Florim Zeqa
Tani edhe zyrtarisht për subjektet politike nisi muaji i madhërishëm i fushatës zgjedhore, më ç’rast qytetarët e vendit do të kenë rastin të kënaqën më të gjitha “mrekullitë” e pashijuara të kësaj bote!
Pushtetarët zemërhapur e dorëlirë më paratë e taksapaguesve
Qytetarët si asnjëherë më parë do t’i kenë afër krerët e të gjitha partive politike, të cilët do ta “hapin” shpirtin e zemrën para popullit të tyre.
Si çdo herë më zemërhapur dhe më dorëlirë (më paratë e taksapaguesve) do të tregohen pushtetarët, duke ju ofruar gjithçka e çdo gjë votuesve të tyre.
Do të shpenzohen shumë para të buxhetit të Kosovës, do të shtjerrën në maksimum edhe buxhetet e partive opozitare, për çka donatorët do t’i hapin llogaritë e veta për më të fortët e politikës!
Sa vendet e punës do të “hapen”, sa kilometrat e asfaltit do të “shtrohen”, sa shkolla e çerdhe do të “ndërtohen”, sa shiritat e përurimeve do të “prehen” gjatë këtyre ditëve, sa shtallat e bagëtive do të vizitohen nga liderët partiakë!
Mëkatë që bagëtitë nuk dinë të gëzohen!
Por do të gëzohen familjet që do të ndihmohen me nga 100 e 200 euro, më të vetmin qëllim që t’ua përfitojnë zemrat varfanjakëve të shumtë ‘cep e n’cep’ të Kosovës.
Në televizionet publike qytetarët do të kenë rastin të shohin vetëm storie suksesi të pushtetarëve. Ndërsa në anën tjetër do të jetë opozita, ajo që do të mundohet t’ua rikujtoj qytetarëve dështimet e shumta të pushtetit në katër vjetët e kaluara.
Sa shumë premtime, gënjeshtra e mashtrime do t’iu servohen qytetarëve brenda këtij muaji të “bereqetit”, me të korrurat e të cilit do të ushqehen pushtetarët e rinj në katër vitet e ardhshme.
Më shumë fat do të jenë lagjet dhe fshatrat në të cilat do të fillojnë projektet e fushatës zgjedhore, por akoma me më shumë fat do të jenë ata që presin përfundimin e tyre,…ngase shumë nga projektet e filluara nga fushatat e kaluara zgjedhore kanë mbetur aty ku kishin nisur, të papërfunduara akoma!
Kosova është vendi i vetem në rajon e ndoshta edhe në botë, ku politikanët milionerë i blejn më së liri votat dhe shesin më së shtrënjti premtimet e tyre!
Si zakonisht çmimin e mashtrimeve të tyre e paguan popullata e varfër, e cila mbetët duke pritur deri në zgjedhjet e radhës pa e shijuar aromën e mrekullisë së premtuar.
Thirrje për vetëdijësim
Këtë shkrim e bëra për t’i thirrur ndërgjegjës qytetare në fillim të fushatës elektorale që të mos bien pre e premtimeve boshe, por t’i vënë gishtin kokës e të mendojnë para se të votojnë, së vota e tyre sot vlenë më shumë së 100 apo 200 euro, është votë që përcakton të ardhmen e fëmijëve tuaj nesër.
Ata që ju harruan dje kur ju dhuruat voten, do t’ju harrojnë edhe nesër e përgjithmonë. Vota e juaj më 9 Shkurt 2025 është votë që e determinon të ardhmën tonë të përbashkët në shtetin e Kosovës.
Se a do të triumfojë e vërteta para gënjeshtrave dhe programet demokratike para dogmave komuniste, mbetët të shihet pas numërimit të votave të 9 shkurtit!
Mos e harroni për asnjë çast thirrjen time të vazhdueshme për mobilizim të përgjithshëm, për largimin përfundimtar të klasës së korruptuar politike, si kusht i vetëm dhe i domosdoshëm për ndryshimin substancial qeverisës në vendin tonë.
Në fund, një gjë mos e harroni qytetarë të dashur të vendit tim dhe bashkatdhetarë të shpërndarë në botën mbarë, ata që ju harruan dje, do t’ju harrojnë nesër e përgjithmonë, ata që ju mashtruan për gjysëmshekulli do t’ju mashtrojnë përseri dhe në pafundësi!
Zoti e bekoftë voten e lirë të njerëzve të lirë.
Me 12 Janar 2025