ARKIVI:
14 Mars 2025

Faik Konica në 150 – vjetorin e lindjes, aktualiteti i fjalëve të tij përball realitetit të sotëm politik ndër shqiptarët!

Shkrime relevante

“Analisti” Dibran Hoxha nga Suhareka, nuk e njihka Izraelin si shtet…!

Afrim Caka, Gjakovë ANALISTI AMORF I VËRSULET KOMBIT IZRAELIT …. Dibran Hoxha nga...

“Misteri” i shqipfolësve…!

Afrim Caka, Gjakovë “Zonjat ose çapaçulat, Bernard Nikaj dhe Petrit Selimojca të...

Faik Konica në 150 – vjetorin e lindjes, aktualiteti i fjalëve të tij përball realitetit të sotëm politik ndër shqiptarët!

Faik Konica: Një intelektual i përmasave evropiane Nga Frank Shkreli Boston, 15 Mars,...

Doarsa Kica Xhelili: Politikane e dyfishtë, bredharake dhe manipulatore e procesit politik në Kosovë

Shkruan: Rrezart Kalaja Kosova ka kaluar një periudhë të vështirë për të...

Si në Shqipëri edhe në Kosovë Dita e Verëzes-Verës, Festë e Traditës Shqiptare

Nga Behlul Jashari  ___ PRISHTINË, Mars 2025/ Dita e Verëzës, si Dita e...

Shpërndaj

Faik Konica: Një intelektual i përmasave evropiane

Nga Frank Shkreli

Boston, 15 Mars, 2025 

 “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”

‘I dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë’…është një titull i padëmshëm por nuk përputhet me realitetin. Në ditët tona, të dërguarit nuk gëzojnë fuqi të plota, ata duhet të kërkojnë udhëzime për çdo rast, shkurt, ata nuk janë fuqiplotë; megjithse ndonjëherë, duke qenë njerëz, qëllon të jenë të jashtzakonshëm.’ (Marrë nga libri,“Faik Konica-Jeta në Washington”, të autorit, Ilir Ikonomi.’ 

Faik Konica ishte vërtetë i jashtzakonshëm, jo vetëm si diplomat, por edhe si figurë politike, publicist e kritik, ndër të tjera – i cili ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe sot, nepërmjet shkrimeve dhe publicistikës së tij në përgjithsi– një ndikim në jetën politike, letrare dhe kulturore të shqiptarëve. Me revistën e tij, “Albania”, ai ndihmoi dukshëm, për periudhën kur jetoi, në përhapjen e kulturës shqiptare edhe në Evropë, duke mbrojtur, njëherazi, të drejtat dhe interesat e shqiptarëve, si popull i harruar i kontinentit të vjetër. “I shkolluar në Kolegjin Saverjan të Etërve Jezuitë në Shkodër, më vonë në Stambollë dhe në fund në Francë”, ka shkruar me një rast Ernest Koliqi për Faik Konicën se, “ky grumbullim i jashtazakonshëm prirjesh e studimesh e vênte Faikun në nji numër Shqiptarësh të ndritun e të dijshëm që aso kohe mund të numroheshin në gishtat e nji dore.”

Faik Konica, ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, sipas shumë vërejtsve, ka sjellur një model të ri në mendësinë shqiptare.  Është e vështirë të gjendet edhe një i dytë sot, thëniet e të cilit pas kaq shumë vitesh vazhdojnë të jenë kaq aktuale.  Albanologu gjerman i ndjeri Robert Elsie ka shkruar se Faik Konica ka kritikuar bashkatdhetarët e vet duke i bërë thirrje për një qëndrim më real dhe kritik ndaj kombi të vet, megjithë të metat dhe dështimet e tij gjatë historisë së shekullit të kaluar. I zhytur, si të thuash, në kulturën perëndimore — ka vlerësuar Robert Elsie — Faik Konica ka luftuar për vendosjen e një kulture më të rafinuar perëndimore në Shqipëri por, njëkohsisht, ai ka vlerësuar edhe traditat shqiptare.

Është e vërtetë se komentet sarkastike dhe polemikat e nxehta të Konicës në Shqipëri dhe gjetkë, si dhe zemërimi dhe arroganca e tij nuk e kanë bërë atë gjithmonë një figurë popullore. Sepse, siç ka shkruar edhe Ernest Koliqi, “Në polemikë, Faik Konica i prente drutë shkurt”. Cilatdo qofshin vlerësimet ndaj Faik Konicës, fakti mbetet se thëniet e Konicës, më se një shekull më parë, për realitetin e atëhehershëm shqiptar, janë aktuale edhe sot për botën shqiptare. “Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”, ka paralajmëruar Faik Konica bashkatdhetarët e kohës së tij. Gjykoni vet se si kanë vajtur Shqipëria dhe shqiptarët këto 100-vjet të kaluara dhe nëse Konica kishte të drejtë.  Klasës politike aktuale shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve kudo, Faik Konica iu drejtohet me këto fjalë: “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.

Në foto: Frank Shkreli

“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri”.  “Armiqtë e Shqipërisë janë vet shqiptarët, jo të tjerët. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.” (Faik Konica)

Gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim, Faik Konica i këshillon, sidomos përball aktualitetit të sotëm të brendshëm konfliktual politik dhe të gjendjes së pasigurt ndërkombëtare: “Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – e jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (‘Albania’ 16, 15-30 korrik 1898).

Për ata që thonë se 35-vjet post-komunizëm nuk mjaftojnë për të vendosur një demokraci të vërtetë perëndimore, Faik Konica u thotë: “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat.”  Duke shtuar se, “Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij”. (‘Albania’ 11, 1898).

Për ata që rininë e quajnë “huliganë”, Faik Konica u thotë: “Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve”. (‘Albania’ 5, 1905) — “Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara”.

Për ata që nuk kuptojnë ose nuk duan të pranojnë zemërimin e njerëzve, në kohë të vështira, përball sfidave me të cilat përballen sot shqiptarët, Faik Konica u drejtohet atyre me këto fjalë: “Si mos të dëshpërohesh në këtë vend, ku të pasurit nuk ndihmojnë dhe të varfërit nuk punojnë”?

Për opinionistët dhe analistët e TV-studiove të sotme shqiptare, Konica do të thoshte: “Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest ‘të ndriçojnë opinionin publik’ as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirë-informuar.  Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle”. (‘Albania’ 6, 1905).

Edhe një tjetër   thënje për opinionistët e shumtë debatues në televizionet shqiptare — në Shqipëri dhe në Kosovë — por edhe për gazetarët e sotëm të medias së shkruar, Konica u flet kështu:

“Frikacaku i ka tërë karakteristikat dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes. I pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët”. (‘Albania’ 5, 1905).

Duke i shtuar karakterizmit të tij të opinionistëve/gazetarve Konica është shprehur: “Ka njerëz që shitën ndër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë”. (‘Albania’ 2, 1899).

Vazhdon kritikat ndaj gazetarëve dhe opinionistët – që sipas Konicës, “kanë marrë mbi vete misionin modest të ndriçojnë opinionin publik”, por ka shkruar ai: “Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë”. (‘Albania’ 6, 1905).

Drejtuar akademikëve dhe studiuesve, Faik Konica u thotë: “E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike”. (‘Albania’ 2, 1897).

Atyre që bëjnë sehir ndaj të këqiave të shoqërisë, urrejtjeve dhe armiqësive, Faik Konica u thotë: “Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë” (‘Albania’ 12, 1909).  “Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme”, (‘Albania’ 9, 1898).

Ndërsa, apologjetëve të komunizmit dhe të regjimit të Enver Hoxhës, sidomos intelektualëve të sotëm, të cilëve 35-vjet post-komunizëm, në shkrimet e mia modeste – shpesh u kam bërë thirrje të reflektojnë mbi të kaluarën komuniste dhe krimet e regjimit — Faik Konica do t’u thonte:  “Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime” – “Nuk mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e lirisë, duke ruajtur njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë. Për të pasur institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet mendimeve”. (‘Albania’ 5, 1907).

Duke shprehur pesimizmin e tij për individë të tillë, Konica është shprehur: “Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (për shekuj të shekujve), edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë”. (Albania 1, 1897).

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare, Faik Konica do i këshillonte sot të mënjanojnë urrejtjet ndaj njëri tjetrit: “Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar”. (‘Albania’ 2, 1904).

Atyre që po shkatërrojnë bukuritë e natyrës së Shqipërisë (Valbona, Vjosa) për përfitime ekonomike, Faik Konica u thotë mos urreni bukuritë që Perëndia u ka falur shqiptarëve: “Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë”.

Shqiptarëve në, përgjithsi, dhe kudo, përfshir edhe komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mërgatën shqiptare kudo në 2025, Faik Konica kërkon të reflektojnë dhe porosit që ‘të mësojmë duke parë e dëgjuar për reth nesh’, për ndryshe, vaj medet: “Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, (prap) do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.

Kur do i dëgjonë dhe kur do i marrin seriozisht shqiptarët fjalët dhe porositë e lëna pas të Faik Konicës!?

Ju falemnderit për durimin.  (Frank Shkreli)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu