ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Falja dhe pajtimi – parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi 

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Anton Çetta në fillet e organizimit të pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave në Kosovë. Foto nga arkivi personal i poetit dhe mendimtarit Halil Matoshi.

Don Lush Gjergji, Prishtinë

Njeriu dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe dashuria nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo përcaktimit tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e keqja nuk mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e pamundshme, pasiqë i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë vëllazërore nuk mundet e keqja e urretjtes, mënisë, gjak apo hakmarrjes.Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit 1990, ku kemi gjetur dhe përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm lehtësonin pajtimin, faljen, tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të fuqishme veprimi.Pa këto elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe gjakmarrje” psikologjike, shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit, egocentrizmit, karierizmit, materialimit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit për të varfër dhe të mjerë si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos dukurisë së shtimje, shpifjes, përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe solidaritetit për të keqe, që fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në zhvillim të hovshëm ndër ne.

Dom Lush Gjergji: Verrat e Llukës, 1 maj 1990

NJERIU ËSHTË NJERI AQ SA KA DASHURI, sa di dhe do të ketë mirëkuptim, dhembje, mëshirë për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra, sa jeton me dashuri dhe për dashuri.Kjo ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar, botëkuptimor, kombëtar, gjithënjerëzor. “Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).Urrejtja është djallëzore, vdekje-sjellëse, vrastare, vetëvrasje, vëllavrasje, ndërsa dashuria dhe falja janë hyjnore dhe frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e krahason edhe me verbëri, terr: “Kush e urren vëllanë e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon sepse terri ia ka verbuar sytë” (1 Gjn 2, 11). 

Jezusi thotë:“Por ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë… Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre… Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe do të gjeni falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).

Anton Çetta

Pse njeriu i sotshëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak, vështirë, gati edhe keq, pjesërisht, vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të luftave, si ndodhi gjatë vitit 1990?Gabimi i parë më duket se edukimi i rrebtë dhe formal, që mbështetet kryesisht në urdhëra, ndalime, krijon më tepër ndjenjën e frustrimit, hurxhit dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh shpërthen në agresivitet, sulm, urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe shoqëria jonë më tepër mbështet në ligje, rregullore, tradita, se në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare, në përvojën e mirësisë dhe dashurisë së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe t’i përkrahim anët pozitive te vetja dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mirja, vetvetiu pakësohet e keqja.                           Ishin të pandarë: Zekeria Cana dhe Anton Çetta

Gabimi i dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses me çdo kusht, ku njeriu nuk është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk fiton, nuk ka sukses në krahasim me të tjerët, pra, subjekti-njeriu objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë “garë” të pamëshirshme dikush lodhet, ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i frustruar, ndihet keq, nuk e ka më mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë potencialisht është “kandidat” për urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Bota, të tjerët janë fajorë për fatin e keq, për mossukses, për dështime, prandaj janë psikologjikisht dhe shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të dëmtuar dhe si të tillë në hall me vetveten dhe me të tjerët.Gabimi i tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore, ligj, në anën thjesht formale, pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me vëllaun njeri. Nga përvoja e fesë së Zotit-Dashuri i cili në vazhdimësi është edhe falje, mëshirë, pajtim, ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe ne deri diku t’i përngjajmë atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve.Ne Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar, bajraktarizmit, vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit anonim, mentalitetit turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të tjerët, pa pasur mundësi të jemi vetvetja, pa ndonjë orientim dhe përcaktim jetësor. Ndikimi i të tjerëve, i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është shumë i madh, mos të them edhe vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar identitetin dhe personalitetin, orjentimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe jetën personale dhe familjare. Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka këtë parim: Si të tjerët! Kur të tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa sot, është ndryshe.

Anton Çetta dhe Ibrahim Rugova

Falja tek ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi, ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si virtyt i pamohueshëm nga rrethi familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit të pakuptimët: gjaku nuk falet as nuk tretet kurrë! 

Në tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të ndryshme, si poezia, proza, piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe virtyti i faljes, paqes, dashurisë, strategjia paqësore dhe jodhunore gandiane, tereziane, rugoviane, bashkimi në dallime është shumë pak i pranishme.Ja përshkrimi i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite. Arsyja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen, sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna, 1999, f. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 37-77).Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvuajtërisë dhe shpirtmadhërisë së popullit tonë…Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi  me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdhaja…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, f. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 31-105).Derisa mos ta ndërrojmë botëkuptimin ndaj jetës, vetvetes, familjes, shoqërisë, s’mund ta ndërrojmë as veprimin, jetën tone edhe lidhur me falje dhe pajtim, pra, për luftim dhe dëbim të gjak ose hakmarrjes.Trimëria më e lartë është ta mundim të keqen së pari në vete, e pastaj edhe te të tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË!Prandaj para çdo veprimi pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë është ndarja e përvojave tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe në të vështira. Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me vetveten, me atë që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të shkojmë kah hapi i dytë – marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te ndjenja e përkatësisë së përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria.Sot hak-marrja apo gjak-marrja duhet të ndërrohet edhe në terminologji, sepse thënë kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe detyrë, ta marrë hakun apo edhe gjakun!ÇDO HAK APO GJAK-MARRJE  SOT ËSHTË SË PARI VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE VRASJA E TJETRIT.Pa vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri shëmtuesi, kancerin e shoqërisë shiptare në ditët tona.Duhet gjithnjë ta kultivojmë KULTURËN E JETËS: nderimin, pranimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur shqiptar: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, dhe “Mjerë ajo shtëpi që s’ka  pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë mos ta duam dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcënimi, edhe nga gjakmarrja? 

Kush jeton për hakmarrje, nuk jeton fare, sepse jeton vetëm për të bërë keq, kjo s’është e denjë për askend, jeton për së gjalli në varr. Urrejtja është DIKTATORI më i keq që vetvetiu nuk vdes kurrë dhe  robëron të gjithë. Mu për këtë falja është parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi, si përvoja më e rëndësishme dhe vendimtare në jetë, e cila mundëson të dalim prej vetvetes dhe të përqendrohemi në të tjerët për të jetuar të vëllazëruar dhe të bashkuar.S’ka njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej Zotit ashtu edhe prej të afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë paqja e vërtetë e cila mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në dashuri. Kjo e begaton kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë.                                                                              

Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thoja edhe të shenjta, për pajtimin e gjaqeve: 

  • Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë. 
  • E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mirja, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfatë dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje. 
  • Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë. 
  •  Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si  në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin. 
  • Ata që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmërusesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e qendrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit. 
  • Urrejtja, dëshira për hak apo gjak-marrje është diktatori i vetëm që nuk vdes kurrë. Atë duhet ta flakim apo mposhtim ne, me ndihmën e Zotit, si dhe me përkrahjen e njëri-tjetrit. Kush nuk është i aftë për të kërkuar falje dhe për të falur, nuk jeton, është për së gjalli “në varr”, sepse është i kushtëzuar dhe përcaktuar vetëm ndaj të keqes. Jeta e njerëzve të tillë është boshe, pa kuptim, qëllim, synim, sjell vetëm fatkeqësi për vete dhe për të tjerët.
  •  “Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike. “Koka” apo “Zemra” e Pajtimeve ishte Prof. Anton Çetta, veprimtar i shquar dhe i dalluar, Populli,   ata që kanë falur, “heronjtë e ditëve tona”, vetëdijesimi dhe përcaktimi ynë për jetë, për paqe, për liri, demokraci dhe pavarësi.
  •  Fatkeqësisht edhe pas kaq viteve, ende nuk kemi asnjë studim të mirëfillët ndërsciplinor rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990 nga aspekti juridik, traditor, etiko-moral dhe fetar.                                                                                                                                Me pajtimet e gjaqeve është tejkaluar tradita, drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është zbatuar vëllazëria, falja dhe dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para rreziqeve të luftës dhe asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet, studjohet, paraqitet nëpërmjet mjeteve pamoro-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë, si vlerë dhe virtyt që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete, paqeje, demokracie, si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë sonë. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu