Ibrahim Kelmendi, shkrimtar, Gjermani
[Parmbrëmë rastisi të më dhurohet libri “Kohë për rrëfime”, dialog KADARE dhe Alda Bardhyli. Meqë lexova 195 faqe (më kanë mbet për të lexuar edhe 69 faqe), po ndaj me miq befasinë që mora vesh nga Kadare: paskësh qenë i pari dhe i vetmi ndër shqiptarë, Noli 24-vjeçar, i cili kishte kritikuar Tolstoin dhe korife tjerë të letësisë botërore, në mbrotje të Shekspirit. Fatmirësisht atë shkrim polemik të Nolit e gjeta në internet, prandaj po e sjell këtu për ata që nuk e kanë lexuar deri tani.]
***
Një bujë të madhe ka bërë një kritikë e filozofit të krishterë rus Tolstoi përmi të madhin dramëtar Shekspir (Shakespeare). Ky filozof paskësh harxhuar mjaft kohë për të gjetur ndonjë farë bukurie nër dramat e dramëtarit englez dhe jo vetëm nuk gjeti, jo vetëm vuri re që dramat e tij janë të shkallmuara, por nuk gjeti as gjyrmë moraliteti nër këto. Ky qënka shkaku që Shekspiri nuk ish i dashur as në vent të tij as në Evropë. Famën e tij Shekspiri ia paskësh borç Gëtes dhe për hatrin e këtij u përhapnë mi tërë botën këto drama, të cilat, sipas të krishterit filozof Tolstoi, janë imorale.
Një amerikan, Bernard Shou (Shou) përsëdyti gjithë këto idea, [të] cilat nën vështrimin artistik mund t’i quajmë nihiliste. Ky kritikon me një mënyrë të hidhur dramën “Mbreti Lir”, të cilën e gjanë të çmendur fare.
Më së fundi një gjerman, emër i të cilit nuk më kujtohet, na del dhe na thotë që dramat shekspiriane nuk janë bërë as prej autorit Uilljëm Shekspiri as prej Bekonit, po prej një fisniku Roxher Iwrl of Ratlend (Roger Earl of Rutland). Mendjen e tij gjermani e mbështet përmbi ngjarjen që Shekspiri dyke qenë i varfër nuk kish udhëtuar as në Itali, as në Danimarkë as gjetkë, po megjithatë i përshkruan kaq bukur këto vise.
Po Roxheri i kishte gjezdisur tërë këto vise si i dërguar i qeverisë dhe drama e fundit e Shekspirit u bë pak kohë para vdekjes së këtij fisniku të mbretëreshës Elisabetë.
Kërkimet e gjermanit kanë një vlerë, se dyke mësuar jetën e një autori munt të kuptosh më mirë veprat e tij. Po sidomos duhet vënë re që dramat e Shekspirit janë bërë prej aktorit që e kish nëmëruar sqenën me pëllëmbë, dhe jo prej një konti të hoborrit, si tha shumë bukur një profesor amerikan në Këllambia Juniversiti (Columbia University). Pastaj ç’ka të bënjë se dramëtari englez ish kasap, kur komediani latin Plautus ka qenë skllav dhe bluante grurë me mokra të dorës dhe Molieri s’ka qenë përveç një aktor i varfër dhe i pamësuar.
Sa për Tolstojnë si dhe për shokun e tij Bernard Shou kemi të themi që nuk duhet kurrë të kërkonjë moralitet në bukuri, qoftë e natyrës, qoftë e artit, qoftë e mjeshtërisë. Bukuria ka moralitet më vete, të cilën kurrë nuk munt ta kuptojnë nihilistët e esthetikës, të cilët s’kanë kënduar përveç ungjillë dhe përpiqen ta zbukurojnë botën, dyke u larguar nga burim i bukurisë, nga natyra dhe nga të bijt që janë artet.
Vërtet është bërë një lajthim fati që lindi ky njeri mosenglez në Angli dhe për atë që ka vënë re letretyrën engleze, duket si një lule e verës e egërt brenda në një fushë prej dëbore morale, po këto gaçi (teke) të natyrës janë bërë dhe gjetkë.
Është Gëtja që e përhapi në Evropë shekspirizmën, po ngaherë plebejanëve lipset t’u rrëfesh cila gjë duhet t’u pëlqenjë dhe ashtu të çuditen për bukurinë e saj.
Edhe Volteri e quan Shekspirin barbar, po muzhiku, konti i Rusisë dhe kritikani pedant i Amerikës janë shumë lark që të kuptojnë shkaknë. Sa mirë do të bënin këta të krishterë ta linin më qëtim (në qetësi) të varfërin Shekspir.
Qytetërimi i Volterit kishte shumë ndryshim nga qytetërimi i Shekspirit. Volteri kërkonte një artist me rregull, po Shekspiri ishte artist pa rregull, përtej rregullit. Po kush munt të thotë që në atë trubullim të bukurive të egra të dramavet shekspiriane, në atë “désharmoni” s’ka harmoni?
Ay që tha fjalën e fundit për Shekspirin ishte filozofi gjerman Niçe: “S’duhet ta kuptojmë Shekspirin, po ta ndiejmë”.
[Gazeta “Kombi”, 20 dhjetor 1906, nr. 20, nënshkruar me pseudonimin Ali Babë Qyteza.]
***
Për ata që patën kulturë leximi deri këtu, po rrëfej një përjetim pikant:
Në verë të vitit 1982 rastisi të jem pjesëmarrësi në manifestimin që u organizua për hir të 100-Vjetorit të lindjes se Fan Stolian Nolit, i organizuar në New York. Dëgjova disa paraqitje të broçkullistëve, të afirmuar si nacionalistë shqiptarë. U prezantua ta paraqiste kumtesën e saj një Prifesoreshë univesitare, shekspirologe në Universitet të New Yorkut. Doli në foltore një Grua zezake, që rrezatonte sharm mrekullues. Ajo foli SHKURT dhe SHQIP:
“ Zonja dhe zotërinj të respektuar!
Më vjen keq për paraqitjet kompremtuese që dëgjova. Fan Noli madhështor nuk meriton ta politizoni kaq naivisht. Prandaj nuk po paraqes kumtesën time.” (parafrazim).
Ngriti fletët e kumtesë për ta treguar se e kishte me vete dhe u nis drejt zbritjes.
Rrebelimi i saj fisnike m’i mbushi syt me lotë gëzimi. U ngrita për ta ndëruar. Me pa dhe më përqafoi. Më mori përkrahu që të uleshim bashkë, në tavolinën e rezervuar për Te si mysafire nderi. Ndër tjera, mbajta mend:
“Kam mësuar disa gjuhë të huaja, për të studiuar e krahasuar si e kanë përkthyer Shekspirin. Shqipërimi nga Nolit më pëlqen më shumë se origjinali i Shekspirit…”
Nëse njeriut nuk i ndodhin këso përjetimesh mrekulluese, që e karikojnë me energji pozitive, rrezik të kolapson para “kohe”…