Ballina e librit më të ri të autorit Thanas L. Gjika
Nga Frank Shkreli
Libri më i fundit i autorit të njohur me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Thanas L. Gjika, titullohet, “Ecja Drejtë së Djathtës – Dëshmi Morale dhe Mençurie”. Në këtë libër, autori përmbledh shkrime shkencore dhe publicistikë të viteve të fundit, që synojnë përballimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste, pothuaj gjysëm shekullore të vendit, si dhe dënimin e krimeve të njërit prej regjimeve më të egra të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar, ndërsa nenvijon edhe nevojën e ecjes drejt së djathtës politike në Shqipëri.
Në këtë libër, lexuesi mund të gjejë gjithashtu edhe vlerësime autorësh e veprash, portrete, kujtime dhe shkëmbime letrash të autorit me disa personalitete të diasporës shqiptare – kolegë e miq të tij — si Profesor Sami Repishti, Visar Zhiti, Jozef Radi, Lekë Përvizi, Luan Rama e disa të tjerë. Njohja e tij me Lasgush Poradecin e tregime të tjera interesante.
Edhe ky libër, në vazhdën e punimeve të vyera të mëparshme të Thanas Gjikës, përfshir studimet historike, analizat politike dhe shoqërore si dhe publistika e tij e pasur, në përgjithësi, ndihmon lexuesin e sotëm në trojet shqiptare dhe në diasporë që të kuptojë më mirë shtrembërimet e të vërtetave historike gjatë periudhës fatzezë të komunizmit. Këto shtrembërime, fatkeqsisht, mbrohen edhe sot nga një mori pseudo historianësh dhe nostalgjikësh enveristë në nivelet më të larta shtetërore dhe akademike të Shqipërisë socialiste.
Në këtë libër, ashtu si në publicistikën e mëparshme të Thanas Gjikës vihet re dëshira e tij për të venë në dukje shkrimet dhe mendimet e disa shkrimtarëve dhe publicistëve të diasporës shqiptare, të cilët fatkeqësisht, njihen pak ose aspak nga lexuesit shqiptarë dhe aq më pak promovohen në trojet shqiptare. Mund të jetë që shumica e këtyre shkrimtarëve dhe publicistëve të diasporës – konsiderohen si disi “ndryshe”, “të prekur” dhe “të përndjekur”, nga ish-regjimi komunist, por edhe sepse shumë prej tyre kanë jetuar dhe vepruar jashtë Atdheut për një kohë të gjatë dhe të cilët shpesh e ndjejnë veten si të huaj në vendin e vet. Por siç ve në dukje edhe Thanas Gjika në librin e botuar kohët e fundit, edhe këta kontribues, shumica shqiptaro-amerikanë – janë dhe duhej të ishin pjesë e historisë, e shoqërisë dhe kulturës shqiptare, pa argumentime, paragjykime, akuza e shpifje, pasi për derisa kanë shkruara e vazhdojnë të shkruajnë shqip edhe këta janë pjesë dhe kontribues të kësaj kulture. Por, deri tani, sipas Thanas Gjikës këta shqiptarë të diasporës, kryesisht, vazhdojnë të jenë të refuzuar dhe të përjashtuar prej kulturës dhe historisë kombëtare, pjesë e të cilës këta shqiptaro-amerikanë dhe nga të tjera diaspora e ndjejnë veten se janë – pjesë e pandarë e trupit kombëtar, të kulturës, gjuhës dhe historisë së shqiptarëve – e kësaj kulture mijëra vjeçare.
Siç ka shkruar Ernest Koliqi, “Kultura asht shpirti i kombësisë. Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të të shkrimtarëve shqiptarë, nuk di me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të vet. Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë çka bluajnë mendjet ma të ndritura të bashkgjakasve të vet, (edhe të atyre jashtë atdheut-shënim i autorit) si e shohin dhe si e paraqesin në pëlhurnat e tyre botën piktorët tonë, me çfarë tingujsh tregojnë valavitjet shpirtënore të veta muzikantët shqiptarë, d.m.th., ai që kurrë s’kapë në dorë nji libër shqip nuk soditë me andje nji piksim dalë nga nji dorë shqiptare, as nuk shuan mallet e veta në melodi ku shfrejnë mullajt e zemrës së madhe të Kombit…”, ka shkruar Ernest Koliqi në revistën Shejzat.
Në të parin çerek të shekullit XXI, Shqipëria, Kosova dhe autoritetet përkatëse në të dy shtete shqiptare duhet të promovojnë dhe të konsolidojnë një shoqëri gjithëpërfshirse, pa dallime politike, ideologjike, krahinore e të tjera, duke përfshir edhe forcimin tepër të nevojshëm të lidhjeve me diasporën e vjetër dhe të re shqiptare.
Fatkeqësisht, këto lidhje sot nuk ekzistojnë me shtetin amë, ashtu siç duhej të ekzistonin. Ky është, në përgjithsi, edhe një prej mesazheve kryesore i librit më të ri të autorit Thanas Gjika, titulluar: “Ecja Drejt së Djathtës – Dëshmi Morale dhe Mençurie” — një përmbledhje kjo shkrimesh dhe të publistikës së vet autorit dhe të disa kontribuesve të tjerë nga diaspora shqiptare, sidomos diaspora shqiptaro-amerikane. Me pikësynimin për dënimin, më në fund, të krimeve të komunizmit në Shqipëri, për përballimin me të kaluarën komuniste dhe për nevojën e ecjes drejt së djathtës.
Mjaft më me ndarje e përçarje, në baza ideologjike, midis shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut! Shqiptarët, një grusht njerëz, brenda dhe jasht trojeve shqiptare, kanë nevojë për unitet — për një strategji mbarëkombëtare – duke përfshir edhe ata që megjithse larg vendlindjes, përpiqen të japin kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës së përbashkët mbarëkombëtare, pa marrë parsysh se ku jetojn aktualisht, por të cilët, me gjithë zemër e shpirt, punojnë dhe shkruajnë për një letërsi të përbashkët kombëtare dhe veprojnë për një atdhe të vetëm!
Autori Thanas Gjika