ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Dy të mëdhenj për një të madh, Agolli e Koliqi për Azem Shkrelin

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Dritëro Agolli: Kur në Kosovë takova Azem Shkrelin

Përzgjodhi: Frank Shkreli

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga ata, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.  Në fund të viteve 1950, do të shfaqet brezi i “të nëntëve” i prirë nga Azem Shkreli, i cili vendosi kulme poetike në letërsinë shqipe, është shprehur, shkrimtari Ali Aliu.

“Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër. Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli, se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.

Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë, shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim. Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.

Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat. Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte, e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime, e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë! Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë, kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij, një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.

Por më vonë, pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve, rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të, filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda. Megjithatë, në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë, duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.

Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut, që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij. Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi, edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun, që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën, dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë, për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë! tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtetë, Azemin e shqetësonte letërsia: si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.

Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë, të matur e të lirë, po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi. Ai erdhi në shtëpi tek unë, si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë, dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash. -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit, por i gjashtëmbëdhjeti! thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen! tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.

Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij, që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time. Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjersha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti. E, Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. Po të mos ishte poezia, do të kishim ngrënë njëri-tjetrin, siç ke thënë ti njëherë! kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. – Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij…”

“Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Poezia e tij, shënoi kthesën e parë më të rëndësishme, në radhë të parë, duke e çliruar unin lirik intim nga ai kolektlv, duke skalitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Vdiq në pranverën e vitit 1997”, përfundon artikulli i Dritëro Agollit, në kujtim të takimeve me Poetin dhe shkrimtarin e njohur nga Shkreli i Rugovës, Azem Shkrelin – shkrim i plotë i Agollit, botuar gjatë viteve në disa gazeta e portale.

“Kroje të reja në Parnaz Shqiptar”, ishte shkrimi i Ernest Koliqi, në të cilin vlerësonte shkrimtarët dhe poetët e rinjë shqiptarë të Kosovës në vitin 1957, në numrin e parë të revistës së tij, Shëjzat. Një ndër ata poetë e shkrimtarë të Kosovës radhitej edhe Azem Shkreli – bazuar në një antologji (Shkëndijat e para” — Shtëpia Botuese, “Mustafa Bakija”, Prishtinë, 1956). “Këtyne djelmve ndjellamirë i buzqeshë prej s’largu Lavdija e majeve të Parnazit edhe i joshë me i u ngjitun termal rrmoreve të thepisuna për me shijue, në kaltheritë e heshtuna pranë qiellit,  shugurimin e saj të hyjnueshëm e  hyjnues.  Këta i ngjiten malit të Zànave, heshtja e të cilit vlon me gurgullime gurrash harmonioze, nga  ana e andejme, e na përpiqemi me i hypun n’anë të këndejshme,  por,në  kreshten vetmitare, të ruejtun nga Ora e amshueme e Fisit, na pret  e njàjta lavdi.”.   Për Koliqin njëri prej këtyre “djemëve ndjellamirë që buzqeshin prej s’largu” me poezinë dhe shkrimet e tyre, ishte sipas mendimit të tij edhe Azem Shkreli.

Ernest Koliqi

“Më pelqen shumë Azem Shkreli. Tringullon nji notë trishtimi në poezinë e tij, por e shkrime në melodi të thjeshtë e depërtuese që therë e ledhaton në të njàjtin hov. E thurë me natyrëshmëni vargun e vet që dridhet si gëm plym me lule t’ërshëme në frymë të flladeve ma të holla të melankonisë. Kishim me dashtun të riprodhojmë këtu dy vjershat që bartin emnin e tij n’antologjinë që kemi në dorë, por tyranija e vendit  na shtrëngon të kënaqemi vetem me dy citate të shkurta. Vjersha, “Nanës”, fillon në mënyrë shumë të prekëshme:

“Sisen prej goje ma hoqe, nanë, pa u ngi,

E m’lé tue qà;

Dhe, si të vdissha nanë, s’me dhe ma të pi,

as erdhe me më pa”.

Nënkuptohet në gjymsaterr që i a shton shortin këtij shfrim i nji dramë familjare?  Ndoshta nji divorc me randim vuejtjesh mbi fmìnë e mitun   e të pafaj?  Rritet djali e plaket në deshir të s’amës prej së cilës zakoni i rrebët e ndau për së gjalli.

“Por… Prëhnin t’and, nanë, gjithmonë mall e pata

E motet ndèr veti po ndrrohen;

Andrrat e mija, nanë, qënkan andrra të gjata,

Dhe, qe,  rrudhat e ballit po m’shtohen.”

Edhe tjetra këtu, rrjedh me lëvizje plot hir, vlerësonte Koliqi poetin e ri nga Shkreli i Rugovës, Azem Shkrelin:

“Këtu linda dhe këtu do t’mbes

E të vdes.

Se ky mur,

kjo votër me gurë

E ky prak

Janë t’lam me gjak të t’parve mij

Që luftuen,

Qendruen,

Dhe ranë për liri —

E liri s’panë.”

Me këtë poezi të Azem Shkrelit, përfundon Ernest Koliqi shkrimin “Kroje të reja në Parnaz Shqiptar”, botuar në revistën e tij “Shëjzat” — në numrin e parë të kësaj reviste të famëshme — Gusht, 1957, duke iu uruar shkrimtarëve dhe poetënve shqiptarë të Kosovës, duke thirrur lutjen e Zotit që mbi ta të vegojë fati i mirë për të gjithë ata, në veçanti, si dhe për letrat shqipe në përgjithësi.

Ishin këto dy vlerësime të Poetit të Shkrelit të Rugovës – Azem Shkrelit – nga dy të mëdhej të letrave shqipe, Dritëro Agolli dhe Ernest Koliqi – njëri nga jugu dhe tjetri nga veriu i trojeve shqiptare — me vlerësimet e tyre për një poet dhe shkrimtar nga Dardania – Agolli pas vdekjes së poetit Azem Shkreli në vitin 1977 dhe Koliqi me vlerësimin e tij në vitin 1957 – në fillim veprimtarisë Azem Shkrelir, njërit prej “djemëve ndjellamirë që buzqeshin prej s’largu” – lind e rritë në trojet e Dradanisë së lashtë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu