Don Lush Gjergji, Prishtinë
“As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut…”.
(Ernest Koliqi)
Populli, me të drejt thotë: “Harresa, në disa raste, është më e vështirë se vdekja.” E kjo thënie popullore, vlen sidomos për historinë tonë, për shumë krijues që kanë flijuar jetën dhe punën për të mirën e popullit, për një ardhmëri të cilën me shekuj po e kërkojmë, dëshirojmë, presim, por e cila në tërësi ende nuk po zbatohet.
Një ndër personalitetet e rralla të kulturës kombëtare, që është harruara për një kohë të gjatë, pa dyshim është edhe prof. Ernest Koliqi, shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes, edukator i shumë brezave shqiptare në Atdhe dhe gjetiu. Në jetën dhe veprën e tij pasqyrohet fare mirë Golgota e popullit tonë; mishërohen vlerat e së kaluarës sonë të lashtë, hapen shtigjet e reja të ardhmërisë, sidomos nëpërmjet arsimit, kulturës dhe qytetërimit.
Ernest Koliqi, lindi në Shkodër, më 20 maj 1903. Që në fëmijërinë e hershme hetohej aftësia e tij mendimore, por Shqipëria ishte ende e varfër dhe e paorganizuar për shkollim sistematik dhe klasik. Mu për këto arsye, ai qe dërguar së shpejti në Brescia dhe në Bergamo të Italisë, në kolegjin e famshëm klasik “Arici”, ku me sukses kreu mësimet fillore për afro dhjetë vjet. Studimet e larta për gjuhë dhe letërsi, i kreu në Padovë.
Si fëmijë, e sprovoi vendin e huaj, mërgimin, si një lloj paralajmërimi dhe përgatitje për jetën e ardhshme. Në Shqipëri, u kthye në vitin 1921 dhe pas tre vjetësh rishtas kthehen në Itali. Punën në arsim e fillon në vitin 1930, së pari si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Tregtar të Vlorës dhe më vonë në Liceun shtetëror në Shkodër.
Në vitin 1937 u emëruar lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Padovës, ndërsa pas dy viteve profesor ordinar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.
Më 12 prill 1939 emërohet Ministër i Arsimit Shqiptar. Nga Shqipëria iku së pari në Dubrovnik, prej nga kaloi në Itali, në Romë, ku jetoi dhe veproi deri në vdekje (1975).
Përpos Italisë, prej vitit 1925 deri në vitin 1928 ka jetuar në Mal të Zi dhe në Bosnje, në Tuzëll, ku pati rast të mirë të njihte botën shqiptare të Malësisë së Madhe dhe atë boshnjake.
Ndikim të madh, vendimtar në jetën dhe formimin e tij njerëzor, kombëtar dhe krijues pati Luigj Gurakuqi (1879-1925) dhe Ernesti për një kohë ishte edhe sekretari i tij personal.
Në Brescia dhe Bergamo, më vonë në Padovë, sidomos në Romë, pati fat të njihte shumë personalitete të shquara të kulturës, traditës, krijimtarisë italiane dhe evropiane.
Këtu do ta përmendi njohjen, shoqërinë dhe miqësinë e tij me Giovanni Battista Montini, më vonë Papa Pali VI, që vazhdoi gjatë tërë jetës së tyre, botërisht u dëshmua në shumë raste, sidomos në vitin 1968, kur u kremtua 500 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar dhe fetar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Në vitin 1972, Papa Pali VI për Shqipërinë komuniste-ateiste botërisht ndër të tjera tha: “S’mund të heshtim mbi Kishën e Krishtit, e cila, është e detyruar jo vetëm në vuajtje në heshtje, por edhe në vdekje. Më lejoni ta hapi shpirtin tim kur mendoj rreth shkatërrimit të një popullit, teritorialisht të vogël, por të pasur me tradita të lavdishme qytetare dhe fetare, i afërt për ne, por i mbajtur larg nga barrierat, si të ishte në mes të nesh ndonjë oqean: Shqipëria…” (”Shejzat”, 9-12, 1972, f. 419).
Nga malli dhe dashuria për Atdhe dhe për Popull jetoi dhe krijoi në shumë drejtime për begatimin shpirtëror-kulturor të popullit. Nga përvoja e jetës dhe shkollimit, në veçanti u angazhua gjithnjë për shkollimin në gjuhën shqipe, prej fillores, shkollave të mesme dhe të larta, si dhe për krijimin dhe zbatimin e plan-programeve shkollore, po ashtu edhe për përpilimin e teksteve, si p. sh. “Shkrimtarët Shqiptar”, pjesa I, II, Tiranë 1941 etj.
“Për t’i dhënë baza shkencore kulturës shqiptare me krijimin e “Institutit të Studimeve Shqiptare” në Tiranë, me programin e njësimit terminologjik të dishiplinës, me kongreset ndërkombëtare dhe botimin e serisë “Studime e Tekste”, me rritjen e studimeve dhe mbledhjen e trashëgimisë nëpërmjet “Visaret e Kombit”…” (Giuseppe Gradiglione, në “Shejzat”, viti XIII, nr. 10-12, 1969, f. 6).
Për të arritur një gjë të tillë, lypet kultivimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe “me përpjekje të papreme, e pati fatin e bardhë me e zanunnji vend të posaçëm midis atyne burrave të vlefshëm, që i a dedikuen veten Kombit nëpërmjet gjuhës, qi asht shërbimi më kryesor qi i bahet kombit. Gjuha asht shpata, gjuha asht arma, gjuha asht zemra, gjuha asht çfaqja e gjallnis e, ma ne fund, gjuha asht vetë jeta dhe vetë kombi. Pa gjuhë, s’ka komb” thotë Karl Gurakuqi për Ernest Koliqin në artikullin: “Nëpër vullajat e “Shejzave”, në “Shejzat”, 9-12, 1966, f. 524.
Me shkrime dhe krijime letrare, Ernest Koliqi e begatoi letërsinë tonë si me përmbajtje, po ashtu edhe me fjalë, frazeologji, gjuhë tejet të pasur dhe të pastër.
Veprat kryesore të Ernest Koliqit janë: “Kushtrimi i Skenderbeut”, Tiranë, 1924; “Hija e Maleve”, Zarë, 1929; “Poetët e mëdhej t’Italisë” vëll. I, Tiranë, 1932; “Gjurmat e stinve”, Tiranë, 1933; “Tregtar flamujsh”, Tiranë, 1935; “Quattuor”, Iliria, 1935; “Poetët e mëdhenj t’Italisë, vëll. II, Tiranë, 1936; “Pasqyra e narçizit”, Bari, 1936; “Symfonia e Shqipeve”, 1936; “Epica popolare albanese”, Padovë, 1937; “Kangjelet e Rilindjes”, Romë, 1959; “Shija e bukës së mbrume”, Romë, 1960; “I tre maggiori poeti d’Albania”, Romë, 1961; “Evoluzione strica della lirica albanese”, Romë, 1962; “Antologjia della lirica albanese”, Milano, 1963; “G. De Rada, sulla vita e sull’opera di De Rada”, Romë, 1964; “L’umanesimo di Skanderbeg”, Palermo, 1969.
Vështrimet kritike të Ernest Koliqit: Fishta interpreti i shpirtit shqiptar, në “Shkëndija”, 1940; Influenze orientali nella letteratura albanese, Istituto per l’Oriente, Roma, 1954; Kroje të reja në Parnaz shqiptare, vështrimi i parë sistematik kritik mbi letërsinë në Kosovë, në “Shejzat”, 1957, nr. 1, 4, 5; Dhjetëvjetori i së përkohshmes “Jeta e Re”, në “Shejzat”, 1959, nr. 11, 12; Il realismo socialista e la letteratura, Roma, 1960; Ventesimo anniversario della scomparsa di P. G. Fishta, Roma, 1960; Giuseppe Schirò, poeta della fratellanza pan-albanese, në “Shejzat” 1963, nr. 1-2; Spirito autoctono e influssi stranieri nella letteratura albanese, në “Shejzat”, 1963, nr. 9-10-11-12; Considerazioni sui canti erotici del popolo albanese, Louvain, 1964; Albania, monografia, in Enciclopedia dei popoli d’Europa, Milano, 1965; Faik Konica – profilo critico., në “Shejzat”, 1967, nr. 5-6-7-8.
Mbi jetën dhe krijimtarinë e Ernest Koliqit kanë shkruar ndër të tjerët: Cordiniano F., Petrotta G., Atë Gjergj Fishta, Mann Stuart, Shuteriq D., Gradiglione G., Quasimodo S., Guzzetta A., Martin Camaj, Karl Gurakuqi e shumë të tjerë.
Veprimtaria letrare e Ernest Koliqit filloi herët, në Brescia, në vitin 1921, kurse së bashku me studentët tjerë themeloi fletushkën studentore “Noi” (Ne) dhe aty edhe botoi punimet e para letrare.
Një kapitull i veçantë në jetën e tij dhe krijimtarinë e tij është themelimi i “Shejzave” në vitin 1957 dhe udhëheqja deri në vdekje. Në numrin e parë, ai ndër të tjera shkruan kështu: “Po i hyj kësaj ndërmarrje të vështirë, por me shpresë dhe bindje, e simbas fjalës së urtë “trimi i mirë me shokë shumë”. Dhe ashtu edhe ndodhi, sepse “së shpejti rreth emnit të Ernest Koliqit u radhitën fytyrat më të njoftuna në fushën e letrave në mërgim; i u banë kunorë miqt anë-e-kand në botën e lirë, nuk e lanë vetëm, secili simbas mundësisë dhe fuqive të veta” (Karl Gurakuqi, “Shejzat”, 1966, 9-12, fq. 515).
“Shkalla e zotsis së tij në këtë degë veprimtarije asht provue e riprovue tash katërdhetëvjetë e këndej: e kemi prekë me dorë në revistën “Illyria”, faqet e së cilës zbukuroheshin në çdo numër prej shkrimeve të tija, në prozë e në poezi; i kemi konstatue në revistën “Shkëndija” themelue dhe mbajtun prej tij” (”Shejzat”, Po aty).
Nëpërmjet “Shejzave” Ernest Koliqi ka krijuar një rrjetë të madhe bashkëpunëtorësh në botë dhe ka kultivuar kështu gjuhën dhe letërsinë shqipe në mërgim, por të lirë nga prangat ideologjike komuniste. Ja vetëm disa emra që vite me radhë kanë shkruar në “Shejza”: Atë Zef Valentini, Peter Bartl; Gino Bottiglione, Franc Babinger, Alois Schmaus, Georg Stadmüller, Martin Camaj, Nermi Vlora – Falaschi…
Ja si e përshkruan Ernest Koliqi gjendjen e popullit nën sundimin komunist, si dhe copëtimin e tokave dhe të popullit: “Pjesa intelektuale u përça në shumë pjesë të cilat këputen çdo pjekje njana me tjetrën. Disa shkrimtarë radhe së pari u zhduken n’atdhe tragjikisht, ase u detyruan të heshtin, tjerë u mërguan në katër kandet e botës. Fatkeqësia ma e madhe e rracës shqiptare qindron në ndasitë qi ndodhjet historike shkaktuen në trup të saj. Këto dasi i pasqyron vetë zhvillimi i letërsis, e cila zuni fill e u mëkëmb n’ujdhesa të shkëputuna njana prej tjetrës në hapësi dhe të ndërpreme në botë…” (Hilushi, “Shejzat” 9-10, 1969, f. 307).
Këto njësi, apo si thotë E. Koliqi “këto tri pjesti a thyese të botës shiptare ecin letrarisht në drejtime qi nuk harmonizohen. Mun veprojnë pa dijtë aspak ase fort pak njana për tjetrën” (”Shejzat”, Po aty).
Për letërsinë që krijohet në Kosovë njëherë më tha: “Kosova është dhe do të jetë kopshti i historisë dhe i ardhmërisë shqiptare… Atje ka mjaft krijime të suksesshme letrare, deri diku nën ndikimin e letërsisë sllave, por më pak nën ndikimin e diktaturës dhe ideologjisë komuniste. Nëpërmjet “Shejzave” jam munduar t’i lidhi dy botat shqiptare, trashëgiminë e vëllazërve Arbëreshë të Italisë dhe krijimtarinë përparimtare të shkrimtarëve të Kosovës, e cila është një risi e këndshme, përtërise dhe mjaft premtuese…”.
Bota e Ernest Koliqit nuk ishte e mbyllur në kufij apo paragjykime, por ai jetoi dhe veproi gjithnjë për popullin Shqiptar, sepse “Shqipnija e vërtetë s’ka kufij gjeografik, por shtrihet shpirtnisht nëpër mbarë botën në çdo vis ku gjallitë nji Arbnuer qi nuk mohon vetit e veta autoktone” (”Shejzat”, Po aty, f. 310).
Ai, vërtet ishte vizionar i së ardhmes, sidomos nëpërmjet arsimit shqiptar. Si Ministër i Arsimit Shqiptar, ai dërgoi në Kosovë arsimtarët më të përgatitur dhe më të aftë për këtë mision të shenjtë, për arsimimin, ngritjen dhe qytetërimin e popullit të tij. Njëherë më rrëfeu këtë vendim me këto fjalë: “Shumëkush nuk e kuptonte përcaktimin dhe vendimin tim në Shqipëri; disa edhe më kundërshtuan dhe më sulmuan haptazi se po i shkapërderdhi intelektualët tanë. Mirëpo unë iu thashë: “Kosova është gjymtyra jonë e rrezikuar, prandaj atje duhet të veprojmë për përforcimin dhe kultivimin e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare…”.
Shpesh thoshte kështu: “Kush e njeh mirë dhe në thellësi popullin shqiptar, s’mund mos ta donë. Shembulli më i mirë i “shqiptarit të huazuar” është Atë Giuseppe (Zef) Valentini”.
Katedrën për gjuhë dhe letërsi shqipe në Romë e lartësoi në nivelin e Institutit, me dekretin e kryetarit të Italisë, më 2 shtator 1957. Gjatë viteve akademike 1951-1969 aty diplomuan dhe doktoruan 58 albanologë shqiptarë, arbëreshë dhe të huaj (Lexo: Giuseppe Gradilione, “Shejzat”, 10-12, 1969, f, 24-27).
Ernest Koliqi i lidhi mjaft frytshëm edhe katedrat tjera të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali dhe në botë, si dhe studiuesit dhe krijuesit tanë me albanologë të huaj.
Për të shkruan prof. Dr. Hans Joachim Kissling: “Shkrimtar dhe poet i pajis me zotësi të posaçme shprehëse qi diti ma se miri t’i përdorë me i ba të njoftun jo vetëm botës italiane, por edhe mbarë botës erudite, pasurinë shpirtnore të popullit shqiptar, mundësinë e tij dhe doket trashiguese…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 332).
Atë Zef Valentini më tha për Ernest Koliqin: “Ai është ambasadori i denjë i kulturës dhe traditës shqiptare në Itali dhe në botë. Zoti i ka planet e veta me popullin shqiptar edhe në këto rrethana të vështira”.
Prof. Martin Camaj: “Ernest Koliqi është për mua mësues, mjeshtër i fjalës së shkruar, shqiptar i kulluar, njeri që diti t’i afrojë dhe miqasojë njerëzit në mes veti, sidomos shqiptarët e mërguar dhe të shkapërderdhur. Gjithmonë besonte në Zotin dhe në Popullin, në vlerat burimore shpirtërore dhe letrare”
Ndërsa Ernest Koliqi shkruan për Marti nCamaj kështu: “Ardhja e Martin Camajt në Romë më trimëroi me hy edhe nji herë në valle të botimeve. Me bashkëpunimin e tij vëllaznuer dolën në dritë “Shejzat”…. Sillte me vete edhe dishka ma tepër: njomsin agimore të letërsis së Kosmetit… E ndiente veten si pjesëmarrës i ngusht në lëvizjen kulturore t’asaj krahine… Ajo frymë më rinoi e shkaktoi në muenji ringjallje fuqish…” (“Shejzat”, 9-12, 1966, f. 308-309).
Parimi i tij themelor ishte shkollimi, arsimimi, komunikimi i popullit shqiptar me botën dhe i botës me ne. Për këtë shpesh e përsëriste këtë porosi: “Pa dituri s’ka as ardhmëri”.
Ernest Kolqi u dallua edhe si përkthyes shumë i suksesshëm dhe i talentuar. Ja vlerësimi i Atë Cornelio Capizzit, profesor i letërsisë bizantine në Universitetin e Kolnit dhe në Istitutin Oriental në Romë: “Prof. Ernes Koliqi dëshmon njohurinë shembullore të gjuhës poetike italiane, në çdo fshehtësi semantike, tërësinë e fuqisë plastike dhe paraqitëse…” (”Shejzat”, 10-12, 1971, f. 335).
Më përthimet e tija të shkëlqyeshme nga shqipja në italishte dhe anasjelltas afron dhe begaton dukshëm dy gjuhë, kultura dhe popuj.
Dr. Đuro Kokša, Rektori i Kolegjit të “Shën Jeronimit” në Romë, më vonë ipeshkëv ndihmës në Zagreb, thoshte: “Ju shqiptarët keni fat të madh me prof. Ernest Koliqin si përfaqësues i denjë i popullit tuaj në Qytetin e Amshuar. Erudit i vërtetë, njeri i kulturës dhe krijimtarisë, mik i të gjithë popujve”.
Prof. Ernest Koliqi ishte shkrimtar, poet, arsimtar, përkthyes e mbi të gjitha njeri i ngrohtë, zëri i kulturës dhe popullit shqiptar në kohën e “shkretëtirës” dhe rrënimit të pashoq në Shqipëri- urë afrimi, frymëzues për shumë krijues të ri shqiptarë nga Kosova, Italia dhe diaspora.
Duke folur njëherë për dashurinë për popull dhe atdhe, ai më tha: “As zemra s’duhet të punoj vetëm për mua, por për të mirën e popullit tim dhe të atdheut”.
Zemra e tij u ndal së rrahuri, pas shumë mundimeve dhe mallit për vendlindje, por jo edhe dashuria, e cila vazhdon përmes veprave. Pati një jetë shumë të mundimshme, e ndoshta pikërisht për këtë edhe mjaft të frytshme. Vuajtja, malli, vetmia, bota e huaj nuk ishin për të shkas dëshpërimi, mbylljeje, hutie, dezorientimi, por frymëzim krijimi, pune, dashurie.
Në një bisedë më pati thënë: “Të nderoj dhe të dua shumë për dy arsye, se je meshtar i Jezu Krishtit dhe i Kishës Katolike. Edhe unë e kam pasur një vëlla meshtar, Don Mikelin, të cilin të “patenzonët” ma vranë…(Prof. Ernest Koliqi nuk e dinte se Don Mikeli ishte gjallë dhe se një ditë do të dilte nga burgu dhe do të emërohej kardinal i Kishës Katolike, vr. ime). Arsyeja e dytë pse të dua është, sepse merresh me çështjen e gruas shqiptare, temë gati e paprekur, por shumë e rëndësishme për ne, sidomos me jetën dhe veprën e Nënës Tereze”.
Jetoi dhe vdiq me “sy të çelur”, me mall në zemër, me shpirt të tronditur. Njëherë më tha: “Ne dhe të huaj gjeta Shqipërinë e vogël, ndër Arbëreshët. Në rininë intelektuale, përparimtare kosovare gjeta shpresën e re për ditë më të mira për popullin tonë”.