ARKIVI:
27 Dhjetor 2024

Fati i Hajries në romanin “Malësorja”

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Nga: Shefqet Dibrani

(Zoga Papraniku, <Analizë e romaneve:RRUGA E SHTËPISË SIME; TOKË E PËRGJAKUR; MALËSORJA>. Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Lënda: Letërsia bashkëkohore. Tema është paraqitur para prof. dr. Hamit Xhaferi, Tetovë 2016.)

Qëllimi i rrëfimit

Studimi i Zoga Papraniku, është punim me konotacione shkencore, kryesisht në përshkrimin e ngjarjeje me disa nuanca emocionale të aspektit sociopsikologjik. Si duket punimi është në nivelin fillestar, prandaj autorja nuk është zgjeruar në hulumtime të tjera. Për arsye se punimi i saj akademik përkufizohet në trajtimin e tre romaneve të Nazmi Rrahmanit, e ky studim, siç thamë është bërë brenda kornizave të një programi shkollor në nivel universitar.

Edhe kjo studiuese, trajtesën e saj e lidh me personifikimin e Hajries dhe fatin e femrës shqiptare në Kosovë e më gjerë. Ky personifikim materializohet duke përshkruar, ose duke i theksuar vuajtjet e saj në ato rrethana, si grua fati i së cilës ishte ai që ishte, por autorja nuk harron pa theksuar se përveç vuajtjeve të shumta që kishte Hajria, ajo ishte nënë, që ka dhembje për birin e saj, dhe jetonte me frikën e hakmarrjes në mes bijve të saj, frikë e dhembje këto që ia rëndonin edhe më tej vuajtjet

Tematika e rrëfimit 

Edhe pse tema që zhvillohet brenda romanit nuk ka për qasje shkollën dhe arsimimin, përvoja jetësore sikur e kishte bërë Hajrien më të veçuar se sa gratë e tjera. Këtë element e ka vërejtur edhe Zoga Papraniku, e cila shkruan: “Rrëfimin e historisë së vet para djalit Hajria e quan roman, një roman të pashkruar, kjo për dy arsye: asnjëherë fëmija nuk mund të njohë aq shumë thellë historinë e prindit të vet, aq më tepër në këtë rast kur i biri i Hajries është rritur larg prehrit të nënës së vet – Kjo e bën dhe më tragjike dramën që fsheh Hajria përbrenda. Drama e Hajries merr përmasa të mëdha shoqërore. Me dhimbjen e vet ajo përpiqet të kundërshtojë botën e egër të mentalitetit e të dhunës mashkullore. Po deri në këtë fragment protesta e saj është e heshtur. Asaj s’i mbetet gjë tjetër veçse të shikojë qiellin e përhimtë.”[1]Edhe kjo studiuese, ngjarjen e ka vendosur “para Luftës së Dytë Botërore”[2] ndërsa drama jetësore e Hajries zhvillohet siç shkruan ajo “në një fshat të Gollakut, mes Prishtinës dhe Podujevës,[3] konstatime këto që i hasim pothuajse nëpër të gjithë librat shkollorë dhe universitarë që për trajtim kanë romanin Malësorja. Motivet, kryesisht janë përshkrime të thjeshta dhe autentike të ngjarjes, e ngjashme me ato që thuhen në roman, pa bërë përpjekje për të nxjerrë ndonjë përkufizim a interpretim ndryshe që do t’i shërbenin letërsisë, po më shumë librave shkollorë të cilët si temë mësimi e studimi kanë këtë vepër letrare. Me një fjalë autorja mbetet besnike dhe e saktë në rrëfimin e saj pa pretendime e sforcime të tjera letrare e artistike, pa gjetje të reja dhe pa ndonjë vlerësim të përparuar, e të përpunuar të cilat mendojmë se ekzistojnë brenda këtij romani.

Zoga Papraniku, shkruan se “Hajria që ka duruar dhe heshtur gjatë tërë jetës e që shpreh pozitën e gruas në atë mjedis, kur ballafaqohet me këtë realitet tragjik, ndërhyn, e ngre zërin dhe arrin ta bindë djalin e dytë që të heq dorë nga vendimi për vrasjen e vëllait, që është në fund të fundit triumfi moral i Hajries.[4]

Ajo, shkruan se “romani Malësorja është rrëfim i degëzuar mbi jetën e personazhit kryesor, Hajries, por dhe rrëfim mbi një numër bartësish të tjerë të ngjarjeve që së bashku sajojnë tablonë reale dhe realiste të një mjedisi kosovar.[5] Tamam siç e kemi theksuar edhe diku tjetër se ngjarja zhvillohet diku në “mes dy luftëravebotërore”[6] ndërsa “formimi i Hajries ndiqet sipas linjës së brendshme të shpalimit, nga motivet, pretendimet, vizioni i saj i brendshëm, kryesisht i ndrydhur, i heshtur, dhe jo nga veprimet e saj[7] e cila në ato rrethana patriarkale, përplot vuajtje, dhe me mundësi tepër të kufizuara, ajo do të arrijë të vetëdijesohet për pozitën e saj nënshtruese, diskriminuese dhe mjaft poshtëruese, që ka të bëjë edhe me pozitën e gruas në shkallë kombëtare, në ato rrethana, kur është shkruar apo është pozicionuar zhvillimi i ngjarjes.

Emocionaliteti i rrëfimit

E gjithë trajtesa e kësaj studiueseje merret me anën emocionale të personazhit kryesor dhe me interpretime në nivelin e përshkrimit të saktë pa u lëshuar në hulumtime e interpretime të tjera të mundshme të “rrëfimit psikologjik” siç është shprehur ajo, për të përfunduar se “romani mbi fatin e Hajries, degëzohet në një mori rrjedhash jetësore që derdhen të gjitha drejt rritjes së personalitetit të saj dhe drejt sfidës ndaj konvencioneve tradicionale me pasoja tragjike[8] duke përmbyllur mjaft saktë si konstatim sociopsikologjik temën e saj për romanin Malësorja, punim ky i cili kompletohet edhe më mirë, përmes dy romaneve të tjera të cilët i ka pasur për trajtim brenda këtij studimi akademik.

 *Marrë nga libri i autorit: “KARAKTERI dhe ARKETIPInë romanin MALËSORJA tëNazmi Rrahmanit”, faqe 339-342. Botoi Sh.B. “FAIK KONICA”, Prishtinë 2021. 


[1]Zoga Papraniku, <Analizë e romaneve:RRUGA E SHTËPISË SIME; TOKË E PËRGJAKUR; MALËSORJA>. Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Lënda: Letërsia bashkëkohore. Tema është paraqitur para prof. dr. Hamit Xhaferi, Tetovë 2016.

[2] Po aty, punimi i cituar,

[3] Po aty, punimi i cituar,

[4]Po aty, punimi i cituar,

[5] Po aty, punimi i cituar,

[6] Po aty, punimi i cituar,

[7] Po aty, punimi i cituar,

[8] Po aty, punimi i cituar,

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu