ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Edhe pesë… (plus një, dhe një) , prozë nga Bajram Sefaj

Shkrime relevante

Shpërndaj

nga Bajram Sefaj

nga një prozëpaksa më e gjatë

[Milladin Popoviqi (Miladin Popović),

Dushan Mugosha (Dušan Mugoša),

Ilija Gjukiqi (Ilija Đukić),

Pavlle Joviqeviq (Pavle Jovićević),

Boro Vukmiroviqi-Ramiz Sadiku (Boro Vukmirović – Ramiz Sadik)

plus, Mihajllo (Misha) Zvicer (Mihajlo (Miša) Zvicer) me të vëllanë, Radojko]

lëxim paraprak…

Kjo nuk do të thotë se u sosën kolonët. Se nuk ka më.

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ka madje edhe shumë. Ka dhe do të ketë! Shumë më tepër se që mendojmë, unë ti…

Sa ka deti ujë e ranë…, thotë një kangë!

Kolonë ka pas, ka dhe, ka më pasë. Mjerisht!

Dikur kishte shumë. Gjatë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Sidomos. i Gjurulldi. Xhumbush. Dehje kolektive. Nuk e njeh qeni të zonë, siç thonë. Në  të katër anët, nga të katër polet e dynjasë, Kosovës së gjorë ia mësynë mysafirët e paftuar dhe të padëshiruar. Si hiena  të ishin. Ardhja e tyre paralajmërohej në mënyrë të dukshme dhe tejet të zhurmshme, posaçërisht në Rrafshin, e butë e piktoresk, të Dukagjinit. Ndërtoheshin shtëpi të planit enkas për ta. Ju ndahej tokë e mirë, e pëlleshme që “gurin me e gjuajt në to, mbin frutë i mirë” – përsërisnin pleqtë e katundit tonë, sa herë u binte rasti të cilësojnë e vlerësojnë tokën pjellore të atij krahu, që s’e kishte kush në botë!

*

Në këtë vazhdim të radhës, të fundit në këtë seri tematike, nuk bëhet fjalë mbi kolonë të rëndomtë, (më të rrallë edhe të urtë, të dashur e simpatikë!).

Jo, kësaj radhe, fjala është edhe për disa kolonë të tjerë (pesë gjithsejtë) ose saktësisht, pesë kolonë  plus një,  që, i njeh jo vetëm krejt Kosova, por krejt bota! Krejt historia, e kësaj pjese të botës deri në fund të saj.  Bën/ është mëkat i madh ta fusësh në një thes me pesë të parët. Unë bashkë me të gjithë nxënësit e Gjimnazit (real) të Pejës, garantojmë se ai nuk ishte si të tjerët. Ai është profesori gjuhës dhe i letërsisë sllave në Gjimnazin tonë. Atij mos i rafte të hyjë në një thes më pesë kolonët e tjerë. Duhet precizuar e sqaruar që tani, në këtë dekik!

Miladin Popoviq

(enigmatike vrasja e tij)

Kallëzimin, gjithsesi të mangët dhe të pakët në njohuri, mbi këta pesë kolonë të shquar, në idiotësi e poshtërsi, le të niset nga më i moçmi prej tyre, qëllimisht nuk thuhet nga i pari as nga i fundit, ata të gjithë janë të parët, të gjithë janë të fundit. Disa prej tyre, janë ata që konsiderohen si themelues të PKSH (Partisë Komuniste të Shqipërisë). Mjerë ajo Parti, pshurr në atë Parti, që e themelojnë rrugaçët e bastardet e zi, nga Mali i Zi!

Kolonë aventurierë që, pasi bënin qejf poshtë e përpjetë Kosovës së shkretë, herë me emra e mbiemra të vërtetë e, me shpesh me çeshit-çeshit pseudonimesh, kur dy gurë bashkë s’i linin, hajt thoshin ata, të zbresim pak edhe në  Shqipëri e t’ia shtimë fitilin edhe asaj. Të formojmë Partinë Komuniste atje e të mbjellim mollën e sherrit e të përçarjes mes veti të shqiptarëve, edhe ashtu të përçarë e të bërë pikë e pesë!!

Derisa i qes në letër këta rreshta, hidhur mu kujtua ky episod: në kolektivin e madh të gazetës “Rilindja” të Prishtinës,  ishte edhe një kolone serbo-malazeze. Ajo e dinë të gjithë se në “Rilindje” merrte rrogë, të majmë madje, e, se çka punonte, nuk e kishte idenë fare, fare!  Gjithë ditën e lume tjerrte lesh e i endte bythët prej zyrë në zyre e, bashkë më bythët e trasha endte edhe fitme e intriga, çfarë po do. Bashkëshorti i saj punonte si avokat në Prishtinë. Ajo për gjithë ditën e gjatë, madje disa herë në ditë, përsëriste: nuk paska mrekulli as lezet më të madh: Shqiptarë vrituni mes vete, për gjakmarrje dhe për një mezhdë e një pëllëmbë tokë andej e këndej gurit të pronësisë, e, burri im, fito pare të majmë.

O, kënaqe zot e, zgjate zot, kësi moti!   

*

I pari, por jo edhe më i poshtri, nga kolonët e mi, mbi të cilët rrëfej kësaj aradhe, është Miladin Popović.

Në kllapa. (Jam, plotësisht i vetëdijshëm se, hy në mal pa sakicë, në tunel pa dritë, se kapëm fyt e me fyt, me peshq të mëdhenj që, edhe përse i vdekuri (cofëti) mund të me hanë dhe se, xhaxhit në varr do t’i lëkunden eshtrat, kur madje edhe zheles time i bie hise e merr guxim t’ia shaj miqtë e vëllezërit më të dashur, kur nuk dihet prej nga dreqi e morën dhe mbollën (këtë bimë) të keqe dreqi, në tokë të Shqipërisë që, për dyzet vjet të gjata rresht, bëri zullum të paparë, të pashembullt në të gjithë regjimet diktatoriale!

Iku kjo!

Vdekja ose me drejt, vrasja, atentati mbi Miladin Popovićin në Prishtinë, nuk është zbardhë deri me sot dhe, me  gjasë, nuk do të zbardhet kurrë.

Isha nxënës, më së shumti i klasës së tretë të Gjimnazit Real të Pejës,  kur një ditë të bukur pranverore, veshur me diell, mbathur me lule e mugullim,  na shpënë për vizitë Shtëpisë së “lindjes” së Miladinit Në një orë praktike të historisë më të re të Kosovës martire dhe heroike, gjithmonë të okupuar. Kur ora e mësimit praktik të mësimit u krye, kur vizita mbaroi, nuk e di pse e si, nëna plakë  e Miladinit, më plotë eshtra kalakryq mbështjellë në pafte të zi, me ka nda  açik nga nxënësit e tjerë. Me një bllok, si në notes në dorë. Duke e hapur atë notes, si Kuti magjike e Pandorës të ishte, më është drejtuar: “Vidiš, sine moj” (shiko biri im) – këtë që djali im (Miladini, pra) e ka shënuar me ngjyrë të verdhë (zelenim mastilom!), është datë e rëndësishme, kur në një mbledhje në Oblast (Rreth), pritej të vendosej fati i Kosovës. Që të bashkohej me Shqipninë apo të  mbetej me Jugosllavinë. Miladini im, ishte (me mish) e shpirt për këtë variantin e  parë. Prandaj dy-tri ditë para se të ndodhte ajo Mbledhje, djalin tim e eliminuan, tha ajo dhe fshiu lotët nga sytë e saj, si të shterur!

*

Këtë fshehtësi, ketë enigmë, duke e konsideruar si privilegj timin, se e di vetëm unë e askush tjetër, prandaj e ruaja nën shtatë palë dryna, nën shtatë pashë tokë, si bombë atomike t’ishte që, kur t’i vjen vakti e, ta plas publikisht, do t’i zhdavaris e shqyej krejt të gjitha këmishët e zeza që e mbështjellin e mbulojnë me mistere mbi ketë vrasje misterioze, këtë atentat që, sot e kësaj dite, tronditë krejt këtë botë provinciale!

*

Hiç asaj pune, të thafshin dy krahët. Po këtë motërzim kallëzim mos gabon e i thua kujt. E di tërë opinioni publik i kohës, në Kosovë e më gjerë. Është trillim i forcave të errëta reaksionare. Dihet, mirëfilli dhe historikisht është dokumentuar se Miladin Popovićin e ka vrarë Haki Taha, patriot i thekur dhe i mirënjohur nga Gjakova, dhe pikë!

Edhe unë pata qitë pikën mbi i dhe, pa fije dileme, rreth kësaj çështje, erdha në përfundim se Miladin Popovićin (alias Ali Pejën ose Ali Gostivarin, pseudonime këto që i ndërronte sa herë i çohej e ia donte qejfi, si  të përdalat që i ndërrojnë të linjtat. Krejt kjo do të ishte në rregull sikur mos të ngriheshin zëra të tjerë, (si antitezë) kur thonë se ç’t’i besh kur Haki Taha është eliminuar disa orë pasi që është kryer atentati mbi Miladin Popovićin. Pa e mohuar të vërtetën se Haki Taha, ishte vrarë me flamur kuqezi në gji, me shqiponjë qëndisur mbi të, e tjera e tjera.

Kjo e dhënë, si mundësi hipotetike, përnjëmend i ngatërron penjtë e i bën lëmsh. Hapë mundësinë e hipotezës se Miladin Popovićin e ka likuiduar e njëjta dorë e fshehur vrastare që, fill pastaj, shpejt e për ngut ka hequr qafe edhe  shqiptarin Haki Taha, për t’ia ngarkuar këtë akt atij që, si sëmur nga veremi (tuberkulozi) që ishte, i pa shpresë për jetë të gjatë, që këtë vepër revolucionare, vullnetarisht e kishte marrë përsipër, ta kryente.

Temë kjo e ngatërruar dhe e koklavitur, motiv i denjë për ndonjë film të gjatë artistik apo  seri filmi hollywoodiane, të gjinisë kriminalistike!

  Se kush, njëmend e vrau  Miladin Popoviqin, deri me tash janë publikuar mijëra e mijëra artikuj gazetash dhe dëshmi e analiza, madje edhe libra të veçantë (shihe librin e G. Mehmetajt “Kush e vrau Haki Tahën”- Dardaniapress, 2021, e të tjera. Mund të lexoni fletë të tëra, përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Ndër dëshmitë më shpjeguese dhe, deri diku argumentuese, mund të merret ajo  e Qazim Vulës nga Gjakova, bashkëluftëtar dhe moshatar i Haki Tahës.

Ja se ç’thotë ai në dëshminë e tij: Pasi pranova të isha anëtar i kësaj organizate (Organizata Shqiptare Iredentiste), Hakiu iku për Gjakovë. Mbas çlirimit të Jugosllavisë, në dhjetor 1944 ose janar 1945, jam takuar me Ali Spahinë në Prishtinë dhe kemi rënë në bisedë rreth çështjes së Jugosllavisë. Aliu ka folur se Miladin Popovići ishte kundër kosovarëve, se kishte thënë se nuk kishte pasur Shqipëri, etj. Këto mendime ia miratova edhe unë. Më 11 mars 1945, vjen Haki Taha për t’u takuar me mua. Pasi vajtëm në shtëpinë time tha se ishte ngarkuar nga organizata të vriste Miladin Popovićin, pasi është i rrezikshëm për ne kosovarët. Hakiu do t’i jepte një letër të cilën e përgatiti në praninë time. Letra që ishte me shkrim të emër të palexueshëm ishte për shokun që kërkonte të shtrohej në spital pasi ishte i sëmurë. Gjatë leximit nga Miladini, Hakiu do kryente atentatin. Me vete Hakiu kishte marrë një flamur shqiptar të qëndisur me shkronja ari: “Kosovës liri – bashkim me Shqipërinë” që ishte edhe parulla e organizatës. Gjysmën e flamurit e kam shkruar unë. Mbasi ndenji dy netë në shtëpinë time, Hakiu u nis për atentat. Më 13 mars 1945, unë ika për në pjacë. Pas dy orësh mora vesh se ishte vrarë Miladini. Hakiu kishte lënë në shtëpinë time një peshqir, një kuti duhani dhe një qeleshe. Të gjitha këto i dogja për të mos m’i kapur. Atentatin e ka kryer Hakiu me anë të një revolveri “Beret” që e kishte me vete, bile bëri prova para se të nisej. Pas atentatit, Hakiu është larguar dhe është futur në shtëpinë e Rakip Xhinxhinës (magazinën e barit) në Prishtinë pa e diktuar të zotët e shtëpisë. Pas dy ditësh ka dalë prej andej, por kanë mundur ta diktojnë, e në mënyrë që të mos kapej i gjallë ka vrarë veten”.

Dushan Mugosha – Duç!

(shahir (sazexhi) e maniak seksual)

Nuk di shumë mbi Dušan Mugošan Të tërat i di, i mban në mend mirë dhe i ruan me gjelozi e përpikeshemëri, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Përpiluesit e atij Studimi, të atij Instituti, me siguri se janë në dijeni se prej nga, këtij satrapi i ngeli nofka ledhatuese Duć! Ngjashmëria trishtuese me fashistin italian Emannuele Mussolinin, apo për ndonjë meritë akoma me të madhe. Nga se, siç dëshmojë defterët e Institutit të Krimeve, koloni ynë Duć, ishte dhjetëfish më katil, së pakut për popullin fatmjerë shqiptar, të Kosovës dhe të Shqipërisë bashkë, se që ishte Duce (Duqe), ai i njëmendti, italiani Emannuele!

Por mos të përzihem e t’i rrasi tureçkat në punët e huaja. Ata i dinë të gjithat. E dinë me siguri, se ky Sala ynë, i  kishte dënuar shqiptarët me dënim kapital pushkatim e tjera e tjera lojëra e shegarime të këtilla  shpotitëse dhe argëtuese.

Thashë njëherë, e përsëris, e përsëdyt, së nuk di asgjë më shumë se që kam dëgjuar për të, nga gojë dëshmitarëve okularë, moshatarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Ky Duć, i simpatizantëve të tij, ky Sali Murati, pseudonimi, emri konspirativ i tij, kishte qëlluar sarhosh i madh dreqi! Mbi të gjithat dhe para së gjithash i adhuronte dy gjëra, dy sende, nistore e të dyjave është shkronja e 22 alfabetit shqip,  P. si Pije, P si P… Mo’o zot të pështjellohen e të deshifrohen e lexohen gabimisht PP. (si Partia e Punës), a ngjashëm e kësisoj. Mozallah!

Me të ngrohjen e gotës së tretë, porosinë e të katërtës, Duć e shoqëronte me kërkesën urdhëresë rrufe: hoću obrijanu! (E dua të rruar!) dhe tavolinës i mëshonte egërsisht me sa takat kishte. I rruari duhej të gjendej ku ishte e ku s’ishte! Për fat të mirë, aso me të rruar nuk ishin larg dhe i silleshin alaminut dhe vullnetarisht. Jo vetëm një por edhe dy-tri e më tepër. Sa t’ia do midja (oreksi) Dućes që ishte zi çerep, hiçgjë me i gjatë se disa pëllëmbe njeri. Nuk  thuhet saktësisht, andej nga ne, një pëllëmbë njeri e gjashtë seri!

Ishte katil. Si gjarpër me shtatë krerë!

Kallëzonin!

Edhe sot e kësaj  dite, në ditët tona, në rrugët dhe sheshet e Prishtinës e pse jo edhe të Tiranës, Shkodrës apo të ndonjë qyteti tjetër të Shqipërisë, mund të takosh individ qe janë fryt i farës se tij. Janë plot dyshime edhe disa letra “plot puthje të zjarrta!” që Duće i merrte, edhe shumë kohë pas kthimit në Kosovë, nga ana e nuseve e grave, të disa funksionarë më të lartë partiakë të Shqipërisë, nga Tirana, kryesisht!

Asgjë e jashtëzakonshme. Për shokë e idealit, kur qëllojnë edhe themelues të Partisë e ndërtues të socializmit marksist-leninist në periudhën pasçlirimit, nuk duhet kursyer asgjë, rru e pa rru. Si kanë qillu!

Ilija Gjukiq

(tym i pa zë, i pa ngjyrë, i pa erë,  bukul!)

Ishte një prej kolonëve të njohur, me autoritet e funksione të larta politiko-shoqërore në nivele komunale, në Pejë. Si kolon në Pejë zbarkoi. Si kolon në Pejë punoi. Si kolon në rrethinë të Pejës  jetoi (sa jetoi). Si kolon në Pejë zhvilloi aktivitetin politiko shoqëror. Si kolon ndërroi pozita të larta, duke kërcyer prej pozite në pozitë. Çka dreqin bënte atje, dhe çfarë zullumi ushtronte mbi kurrizin e kuadrove e gratshëm shqiptarë të strukur në organet e pakta administrative komunale dhe përgjithësisht mbi popullatën shqiptare të pushtuar, të përulur e të robëruar në  Pejë, një dreq i zi e di. Nuk dihej shumë për te Gjarpër shumëkëmbësh mbase kishte qëlluar. Kurrë nuk lëvizi nga Peja.  Nuk livriti. Nuk shkoi poshtë e lartë. Pas posteve e pozitave më të larta e më të rëndësishme. Mirë e kishte në Pejë. Në qytetin më të bukur dhe, më fotogjenik në krejt Rrafshin e Kosovës. Rrethuar me kurora vargmalesh, në të katër anët. Më Grykën piktoreske të Rugovës e shkrepat e bjeshkëve të larta, në anën Perëndimore. Jo larg, sa një vrap pele, në anën Veriore e kishte burimin me Ujëvarën e Drinit të Bardhë. Të kulluar, si pikë loti të përmotshëm vajit gjame, mbi fatin e lig të popullit shqiptar të Kosovës e më gjerë.

Ndonëse  zëri nuk i është dëgjuar kurrë, unë kisha përshtypjen se e njihja më mirë se të gjithë tjerët. E si mos ta njihja kur, shtëpi banimi plani mbuluar me qeremide të kuqe, e kishin ngre, enkas për të dhe familjen e tij, në hisen më të bukur dhe më të pëlleshme të tokës tonë familjare, në  katundin Vitomericë, krejt afër Pejës.

Çdo mëngjes, i lagur, në shi e i mërdhirë, në borë, tek vështroja xhipin e zi të Ilija Đukićit, tek vakej e bëhej gati të merr rrugë për Pejë, në mendjen naive të një të riu naiv e të pa faji sur, mendoja: a kështu e në kësi luksi, jetojnë mbretërit, a!

Kështu mendoj edhe sot e kësaj dite, sa herë që jepet rasti të kaloj andejpari!

Boro Vukmiroviq  – Ramiz Sadiku

(dy keqberës ordinerë)

Mbi këta dy burracakê, dy « revolucionarë, dy trima, dy hero », siç i quajti poeti në vargun e tij antologjik, por krykreje të imponuar dhe nën kërcënim me jetë, nuk di  shumë. Për edhe njohuritë që kam për ta me dalin boll, bilës edhe me teprojnë. Thonë se në rini ishin axhami, rebelë ishin e bënin dërgucëri e gomarllëqe me tonelata! Se ishin të paudhë. Thika e kritikave qante edhe më thellë, kur bëhej fjalë për Ramiz Sadikun dhe prapësitë e tij edepsëze. Një detaj, një fragment, sado i shkurtër dhe i bëfshim qoftë ai, flet shumë. Tepër, madje. Ajo që tregojnë për të, dëshmon shumë. Thonë: edhe pse babën e kishte shqiptar denbabaden, me veshmbathje, me plis të bardhë mbi kokë dhe të gjitha tiparet e tjera shqiptare, e detyronte të fliste serbisht e vetëm serbisht në shtëpi. Për hire të së vërtetës duhet shtuar askush në shtëpinë e Ramizit, por as ai vetë nuk e dinte dhe fliste, drejt e pa gabime, gjuhën serbishte! Aq shumë ishe bë një avatar i prapët, sa që, edhe qelizat e trupit i ishin bërë komuniste dhe kishin marrë ngjyrën e zezë të bashkim vëllazërimit sa që edhe atij vet, si shqiptar që ishte, me enë e me babë, i pengonte gjuha shqipe, gjuha e nënës.

(Edhe atëherë kur këtë prapështi e dëgjova për herë të parë, edhe tash, pas aq shumë vjetësh, kur po riprodhoj, madje duke e hedhur në letër(!), e kam ble me mëdyshje, verbësinë e kësaj meseleje!).  

Pavarësisht prej gjithë kësaj, është e vërtetë historike se Boro Vukmirović, malazez dhe Ramiz Sadiku, shqiptar, heroikisht u vranë të përqafuar.

Flitet se e, kjo me gjasë është e vërtetë historike (askush nuk e ka demantuar deri në këtë dekik!) se Ramiz Sadikut i është ofruar falja e jetës. Ai nuk ka pranuar. Ka shkuar drejt Boro Vukmiroviqit dhe në përqafim me të, është pushkatuar në Landovicë. Kjo vrasje spektakolare në shfaqjen e saj të panjohur dhe « origjinale », pushtoj botën, opinionin e gjerë publik.  Për ndër të këtij akti madhështor, njerëzor dhe « heroike », ne kodrinat vreshtorë të Landovicës, që më kohë, është ngritur përmendore kushtuar Boros dhe Ramizit. Përmendore akoma më të lartë, monumentale dhe jetë gjatë, ju ngre atyre poema e poetit tonë, mësuesit të urtë të poetëve tanë, Esad Mekuli (Sat Nokshiqi ynë),  kur vargu i tij pyet: “Landovicë a pave o, dy trima dy hero”!

Emrat e këtyre dy të rinjve të flijuar në përqafim, për kohë të gjatë u vlerësua si simbol i veçantë. Shumë shkolla, institucione, rrugë qytetesh e vendbanimesh, kudo n¨¨e Kosovë u quajtën “Boro dhe Ramizi”. Këtë emër, vite me radhë, e ka mbajtur edhe një objekt gjigand në Prishtë që, për fat të mirë, sot quhet “Qendër Tregtare”, “Shtëpia e Rinisë” apo kështu disi!

*Është për keqardhje të madhe, kur ato afro dyzet vargje të mrekullueshme, të poemës së mrekullueshme, “Ramiz o vëlla”, të Catës (Sat Nokshiqit tonë të dashur), janë thurur kot- nasikoti, për hiçgjë, kanë nxirë faqet e bardha të librave dhe abetareve, sa më shpejtë e mundshme, të shlyhen e t’i mbulojë harresa! Medet!

Pavle Joviçeviq

(dhelper e kudondodhur!)

Kolonin e urryer, Pavle Jovićevićin, as nuk e njoh as kurrë s’e kam pa! Kurrë mos i pafsha, si s’kam me i pa. Ai moti kohë është në tunel të zi.

As unë nuk do të vonoj shumë…

Ani pse nuk e kam takuar kurrë, as sytë nuk ia kam parë kurrë (kurrë mos ia pafsha jarebi!, njëherë jam dëgjuar në telefon më të.

Televizioni i Prishtinës, programi gjegjës i tij, kishte vendos të realizojë një emision dokumentar, me shumë minuta, Boro e Ramizit a Miladin Popovićit, nuk me kujtohet. Në atë emision që duhet ta përgatitja unë, parashihej të merrte pjesë edhe Pavle Jovićević, si bashkëluftëtar dhe aktivist (ish kolon) nga Kosova. I pajisur me numrin e saktë të telefonit tij, fluturim e në Beograd, ku tani banonte. Diku në mbrëmje, në kohë të përshtatshme, (as shumë herët as shumë vonë, të mos ia prish terezinë “zotërisë” së tij, i telefonoj, për t’u marrë vesh për temë dhe termin të saktë xhirimi e tjera, si shkonte kjo punë zakonisht!

– Pajtohem me të gjithat, me përjashtim të një kushti: asnjë fjale imja, të mos hiqet, këputet a mënjanohet, me tha preras e me acar!

– Këtë nuk ua garantoj. Kjo nuk varet nga unë. Drejtori i përgjithshëm vendos…

– Nuk marr pjesë në emision, ma preu ai, hija e tij shkurt!

Rrallë herë më i lumtur nuk kam qenë, në karrierën time shumëvjeçare, si gazetar i TVP-së.

E dija çfarë pisi ishte ai, ndoshta më i poshtri, ndër të gjithë kolonët që e kishin kolonizuar dhe pushtuar Kosovën. (“I vuci siti, i ovce na broju!”  Edhe ujqit e nginjur (të ngopur), edhe delet në numër!, siç thotë një shprehje e tyre vetë!).

Kur u çlirova e dola prej këtij katrani të zi, reflektova e thashë: sa mirë kur TV-ja, medie e fuqishme informative është në duart tona!

Mjerisht, nuk vonoi shumë këtë armë (mikrofon) të fuqishme na e flakën (hoqën) nga dora!

Aq rrufeshëm erdhi vera e zezë e vitit 1991!

Plus një:  Mihajlo (Misha) Zvicer

(Thjesht e qartë – Nj e r i!)

I tillë nuk ishte vëllai tij më i ri, Radenko Zvicer. Ai ishte katil, dreq me bisht ishte !

Në këtë shteg të rrëfimeve mbi kolonët e mi që, dalëngadalë por sigurt, po i avitem fundit, nuk ka si mos të me rrokin dallgë sentimentalizmi, nostalgjie dhe ethe mallëngjimi, s’di çfarë!

E si mos të ndodhte kjo kur, kallëzimi i radhës me kthen për disa decenie mbrapa e, vetën e shoh të strukur në bankën e fundit të një klase të Gjimnazit Real të Pejës, mbuluar me tube të madhe zheles, rrobë trupi të lagura, të përlloçtë e të bërë pis.

Por, mos të rrëmbehem pas rrëfimeve nis e sos të hidhura  autobiografike e, të qes pas mëndësh a të denjoj, shkurtazi të rrëfej edhe mbi një kolon timin, mbase të fundit, në këtë renditje. Fjala është për kolonin me emër Mihajlo (Miša) Zvicer!

Kush ishte, nga vinte, ai kolon! Mos ndoshta ngre rrënjë të largëta prejardhjeje nga Zvicra e largët, helbete!

Jo! Edhe ai ishte kolon malazias. Nga Mali i Zi, tani e gjithë ditën, si mijëra e mijëra kolonë të tjerë. Ama ai nuk ishte si gjithë të tjerët. Ishte i veçantë. Ishte njeri në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ishte human, që do të thotë, i njerëzishëm ndaj çdo kujt. Ishte profesor. Pedagog me shkronjë P. të madhe, aman! Nuk ishte konformist. I ngushtë e formalist. Kur hynte në klasë, ditarin e fërfëllonte nga dera në katedër. Orën e mësimit e fillonte me recitimin e poezisë së zezë të poetëve në modë të Afrikës së Zezë. Ndonëse jepte lëndën e gjuhës dhe të letërsisë sllave, prej tij e kemi mësuar domethënien e vargjeve të poezisë së Mjedës tonë:

O lejlek, o shpênd udhtár,
Qi prei slargut jé tui mbërrî,
Pàsh njat frymë qi merr e t’bár,
Ndalu ‘j herë n’njiket shkretí,
Nji fjalë t’vetme due me t’ pvetë,
O lejlek, o shpênd i shkretë.

Hej, me zë të lartë e të mërdhezur, komentonte ai, këto vargje meritojnë faqet e para të antologjive të poetike, kudo në botë! Aq më parë , kur të kihet parasysh se, ky poet shqiptar, studionte teologjinë në Romë, në njërin prej qyteteve me të bukura në Evropë e, ndoshta edhe në botë. Lejleku i tij vinte prej shkretëtirave të mbi Shkodrës, e poeti i djegur malli për vendlindje, e luste të ndalej në këtë shkreti, në shkretëtirën (e “shkretë”) siç është Roma, qyteti më i bukur në zemër të Evropës. Në këtë rremb, në këtë detaj të vocërr fshihet, origjinaliteti, gjenialja dhe monumentalja, e kësaj vjershe të poetit shqiptar, përsëriste më entuziazëm profesori i gjuhës dhe letërsisë s/k në Gjimnazin Real të Pejës Mihajlo (Miša) Zvicer dhe përsëriste po aq e, më shumë herë se, kjo poezi është shembull në kuptimin më të mirë dhe më të plotë të fjalës në mbarë letërsinë botërore. Është xhevahir i saj, shtonte ai. E çmonte pamasë poetin tonë Migjeni. Poetin e mjerimit, siç e quanim gjithmonë. Krejt çka ishte përkthyer në gjuhën serbokroate nga krijimtaria e Migjenit. Aq shumë i kishte pëlqyer, inspiruar dhe nxitur sa, në bashkëpunim me shokun tonë të klasës (E. K), me ambicie dhe entuziazëm të madh, nisi përkthimin e pjesëve të zgjedhura të krijimtarisë artistike, (prozë e poezi) të Migjenit. Nuk doli asgjë nga ky angazhim. Ndërkohë, profesorin me shpirt poeti, Miša Zvicer, me detyrim e angazhuan në politikë. Njëherë ne nivel komunal e pastaj në nivelet më të larta politiko shoqërore të Kosovës. 

Çuditërisht, e pabesueshme, por e vërtetë, ish profesori e pedagogu i ndershëm, Mihajlo Zvicer, i tillë mbeti deri në vdekje. Emri i tij nuk  figuron, në asnjë defter për krime të asnjë farë lloji. Ai ishte kolon, s’ishte komunist, ishte NJERI!

Shtesë, si shtresë, për mosharresë…

Radenko Zvicer : Jo e jo, kurrsesi, nuk është e mundur të jenë vëllezër. Të një nëne e të një babe. Të kenë thithur gjirin e të së njëjtës NËNË!

Jo, jo kurrsesi! Mihajlo-Misha Zvicer dhe Radenko Zvicer, nuk ishin vëllezër të një gjaku e të një barku. Të një Nëne e të një Babe! Jo, mozallah, jo!  Se profesori im, kishte fare vëlla me të ri se vetja, e marr vesh shumë vjet me vonë. Pas mbarimit Gjimnazit në Pejë. Gjatë studimeve në Prishtinë. Krejt çka di të them për këtë mjeran, është se ishte i zhytur, këmbë e krye, në UDB-e, pothuaj se që nga fëmijëria e hershme! Në shërbim të këtij Organi famëkeq, ishte tash, edhe më shumë, si student që ishte. Ishte llogoped, memec i total që, mezi nxirrte fjalë nga goja. Edhe ato fjalë që i thoshte paqartë fare e për gazep, kundërmonin duhmë të keqe, si të dala nga qenefi më i ndyrë i lagjës më të skajshme të një qyteti në provincë.

”Kur të shtunave, ditë e pazarit zëmadh në Pejë, nëna blinte pula dhe e fuste nën shtrat timin për t’i ruajtur, unë beja seks me to. Ndodhi njëherë që pula t’i hapë krahët…, mendoja se këtë e bënte nga lezeti…, jo mor jo, pula po jepte shpirt nga gazepi” – këtë gjëja gazmore, sa të ndyrë aq edhe makaber, e tregonte edhe në prani të Dekanit. Këtë bënte me qellim që ta poshtëronte, për t’i bërë me dije se është më i madh (më i lartë) se ai. Ishte student UDBASH!

Pasi diplomuam secili shkoi pas punës vetë. Unë në “Rilindjen” time, ai drejtë në UDB-ën e  vetë, në Pejë. Pas disa kohësh, kur u takuam në Pejë, me ironi e pyeta: Radojko, a vazhdon të shkruash poezi me Pendrek! Shkop-gomën më të sertë, e ruaj për ty, ma ktheu ai, pa pikë ironie e mahie, kuptohet!

«s’ka më»… k o l o n ë !

(së paku, sa i përket kolonëve të përmendur, kësaj radhe, në këtë Kolanë !).

*

 Gjithnjë duke u mbeshtetur në murin ngjyrë bardhë të  romanit “Zogjtë e Qyqes” të shkrimtarit shqiptar (kosovar), Gani Mehmetaj. Kjo vepër letrare e tij, përveç se u nderua me çmimin prestigjioz  “Kadare”, si romani më i suksesshëm për vitin 2020,  u përkthye  në frëngjisht nga Abidin Krasniqi dhe e botoi ”Pauves edition” , Shtëpi Botuese emirënjohur e Parisit. Në gjuhën frënge romani e mban titullin e origjinalit në shqip, në gjuhën frëge, quhet “Les oisullons du coucou: Suvenir d’un colon serb”.

i dashuri z. Gjergj, këtë tekst të pa botuar asgjëkundi deri më sot më parë se për botim, po ta nis për vleresim, konsultim, sugjerim e këshillim, miqësor e vëllazeror, kuptohet…

prishtinë, 19/09/2023, dy ditë paa se të ndërroi jetë (vend) kosovë- francë !

me nderime e konsideratë

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu