ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë mbajti Konferencën e XXIII-të në Prizren

Shkrime relevante

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Hajgarja e vitit nga Qeveria: pensionistët e diskriminuar mbeten në harresë!

Nga: Zeqir Bekolli, Drenas ___ Qeveria këtë fundvit vendosi të bëjë një tjetër...

Shpërndaj

Pamje e reportazhit nga Prizreni

Shkruan: Hajriz Mamaj

  • Reportazh nga Prizreni, 15 qershor 2024

Vetëm dy ditë pas ditës së çlirimit të Prizrenit më 13 qershor, Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë, me përfaqësues të mjekëve nga shumë vende evropiane, mbërriti në Prizren për të zhvilluar punimet e Konferencës së XXIII-të në Universitetin “Ukshin Hoti”. Edhe pse shumica e mjekëve kishin ardhur dy ose tri ditë më parë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të vizituar të gjitha bukuritë dhe monumentet historike që e bëjnë Prizrenin të pavdekshëm dhe atraktiv për çdo vizitor. Kudo që ecën nëpër rrugët e Prizrenit, vëren elemente dekori për festë, dhe sytë të tërheqin drejt Lumbardhit dhe Shtëpisë Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila më 10 qershor 1878 mbajti mbledhjen e parë ku u diskutuan dhe miratuan synimet dhe strategjitë për fatin e trojeve shqiptare. Në Prizren mund të vizitosh edhe shumë monumente historike që i shtojnë bukurinë këtij qyteti. Natyra këtu ka derdhur pa kursim xhevahiret e saj: flladin e lehtë, ngjyrat e bukura dhe të llojllojshme, dhe mbi të gjitha ujin që i jep freski qytetit dhe gjarpëron përmes fushave, duke u dhënë jetë atyre. Shumë afër kësaj shtëpie është Kalaja e Prizrenit, e cila për vizitorët paraqet një bukuri të rrallë, nga ku mund të shikosh Prizrenin si në pëllëmbë të dorës. Në përvjetorin e 25-të të çlirimit të Prizrenit, në përkujdesjen e kryetarit të qytetit Mr.Shaqir Totaj u shënua kjo  datë me një varg aktivitetesh kulturore. Një nga këto ishte edhe koncerti recital i pianistes me renome botërore, Lule Elezi, i realizuar në bashkëpunim me orkestrën e harqeve nga Tirana nën dirigjimin e maestros Oleg Arapi, i cili u mirëprit nga qytetarët e Prizrenit.

Dr. Aurora Dollenberg, kryetare e Federatës

Në këtë 15 qershor  dita fillon me tri aktivitete të tjera, nikoqir i të cilave është Universiteti “Ukshin Hoti”:

– Realizimi i Konferencës së XXIII-të i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë.-

Ndarja e çmimit “Ukshin Hoti” për personalitete të njohura shqiptare, shpërblim ky që e ndan Kuvendi Komunal i Rahovecit.-

Promovimi i librit të dëshmorit të kombit, Dr. Fahredin Sh. Hoti, “Doktori që i dha jetë lirisë”.

Dr. Arben Vitia, ministër i shendetësisë

Delegacioni i Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, i kryesuar nga kryetarja e kësaj Federate, u prit një ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë nga kryetari i qytetit të Prizrenit, z. Shaqir Totaj, me të cilin zhvilluan një bisedë vëllazërore. Zonja Dollenberg e njoftoi kryetarin Totaj me aktivitetin e Federatës në mbarë Evropën. Konferenca e sotme e XXIII-të jam e lumtur që po mbahet në Prizren, tha zonja Dollenberg në bisedë me kryetarin Totaj. Në këtë përvjetor të çlirimit të Prizrenit vendosëm që në këtë qytet të mbledhim mjekë nga shumë vende evropiane, po edhe nga viset shqiptare, të cilët iu janë bashkuar Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë. Tema qendrore do të jetë “Drogat dhe shëndeti mendor”. Shpresojmë që nesër për këtë temë do të flasin ekspertë të njohur të kësaj fushe, të cilët me përvojën dhe studimet e bëra do të prezantohen në konferencën e XXIII, tha kryetarja Dollenberg në bisedë me kryetarin Totaj.

Delegacioni i Federatës në takim me Kryeministrin Kurti

Pesëmbëdhjetë qershori në Universitetin “Ukshin Hoti” kishte një aktivitet të jashtëzakonshëm. Rektori Mentor Alishani hapi dyert që në orën tetë të mëngjesit dhe priti mysafirë nga Evropa dhe nga mbarë Kosova e Krusha e Madhe. Sot, këtu Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë mban Konferencën e XXIII-të në amfiteatrin e madh. Në amfiteatrin tjetër u bë promovimi i librit të Dr. Fahredin Sh. Hoti, me autor djalin e dëshmorit, Besnik F. Hoti, “Doktori që i dha jetë lirisë”. Në oborrin e Universitetit janë ekspozuar shumë libra, fotografi dhe botime gazetareske që pasqyrojnë jetën dhe sakrificën e patriotit dhe burrështetasit e filozofit Ukshin Hoti, pasi sot për të dytën herë me radhë ndahet shpërblimi “Ukshin Hoti” për personalitetin e vitit 2024, që e organizon Kuvendi Komunal i Rahovecit. Ky shpërblim pritet t’i ndahet veprimtarit të shquar nga Theranda, Bislim Elshani. Në këtë eveniment ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, me të cilin u takua edhe delegacioni i Federatës, i kryesuar nga Dr. Aurora Dollenberg, Prof. Dr. Jusuf Ulaj, Dr. Fatmire Kollçaku dhe Dr. Erjona Bytyçi.

Delegacioni i Federatës me familjen e dëshmorit Dr. Fahredin Hoti

Gjatë hapjes së punimeve të Konferencës, pjesëmarrësve iu uroi mirëseardhjen presidentja e Federatës, znj. Aurora Dollenberg, e cila zbuloi arsyet e kësaj konference, rolin e saj dhe temën që ka zgjedhur për ta trajtuar. Pas saj, fjalën e mori i pari i qytetit të Prizrenit, z. Shaqir Totaj, i cili uroi presidenten Dollenberg për përzgjedhjen e qytetit të Prizrenit dhe për temën që kanë zgjedhur të trajtojnë, pasi përdorimi i substancave narkotike është bërë një sëmundje e rëndë për rininë kosovare. Duke ju përgëzuar për misionin e shenjtë që ushtroni në mbrojtjen e shëndetit të pacientëve kudo që ushtroni profesionin tuaj, ju përgëzoj dhe ju uroj punë të mbarë dhe qëndrim të mirë në qytetin tonë. Edhe rektori i Universitetit të Prizrenit, Prof. Dr. Mentor Alishani, me një fjalë rasti përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë mjekët që kanë zgjedhur Universitetin “Ukshin Hoti” për të zhvilluar punimet e kësaj konference mjekësore. Universiteti është i juaji sot, ndërsa dija dhe përvoja juaj në Evropë le të zbresin sot në qytetin historik të shqiptarëve. Uroj të ndiheni mirë dhe sukses në punën tuaj.

Prof. Dr. Jusuf Ulaj dhe Dr. Sali Bytyçi me gazetarin Hajriz Mamaj

Në fjalën përshëndetëse, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Arben Vitia, tha: Zonja dhe zotërinj, të nderuar mjekë, e nderuara zonja Dollenberg. Jam i nderuar që Federata, së cilës ju i prini, po angazhohet në mbrojtjen e pacientit në vendet ku ju punoni, por edhe këtu në Kosovë dhe viset shqiptare, me organizimin e konferencave të tilla. Ky organizim dhe kjo qasje drejt parandalimit të sëmundjeve të ndryshme, e në veçanti tema bosht që keni zgjedhur për këtë konferencë “Drogat dhe shëndeti mendor”, është një tregues i mirë që mërgata jonë, edhe pse larg atdheut, mendjen e ka në vendlindje dhe përvojat e fituara jashtë përpiqet t’i sjellë në Kosovë dhe viset shqiptare. Ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në punën tuaj të shkëlqyeshme. Në emër të kryeministrit Kurti dhe në emrin e tij personal, punimet e konferencës i përshëndeti edhe këshilltari i kryeministrit, Prof. Dr. Jusuf Ulaj, i cili ndoqi punimet e konferencës deri në mbyllje dhe dha një kontribut të veçantë në panelin shkencor, duke dhënë sugjerime në temat dhe punimet që trajtoheshin nga mjekët pjesëmarrës dhe referues. Edhe kryetarja e grupit parlamentar për shëndetësi në Parlamentin e Kosovës, znj. Dr. Fatmire Kollçaku, si dhe drejtoresha e Spitalit të Prizrenit, znj. Dr. Narqize Hoxhaj, përshëndetën punimet e konferencës dhe pjesëmarrësve u uruan punë të mbarë dhe suksese në punën e tyre të shenjtë.

Mr. Shaqir Totaj , kryetar i Prizrenit me Pianisten Lule Elezi dhe Dr Aurora Dollenberg

Vlen të theksohet se punimet e tyre në këtë konferencë i shpalosën Dr. Aurora Dollenberg, Specialiste e Mjekësisë Familjare dhe Psikoterapeute me temën “Drogat dhe urgjencat më të shpeshta mjekësore”; Dr. Behar Kamberi, specialist i pediatrisë, trajtoi temën “Ndikimi i substancave psikopative në gjendjen mendore të adoleshentëve”; “Sfida Institucionale për evidentimin dhe trajtimin e rasteve të abuzimit me drogat” u trajtua nga Prof. Dr. Arsim Gërxhelia, Specialist i Mjekësisë Ligjore.

Delegacioni i Federatës në pritje të takimit me kryeministrin Kurti

Tema “Mbështetja psikologjike dhe psikoterapeutike për familjarët e përdoruesve të drogës” u trajtua nga Arton Ademi, specialist i Psikologjisë. Një temë me rëndësi u trajtua nga Dr. Sali Bytyçi, Specialist i Mjekësisë së Punës, i cili preku problemin e “Varësisë nga droga si problem social dhe zvogëlimi i aftësisë për punë”. “Efekti i substancave psikopative në procesin e detoksifikimit në mjedisin spitalor, objektivat dhe sfidat” u trajtua nga Dr. Nik Agani, specializant në psikiatri. “Substancat narkotike dhe përdorimi i tyre te adoleshentët dhe të rinjtë” u trajtua nga Dafina Broçi, Specialiste e Psikologjisë.

Një punim tejet me vlerë në fushën e përdorimit të drogës në Kosovë, “Drogat e reja, sfida të reja” u shpalos nga Safet Blakaj, specialist i trajtimit të drogës. Në këtë konferencë, punimin e tij e prezantoi edhe studenti i Fakultetit të Mjekësisë, Endri Rexha, me temën “Ndikimi i inteligjencës artificiale në trajtimin e çrregullimeve mendore”, punim që u mirëprit nga pjesëmarrësit në konferencë.

Besnik Hoti autor i librit në shoqërim me gazetarët Alketa Gashi Fazliu dhe Hajriz Mamaj

Z. Rexha është edhe kryetar i Bordit Studentor në degën e Federatës në Kosovë. Duhet theksuar që mysafirë nderi në këtë konferencë ishin të ftuar Prof. Dr. Fadil Çitaku, Prof. Dr. Edmond  Nushi, Prof. Dr. Gazmend Boja, Prof. Mytaher Haskuka dhe Msc. Gjergji Pashaj, të cilët me prezencën e tyre i shtuan vlerë konferencës dhe publikut pjesëmarrës. Kostumet që organizatori kishte siguruar ua shtonin vërtet imazhin prej shkencëtarësh. Në këtë konferencë, kryetarja dhe stafi drejtues i Federatës ndanë mirënjohjet për ambasadorët e nderit të kësaj Federate, e këtë herë me këtë titull u nderuan:

– Mr. Shaqir Totaj, kryetar i Prizrenit

– Prof. Dr. Mentor Alishani, rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren

– Dr. Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës

– Prof. Dr. Jusuf Ulaj, Profesor në Universitetin e Mjekësisë dhe Këshilltar i kryeministrit Kurti për shëndetësi

– Dr. Fatmire Kollçaku, kryetare e Grupit Parlamentar për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës

– Dr. Narqize Hoxhaj, drejtoreshë e Spitalit të Prizrenit

Dr.Aurora, Dr. Ulaj dhe Dr. Kollçaku të shoqëruar nga gazetarët Gashi- Mamaj me familjarët e Dr. Fahredin Hoti

Në mbyllje të Konferencës, pjesëmarrësit u surprizuan me promovimin e librit monografik “Doktori që i dha jetë lirisë”, përgatitur për botim nga djali i tij, Besnik Fahredin Hoti. Gazetarët Alketa Gashi Fazliu dhe Hajriz Mamaj i bënë një vështrim analitik librit, dhe te të pranishmit zgjuan lot ndërsa te familjarët që ishin në sallë ua shtuan krenarinë dhe heroizmin për djalin e tyre që, si mjek, ra në altarin e lirisë duke ofruar ndihmë pacientëve në fushën e betejës dhe në përpjekje për t’i shpëtuar jetën djalit të tij të plagosur rëndë.

Foto me Rektorin Mentor Alishani

Ky libër është ndërtuar nga shumë rrëfimtarë për aktivitetin dhe punën e Dr. Fahredin Hotit në paqe dhe në luftë, dhe do të jetë si një lajtmotiv për gjeneratat e reja se si duhet luftuar për atdhe. Familja Hoti nga Krusha e Madhe i ka dhënë shumë heronj dhe viktima Kosovës, por mbi të gjitha Ukshin Hotin, që mbetet ideologu dhe guximtari i parë në Kosovë që kërkoi që Kosova të bëhet Republikë. Në fund të Konferencës, presidentja Dollenberg falënderoi familjen Hoti dhe djalin e Dr. Fahredin Hotit për botimin e këtij libri. Në mes lotësh dhe krenarisë, ai falënderoi të pranishmit për mundësinë që iu dha të flasë për babain e tij në mesin e kolegëve të tij mjekë.

Gazetari Hajriz Mamaj dhe Arta Sopaj doktorante në Universitetin e Humboldt-it në Berlin

Në mbyllje, z. Mamaj, duke e marrë në përqafim djalin e mikut të tij të studimeve, Dr. Fahredin Hoti, shtoi: “Federata kur mori vesh se do ketë promovim libri për doktorin, mori qëndrim që në vend të punimit që do na e prezantonte sot në konferencë, Dr. Fahredin Hoti, po e promovojmë librin e tij dhe po e sjellim këtu në sallë dhe po e ringjallim me veprën e tij për të cilën do flasin gjeneratat e ardhshme”. Ndërsa Alketa, si zakonisht, i ftoi për një foto të përbashkët me mjekët dhe familjarët e Dr. Fahredin Hotit.

Në fund, por jo për nga rëndësia, një falënderim i veçantë shkon për psikologen Arjeta Nezaj, e cila ishte mbështetëse që ky evenimenti  të realizohet në Prizren.

Dr.Arsim Gerxhaliu dhe Drejtoresha e Spitalit në Prizren Dr.Narqize Hoxha

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Të shkruash për organizimin e konferencës duhet të jesh gazetar!
    Ato që u than në shkrimin tuaj zoti Hajriz janë të thukta të kompletuara dhe me vlerë!
    Kryetarja Dr. Dollenberg ishte me konsideratë dhe e kujdesshme për mbarvajtjen e evenimentit.
    Punimet vërteté kishin qasje në problemin e drogave dhe sygjeronin për ndërmarrje konkrete!
    Ndoshta në Kosovë do të duhej me u konkretizu investimi në një qendë për trajtim dhe rehabilitim të përdoruesit e drogave si dhe abuzimeve tjera!
    Punë e mbarë dhe suksese të federatës! Urime!

  2. I nderuar zoti Mamaj!
    Raportazhi juaj është me të vërtetë mbresëlënës! Aftësia juaj për të kapur detajet dhe për të paraqitur një histori kaq të gjallë dhe impozante është e jashtëzakonshme. Shkrimi i juaj është i pastër dhe i mirëstrukturuar, duke e bërë leximin një kënaqësi të vërtetë. Keni bërë një punë të shkëlqyer në hulumtimin dhe pasqyrimin e ngjarjeve me saktësi dhe ndershmëri. Vazhdoni kështu, puna juaj është një frymëzim per ne.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu