(Korniza e një portreti -Dussi Sadriji, piktor akademik)
(Spreitenbach (AG), 21 qershor 2024. Me rastin e hapjes së ekspozitës kolektive të Dussi Sadrijit, Thomas Velti dhe Yvonne Wilken)
I.
Dussi Sadriji, s’bashku me Thomas Velti, skulptor nga Badeni (AG) dhe piktorja Yvonne Wilken nga Dortmundi i Gjermanisë, në objektin e ri të komunës, “Gemeidegalerie në Spreitenbach – Galeria Komunale” të këtij qyteti, kanë hapur ekspozitën e tyre të radhës.
Me këtë rast kishin ardhur artdashës të shumtë, kryesisht zviceran, në mesin e tyre edhe miq dhe dashamirë të artit pamor, ku bashk me familjen e piktorit, shijonin vlerat më të arrira të Dussi Sadrijit, me rastin e hapjes së kësaj ekspozite të përbashkët me këta artistë të njohur. Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 02 gusht 2024, dhe vlenë të potencohet se si janë kthyer korridoret, shkallët dhe kthinat e Kuvendit Komunal në Spreitenbach, në Galeri Arti, traditë e kamotshme e kësaj komune.
Pikturat e Dussi Sadrijit, (mbi dyzet sish), përbënin një mozaik të kompletuar, qoftë si cikle e më tepër për ngjyrat dhe vijat sa tërëheqëse, aq mahnitëse dhe po aq unikate, vlera këto artistike që e bëjnë të dalluar profilin artistik të njeriut, i cili çdo gjë e vë dhe e bënë mbi bazën e njohjeve të thella profesionale, në anën tjetër kjo punë kaq e madhe flet për përkushtimin që ka artisti Dussi Sadriji, për artin pamor. Edhe kompozcioni artistik i këtyre pikturave, pavarësisht nga cikli dhe mënyra, paraqesin gjithënjo kordinata shumë të veçanta dhe tejet dalluese, të cilat pasqyrojnë një shkollë ndryshe, e mirë dhe dalluese e cila është arritje e veçantë dhe e papërseritshme, të cilën me pasion dhe përkushtim e krijon Dussi Sadriji i cili tashmë ka bërë emër, jo vetëm te komuniteti artistik i bashkatdhetarëve të vet, por kudo që prezantohet arti i tij, nëpër galeri e rrethe artistike, (jo vetëm në Zvicër), zgjon kureshtje dhe interesim.
Pa dyshim, Dussi Sadriji, piktor akademik, është bërë akademi për koloninë e artistëve shqiptarë, sepse mënyra e krijimit dhe përdorimi i thellë në hijezime figurative, përfaqësojnë teknika dalluese ashtu siç janë më dalluese edhe pikturat e tij të cilat e bëjnë atë jo vetëm piktor i realizuar, por më të veçantë, mjaft i kërkuar në qarqe artistike, i pranuar, gjithandej, qoftë për stilin dhe mënyren e krijimit, por edhe për vlerat njerëzore dhe sjelljen e vet prej Artisti-Njeri, po veçanërisht për mënyrën se si i qaset dhe prezanton krijimin e vet artistik!…
- IMAZHT (SU)REALE
Dussi Sadriji, ka krijuar shkollën e vet artistike. Ngjyrat në pamje të rëndomta, të vështira për tu realizuar. Vijëzimet harkore dhe rrathët eliptikë mjaftë unikat, tejet interesant, paraqesin kordinim dhe rregullësi të cilën nuk e shohim tek piktorët e tjerë.
Për piktorin vizatimi-piktura është shprehje artistike e reales, kurse realiteti i jep frymëzimin diagonal përmes të të cilit krijon abstraksione të suksesshme artistike. Kjo estetikë krijimi është e veçantë, kjo mënyrë e vizatimit artistik e bënë pikturën e Dussit art të njohur edhe pa e shënuar autorsinë.
Karakteristikë tjetër e këtyre pikturave janë harqet dhe vijat diagonale të cilat ruajnë strukturën për të finalizuar qëllimin e synuar, për të realizuar iden e paramenduar. Jo vetëm këto elemente, pikturat e Dussit zbukurohen nga ngjyrat karakteristike, kryesisht të hapura por me dritëzime ndezëse që japin shpresë dhe njëkohësisht shprehin jetë.
Saktësi e vijës ndarëse në mes dy botërave ekzistuese, që me mënyrën e kubizmit dhe të figurave gjometrike, shtrirja e lakoreve të cilat në mënyrë konstante ruajn çartësinë e figurës që ai dëshiron të ndërtoj, qoftë kjo figurë e femrës nudo, vallëzimi i saj me fustanin e gjatë, ritmi i lëvizjes mbi take të larta, jo vetëm se shprehin elegancë, por krijojnë edhe harmoni të veçantë. Ngjyrat dhe hijezimet duken të magjishme, ato shprehin dashuri dhe bukuri të rrallë, prandaj artisti ka mundësi e fantazi krijuese për të realizuar një cikël të gjerë me piktura kushtuar gruas – femrës, qoftë edhe asaj nudo, soji njerëzor më e ndjeshme, më e brisht dhe si natyrë njerëzore sensuale dhe melankolike.
Edhe cikli me lule e bënë këtë art dhe artistin të veçantë, ndërsa në ekspozitë (kur lulet qëndrojnë afër ose pranë njëra-tjetrës), duken kopsht ku shndërisin e shkëlqejnë ngjyrat e flakëruara që krijojnë përshtypje se Dussi Sadriji, është kopshtari më mgjik e artistik për të pikturuar lulet e vëna brenda në kornizë. Estetikë e bukur dhe bukuri e rrallë. Ngjashmëri magjike, format gjeometrike duken gati identike sa shpesh herë punimet e tija na bëhen të jenë formati “3-D”, e parë nga shumë anë, me prerje të tërthorta a hiperbolike, duke dhënë pamjen e pikturës – prerjen e saj, sikur të ishin realizime të formatit tredimensional. Kjo pamje shumëdimensionale, është prerje magjike nga disa kendvështrime, e bëjnë pikturën sikur shohim të njëjtin subjekt i fotografuar nga shumë pamje e preje të mundshme. Finesat që shihen në këto prerje ia rrisin vlerën artistit i cili duket se ka afinitet të çuditshëm, sa i japin epitet unikat pikturës së Dussi Sadrijit, veçantinë e pamjes, sado në dukje e thjeshtë, në esencën e saj, shpreh thellësi figurative që i jep jetë e gjallëri edhe pamjes së subjektit që ai pikturon.
Me pak fjalë: Bukuri e rrallë. Art i suksesshëm. Estetikë e realizuar me finesa artistike. Dinamikë jetësore. Imazh (su)real. Realizim i përsosur!
III. ARTI DHE SENTIMENTI ARTISTIK
Dussi Sadriji, ka krijuar universin artistik. Viteve të fundit ai është bërë i njohur, jo vetëm për sasi por edhe për cilësi. Në ekspozitat kolektive, kryesisht dominojnë punimet e tij. Harmonia e vizatimeve artistike, veçmas cikli “Femra nudo” dhe ai “Lulet”, janë dy tematika të ndryshme që përmbushin njëra tjetrën. Parë në aspektin motivor e tematik: “Sensualiteti dhe ngjashmëria e bukurisë që ka gruaja dhe lulja”, “Ndjeshmërinë që kanë gratë dhe lulet”, dhe “Prekshmërinë fizike lulet dhe atë shpirtërore gratë”!…
Kjo shumëllojshmëri stilesh e teknikash e bëjnë artin e Dussi Sadrijit tërheqës dhe të pëlqyer. Vijëzimet artistike shpesh herë janë si valët e deti me ngritjet dhe rëniet harmonike kurse ngjyrat të cilat ngjizën njëra në tjetrën formojnë pamje mahnitëse. Ajo që bie në sy në artin e Dussi Sadrijit është sistemi i punës dhe i motiveve mbi të cilat ndërtohet një koncept i tërë i piktuarve të cilat formojnë ciklin e caktuar. Edhe vizatimet e tij e kanë bërë artistin më të famshëm sepse përmes vijave të shumta arrinë me krijuar tabllo serike që japin mesazhin e caktuar. Se ku e ka frymëzimin në disa sish është e qartë, flora dhe fauna janë inspirueset kryesore për piktorin, pamje të bëra e ribëra nëpër artin e tij që i përket pamjeve të natyrës ashtu siç janë pjesë e natyrës edhe “Demat” e Dussi Sadrijit, te realizuar me përsosmëri të mundshme. Kafshët dhe shpezët janë pasion për të. Veçojmë edhe ciklin “Shqiponjat”, si dy simbolika të tjera, Demat, Shqiponjat, Lulet dhe Gratë, përbëjnë një kuartet vizual që zënë vend qëndror në artin e këtij krijuesi.
Duke ndjekur me pasion ekspozitën e tij, të krijohet përshtypja se piktor jetën e ka pasur të mirë, ka jetuar gjëra të bukura dhe ka shijuar me elegancë jetën, prandaj vetëm ato përjetime i ka kthyer në art, në letër për t’i shijuar edhe të tjerët, mbase mision i artit është zgjatja e jetës së artistit që e ka krijuar, sepse sa të rrojnë pikturat, bashkë me to rron edhe emri dhe shpirti i piktorit, gjë që Dussi këtë sintagmë metaforike e ka realizuar me shumë pasion dhe përkushtim, madje ai i ka shndërruar përshtypjet e veta në art, prandaj duke pikturuar tabllot nga jeta ai ka shpalosur edhe diçka të padukshme nga brendsia shpirtërore që ka. Ky stil mjaftë atipik dhe i veçantë e bënë pamjen e pikturës më dinamike, si dukje e dalluar dhe si art tejet elegant, bukuri që mbush e frymëzon shpirtin e vizitorëve dhe që mbahet mend për një kohë te gjatë.
- ARTI DHE KOMUNIKIMI NDËRKULTUROR
Vetëm pikturat kanë mundësinë e komunikimit me publikun dhe artdashësit pa ndërmjetësues, pa përkthim dhe gjithnjë ruajn origjinalitetin e tyre. Kjo është arsyeja pse pjesëmarrja e artistit në ekspozita kolektive por edhe në aso individuale është ndërtimi i urave të kuminikimit ndërkulturor, ndërartistik. Arti iu përballon stuhive dhe tundjeve sociale, armiqësive dhe konflikteve raciste, sepse vetëm pikturat kanë kuptim jetësor, ato janë të gjithëhershme dhe kurdohershme.
Edhe artistët (sikur të tjerët), një ditë do të lënë frymën e fundit dhe shpirti i tyre do të ngjitet në qiell. Janë pikturat dhe arti i tyre që do të vazhdoj komunikimin me publikun dhe shoqërinë, sidomos atë kulturore, shoqërinë artistike. Punimet artistike kurdoherë komunikojnë me vizitorët e tyre dhe shprehin mesazhin e tejjetës që ka ndërtuar artisti. Vetëm arti vazhdon tejjetën dhe komunikimin nga përtejjeta me miqtë me kulturat, me popujt dhe me njerëzimin…
- SHËNIM BIOGRAFIK
(Dussi Sadriji, piktor akademik)
Dussi Sadriji, piktor akademik, u lind në vitin 1967 në Gjilan të Kosovës. Shkollën Fillore dhe atë të mesme i kreu në Gjilan. Akademinë e Artit, drejtimi i artit figurativ, Degën e Pikturës e ka përfunduar në Prishtinë, (1987- 1991), në klasën e profesorit të njohur Muslim Mulliqi.
Qysh si student ka qenë pjesëmarrës i rregullt i ekspozitave tradicionale të studentëve, “Salloni i të rinjëve” dhe “Salloni pranveror“. Vlenë të theksohet se qysh atëherë ai ishte në mesin e pesë artistëve të shpërblyer. Po ashtu në Zvicër ka marrë pjesë në disa ekspozita të përbashkëta si dhe disa të tjera individuale. Vlenë të theksohet se në ekspozitën kolektive të 30 artistëve zviceran, mbajtur në Hinwillersee në Galerinë “Zum blauen Pfaun“, Dussi Sadriji ishte i vetmi i huaj.
Në Spreitenbach, (qyteti ku jeton e krijon), përpos katër ekspozitave personale, sivjet është i përzgjedhur për tu prezantuar me pikturat e tij, në mesin e piktorëve më të suksesshëm, për Jubileun e 25 Vjetorit të Galerisë së Komunës në Spreitenbach.
Dussi Sadriji është fitues i Çmimit “Agim Ramadani” në vitin 2003, nga Shoqta e Artistëve Shqiptarë në Zvicër. Fitues i Çmimit “Ibrahim Kodra” në vitin 2022 nga Shoqata e Krijuesve Shqiptar në Zvicër, kurse në vitin 2024, Dussi Sadriji ishte ideator i ekspozitës së 17 artistëve shqiptarë në Galerinë e Komunës në Spreitenbach, e cila bëri jehonë të madhe. Dussi Sadriji, që nga viti 1992 jeton dhe krijon në Zvicër!
St. Gallen, 29 qershor 2024.
Shefqet Dibrani, Zvivër