ARKIVI:
18 Tetor 2024

Fatos Klosi, mashtrues pozitiv (?!)

Shkrime relevante

Telekomi apo Z-Mobile, kush e humbi apo kush e fitoi arbitrazhin

Selatin Retkoceri, Llugaxhi, Lipjan ___ Zhvillimet e fundit në skenën politike në të...

Mustafa Bajrami me qëndrime antishqiptare për identitetin tonë kombëtar!

Shkruan Luan Dibrani Mustafa Bajrami është një figurë e njohur për qëndrimet e...

Rilindja,18 tetor 1978: U dha Çmimi Nobel për Paqe , Nënë Tereza – laureate

-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja shkruante historinë/ PRISHTINË, 17 Tetor 2024- Behlul...

Marrëveshja e Ohrit që përjashtoi Shqiptarët nga Kushtetuta e Maqedonisë!

Ahmet Asani ▪︎ 23 vite më parë, më 13 gusht të vitit...

Shpërndaj

Ibrahim Kelmendi, shkrimtar, Gjermani
FATOS KLOSI – MASHTRUES POZITIV (?!) [vazhdimi i 5-të]
Për hir të respektit për Prof. Fatos Klosi po përpiqem të rrumbullakoj reagimin dhe komentimin e intervestës se tij (emetuar nga TV KLAN më 01.11.2021). Që të jem konkret, po zbardh ca fragmente nga kjo intervistë.
FEVZIU [nga minuta 14]: A i ka furnizuar UÇK-ja me informacione shërbimet sekrete dhe NATOn gjatë bombardimeve?
KLOSI: Më vonë po.
FEVZIU: Në fillim të bombardimeve?
KLOSI [duke u zgërdhirë që të mos i kuptohet përgjigjja]: (keqardhje, nuk po e kuptoj dot përgjigjen.)
Këto përgjigje, as mish as peshk, siç thuhet për raste të ngjashme, Prof. Klosi i jep sa për ta bërë radhën, sepse nuk e ha pazari ta thotë të vërtetën e hidhur, meqë tashmë si “historike” është imponuar gënjeshtra glorifikuese, sikur UÇK dhe NATO ishin aleatë ushtarak. Mashtrime të ngjashme kemi “historizuar” më shumë se mjaft. Fatkeqësisht!
***
Digresion:
Kishte rastis që në Gjermani të kontraktonim rreth 120 telefona satelitor nga Telekomi gjerman. Për ata që nuk dinë, ata nga çdo pikë e Planetit tonë lidhen vetëm përmes satelitëve përkatës, dhe nuk mund t’i përgjon asnjë shërbim i shtetit ku ata vihen në veprim (pos nëse përgjohet ai/ajo që i ke telefonuar). Edhe rreth 30 telefona satelitorë na i pat ofruar një firmë private që e ofronte atë shërbim, e quajtur me akronim CPN, me seli në Koblenz. Minuta e telefonimit nga Kosova me telefona satelitor të Telecom’it gjerman ishte 4.5 DM (2.25 Euro), ndërsa kushdo që u telefononte atyre në Kosovë, paguanin 12 DM minutën. CPN na pat ofruar nga 3.5 DM minutën, por ishte në fazën përfundimtare të Luftës, prandaj duhet të kemi kontraktuar vetëm rreth 30 telefona satelitorë. Numri i telefonave satelitorë varej nga kërkesat që na bëheshin nga UÇK-ja në Kosovë (një telefon satelitor ia patëm dhënë edhe Ministrit të jashtëm, Prof. Paska Milo, që ta kishin në Kukës, meqë u ankua për lidhjen e keqe telefonike mes Tirane dhe Kukësit.) Ata telefona ishin të kontraktuar në emër të Bashkësisë Demokratike të Shqiptarëve në Gjermani (e afirmuar me akronim në gjermanisht: DVAD e.V). Ajo OJQ ishte e regjistruar në gjykatë në Siegburg. Edhe Fondi “Vendlindja thërret” ishte i legalizuar në emër të asaj shoqatë dhe kishte statusi të bëmirësisë humanitare (deri rreth një muaj para se të përfundonte lufta, por që e ndërpren, me arsyetim se po financonim ushtri terroriste).
Shkaku i telefonave satelitorë më pat kontaktuar Shtabi i Ushtrisë Gjermane, i ngritur ekstra për të koordinuar luftimet në Kosovë. Selinë e kishte në kryeqytetin e atëhershëm: Bonn. Po aty e kishim edhe ne selinë koordinuese të Fondit.
Pak ditë pasi filluan bombardimet, rastësisht provova një truk: i telefonova atij Shtabi gjerman, meqë në ndërkohë ishim informuar nga strukturat e NATOs që të mos i ndërprisnim kurrsesi ata telefona satelitorë, që tashmë po shfrytëzoheshim që UÇK të informon NATOn për lëvizjen fizike të trupave serbe. I alarmova se do më duhej t’i ndërprisja telefonat satelitorë, meqë nuk i përballonim dot financiarisht. Kushtonin në muaj rreth 200 mijë Euro. Bashkëbiseduesi në telefon, i befasuar nga alarmimi im, bëri sikur isha drejtuar në adresë të gabuar. Pas rreth gjysmë ore mora telefonatë të dilja në restorantin afër selisë së Fondit. Aty më takuan dy ushtarakë. Më thanë të mos brengosesha më për pagesë të telefonave satelitorë. Këshilluan të shkoja në drejtori të Telecomit, që të sigurohesha edhe nga shefi përkatës, se më nuk duhej të paguanim (por faktura do na lëshoheshin që të kamuflohej paguesi i tyre, aty e tutje). Disa kohë pas lufte, meqë i kishim mbyll ata telefona satelitorë, Telecomi dërgoi faturë finale me sasi prej rreth 1.2 milionë DM (rreth 600 mijë Euro). Sigurisht që nuk i paguam.
Ajo ishte e vetmja ndihmë konkrete, ushtarake, nga NATO, nëse mund të vlerësohet si ndihmë. Nuk di për ndonjë rast tjetër, që ndonjë ushtri apo shërbim i Aleancës Veri-Atlantike të na ketë ndihmuar me një lekë apo fshik, siç përdornim sloganin kur dikush i UÇK-së ankohej për mungesë të ndihmave financiare, por me armatim e municionin.
Meqë po plasohen shumë spekulime për rrolin e Prof. Klosit dhe Xhavit Halitit (kryesisht nga këta dy), për rrolin që kanë luajt në nxitje të përkrahjes nga shërbimet e huaja, sidomos atyre amerikane, po rrëfej ndodhi goxha “pikante”, të cila mund të keqkuptohen si triler.
Në verë të vitit 1998 më pat kërkuar takim Rexhë Xhakli, një biznismen dhe veprimtarë i afirmuar shqiptaro-amerikan, me origjinë nga rrethi i Ferizajit, i shpërngulur para LDB në Shqipëri, i lindur në Fier në vitin 1938, por i kthyer në Kosovë në fund të Luftës së Dytë Botërore, i burgosur në vitin 1956 në Ferizaj, i arratisur në Amerikë…
Herën e parë Rexhën e kam takuar në USA në vitin 1982, fal ndërmjetësimit të Dhëndrrit Ahmet Zherka, nga Bytyçi i Tropojes, i arratisur familjarisht pas LDB në Jugosllavi, refugjatë në Ferizaj, i martuar me Kushërinë time (vajzën e Binak Avdisë / Bruçaj), Veprimtar i famshëm në SHBA…
Atëherë Rexha nuk ka shfaq interesim për bashkëveprimtari, por më tha me dashamirësi altruiste, nëse kisha vështirësi financiare, të llogarisje në ndihmim të tij.
Në fillim të viteve të 1990-ta Rexha pat shfaq interesim të investonte në Shqipëri. I ndodhen zënkat me presidentin Sali Berisha për shkak të provizioneve (“bakshisheve”). U tërhoq. Nëse kam mbajt mend, kërkonte shfrytëzimin e ujit të një lumi, në momentin kur ai po rrjedhte në Deti. Donte të mbushte tankerët me atë ujë dhe ta shiste në shtete shkretinore të Afrikës. Nuk e kërkonte dhuratë, por koncesion, me pagesë për sasi uji që do merrte.
Kur më vizitoi në vitin 1998, me pat prezantuar një amerikanë bjond, rreth 65 vjeçar të cilin e prezantoi si mik dhe partner të tij në biznes. Ata ishin vendos në Hotel, në anën tjetër të Lumit Rajna, pothuajse vizati me Katedrale. Rexha më pat thënë se kishte ardh enkas nga USA, për t’më takuar, sepse kishte nevojë për ca informata konkrete. Amerikani, – siç do ta marrë vesh pas mbarimit të luftës, – simuloi interesim për të na shitur armë, në sasi të mëdha. Atëherë ishte tejet origjinal në ofertimin e tij. Unë u thosha se kemi ushtri guerile dhe rrethanat nuk janë të favorshme për të dërguar armatim voluminoz në Kosovë. Tjetra, bëra qartë se nuk kemi mjete financiare për sasi të mëdha e moderne. Isha i sinqertë, për hir të Rexhës, meqë garantoi se nuk ishte provokim. Amerikani pat ofruar mundësi të siguronim financa e armatim nga strukturat myslimane, xhihadiste, të angazhuara në Bosnjë. Unë refuzova, duke arsyetuar se ato struktura do të penetroheshin pastaj në radhët e UÇK-së, duke na’i indoktrinuar e korruptuar ushtarët që të konvertohen në xhihadistë. U shfaqa tepër kategorik: “Përpara pranojmë sundimin neofashist të Millosheviqit, se sipas Islamit zanafillor. Koncepti i Millosheviqit është shumë më tolerant dhe më i përparuar. Nga viti 1990 deri kur ka plas kryengritja e armatosur, Millosheviqi ka toleruar një si shtet paralel, që e sundonte Ibrahim Rugova, i privilegjuari i Millosheviqit, ndërsa në shtete islame nuk do të toleroheshin institucione paralele, siç ishin toleruar në Kosovë. Bile as kritikë minimale nuk tolerohet…” (parafrazim).
Rexhën e luta ta kuptonte vet dhe ta sqaronte bindshëm mikun e tij, se nuk duam asnjë lloj marrëdhënie me struktura xhihadiste. Bile rrëfeve edhe për një rast në Tiranë, kur një veprimtar, i quajtur Ismet Kryeziu, me pat detyruar të takoj një celulë xhihadiste, që kishte një çerdhe afër Unazës dhe Rrugës Qemal Stafa, në Tiranë. Ata xhihadistë ma patën shpif aq shumë, sa pata morrë guximin t’i kërcënoj, duke qenë në celulë të tyre klandestine, se nëse nuk largohen nga Shqipëria brenda jave, policia ushtarake e UÇK-së do t’i arrestonte. Ismeti qe frikësuar përtej frikës racionale dhe zuri edhe ai të më kërcënonte, në prani të tyre…
Atë rrëfim Amerikani e dëgjoi me interesim ekstra, duke kërkuar sa më shumë detaje. Pata shtuar se edhe kryeshefin e Shishit, Fatos Klosin, e kam pas informuar, duke e lut të merrte masa kundër tyre, që të mos detyrohej Policia ushtarake e UÇK-së të angazhohej.
Vizita e Rexhës dhe Mikut të tij patë zgjatë dy ditë, me shumë orë të herëpashershme bashkëbisedimi, në hotel ekstra luksoz…
Rreth dy-tre muaj pas çlirimit të Kosovës në sportel të Hotel Grandit në Prishtinë (meqë në atë hotele banoja atëherë), më njoftuan se po me kërkonte Rexhë Xhakli. U takuam. Prapë ishte me të njëjtin Mik të verës se vitit 1998. Mendova se kanë ardhur për ndonjë biznes. Fillimisht nuk patëm mundësi të bisedonim në qetësi, meqë atë Amerikanin po e takonin edhe kushëri e kushërira hasjanë, deri edhe gra me veshje të tyre tradicionale. E luta Rexhën të ma rrëfente “filmin” që po shihja, me një burrë që i ngjante shumë aktorit francez Zhan (Jan) Gaben dhe me hasjanë që po e përqafonin përmallshëm me farefisin e tyre. Rexha: “Ky Miku [emrin e tij ma pat kujtuar Bashkëshortja e Rexhës, Shpresa, në komunikim privat në FCB, më 3 shtator 2018: Robert (Bob) Stevens, mbiemri i lindjes: Gjyvelekaj]. Ky Bashkatdhetar i ynë prindërit i kishte nga Hasi (pjesa e Kosovës). Ka qenë bebe kur prindërit i janë emigruar në Amerikë. Gjatë studimeve të suksesshme është njohur me një kolege irlandeze. Ajo i është vardis për martesë. Bobi, siç e quajmë në Amerikë, i ka vënë kusht që t’ia kamuflonte prejardhjen etnike shqiptare, duke e prezantuar gjithandej me origjinë irlandeze. Dy djemtë i ka ligjërues universitar. Një muaj pas lufte, kur edhe është pensionuar Bobi, Bashkëshortja e këtij, vërtet irlandezo-amerikane, u ka treguar djemve se babain e kanë shqiptar nga Kosova, të besimit katolik. E pra, pikërisht ky e ka udhëheq 18 vjet Drejtorinë e CIA-së për Ballkanin. Kemi ardhur edhe me shefin e ri, që e pason këtë në atë detyrë…”
Rexha më sqaroi se vizita që më kishin bërë në Këln, kishte qenë vizitë informuese, në cilësi të kryeshefit të Drejtorisë se CIA-së për Ballkanin…
Kur e pata përjetuar atë “film” në Hotel Grand, pata qa nga gëzimi. Gati sa nuk pata thirr: “Kemi qenë me fat! Në momentin më vendimtar për Kosovën, Kryeshefi i CIA-së dhe shefi i Drejtorisë për Ballkanin, paskëshin qenë shqiptaro-amerikanë! Çfarë rastësie mrekulluese!
Për ata që nuk dinë, George John Tenet e ka Babain nga Qeparoi i Himarës se Shqipërisë, Nanën nga Tepelena. Ka qenë Drejtor i CIA-së nga korriku 1997 deri në korrik 2004. Moti thoshin mos pyet kush është kryetar në Amerikë, por kush është Drejtor i CIA-së, që të kuptosh pozicionimin amerikan, sepse CIA është kryeqeverisja klandestine e USA-ve.
Në Shqipëri, edhe në Kuvend, në mars 1997 është raportuar se nxitësi kryesor i trazirave në Shqipëri ishte “grekofili” Gjorgj Tenet. Kishte nga ata zëra që spekulonin se Tenet vet kishte qenë katër herë në Shqipëri të Jugut, gjatë rrebelimi. Atje atëherë isha dhjetë ditë (por nuk e takova Tenetin). Pasi ka dorëzuar detyrën, Tenet ka botuar një libër biografik. E shkruan shkoqur në atë libër: “Kur prindërit donin të bisedonin që të mos i kuptonim ne dy djemtë e tyre binjak, flisnin në gjuhë shqipe.” (parafrazim).
***
Vërtet, çfarë ndodhi që pozicionimi amerikan, më 23 mars 1999, ndryshoi për 180 shkallë, nga pozicioni ndër më serbofilët në botë, në pozicion bombardues ndaj forcave të armatosura serbe, me arsyetim: “pengimin e katastrofës humanitare në Kosovë”!
Në minutën 14’27” po e nderprej daktilografimin dhe komentimin e kësaj interviste, sepse po ma shton irritimin. Janë edhe rreth 15 minuta, që ndonjëherë edhe ia vlen të analizohen.
Keqardhje për mungesë të kurajës për të thënë të vërtetën, ta zëmë, pse NATO ka bombarduar forcat, u thënçin të UÇK-së, të cilat nga Shqipëria paten sulmuar Ushtrinë e Serbisë në vendin e quajtur Koshare (me urdhër të Rrustem Berishës; kush e ka komanduar Rrusetemin, ende nuk jam informuar…!!). Të martirizuarit nga bombardimet e NATOs në Koshare, të cilët i vlerësojmë si dëshmorë, mos ndoshta ishin “dëm kolateral”, siç arsyetohej NATO për të vrarët nga bombardimet e saj?!
Do kisha qenë edhe më i lumtur, nëse Prof. Klosi, Xhavit Haliti, e të tjerë mashtrues si këta, të ofronin qoftë vetëm një provë konkrete, për ndihmë konkrete të shërbimeve të huaja ndaj UÇK-së. Fakeqësisht, e kundërta është e vërtetë: disa nga ato shërbime vetëm na kanë penguar, luftuar e komplotuar…
[FUND / ibrahim kelmendi]
***
Këtu mund ta përcjellni gjithë intervistën:
https://www.youtube.com/watch?v=xYPjakysaBU

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu