ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Ekziston potenciali intelektual shqiptar për të rivendosur vlerat Iliro-Epirote

Shkrime relevante

Shpërndaj

Fahri Dahri, studiues, Itali

Drejtë dhe saktë shtrohen pyetjet dhe mëdyshjet e profesor Eshrefit, në shkrimin: “17 janari: në nderim të Skënderbeut, emocione dhe trishtim“.

Shqetësimet e profesorit, ku përmblidhen ngjarjet më të rënda, më enigmatike, më të dukshme, që kanë dashur të thuhen dhe që i kanë shkruar sipas interesave të tyre pushtuesit afro 2300 vjeçar, sigurisht sot janë të mundshme për tu dhënë përgjigje.

Mjaft nga arësyet e fenomeneve të  këqia që i kanë ndodhur popullsisë iliro – epirote (e them kështu për të përfshirë gjithë periudhën dy e ca mijëvjeçare) janë spjeguar nga z. Eshref, pikërish nëpërmjet shtrimit të pyetjeve ( mos u habisni, por kërkohet të lexohet me qetësi dhe vëmëndje i gjithë artikulli).

Z. Eshref! Në këndvështrimin tim, duke ditur se çdo gjë që lind edhe do vdesë,  perandoria ilire, pa spjeguar arësyet e rënies (si ato të luftës iliro-romake, romako-maqedonase, sepse dihen shkaqet) jetoi aq sa ishin kushtet hitorike. Ajo ra. U ngrit perandoria romake, lulëzoi, vrau, preu dhe në kushte të reja histotike ra. Ranë njëra pas tjetrës edhe bizanti me sputnikët e saj bullgarë, serbë, gotë, ostrogotë, etj, sikundër edhe fati i otomanëve me komunizmin. Dialektika na mëson se çdo gjë është në ndryshim, në lëvizje të vazhdueshme, nuk ka status quo të qëndrueshme. Veç dialektikës, ne shqiptarët kemi dhe përvojën tonë të hidhur që ju e trajtoni shkencërisht në këtë shkrim që unë pa mëdyshje e vlerësoj “Manifesti historik 2300 vjeçar shqiptar”.

Ok. Një fjalë miratimi me përdorim të gjerë. Derisa gjithçka është në ndryshim, në lëvizje, nuk do të thotë se ndryshimi apo lëvizja të mos sjellin rikuperimin, dmth risjelljen e të shkuarës në një gjëndje më cilësore, më të fuqishme, në nivele më të përsosura nga qenia e dikurshme. Nëse do shpreheshim në mënyra figurative mund të vrejmë rikuperimet pas fenomeneve negative të natyrës, si sunamet, tërmetet, vullkanet etj. Nuk mohohet se mbas çdo shkatërrimi, qoftë edhe luftërave vjen një shkallë zhvillimi më e lartë. (Nuk dua të përligj luftërat, nëse dikush mundet të kuptojë ashtu). Kjo e vërtetë lidhet me forcën mendore dhe fizike të çdo shoqërie, lidhet me mos nënështrimin, beson dhe punon për të siguruar të ardhmen e saj. Është fakt se jashtë karakterit tonë kombëtar, na është mbjellë përçarja, një ves djallëzor, i cili na pengon në forcimin e unitetit dhe që personalisht mendoj se na është kultivuar jo nga besimet fetare, por nga drejtuesit, klerikët të cilët dukshëm kanë ndërsyer, në emër të besimeve ndarjet e mëdha mes popujve që rrethohemi, por dhe brenda lloit. Kjo djallëzi e priftërinjëve dhe imamëve, është e prekshme, e qartë që nuk është hyjnore, mbasi, personalisht nuk kam lexuar asnjë varg urrejtjeje ndaj besimeve as në Bibël, as në Kur’an.

Të rrethuar nga shtete që predikohen nga ideologjitë djallëzore, jo nga Bibla dhe Kur’ani, të vërtetuara sidomos, ashtu siç e theksoni qartë ju profesor, mbas shekullit XIX, ku Bibla është anashkaluar dhe vlerësuar “Naçertania” serbe dhe “Megalloidea” greke. Me këto dy straregji, kombi ynë është përballur me lloj lloj sulmesh fizike, predikime gjoja biblike, por aspak të sakta, kishat dhe xhamitë sulmuan egërsisht kombin tonë në të gjitha drejtimet tokësore, shpirtërore,  morale, materile. Rrjedhojat ishin të rënda, në shumicën e kohës shqiptari shkëputej nga parmenda dhe drapëri dhe krahqafë hidhte dyfekun. Vërtet veprime të tilla ishin të detyrueshme për vetmbrojtjen, por varfëruan tej mase jetën e njerëzve. Le ta mbyll këtë koment me atë që të gjithë e dinë se ç’farë pasoja sjell në gjithë shoqërinë varfëria e tejskamur.

Profesor Eshrefi, sido që të themi dhe shkruajmë, përgjigjet që kërkohen në shkrimin tuaj duhet ti japim vetë ne, shqiptarët, duke kërkuar që të vendosen në krye të shtetit dhe në strukturat e tij mendimtarë, të urtë, të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Kjo kërkon ndërgjegjësimin e të gjithëve, por nisja duhet filluar urgjentisht me edukimin familjar, shoqëror dhe atdhetar në kopshtet dhe bankat e shkollës.

Një temë që kërkon pjesmarrjen në dhënie mendimesh nga të gjithë mbarë shqiptarët. 

Më 17. 01. 2022

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. I dashur Fahri, mik i çmuar, intelektual i shquar i formatit nacionalist, bir i Tokës së Shenjtë të Çamërisë, që është Themeli i Kombit Shqiptar!
    Ju jam shumë mirënjohës dhe Ju falënderoj nga zemra për komentanalizën Tuaj. Ju keni plotësisht të drejtë që shkrimit i keni vënë titullin mjaft të goditur: “Ekziston potenciali intelektual shqiptar për të rivendosur vlerat Iliro-Epirote”. Por si t’ia bëjmë, ore intelektual i shtrenjtë, që gjithë ai potencial intelektual nuk ka aftësi vetorganizuese. Edhe sa kohë duhet pritur që ai të zgjohet nga gjumi i rëndë letargjik dhe ta marrë situatën në dorë? Është e vërtetë që historia ka bërë punën e vet, prandaj perandoritë e dikurshme janë shpërbërë. Por është halli se ato perandori kishin pushtuar shumë territore të huaja, si perandoria romake që shtrihej që nga Anglia deri në kufijtë e Indisë, po ashtu edhe perandoritë e tjera mbi territore të huaja shtriheshin, prandaj edhe shembja e tyre ishte një proces i pashmangshën historik. Kurse Iliria shtrihej në territoret e veta, në ato territore, ku s’kish njeri, siç shkruan personaliteti i shquar i letrave shqipe Mitrush Kuteli. Megjithatë, edhe ato territore që mbetën pas dyndjes së të tjerëve drejt Gadishullit të Ilirisë, shqiptarët, të përçarë kashtë e koqe, nuk qenë të aftë t’i mbronin. Mendoj se krerët e dalë nga radhët e kombit shqiptarë nuk kanë pasur kurrë besim në atësitë krijuese, në aftësitë luftarake të popullit shqiptar, ata u kanë besuar më shumë të huajve, të cilët, në heshtje i kanë përqeshur me ironi. Kujtoni për një çast legjendën dibrane Elez Isufi, i cili, me trimat e tij, në vitin 1915, lumin Drini i Zi e pati mbushur me kufoma ushtarësh pushtues serbë. Ai ushtaraku anglez e pati quajtur Elez Isufin “gjenerali me shajak”, prandaj serbët në Beograd edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me tmerr. Po sikur Ismail Qemali, fill pas shpalljes së pavarësisë, të kishte lëshuar kushtrimin për ngritjen e popullit më këmbë në të katër vilajetet tona, a e merrini me mend se sa elezë isufë do të kishin dalë në skenën e historisë shqiptare, të cilët do t’u jepnin dërrmën serbëve dhe grekëve dhe ajo “kurva e motit”, siç e pati etiketuar Evropën Fishta i Madh, nuk do të guxonte të na i bënte çarçaf trojet amtare. Por Ismail Qemali nuk kishte besim te aftësitë luftarake të popullit shqiptr, prandaj u ngrit e shkoi në Londër për t’i lypur mëshirë Eduard Greit, i cili, në heshtje, tallej me të. Te aftësitë e popullit shqiptar nuk kishte besim as Enver Hoxha, i cili, siç e dini shumë mirë, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit 1947, bëri thirrje për t’u bashkuar sa më shpejt me Jugosllavinë se Shqipëria, sipas trurit të tij të mykur, nuk ishte në gjendje ta ndërtonte vetë socializmin se do ta gëlltiste imperializmi. Çfarë frikacaku i pështirë, çfarë servili i neveritshëm i serbosllavizmit! Tani shikoni kastën tradhtare të Ramës në krye të vendit, e cila, faktikisht, e urren popullin shqiptar, shumicës dërrmuese të të cilit i ka hedhur në qafë lakun e varfërisë. Por elitat intelektuale heshtin. Nuk e di, ore i dashur Fahri, se si do t’i vejë halli mbarë kombit shqiptar, por kam dyshim se po shkon drejt shpërbërjes ca nga ca, se nga radhët e tij dalin politikanë mercenarë, në shërbim të të huajve, dhe brezi i ri po e braktis vendin.
    Ju uroj shëndet, mbarësi familjare dhe suksese në publicistikën tuaj nacionaliste.
    Me shumë respekt dhe mirënjohje.
    Eshref Ymeri
    Kaliforni, 17 janar 2022

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu