ARKIVI:
18 Nëntor 2024

“Errësirën” e Mesjetës dhe të Arbërorëve e ka krijuar qasja joshkencore ndaj saj

Shkrime relevante

Qeveritë Kosovë-Maqedoni e Veriut mbledhje të përbashkët nesër në Prishtinë

-Qeveria e Kosovës sot miratoi nisma para mbledhjes me Qeverinë e...

Shpallen martirë nga Vatikani edhe dy klerikë të tjerë shqiptarë

E shtuna e 16 nëntorit është një ditë historike për Kishën...

Letra nga Janjeva të vitit 1782

Dr. Nusha Zhuba , Romë Letra nga Janjeva Më duhen lekët për të...

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Shpërndaj

Jusuf BUXHOVI, historian dhe shkrimtar nga Prishtina 
Opinione
Akademik Pëllumb Xhufi, në një leksion me temën “Mesjeta arbërore e shek. XI-XIV: një vështrim mbi problematikën” paraqiti një varg problemesh që pengojnë në ndriçimin e historisë së mesjetës së hershme. Mes tyre, u përmend metodat e studimit. U theksua “se ka një material të ngjeshur dokumentesh të botuara në gjuhën latine dhe italishten mesjetare, e më gjerë për të cilat duhet përdorur origjinali krahas përkthimit”.
Ajo që bie në sy te hapja e kësaj çështje gjithsesi ka të bëjë me nxjerrjen në pah te një fakti tejet të rëndësishëm – të Arbërve në Bizant, ku, pos tjerash, thuhet se “burimet bizantine pohojnë se ekzistonte një marrëdhënie e rregulluar me marrëveshje të veçanta, ku Arbrit gëzonin njohjen e një autonomie politiko-administrative të tyre nga Perandoria Bizantine. Shqiptarët nuk quheshin bizantinë, por quheshin aleatë.”
Natyrisht se këtu dhe te kjo çështje fillojnë keqkuptimet, që historiografia institucionale shqiptare ia ka krijuar vetes prej më shumë se një gjysmë shekulli ngaqë është ndjekur an blanc metodologjia e njohur e shkollës vieneze të shekullit XIX dhe diktati i saj me mangësi shkencore, ku vendi i shqiptarëve në historiografi nga antikiteti, mesjeta hershme, ajo e mesme dhe koha më e re, nuk është parë në qendër të saj, siç ka qenë në të vërtetë me ndërlidhjen me Pellazgët dhe fuqinë e trinomit mbretëror ilir (Maqedoni, Dardani, Epir) që e ka dominuar atë në periodën para dhe pas heleniste, por në periferi, gjithnjë në kuadër të tërësive “të huaja”, pra të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve dhe të tjerëve!
Kjo pikëpamje, që ka dominuar historiografinë prej gati dy shekujsh nga shkolla sllaviste e Vjenës, e ndërtuar kryekreje mbi koncepte politike dhe në emër të interesave të caktuara të ridizajnimit të hartës shtetërore europiane nga Kriza Lindore e këndej dhe e përqafuar me zell të madh nga propaganda hegjemoniste ruso-sllave, është pranuar edhe nga historiografia institucionale shqiptare nga themelimi i saj thuajse me inferioritet të plotë. Ngjashëm ka ndodhë edhe me teorinë indoeuroiane si dhe vendin e shqipes në të, ndonëse e përcjellë me dyshime të mëdha nga shumë studiues të njohur ndërkombëtarë pikërisht për këtë arsye.
Nëse dikur si alibi ka shërbyer faktori ideologjik dhe ai i diktatit të historiografisë serbomadhe, gjithnjë i lidhur me faktorin e parë në rrethanat e sistemit komunist në Shqipëri dhe Jugosllavi, megjithatë, eliminimi i këtyre faktorëve është dashtë të përcjellët edhe me rishqyrtime, korrigjime si dhe me rishkrime historiografisë.
Dhe, tash, kur hapen këto çështje në nivel të një Akademie të Shkencave, që deri më tani e ka përfaqësuar këtë diskurs me mjaft fanatizëm, madje edhe duke i anatemuar përpjekjet që ato të shihen “ndryshe” nga studiues jashtë saj si dhe ndërkombëtarë, shtrohet nevoja për rishqyrtime të gjithmbarshëm historiografike të atyre nga antikiteti, mesjeta e deri te koha më e re, mbi konceptin e pamjes së iliro-arbërorëve-shqiptarëve në të si pjesë e qendrës dhe jo e shkapërderdhur tek të tjerët, si periferi, siç pretendon shkolla sllaviste e Vjenës, që edhe sot e gjithditën me perfiditet, përfaqëson këto qëndrime nga historiani kontrovers Olivier Shmitt dhe disa të tjerë.
Ndryshimi i kësaj paradigme, krahas rishqyrtimit të lidhjeve të ilirëve me botën pellazge si dhe raportet me helenizmin, pa mëdyshje nënkupton përqendrimin te rishikimi i vendit të Arbërve në Bizant, si pjesë shpirtërore (me krishterimin), asaj institucionale – në ngrehinën e saj në kuadër të strukturave administrative-vetëqeverisëse (me Ilirikun dhe themat në kuadër të statusit të qytetarisë bizantine romarios), ku Arbrit bashkë me Grekët dhe Latinët shkrinë identitetin e tyre etnik në dobi të atij perandorak. Ndriçimit të kësaj çështje, po ashtu, i ndihmon vendi dhe roli i Arbërve edhe në kuadër strukturave feudale dhe të asaj që Shufllay me të drejtë e quan “separatizëm feudal” nga koha e procesit të shthurjes së Bizanit (midis shekujve XII-XIV), sidomos nga kryqëzata e katër e këndej, kur shfaqet edhe Despotati i Epirit, si alternativë e përjashtimit të qendrës së Bizantit nga Kostandinopoja në Nike pas vendosjes në të Perandorisë Katolike nga 1204-1267 dhe më vonë edhe “Mbretëria e Arbërisë” Anzhue (1272-1296) dhe garës së njohur e despotëve për krijimin e strukturave autonome-feudale, në kuadër të hapësirës perandorake.
Në këtë proces dezintegrues, rol të madh luan edhe ndriçimi i dinastisë Nemanjane të Rashës, si një faktor hegjemon force në Ilirik, që për dy shekuj, në hapësirën e Dardanisë, atë të Maqedonisë dhe pjesërisht të Epirit, në kohën e Stefan Dushanit, u vetëshpall “perandor” me pretendimin që ta zëvendësojë kurorën e Bizantit. Në bulat e tij dhe të paraardhësve, jo rastësisht përmendën dhe Arbrit bashkë me grekët, vllehët dhe të tjerët. Shumë nga këto bula janë falsifikuar nga Kisha ortodokse serbe si dhe Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve në përputhje me konceptin e përvetësimit të Rashës Nemanjane si “shtetit mesjetar serb”, prej nga përjashtohe koncepti i “Ilyricum Magnum”.
Interpretimi i drejtë i raporteve të Rashës Nemanjane në Ilirik ka rëndësi jo vetëm për Arbrit, por në përgjithësi për ndriçimin e zhvillimeve në kuadër të Bizantit, meqë kjo dinasti luajti rol tejet të rëndësishëm në garën midis krishterimit lindor dhe atij perëndimor si dhe luftë së vendeve katolike kundër atyre ortodokse nën kurorën e Bizantit. Rasha dhe, mbretëria e Bullgarisë para saj, po edhe feudalët e shkapërderdhur arbëror, patën një vend të veçantë në këtë garë. Meqë aty përcaktohej hegjemonia midis tyre, në rrethanat e shfaqjes së osmanëve, të cilët ndikuan që Bizanti, në kohën e Paleologëve të kthehet në aleatë të tyre, gjë që përshpejtoi ngritjen e osmanëve në fuqi në dëm të krishterimit katolik. Në këtë kthesë të rëndësishme, Rasha, pati një ndikim të madh, ndonëse fillimisht ishte në anën e Vatikanit. Stefani i I, më 1219, u kryqëzua “mbret” nga Papati, në mënyrë që më vonë, siç veproi Dushani, të marrë anën e Bizantit me pretendimin që ta fitojë kurorën e tij. Në këtë proces, pra të luftës së dy kishave, përfshirja e Arbërve është aktive me anën e formacioneve shoqërore-shtetërore të një rë ndësie të madhe strategjike, me Despotatin e Epirit në anën e Bizantit dhe të krishterimit ortodoks dhe, me Mbretërinë e Arbërisë Anzhue, në pjesën e tyre më të madhe, në anën e katolikëve të perëndimit. Në këtë zhvillim historik, me kapërcime dramatike dhe e përcjellë me luftëra të ndërsjella në dobi të njërit apo tjetrit kryq, që është minimizuar nga historiografia shqiptare për arsye që u cekën më lartë, Rasha Nemanjane inkorporohet si faktor hegjemon me pretendimin që ta fuste në konceptin e vet faktorin arbëror, ndonëse të shkapërderdhur nëpër feude, në përputhje me raportin e forcave të kohës, që do të ishte kompatabil edhe me interesat e veta. Raportet ndërlidhëse në vend të atyre përjashtuese të arbërve me Nemanjajt në kuadër të kësaj gare midis Lindjes dhe Perëndimit, kanë rëndësi të madhe për ndriçimin e një kornize komplekse historike që ka të bëjë kryekreje me Arbërinë Mesjetare në kuadër të Mesjetës dhe të faktorëve kyç në të. Kjo fiton peshë edhe më të madhe nga fakti se historiografia hegjemoniste serbe dhe ajo ruse-sllave në përgjithësi është munduar që despotatin e Rashës, nga shfaqja e paqartë si zhupani në shekullin XI e deri te forcimi në shekullin XIII dhe XIV, ta konvertojë në “shtet mesjetar” serb, ndërsa rasianët t’i konvertojë në serbë, përkundër fakteve të shumta historike nga autorë bizantinë (përfshirë këtu edhe perandorin Kantakuzen) ku ata paraqiten si Tribal (sipas autorëve antikë fis ilir),ndërsa Rasha si Tribalia,të cilën filologu serb Budimir, krahas etimologjisë së emërtimit Rasa nga Arsa në shqipe, jo rastësisht e quan “kështjellë e fundit të Bizantit në Ilirik”. Konvertimi i tribalëve në serbë, është i pranishëm edhe në gjashtë vëllimet e “Historisë së popujve të Jugosllavisë në dokumentet bizantine” të botuar midis viteve 1953-1974, por me një ndërhyrje flagrante kur emërtimi tribal i rasianëve “shpjegohet” si “hutim” i perandorit të Bizantit dhe të tjerëve nga Herodoti!
Historiografia institucionale shqiptare, ka sot mundësi të shumta që të kundërshtojë, madje edhe ta demantojë konvertimin e Rashës Nemanjane në “shtet mesjetar serb” që është bërë me falsifikimin e dokumenteve kishtare nga Beogradi (kristobulat dhe zhititë – përshkrimet fetare nga Hilandari) dhe të tjera. Këto falsifikime pranohen edhe nga historianë objektivë serbë (Ruvarac, Budimir dhe, edhe rusi Jastrebov). Kundërshtohen, po ashtu edhe nga shumë e shumë relacione diplomatike të Vatikanit, të Vendikut, Raguzes dhe atyre hungareze, në të cilat Rasha quhet vetëm Rasia, Rascia dhe assesi “mbretëri serbe”. Ky veprim madje mund të gjendet edhe te historiani serb S. Novakoviq, i cili, në parathënien e veprës “Zakonik Stefana Dushana cara srpskog” pranon se në studimin e tij nuk mbështetet mbi “Kanun mesjetar të shekullit XIV”, por të sajuar në shekullin XIX nga disa rrëfime të priftërinjve rus në Prizren! Në parathënien e kësaj vepre, Novakoviq pranon se ato rrëfime që ai sjell në libër, fillimisht “si rrëfime” nga priftërinjtë rusë në Prizren janë bartur te A. Shafariku në Vjenë dhe ai i ka plasuar te “Documenta slavica”. Të tilla pastaj janë pranuar edhe nga Jiriçek dhe sllavistë të tjerë të Vjenës, bashkë me falsifikime të tjera nga punëtoria e rishkrimeve të dokumenteve mesjetare në Odesë dhe Hilandar. Përballë këtyre argumenteve dhe të tjerave që mund të zbulohen nëpër arkiva meritore, thyhet “miti” rreth Rashës “serbe”. Ndërkohë që del në pah pikërisht ana tjetër e saj, ajo e krijimit të një “Illyricum Magnum” nga vendet katolike (Hungaria, Gjermania e të tjera), që lidhen me kryqëzatën e katër e këndej (1204-1353), bartëse e së cilës ishte paraparë të jetë Rasha Nemanjane, pasi që ajo të zgjerohet nga Nishi për në Prizren dhe Ohër, gjithandej Ilirikut në hapësirën e Dardanisë mesjetare atë të Maqedonisë dhe pjesërisht të Epirit, e ku do të përfshihen edhe shumë nga feudalët arbër: (Balshajt, Kastriotët, Topiajt e të tjerët).
Se thyerja e “mitit” të “shtetit mesjetar”, nuk paraqet ndonjë vështirësi shkencore, këtë, madje, e pranon edhe V. Çubrilloviqi në librin e tij “Politička misao Serbije” me atë që thotë se “ekziston një shpërputhje e madhe, thuajse e papërballueshme nga aspekti historik, midis etnisë serbe me qendër në Bosnjen Qendrore dhe Sllavoni, siç e paraqet edhe Porfirogeniti Serbisë politike, të shekullit XIX.” Nëse kësaj i shtohen edhe ato që thotë Jagidiq se “Serbia etnike i ka gjurmët në pjesën perëndimore të lumit Drina, ndërsa kultura serbe dhe nacionalizmi serb, që do të pranohet ndërkombëtarisht në Kongresin e Berlinit më 1878, bërthamën e ka në pjesën hungareze të Vojvodinës (Karlovc dhe Temishvar) dhe jo në Kosovë”, atëherë përballimi i kësaj çështje, në përputhje me dokumentet e shumta nga autorë mesjetar, nuk do të duhej të paraqiste ndonjë vështirësi. Kësaj duhet t’i paraprijë heqja dorë e historiografisë shqiptare nga dogma e “shtetit mesjetar serb” në Kosovë dhe të Rashës qendër të saj dhe aprovimi i një plani hulumtues-shkencor afatgjatë (nga studimet multidisciplinare), në të cilin do të përfshiheshin që të gjithë historianët shqiptarë (institucionalë dhe jashtë tyre) për kompleksitetin e mesjetës, me theks të veçantë te roli i Dardanisë mesjetare dhe i krishterimit , ku ai u zyrtarizua në shekullin IV, atij të ndarë në shekullin XI (në ritin lindor dhe atij perëndimor), pastaj të gjuhës së liturgjisë kishtare (greke dhe të sllavishtes së vjetër kishtare) dhe faktorëve që krijuan që në shekullin XIX, etnitë fetare mbi bazat e liturgjisë kishtar (të sllavishtes së vjetër – në serbë dhe malazias, dhe të greqishtes – në grek), të kthehen në etni kombëtare. Natyrisht se te trajtimi shkencor i këtyre çështjeve, i përcjellë me simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, me botime komplekse shkencore si dhe te përkthimi i veprave të autorëve shqiptarë në anglisht dhe depërtimi i tyre në universitetet prestigjioze botërore, institutet dhe bibliotekat e tyre, gjendet edhe përgjigjja rreth përvetësimit të krishterimit ortodoks nga kisha ortodokse serbe që ajo e ka përvetësuar jashtë realiteteve historike në dëm të shqiptarëve dhe të trashëgimisë së tyre të krishterë – nga shfaqja në Ilirik si dhe Rashës dhe dinastisë Nemanjane -jashtë përvetësimit serb me çka i hiqet velloja “errësirës mesjetare” të Arbërve.

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Nuk ka qene vetem Arberia . Ka qene Epiri, dhe Maqedonia te tre keto zona flisnin gjuhen Arberisht apo epirotisht. Zonat shqip folese qe nga lashtesia kane qene iLIRIA dhe me vone Arberia perfshi Dardanine, Epiri Maqedonia, Thrakia dhe pjeserisht Dakia.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu