  është qytet bregdetar në jugun e Malit të...

“Korrigjimi i kufijve”, tradhëtia që e shembi murin e Kosovës !

Halil Geci, Skenderaj ___ Muri i qëndrueshmërisë së Kosovës u shemb në momentin...

Roli katastrofal për vendin i Hashim Thaçit në dialogun Kosovë – Serbi, prej vitit 2011 deri më 2020

Halil Geci, Skenderaj ROLI I HASHIM THAÇIT NË DIALOGUN KOSOVË–SERBI (2011–2020) Analizë sipërfaqësore...

Serbia dërgon oficer në Kosovë, “opozita” e bllokon formimin e qeverisë…!

Halil Geci, Skenderaj Analizë politike dhe thirrje për vetëdijesim: Prekni kokën, o...

Shpërndaj

Nga: Fahri Dahri, Tiranë

Hyrje

Për të vërtetuar qendrimin agresor të kahershëm edhe të para L2B, të shtetit grek kundër banorëve të Çamërisë, të cilët i ka akuzuar si “bashkëpunëtor me okupatorin”, po citojmë pjesë nga libri “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800 -1947”, të historianit Hajredin Isufi (fq. 123, 124), ku del qartë se shteti Grek mbështeste platformën “MegalloIdea” për shtrirje të helenizmit në toka shqiptare.

Lexoni me vëmëndje:

 “… Joanis Griparis, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, në mars të vitit 1911, nxiti qarqet diplomatike greke të tregoheshin dorështrënguar për furnizimin me armë të shqiptarëve të Shqipërisë së Poshtme, sepse Athina i trembej shtrirjes së një kryengritje shqiptare në ato krahina, të cilat i konsideronte si truall helen.  Kështu Qeveria greke shkelte marrëveshjen që kishte bërë me Ismail Qemalin, sipas të cilës Athina do t’i furnizonte shqiptarët me armë e municion. Me këto masa Qeveria greke kërkonte të kufizonte kryengritjen shqiptare në Veri dhe të pengonte shtrirjen e saj në Shqipërinë e Poshtme. Pra, Greqia shpresonte se do të kishte dorë të lirë për të realizuar ëndrrën e saj të vjetër për të pushtuar trojet shqiptare. Athina, për të penguar Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Shqipërinë e Poshtme, në qershor të vitit 1911 nisi për në teritoret shqiptare në Epir një numër bandash të  armatosura. Bandat e andartëve grekë u shpërndanë jo vetëm në krahinën e Çamërisë, por arritën deri në Korçë e Gjirokastër dhe zhvillonin propagandë antishqiptare dhe përpiqeshin të rekrutonin të krishterë të lëkundur shqiptarë, duke i frikësuar ata me parrullat e “rrezikut mysliman”. Qeveria greke, ndërkohë që bandat e saj vrisnin e digjnin nëpër fshatrat shqiptare, me anën e ministrit të Punëve të Jashtme, me 30 qershor 1911, deklaronte: “Është absolutisht e nevojshme t’u bëhet e qartë shqiptarëve se Qeveria greke nuk ka mbajtur kurrë qëndrim kërcënues dhe armiqësor ndaj tyre. Por Athina e kërkonte “miqësinë” dhe “bashkëpunimin me shqiptarët kur këta të pranojnë pretendimet e Qeverisë greke se Epiri, Shqipëria e Poshtme, ishte tërësisht greke dhe të pranohej pa asnjë hezitim se të krishterët e Epirit ishin grekë dhe jo shqiptarë”.

Teksti i mësipërmë e përgënjeshtron akuzën bajate greke se çamët u masakruan dhe u dëbuan mbasi bashkëpunuan me okupatorin. Me L2B Athina, shpifi dhe mashtroi, ashtu siç din mirë ajo,  dhe përfitoi nga mbështetja ”qorrazi” si nga Boshti dhe nga Aleatët! Mbështetje e pa kuptimtë llogjikisht dhe juridikisht e cila vepron fort edhe sot!.

                         I

Asnjë nga Profetët nuk ka predikuar shkatërrime dhe vrasje popujsh, as zgjerime territoresh me sopata e hanxharë!. Institucionet fetare janë krijuar vetëm për predikime shpirtërore. Ato i bëjnë apel popujve për paqe, drejtësi dhe qetësi, ku të jetojnë në harmoni dhe lumturi, përhapje besimesh fetare me predikime dhe aspak me masakra, gjenocide, apo çvendosje demografike me dhunë.

Nga realitetet që njohim ka mjaft institucione që besimet fetare i përdorin në të kundërtën e predikimeve profetike, duke ndjellë e ndërsyer veprime dhe ngjarje tragjike për popuj të racave, etnive me besime të kundërta.                                                                                  (Fq 291 Amaneti Çam-FD).

Në formimin tim intelektual këtë mision kam kuptuar nga librat e shenjtë si Bibla e Kur’ani.

Le të analizojmë mbështetjen e shtetit grek dhe atij serb, të cilët nga viti 1844 e në vazhdim, bazuar tek librat e tyre “MeglloIdea” dhe “Naçertania”,  i kanë përdorur dhe i përdorin për besimtarët nëpërmjet manipulimit, sikur Biblën dhe Kur’anin.                                                                        .                            ____

Është kjo arësyeja që më shtyn të sqaroj, sipas këndvështrimit tim, dy megamanipulimet mashtruese, të cilat gjoja nën petkun fetar, kanë ndërtuar platforma politike ku shprehet qartazi mos përputhja me predikimet e Librave të shenjta. Për këtë jam bazuar tek dy megapolitika të ndërtuara në të njëjtën kohë nga të dy shtetet, grekë e serbë, ku spikatin strategji të njëjta kundër kombit shqiptar.

Këtyre dy megamashtrime  që në thelb, dashje pa dashje, shtetet fqinje u kanë dhënë statusin e “Biblës” e “Kur’anit” janë: “Megáli Idéa” e Greqisë dhe “Naçertanja” e Serbisë. Se ç’farë platforme politike përfaqësojnë këto të dyja, do ti shkëpusim nga përkufizimet e përmbajtjes së tyre.

                                 II

Ideja Megali (Megáli Idéa), është një koncept nacionalist dhe irredentist që shpreh qëllimin e ringjalljes së Perandorisë Bizantine,  duke krijuar një shtet grek, i cili do të përfshinte edhe popullsinë e madhe greke që ishte ende nën sundimin osman pas përfundimit të Luftës së Pavarësisë Greke (1821–1829) dhe të gjitha rajonet që kishin popullsi të madhe greke (pjesë të Ballkanit jugor, Anadollit dhe Qipros). [Kur thuhet popullsi greke, kuptohet çdo njeri që është ortodoks është grek].

Megali Idea, në këndvështrimin fetar, kapërceu predikimet hyjnore të shprehura qartë më librin e shenjtë “BIBLËN”. Ajo  parimet hyjnore, i tjetërsoi në platformë politike shtetërore. Megali Idea u ngrit në Asamblenë Kombëtare të Greqisë (1844), kur kryeministri  Ioannis Kolettis (1773-1847, shpalli atë themel të ekzistencës politike të Greqisë. Ideja Megali nënkupton krijimin e një shteti grek, që do të kishte një territor ku të përfshinte kryesisht tokat e dikurshme bizantine, me fillim nga Deti Jon në perëndim deri në Anadoll; Detin e Zi në lindje dhe nga Thraka, Maqedonia dhe Epiri në veri deri në Kretë e Qipro në jug. Ky shtet do të kishte kryeqytet Kostandinopojën. Do të ishte “Greqia e dy kontinenteve dhe pesë deteve” (Evropa dhe Azia, deti Jon, Egje, Marmara, Deti i Zi e Libian). Nëse do realizohej, kjo do të zgjeronte Greqinë moderne në afërsisht të njëjtën madhësi e shtrirje të Perandorisë së mëvonshme Bizantine, pas restaurimit të saj në 1261 pas Krishtit. Gjatë shek. XIX dhe në fillim të shek. XX nga Megali Idea u frymëzuan qarqet drejtuese të Athinës në marrëdhëniet ndërkombëtare duke mbajtur qëndrim agresiv ndaj popujve fqinjë të Ballkanit. Në fillim të shekullin XX u orvat të realizohej Megali Idea në Shqipëri nëpërmjet të ashtuquajturit Vorio-Epir, përkatësisht aneksimit të krahinave të Korçës e Gjirokastrës.                                                                .                                    III

Në anallogji me grekërit ndodhi edhe me “Naçertanian”  librin e Ilija Garashaninit, i cili u  krijua në bazë të Doktrinës së shenjtë serbe. Edhe Libri  i tij është botuar më 1844. Në këtë vepër përshkruhen pretendimet serbe për të krijuar Serbinë e Madhe, duke rrëmbyer toka jashtë Serbisë së sotme. Plani i përshkruar në vepër rrezikonte seriozisht pavarësinë shqiptare, mbasi serbët pretendonin tokat shqiptare deri në veri të lumit Shkumbin e, nga ana tjetër, grekët, përmes Idesë së Madhe, pretendonin tokat shqiptare deri në jug të Shkumbinit. Libri “Naçertanja” konkretisht bazohej në programin e shfarosjes dhe dëbimit të shqiptarëve me dhunë në përputhje me reagimet e opinionit të jashtëm ndërkombëtar. Kjo vepër e luftës speciale ka shërbyer si plan i Pashiqit, Krajl Nikollës  Çubrilloviqit, Andriqit, Rankoviqit, Mugoshës, Tempos, Joviqit, Trajkoviqit, Millosheviçit. Plani i Naçertanjes gjithashtu synonte shfarosjen e shqiptarëve si dhe pushtimin e shumë territoreve të Ballkanit si Bosnjë- Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë Veriore (që përfshinte  Kosovën), pjesë të Austro-Hungarisë dhe Bullgarisë. Garashanini shkruante se kjo e drejtë. “E shenjtë e historisë” i takonte serbëve dhe bazohej në perandorinë e Dushanit të shekullit XIV-të.

Rrjedhojë e dy megamanipulimeve, që kanë funksionuar suksesshëm për 181 vite radhazi, me arritjen e shpërbërjes së kombit tonë. Mbi këtë komb funksionoi ndarja në 5 shtete dhe në disa emërtime si: shqiptar, arbëresh, arvanitas, çamë, arnautë dhe kohët e fundit ka përpjekje për një nëndarje tjetër në gegë e toskë, me ndikim negativ, armiqësor sikur nuk kanë një etni.. Këto “megamanipulime” ndaj shqiptarisë, u përgaditën duke përdorur si kriter bazë përcaktues të kombit besimin fetar, që tek kombi ynë vazhdojnë të godasin pa pre. Ndjej keqardhnje kur  njerëz të gjakut, gjuhës, gjeografisë dhe kombit tonë, që nuk përgjigjen fillimisht që janë shqiptarë, por përparësojnë besimet fetare si: jam mysliman, jam ortodoks, katolik, etj,  Të tilla dëshmira e përcaktime tentojnë shkëputjen nga qenia etnike (gjak, gjuhë, gjeografi, tradita) dhe kalimin në komb me bazë besimet fetare. Ndarja e kombeve me bazë pikërisht të dy platformave të besimit ortodoks “megaloIdesë” e “Naçertanias”, kanë ndikuar rëndshëm në  shpërbërjen e etnosit shqiptar, nëpërmjet përdorimit të  mënyrave dhe metodave nga më ç’njerëzoret. Përpara këtyre fakteve, të vërtetave, mendoj se koha na kërkon urgjentisht unifikimin kombëtar mbi bazën e përcaktimit “gjak, gjuhë, territor, antropologji dhe tradita”.!.

Nuk pengohet të “qenurit etnos shqiptar” pavarësisht vendqendrimet  kudo në Planetin Tokë dhe as me “Megamanipulimet” për zaptim të  tokave të të tjerëve, përveç truallit Atdhe/ Mëmëdhe të lëna nga të parët tanë të mijëvjeçarëve.

Këtë handikap në përcaktimin etnik, të kombit mes shqiptarizmës dhe jo shqiptarizmës dëshirova ta ndaj edhe me lexuesit e portalit tuaj të nderuar

 Handikap që rëndon shumë negativisht në etninë e shqiptare.

                        ●●●

Shtesë. Thuhen në media dhe në shtyp edhe në ditët tona, se gjatë masakrave dhe gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, qënkesh hedhur idea e karshillëkut që Shqipëria i paska bërë Greqisë për dëbimin e minoritet grek në jug të Shqipërisë, nëse dëboheshin çamët nga Çamëria.

●Në gjykimin dhe llogjikën time, ndërrimi i minoritetit grek në Shqipëri me pakicat shqiptare në Çamëri, nuk fuhej të ishte një ide për tu realizuar. “Këmbimi” do ishte trpër i gabuar mbasi ishin kushte krejtësisht të ndryshme. Minoriteti grek në Shqipëri ishte i ardhur, bujtës në territorin e jugut të Gjirokastrës dhe të Sarandës, pra ishin ngulur në tokë shqiptare dhe nuk kishin toka në pronësi; ndërsa pakica Çame në Çamëri ishte në vendlindjen e saj mijëra vjeçare, ata ishin në tokat pronë të tyre ndër shekuj, pra ishin në tokat që para vitit 1913 bënin pjesë në territorin shqiptar dhe jo në atë grek. E thënë më qartë, ndërrimi i këtyre dy popullsive do të thoshte që me duart tona, ti falnim shtetit Grek territorin e Çamërisë në këmbim të asgjëje nga shteti Grek, pasi u tha se tokat e minoritetit grek, ishin dhe janë toka Shqiptare dhe jo Greke, si kundër dhe tokat e Çamërisë kanë qënë, janë dhe do të jenë toka të banuara nga fiset thesprote e mollose, pra Shqiptare.

(F. Dahri/Amaneti Çam.fq.214)

●Emigrantët e ardhur nga Çamëria në Shqipëri, kishin arësye jetësore, që nuk e pëlqenin komunizmin, ndaj dhe u trajtuan si antikomunistë e të pabesë nga Byroja Politike e Shtetit Shqiptar. Mos pëlqimi nga çamët i komunizmit lidhet  edhr me “Marëveshjen e Varkizës”, e cila rezultoi “Marëveshja e Tradhëtisë, dhe e Turpit të Greqisë”. Ajo ishte pabesi, tradhëti ndaj çamëve, të cilët ranë për së dyti pre e premtimeve, në kohë dhe vende të ndryshme nga Grekët, si të djathtët e Napoleon Zervës dhe të majtët e EAM-it. Nga ajo marëveshje, besëprerë, u masakruan, u torturuan ç’njerëzisht çamët që besuan në premtimin për kthim.

Ky mashtrim, edhe pse po mbushet gati një shekull, vërteton edhe sot thëniet e poliendrikut e diplomatit, Faik Konica kur i shkruante letër ish kryeministrit Anglez të asaj kohe:.”Ne, shqiptarët, kemi frikë vetëm nga grekët, meqënëse ata kanë një armë të hatashme, shumë të fortë – dinakërinë”.

Në të vërtetë me dinakëri duhet kuptuar pabesi, intriga, tradhëtarë, vrasës, harbutë, të pamëshirshëm, injorantë, etj.

     (F. Dahri/Amaneti Çam. fq 103)

    Tiranë, më 02 Prill 2025

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu