Feti Tunuzliu, Mitrovicë
KUR LIGJËRONTE DHE PYSTE PROFESOR ESAT STAVILECI
(1942 – 2015)
(Profesion më të mirë kam konsideruar atë “që të mësosh të tjerët atë që ke mësuar për veten”, Esat Stavileci)
Fillimisht të rikujtoj se më 15 gusht 2015, buzë moshës 73 vjeçare u nda nga jeta Esat Stavileci, akademiku, pedagogu universitar, punëtori shkencor i përmasave ndërkombëtare – ballkanike dhe europiane, njeri ndër dijetarët dhe mendimtarët juridik më të mëdhenj që ka pasur dhe që ka njohur Kosova.
Sapo diplomoi në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë në vitin 1965, më 2 korrik (23 vjeçar), po aty, Esat Stavileci përzgjedhet asistent i dy lëndëve: E drejta administrative dhe Sistemi komunal e politika komunale, në të njejtin Fakultet, më 27 shtator (24 vjeçar). Pra, që i ri, si jurist i diplomuar nis karrierën e tij pedagogjike për t’vijuar pa reshtur edhe si magjistër i shkencave juridike (“Krahinat socialiste autonome në Jugosllavi në komperacion me njësitë autonome në Europë – Pozita kushtetuese juridike dhe funksioni normative”, Fakulteti i Drejtësisë në Zagreb, 1970/71), edhe si studiues i së drejtës krahasimtare (Fakulteti ndërkombëtar në Strazburg,) edhe si doktor i shkencave juridike (“Përgjegjësia politike e titullarëve të funksioneve publike dhe vetëqeverisëse”, Fakulteti i Drejtësisë në Sarajevë, 1974). Kreu edhe disa specializime në qendra universitare botërore. Ndryshe, në vitin 1979 zgjedhet profesor i rregullt në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës. Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, përveç në Fakultetin Juridik, ligjëroi edhe në Fakultetin Filozofik (Dega Histori) dhe në fakultete juridike të Universiteteve tjera jashtë Kosove: në Tetovë në dy Universitete – ate Shtetëror dhe të Europës juglindore, në Universitetin e Tiranës, të Sofjes, të Jenës, Universitetin Amerikan në Bllagoevgrad.
Si njëri ndër anëtarët më korrekt e të ndershëm në profesoratin e juridikut prishtinas, Esat Stavileci sherbeu gati gjysëm shekulli. Për këtë jetëgjatësi arsimi universitar, nuk mungoi falënderimi i veçant për studentët: “Dyzet e pesë vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të të ushqejnë vetëm studentët. Falenderimi im është për ta”, shprehej profesori Esat në “Disa porosi të jetës dhe të kohës“ e që në media dhe shoqërinë kosovore njihet si “Testamenti i akademik Esat Stavilecit” dalë nga ligjërata lamturmirëse me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë, më 8 tetor 2010, para pensionimit, dedikuar juristëve të ardhshëm edhepse, siç thoshte, “nuk kam menduar që të qëndroj aq gjatë në këtë profesion”. Gjatë ligjëratave juridike, profesori elitar iu kishte dhënë përgjigje e shpjegime të sakta shkencore studentëve per të drejtën administrative si degë e së drejtës përkatësisht e sistemit juridik kosovar dhe si shkencë e së drejtës administrative. Sa më shumë që përthelloheshin në to studentët, aq më shumë shtohej dashuria për shkencën dhe krenaria për ligjëruesin e aftë i cili përmes metodave të përshtatshme pedagogjike shkrinte dy binomet: teorinë juridike dhe praktikën juridike në një: në funksion të avancimit të njohurive juridike në përgjithësi e të atyre administrative (materiale e procedurale) në veçanti.
Në këtë shkrim jubilar artikullshkruesi mëton të hedhë dritë vetëm në dy aspekte që reflektojnë anën pedagogjike të profesorit Esat për përgatitjen dhe edukimin e brezave të juristëve: i pari – aspekti ligjërimor i lëndës E drejta administrative të cilën e ligjëronte përpara studentëve të vitit të dytë të drejtësisë dhe i dyti – aspekti i mbajtjes së provimeve me ç’rast kontrollonte shkallën e njohurive studentore të fituara gjatë vitit akademik (1974/75) dhe vlerësonte nëse duhet apo jo të kalojnë provimin. Ndryshe, ky erudit juridik, siç do të shihet në vijim, promovonte një sistem të mëvetësishëm dhe unikal sikundër të mbajtjes së ligjëratave ashtu edhe të mbajtjes së provimeve gjë që nuk njihej në historikun e Fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë.
- Kur ligjëronte profesori Esat
Rreth segmentit të ligjërimit të kësaj figure emblematike, do të fokusohemi në disa kujtime të paharrueshme të autorit të këtyre rreshtave që çojnë afër 50 vite larg, më saktë, në vitin akademik 1974/75 kur profesori i nderuar ligjëronte ditëve të martë nga ora 17.00-19.00 në amfiteatrin nr. 2. të juridikut në Prishtinë.
Gjatë ligjëratave profesori i përmbahej mjeshtërisht dhe me maturi parimeve dhe metodave pedagogjike të ligjërimit të cilat përkonin me kurikulat e arsimit universitar. Me këtë performancë të veçantë ligjërimi artin e të cilit e njite shumë mire, binin në sy lehtësisht veshja serioze dhe dinjitoze si dhe ligjëratat mbresëlënëse reflektuar me: përgatitjen e duhur, analizën, artikulimin mjeshtëror dhe gjykimin akademik të kombinuara me modestinë, ndershmërinë, objektivitetin dhe etikën e lartë pedagogjike. Të gjitha këto cilësi, plus gjuha brilante juridike me elokuencën lapidare, gjuha e pastër dhe e rrjedhshme shqipe që shpërthenin gjatë ligjëratave, duke përçuar mesazh tek studentët, nuk kishin si t’mos i ngrisin këto paraqitje në ligjërata perla që natyrshëm impononin përqëndrimin kulmor të vëmendjes studentore.
Përkitazi me fjalorin e tij të zgjedhur, mbase vlen të rikujtoj sakaq një pjesë të “Testamentit” të tij me dedikim rinisë së juridikut: “Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar gjeneratës sime të parë ka qenë: si pëlqeni t’iu flas” me gjuhën dhe stilin e rëndë të juristit që t’më konsideroni të mençëm“ pa më kuptuar asgjë apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit që “t’i kuptoni të gjitha”. Besoj se më ka kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më kuptojë !”
- Shfrytëzimi racional i orës akademike
Për afër një gjysmë shekulli, si tani më kujtohet kur profesori Esat fillonte ligjëratën këndshëm me pasion duke magjepsur kështu studentët e atij brezi dhe jo vetëm për ta dëgjuar me kërshëri. Në këto përsiatje, sapo mu kujtua momenti kur shpalosi “ligjeratën lamtumirëse” me studentët e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit publik “Hasan Prishtina” para pensionimi, me ç’rast, mësova një të vërtet – se ai që atëherë po e implementonte thënien: ”Planifikoje kohën, sepse vetëm me kohë mund të fitohet koha”.
Do sjell ndër mend një akt standard që praktikonte rregullisht profesori i respektuar i cili i fundit e mbyllte portën e amfiteatrit me fillimin e ligjëratave dhe i pari e hapte me përfundimin e tyre. Para fillimit të ligjëratave sapo ulej në karrigë vendoste orën e dorës sipër tavolinës para sysh dhe e vështronte kohëpaskohe, sepse, siç shprehej, “ora nuk është vetëm “për t’u mbajtur” por edhe “për t’iu përmbajtur!”. Orën 45 minutëshe të ligjëratave e shfrytëzonte racionalisht dhe me përpikmëri. Ligjëratat i niste ashtu që gjatë 10 minutave të para, përmes pyetjeve të shkurtëra por shumë me peshë, i inkurajonte studentët që të aktivizohen me dhënie përgjigjesh që kështu t’i përsërisin leksionet nga ligjërata e kaluar. Pasonin 30 minutat referuar zhvillimit të njësive të reja mësimore. Ndërsa 5 minutat e mbetura ia kushtonte përsëritjes se lekcioneve të sapo ligjëruara përmes pyetjeve të shkurtëra por kruciale studentëve. Fiks pas 45 minutave, bënim pushimin 15 minutësh kur studentët relaksoheshin në ambientet e amfiteatrit, në hol apo jashtë godinës. Dhe vijonte pastaj ora e dytë 45 minutëshe, përsëri me dedikim të njejtë: 10 min. (përsëritje), 30 min. (zhvillim) dhe 5 min. (kontrollim) duke lënë gjurmë të pashleyra në këtë mision të rëndësishëm pedagogjik.
- Stërpopullimi i amfiteatrit me student
Të gjitha këto i bënin atraktive ligjëratat e këtij thesari të shkencave juridike që impononte respektin e studentëve. Këtej s’ishte çudi pjesëmarrja masive e studentëve duke stërmbushur çdo cep e skutë të amfiteatrit. Përkundër këtij stërpopullimi, ruaj në kujtesë qetësinë apsloute që dominonte ndër studentët me ç’rast asnjëri nuk bëzante, ku “nuk dëgjohej as miza!”. Ndryshe, dukuria e masivizimit gjatë ligjeratave ishte shumë normale për studentët. E profesori Esat këtë akt e quante “shumë nder” duke u shprehur në media: “Më bën shumë nder ardhja masive e studentëve dhe mbushja plot e auditorit”.
Janë me qindra student, më vonë gjyqtarë, prokurorë, etj. nga Kosova dhe jo vetëm të cilët dijnë për profesorin tani të ndjerë Esat që ai kurdoherë tregohej i pa kursyer me këshillat e tij në leksione por edhe në udhëheqje temash magjistrash, masterash e doktoratesh. Gjithnjë derdhte mundin që tek studentët të kultivoi dashurinë dhe vullnetin për punë, studim e krijimtari shkencore.
Ishte profesori Esat ndër ata pak profesor të juridikut i cili, në kuadër të veprimtarisë pedagogjike, veç ligjëratave mbante edhe orët praktike (klinike). Gjatë këtyre orëve të mbajtura me pasion, pretendonte fuqishëm në gërshetimin e çështjeve teorike (ligjëratave) me ushtrimet praktike (përpilimin akteve administrative, analizën kritike të tyre perfshirë edhe argumentimin bindës).
- Një ndodhi e pazakont gjatë ligjëratave
Kundruall rrethanave të sipërtheksuara, e për t’qenë i sinqertë përball lexuesit të respektuar, ndjej obligim moral dhe intelektual ta shpalos një rast të hidhur i cili, mbase shenon përjashtim në praktikën pedagogjike të profesorit Esat por edhe një përjetim i pakëndshëm i studentëve okularë.
Ç’është e vërteta, derisa profesori Esat po ligjëronte me narrativen e tij shkencore, kurse në amfiteatër mbretëronte qetësia impresionuese, papritur u ndërpre zëri i ligjërimeve. “Ju kolege – të trijat, ju lutem ta lironi sallën menjëherë”, tha, ndërsa gishtin tregues të dorës së djathë e mbante drejtuar studentëve të ulur kah mesi i amfiteatrit. Sapo kuptuan se për to bëhet fjalë, u shikuan ndër vete me fytyra të skuqura. Kokulur, sakaq u ngritën në këmbë dhe njera pas ia mësyen portës. Ndërkohë, studentët të “mpirë” nga koncentrimi, me vështrim enigmatik po i vështronin koleget teksa lëshonin amfiteatrin dhe profesorin në pritje të largimit të tyre. Me të mbyllur porta e amfiteatrit, profesori Esat, iu kthye qetësisht ligjërimit. Më pas, gjatë pauzës në hol, vërehej se të trijat i brente ndërgjegjia dhe i kishte mbuluar turpi. Shprehnin keqardhjen e tyre të sinqertë për “qortimin” e ”shqiptuar” nga profesori Esat, siç pohonin, për shkak të të qeshurave të shkujdesura që i kishte diktuar ai. E në momentin kur po skadonte koha e pauzës dhe studentët po ktheheshin në amfiteatër për orën e dytë, të trijat i dolën para profesorit Esat. E lutënin, e përgjëronin për t’i falë. Ai me shikim serioz kah porta e hapur e amfiteatrit dhe me literaturën në dorën e djathtë, por pa asnjë shenjë ndrydhjeje në vetvete apo shqetësimi, iu drejtua me ton të butë e prerazi: “Ju lutem, ma lironi rrugën, ma lironi rrugën !”. Të brengosura që profesori Esat nuk reflektoi fare, u kthyen në amfiteatër një nga një. Pas tyre edhe profesori Esat. Sapo u ul në karrikë dhe vendosi orën e dorës mbi tavolinë nisi ligjëratën duke zhvilluar njësinë e re mësimore, ndërsa ato kokulur dhe sy-e-vesh hapur, merrnin shënime duke hedhur në fletore shpjegimet nga ligjëratat që po i dëgjonin.
- Kur pyste profesori Esat
Një dimension tjetër interesant i natyrës pedagogjike që meriton të shkoqitet vijimisht paraqet edhe mbajtja e provimeve nga profesori Esat. Mbase me këtë ndërlidhet edhe thënia e profesorit Esat: “Përherë kam konsideruar se është më lehtë të pyesësh se sa të përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët por më kanë pyetur edhe më shumë.”, citat i profesorit Esat nga “Testamenti …”.
Në këtë kontekst, profesori Esat i përmbushte një mori, të themi kushtimisht, metoda përmes të cilave studentët pa ndonjë vështirësi të theksuar inkurajoheshin dhe “gjenin veten” për të shenuar rezultate në provimin nga E drejta administrative. Prandaj, e konsideronin personalitet të çmuar për ç’gjë ky ju falenderohej botërisht: ”Ju falënderim nga zemra për konsideratën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të testeve tuaja në provimin e fundit”.
Kështu, vështruar nga aspekti metodik, zemërgjërësia e dashamirësia esatiane u provua e u stërprovua në sensin e opsioneve të promovuara për t’u ndihmuar studentëve, siç ishin: “tërheqja e shortit”; pyetjet dhe përgjigjet me gojë apo me shkrim të studentëve; parashtrimi i pyetjeve “blic”; “ekskursion” nëpër lëndë në formë dialogu me profesorin rreth njësive mësimore prej fillimi deri në mbarim të librit; hapja e librit dhe shpjegimit i temës që rastiste në faqen e hapur nga vet studentët. Për këtë liri akademike në metodologjinë e kontrollimit (vlerësimit) të njohurive studentore, në mendjen e ne të rinjve ai ishte pedagog i cili implementonte praktika të pranueshme gjatë provimeve me të cilat “nuk i hi n’hak studentit”. Megjithë, përgjigjeve të plota e të sakta, profesori i këshillonte në “Testamentin” drejtuar studentëve që “asnjëherë mos e vlerësoni veten me notë më të lartë” e as “mos mendoni se i dini të gjitha”.
- Kryetari i komunës në provim
Nuk më hiqet nga kujtesa një ndodhi e profesorit Esat që na e transmetoi gjatë ligjëratave, rreth provimit Sistemi komunal dhe politikat komunale të kandidatit që kishte rastis të jetë kryetar komune. Atij ia kishte parashtruar vetëm një pyetje: “Çfarë dini për të drejtat dhe detyrat e kryetarit të Kuvendit komunal ?.” Ndërsa ai, i kthehet profesorit Esat me “kundërpyetjen”: “Profesor, a e dini se unë jam kryetar komune ?”. Profesori i thot: “E di” dhe vazhdon: “Mirë është që më parë t’i dini të drejtat e detyrat e Juaja e pastaj t’mi thoni të drejtat e të tjerëve.” Por, kandidati, sërish e ripyet profesorin: “Profesor, nëse e dini se jam kryetar komune, a ma keni bërë këtë pyetje me qëllim që t’më rrëzoni apo që t’më kaloni ?
- “Mbrojtja” e seminareve nga studentet e magjistraturës
Ndryshe, një zhvillim mjaft i rëndësishëm dhe interesant që kishte ideuar dhe po e jetësonte profesori Esat ishte edhe përballja e studentëve të vitit të dytë të drejtësisë me studentët e studimeve postdiplomike të drejtimit administrativ. Ç’është e vërteta, këta të fundit e kishin “parakusht” nga profesori Esat që së pari t’i mbrojnë seminaret e tyre para studentëve të vitit të dytë . Ata që “kalonin” më pas, “fitonin kushtin” që të njejtat punime seminarike t’i mbronin para kolegeve të tyre të studimeve postdiplomike. Gjatë mbrojtjes së këtyre seminareve studentët me pyetje “të vështira”nganjëherë dinin t’i “djersitnin” mbrojtësit e seminareve të pozicionuar në ulësen e profesorit. Kështu që gjatë përgjigjeve të dhëna nga skena përballë studentëve, vërehej përjetimi “i sikletshëm” dhe jo i këndshëm i tyre, sepse, siç thot profesori Esat në “Testamentin” e tij: “Mundimi më i madh është mundimi me fjalët”. Aq më parë kur krejt këtë “shfaqje”, bashk me studentë po e vështronte edhe profesori Esat, ulur në njerin skaj të rreshtit të fundit të amfiteatrit.
2.3. Viti 2015 i kobshëm për ASHAK
Ndryshe, për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) , viti 2015 qe një vit i kobshëm. Në fakt, në intervalin tetë mujorë (shkurt-shtator) të këtij viti, ASHAK-u në përgjithësi, e tri Seksionet e saj në veçanti, u goditën mjaft rëndë sepse u ndanë nga jeta pesë anëtarë: vetëm nga Seksioni i Shkencave Shoqërore tre sish: Esat Stavileci, më 15 gusht, Mark Krasniqi, gjeograf dhe etnogaf, më 28 gusht dhe Pajazit Nushi, psikolog, më 2 shtator; nga Seksioni i Shkencave të Natyrës – Ruzhdi Pllana, gjeograf, më 20 shkurt dhe nga Seksioni i Arteve – Engjëll Berisha, muzikolog, më 15 shkurt.
Me pak rreshta, të tillë e kujtova portretin e Esat Stavilecit prej pedagogu të sa e sa brezave të studentëve e studiuesëve i cili i bëri nder arsimit, përkrah shkencës kosovare, kultures, …
Dhe ja, vitet saora rodhen kështu që sot shenohet – tetë vjetori i kalimit të profesorit Esat në jetën e përtejme. Si njëri ndër qindra e mbase mijëra ish-student të tij, ndjeva obligim njerëzor e intelektual që të shkruaj prap për profesorin që zor se mund të përsëdytet, për profesorin shumë të çmuar nga të gjithë në Kosovë, Shqipëri, kudo në trojet tona amtare dhe diasporë.
Prandaj po e përmbylli këtë shkrim me një thënie nga “Testamenti” i tij: “Mbani në mend: të vdesish i ndershëm është më shumë se të jetosh i ndershëm”. Thënie kjo që përkon apsolutisht edhe me jetën edhe me vdekjen e tij.