ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Enver Hoxha i Adem Demaçit

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Përgatitur: nga Ibrahim Kelmendi
Nga notesi i Adem Demaçit

ENVER HOXHA

[Shqiptari, Djali i Ademit, po publikon shkrime të AD, të pa publikuara deri tani, me shënimin: “Nga notesi elektronik” (12.01.2001). Kësaj radhe huazova vlerësimin që AD ka bërë për EH.]

Enver Hoxha, në historinë tonë, është një figurë ende e pastudiuar në mënyrë komplete, komplekse e të paanshme.
Enver Hoxha, varësisht se nga cili prizëm shikohet, merr pamje të veçantë. Shikuar nga prizmi i simpatizantit ose të anëtarit të partisë së tij, ai del një figurë politike me vlera të larta. Shikuar nga prizmi i kundërshtarit të tij politik, ai del një figurë me përmbajtje negative politike. Shikuar nga prizmi i qelepirxhiut, deri sa ishte i gjallë dhe në pushtet, ai del një figurë e bardhë dhe pa të meta, ndërsa pas vdekjes e rënies së pushtetit të tij, ai del një figurë e zezë dhe vetëm me të meta. Shikuar nga prizmi i kosovarit të robëruar, Enver Hoxha duket si një figurë politike e cila u mundua fort për çlirimin e Kosovës, por që vdekja e parakohshme e pengoi që ta bënte një gjë të tillë.
Të gjitha këto këndshikime, të gjitha këto pikëvështrime, të gjitha këto qasje të lartpërmendura burojnë nga mendjet e kufizuara në hapësirë e në kohë, nga interesat e njerëzve – ego. Njerëzit – ego, qendër të brendshme referuese kanë objektet e fenomenet jashtë tyre. Njerëzit – ego mendojnë ‘çfarë kam e jo çfarë jam’, prandaj edhe shkojnë pas pasurive, ideologjive, besimeve, autoriteteve, situatave e rrethanave kalimtare.
Vetëm njerëzit me mendje dinamike që kanë qendër të veten të brendshme referuese: shpirtin dhe që pyesin ‘çfarë jam e jo çfarë kam’, kanë mjaft energji dhe aftësi për të bërë vlerësimin objektiv dhe të saktë të objekteve, fenomeneve e rrethanave të caktuara.
Përse është kështu? Kështu është sepse, e gjithë historia e njerëzimit, që nga kalimi nga faza e parë zemërore e shpirtërore e zhvillimit të vet matriarkal, në fazën e dytë të mendjes së shëndoshë patriarkale, është histori e egove!
Karakteristikë themelore e egove është jo të menduarit me zemër e me shpirt, por të menduarit me mendje të shëndoshë, me arsye. Dhe mendja e shëndoshë llogaritë, kalkulon, bën hesap. Prandaj, egoja, duke llogaritur, duke kalkuluar e duke bërë hesap, vjen në konkludim katastrofik. Ky konkludim katastrofik, kur të zbërthehet në një formë të thjeshtësuar, për afërsisht, mund të duket kështu. Egoja, në mënyrë permanente, e sheh veten në rrezik. Ka frikë se do të humbë trupin e vet; ka frikë se do të humbë pronën e vet; ka frikë se do të humbë pasurinë e vet; ka frikë se do të humbë autoritetin e vet; ka frikë se do të humbë postin e vet; ka frikë se do të humbë pushtetin mbi të tjerët. Egoja tmerrohet nga vdekja.
Dhe, duke qenë i rrethuar nga të gjitha këto rreziqe, egoja dyshon tek të gjithë, frikohet nga të gjithë dhe bie në armiqësi me të gjithë. Dhe, për të larguar dyshimet, egoja kërkon prova të lojalitetit nga të gjithë. Për të larguar frikën, egoja mundohet t’i kontrollojë të gjithë. Për t’u mbrojtur nga armiqtë, egoja mundohet ta zgjerojë dhe ta forcojë pushtetin e vet mbi të tjerët deri në absurd.
Ja, ky ishte dhe është fati i egove në këtë fazë të dytë të zhvillimit të njerëzimit.
Nuk është kurrfarë zbulimi nëse them se shumica dërmuese e njerëzimit sot përbëhet nga egot. Egot i shohim në familjet tona, në rrugë, në punë e kudo. Kahdo që të shkojmë, kahdo që të shikojmë, jemi të rrethuar me egot. Sepse, me shumë pak përjashtime, edhe vetë jemi ego. Të vegjël ose të mëdhej, por shumica dërmuese e njerëzimit janë ego. Madhësia e egos varet nga roli të cilin ai luan brenda familjes, brenda ambientit ku jeton, punon, vepron e deri tek liderët më të mëdhej të shteteve më të mëdha të botës.
Do të dilnim nga tema nëse do të bënim fjalë për domosdoshmërinë, por edhe për dobinë e pallogaritshme të kalimit të njerëzimit, nga faza e parë zemërore-shpirtërore në fazën e dytë të arsyes së shëndoshë e kalkuluese. Sepse, pa arsyen e shëndoshë kalkuluese njerëzit, edhe sot e kësaj dite, do të jetonin nëpër shpella e mbi degët e lisave e të pemëve të egra.
Tema jonë është Enver Hoxha, prandaj, me këtë rast edhe disa fjalë. Ashtu siç ishte Gjergj Kastrioti përfaqësuesi ynë tipik në arenën e vogël të liderëve-shpirt të botës, ashtu edhe Enver Hoxha është përfaqësuesi ynë më tipik në galerinë e pafund politike të liderëve-ego të botës.
Nëse duam që të japim mendime e vlerësime të sakta e të drejta për personalitetin e Enver Hoxhës, atëherë atë duhet ta vështrojmë të pandarë nga koha në të cilën ai jetoi e veproi, nga rrethanat brenda trollit e popullit shqiptar, nga rrethanat politike në Ballkan, në Evropë e në botë.

[Marrë nga https://www.facebook.com/shdemaci
I publikuar më 23 maj 2021.]

***
Siç mund të vërehet, as një e katërta e tekstit nuk merret me prezantimin dhe vlerësimin e EH, tematikë kjo që është paralajmëruar në titull, por me ca shtjellime, në dukje filozofike, kryesisht për egon.

AD ka konstatuar: “Shikuar nga prizmi i kosovarit të robëruar, Enver Hoxha duket si një figurë politike e cila u mundua fort për çlirimin e Kosovës, por që vdekja e parakohshme e pengoi që ta bënte një gjë të tillë.”

Ku vlerësim është tepër i pa saktë, nëse si “kosovar të robëruar” i ka menduar të gjithë shqiptarët e Kosovës. Edhe pse nuk ka të dhëna empirike, edhe unë po përdor mënyrën e AD për të bërë vlerësim kuturu: as 10 % e shqiptarëve të Kosovës nuk e kanë pas këtë mendim pozitiv për EH. Përkundrazi, kanë menduar e mendojnë se EH nuk është angazhuar për çlirim të Kosovës. Bile janë shumë nga ata që broçkullisin: “EH e ka shit Kosovën”. Ky diskualifikim i fundit është inatçor, meqë askush nuk mund të shet diç që nuk e posedon si pronësi.

AD, kur ka bërë përgjithësimin “Enver Hoxha duket si një figurë politike e cila u mundua fort për çlirimin e Kosovës, por që vdekja e parakohshme e pengoi që ta bënte një gjë të tillë”, duhet të jetë kryesisht rrjedhojë nga subjektivizmi dhe tifozëria ideologjike e vet AD që ka pas për EH, qysh kur ka filluar të merret me veprimtari ideopolitike. Njësoj si AD dhe të frymëzuar prej tij, kanë menduar dhe i kanë bërë tifozëri EH edhe mijëra të ashtuquajtur enveristë.

Kryesisht për shkak të propagandimit publik të marksizëm-leninizmit enverist, çlirimit kombëtar të Kosovës, për t’iu bashkuar Shqipërisë, AD është burgos e dënuar dy herë: me 3 vite herën e parë (1958), me 10 vite herën e dytë (1964). Ndërsa herën e tretë (1975), AD është burgos pa bërë asnjë faj, qoftë edhe vetëm propagandë gojore, për çka e kanë dënuar 15 vjet burg. Herën e tretë duhet ta kenë dënuar me proces të montuar vetëm për hir të taktikës politike konjukturale të KSA të Kosovës, siç e ka thënë edhe njëri nga kryeshefat e atëhershëm të SDB-së, Shefqet Hashani; SDB ishte akronimi për shërbim sekret, i afirmuar me akronimin pezhorativ: UDB. Shefqet Hashani e ka ndërlidh këtë proces të montuar gjyqësor me hidhërimin e madh që ka pas udhëheqja e Republikës së Serbisë, për shkak të zbulimit, burgosjes dhe dënimit në Pejë, të një grupi të komunistëve stalinistë, të etnisë serbe dhe malazeze, në vitin 1973. Prandaj është montuar një proces politik gjyqësor ndaj AD dhe ca të tjerëve, për të bërë një si barazim etnik në përndjekje të “armiqve të shtetit dhe të rendit socialist”.

Vlerësimin tjetër të AD, “Enver Hoxha është përfaqësuesi ynë më tipik në galerinë e pafund politike të liderëve-ego të botës”, nuk po e komentoj, meqë edhe nuk jam duke e kuptuar.

Të habit taktika e anashkalimit nga AD për ta çvlerësuar EH si diktator, edhe pse vet EH, me krenari edhe delirante, e ka pohuar se në Shqipëri sundonte “diktatura e proletariatit” dhe se ai ishte udhëheqës i saj! 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu