ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Fanatikët kërcënojnë Laviatanin

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Jon Leka
(Xhemal Ahmeti)

Në Obiliq zyrtari ngacmon seksualisht një grua. Dënimi: kod veshjeje për qytetarët. Në Gjakovë një autor bën thirrje dhe nxit kundër myslimanëve. Dënimi: policia vepron pa procedurë ligjore si në Afganistan dhe e burgos atë. Në Tiranë; një humorist bën shaka me ezanin. Dënimi: xhemati i një imami radikal salafist bën ligjin sferave publike. Këto veprime nga sekularët dhe tjerët lexohen si tendencë për të instaluar sheriatin. Shteti dhe mediat ose heshtin ose luajnë indiferentin. Si duket me qëllim: sa më shumë provokime aq më keq për myslimanët. Gjersa radikalët besojnë të pushtojnë shoqëritë, myslimanët duhet të kenë frikë për lirinë dhe xhamitë e tyre. Pse?

 

PROBLEMET

Gjakovë: një poet me emrin Gjini arrestohet nga policia dhe futet në paraburgim 30 ditësh. Padia: nëpërmjet vjershave të tij të ketë bërë nxitje ndërfetare, duke kërkuar shporrjen e fesë islame nga kultura shqiptare.

Obiliq: një zonjë denoncoi një zyrtar të komunës për ngacmim seksual. Ajo kishte shkuar në komunë për shërbime, ndërkaq zyrtari ia kushtëzon ato me marrëdhënie seksuale. Komuna reagon: Shpall kod të veshjes. Jo për zyrtarët, por për qytetarët, kështu indirekt duke arsyetuar eksplodimin epshor të zyrtarit për shkak të provokimit nga zonja.

Tiranë: Në lokalin «Corner Comedy» një humorist bën shaka me ezanin. Imami radikal në doktrinë veprimi salafist Ahmet Kalaja bëri apel që të sulmohet lokali. Ky u mbyll dhe ka një javë që nuk hapet dot nga frika, ngase para dyerve të tij qëndrojnë grupe të xhematit të imamit në fjalë.

INTERPRETIMET

Përkrahësit e padisë ndaj poetit Gjini arsyetojnë veprimin e policisë në bazë të ligjeve që ndalojnë nxitjen publike në baza fetare, etnike apo racore. Në libër autori, sipas këtyre, paska kërkuar bombardimin e xhamive me dinamit dhe zhdukjen e fesë islame nga hapësirat e kulturës shqiptare. Kundërshtuesit e padisë thonë se policia ka shkelur të drejtën e lirisë së shprehjes, duke arrestuar autorin. Edhe më keq: policia paska shkelur procedurën e parashkruar ligjore dhe pa vendim prokurori, pa fletarrestim ka vepruar krye në vete.

Mediat raportuan se në Obiliq (Klan Kosova) komuna ka bërë kod veshjeje për qytetarët, por nuk e lidhën fare aksionin me shkakun e tij. Nuk thanë asgjë për gruan e sulmuar seksualisht nga zyrtari, rast që çoi në veprimin e komunës. Reagimet për rastin mungojnë. Përveç Gazetës Metro nuk e problematizoi askush këtë punë.

Lokali «Corner Comedy» sipas xhematit të Kalasë thuhet të ketë bërë blasfemi; të ketë fyer myslimanët dhe të ketë nxitur urrejtje ndaj myslimanëve. Të njëjtët kërkojnë intervenim të policisë së shtetit dhe organeve të gjyqësisë. Shteti nuk reagon fare as konform kërkesës as konform kushtetutës për të garantuar rendin.

OPINIONE

Nëse poeti ka kërkuar bombardimin e xhamive dhe zhdukjen me dhunë të besimit islam ai ka shkelur ligjet e Kosovës që ndalojnë racizmin, nxitjen e urrejtjes dhe thirrjen për dhunë. Nëse policia ka arrestuar atë pa respektuar procedurën e paradhënë ligjore mbajtja në burg e autorit është shkelje dramatike e ligjeve në fuqi dhe padia shpallet null. Inspektorati duhet të suspendojë policët që kanë vepruar në mënyrë arbitrare dhe krye në vete. Në këtë e sipër shteti duhet të sigurojë barazinë e gjithëve para ligjit: ndalon dhe sanksionon çdo literaturë që ka përmbajtje të njëjta, të atilla që aludojnë në dhunë, urrejtje fetare, kombëtare e racore. Dhe pasi shteti është neutral përballë religjioneve, ai nuk do përjashtoj as librat fetarë që predikojnë dhunë, mosdurim dhe urrejtje ndaj tjerëve e që qarkullojnë gjithandej. Nuk ka dhunë të shenjtë e as profane.

Komuna e Obiliqit shkel Kushtetutën me diktimin e qytetarëve se si të vishen. Ajo nuk ka kompetenca të rregullojë uniformimin apo modën e qytetarëve. As shteti në bazë të kësaj Kushtetute siç është nuk e gëzon këtë privilegj përtej institucioneve të tij. Komuna mund tu diktojë (nëse këta nuk ankohen) nëpunësve të vetë se çka i lejohet dhe çka nuk i lejohet zyrtarit, por asnjëherë qytetarëve. Këtë, siç u potencia, as shteti nuk mund ta bëjë jashtë zonave administrative të tij.

Humori dhe satira janë të mbrojtura. Tashmë ekzistojnë qindra vendime të Gjykatave më të larta evropiane që rregullojnë këtë çështje: shakaja nuk mund të ndalohet nga asnjëri tabor i shoqërisë saherë që të ndihet i prekur. Shteti është sekular dhe neutral dhe vepron sipas kushtetutës dhe ligjeve të tij dhe jo sipas emocioneve të grupeve apo njerëzve të caktuar. Bllokimi i lokalit është sulm i një komuniteti ndaj rendit publik, lirisë së biznesit, kulturës, pra ka pushtuar në mënyrë ilegale, jashtë xhamisë, zona publike që nuk janë në administrimin privat të ndonjë shoqate, feje, partie e të ngjashme.

IMPLIKIMET

Të gjitha këto veprime sekularët dhe komunitetet tjera i interpretuan rrjetit si tendencë permanente e një komuniteti të caktuar fetar për të diktuar jetën publike sipas rregullave të tij. Përpjekja dekodohet si e rrezikshme ngase minon Kushtetutën dhe Ligjet e shtetit dhe instalon një mendësi edhe më diskriminuese në raport me gjinitë (Obiliq: gruaja është përherë provokuese ngase nuk është mbuluar e tëra); ajo krijon kushte selektive të interpretimit të ligjeve (dikush mund të lexojë libra që kërkojnë vrasjen e gjithëve ndryshe – përjashto librat kanonikë të historisë – e tjerët jo) dhe i dikton humorit se kë mund ta ketë objekt e kë jo (atëherë duhet ndaluar filmat, literaturën që bëjnë humor me Jezusin, Budën, Isë Boletinin, dhe çdo njeri e grup tjetër që mund të preket nga humori).

PROGNOZË KONTINGENTE

Çdo aksion duhet të llogaris me reaksion. Kur del nga Kulla jashtë që të pushtosh hapësirat dhe njerëzit, nëse ato janë më shumë, nëse ata kanë të drejtë dhe gjenden në punën e tyre, reagojnë, rezistojnë dhe dikur ta marrin edhe Kullën dhe mbetesh fare pa të. Myslimanët duhet ta kenë parasysh këtë punë. Nëse ata dalin nga xhamitë dhe pretendojnë t’i pushtojnë sferat publike të rregulluara me kushtetutë sekulare dhe ligje, një ditë këto do të detyrohen t’i bastisin brenda ngase ua kërcënojnë tjerëve ekzistencën e sistemit politik, rendin dhe diversitetin; organet e shtetit do të detyrohen të jenë më rigoroze në kontrollimin e kanaleve të financimit; do të jenë më strikte në ndalimin e literaturës që është kundër ligjeve të tyre dhe shumëçka si këto. Është absurd kur vëren se si një komunitet që deri dje jetoi (i heshtur, i shtypur dhe pa dinjitet) në komunizëm provon po atë sistem t’ua imponojë shoqërive, duke ditur se ai mund tu rikthehet nën petkun e «sekularizmit» dhe ligjeve dhe sistemit politik në fuqi për shkak të provokimeve dhe tendencave që ushtrojnë për çdo ditë. Ideologët fetarë radikal duhet ta kuptojnë se kulturosferat shqiptare nuk janë afine për instalimin e sheriatit. Ndërkaq shtetet shqiptare nuk duhet të përfitojnë nga ky konflikt – për vota apo për subvencione – por duhet të parandalojnë radikalët e gjitha anëve, ashtu siç ua thonë ligjet dhe kushtetuta e sistemit falë të cilit janë aty.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu