Në foto: Ibrahim Rugova me Don Lush Gjergji
Nga: Don Lush Gjergji, Prishtinë
- Refleksion në 17 vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova
Fjalët, shkrimet, idetë, politika paqësore jodhunore e Dr. Ibrahim Rugovës ishte një risi dhe befasi gati për të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sipas parimeve të Gandhit, të Martin Luther King-ut, deri diku Havelit, apo si thoshte ai, ishte strategjia jonë “tereziane” duke u referuar dhe frymëzuar në jetën dhe veprën e Nënës Tereze Bojaxhiu.
Këtë përcaktim e shpjegonte kështu: edhe jemi të detyruar, sepse nuk kemi as ushtri, as polici, as armë, dhe ndoshta kjo atë herë ishte edhe fatbardhësia jonë (vërejtja ime), por edhe duam, sepse nuk besojmë në fitoren e luftës dhe të armëve, dhe ajo do ta përgjysmonte dhe pakësonte popullatën tonë, ndërsa ne dëshirojmë ta mbrojmë çdo jetë dhe çdo njeri…
Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thoja edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jodhunore.
Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.
Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë…Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që të na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd…Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullit… Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet…Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.
Lidershipi i Dr. Ibrahim Rugovës dhe qëndrueshmëria e tij sot
Vizioni i tij ishte mjaft i qartë, shumë i vendosur dhe shi për këtë së shpejti ishte shndërruar në Lider, udhërrëfyes dhe vizionar në nivelin popullor, te intelektualet, te rinia, me paraqitje të dinjiteteshme dhe të qeta, njëkohësisht të vendosura dhe parimore, por edhe të argumentuara dhe paqësore. Natyra e tij e butë, niveli i tij intelektual i lartë, largpamësie e tij pothuaj profetike e ndihmonin dukshëm në këto veprime. Nga bashkëpunimi dhe njohja ime që nga viti 1981 e deri në vdekje, kam pasur përshtypje dhe përvoja shumë pozitive. Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askënd, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.
Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999 si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënën Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.
Bota dhe Dr. Ibrahim Rugova dhe trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci
Trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci pa dyshim ishte filozofia dhe përcaktimi i tij politik dhe jetësor. Këtë e kanë cekur edhe autorët dhe studiuesit tanë dhe të huaj. Dr. Enver Bytyqi nënvizon politikën e tij kombëtare dhe ndërkombëtare kështu: “Madje vizioni i Ibrahim Rugovës nuk ishte shfaqur ndonjëherë në historinë e të gjitha vendeve ballkanike. Ai ishte një lloj lëvizjeje që synonte detyrimin moral, bazuar në vlera. Ajo ishte një lëvizje për çlirimin bazuar në virtyte, në moralin e shoqërisë njerëzore.
Thelbi i lëvizjes së Rugovës për çlirim ishte mospërdorimi i dhunës… Para së gjithash kjo strategji kërkonte vetëdije të plotë politike, vetëbesim, si dhe përgatitje psikologjike, shpirtërore, sociale e shoqërore të njerëzve që e përfaqësonin… Dy milion shqiptarë ishin bashkuar në mbështetjen e tyre ndaj politikave të lëvizjes çlirimtare, të cilat i kishte prezantuar Rugova” (Enver Bytyqi, Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës, vep. e cit. fq. 81-83).
Dr. Ibrahim Rugova dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe më gjerë, asaj shqiptare në Ballkan
Ai sigurisht se ishte Lideri ynë që paraqiti kërkesat popullore dhe të drejtën themelore për liri, demokraci dhe vetëvendosje, pas gjithë asaj që kishim pësuar historikisht dhe aktualisht. Bindja e tij e thellë dhe jetësore se shqiptarët jemi në anën e të mirës, të drejtës dhe të vërtetës, pra, kemi argumente si historike, ashtu edhe aktuale, apo si e kisha formuluar unë: ne shqiptarët thënë figurativisht kemi mall të mirë, por jemi tregtarë të dobët, që Ibrahim Rugovës i pëlqente shumë, e shtynte atë për internacionalizimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës, sepse e dinte fare mirë se bota do të jetë me ne, jo pse jemi shqiptarë, apo kundër serbëve, por për hir të së drejtës dhe të vërtetës, kuptohet, nëse dimë ta paraqesim dhe mbrojmë botërisht.
Kjo “luftë” mediale pamoro-dëgjimore e mjeteve të komunikimit, e qarqeve politike dhe diplomatike, dukej si ajo biblike mes Davidit dhe Goliatit, sepse serbët kishin çdo gjë në dorë. Mirëpo Presidenti Ibrahim Rugova shpesh më thoshte kështu: “Ne anën tonë është e vërteta, historia, toka e Kosovës”.
Këtyre tri të vërtetave duhej t’i shtoheshin edhe dy shtylla të rëndësishme: vetëdija jonë kombëtare dhe përcaktimi ynë paqësor dhe jodhunor deri në fund, pa hequr kurrë dorë prej vetvetes dhe të vërtetës, lashtësisë, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë iliro-shqiptar.
Pa këtë fitore mediale dhe politike kurrë nuk do të vinte deri te ndërhyrja e NATOS, Lufta Çlirimtare e Kosovës, pra, deri te liria dhe pamvarësia e Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova dhe personalitetet evropiane dhe botërore
Para qëndrimit të tij paqësor dhe jodhunor, para argumenteve historike dhe aktuale, para dëshmive të terrorit dhe tmerrit shtetëror jugosllavo-serb, bota nuk mund të ishte indiferente, sepse ai e kishte prekur ndërgjegjen e Amerikës, të Bashkësisë Evropiane dhe më gjerë. Me Dr. Ibrahim Rugovën çështja jonë u bë tashmë çështje ndërkombëtare e ndërgjegjes së mbarë njerëzimit.
Presidenti Ibrahim Rugova stërgjinë tonë e arsyetonte kështu: “Strategjia paqësore dhe jodhunore është një zgjidhje dhe një nevojë. Në shekujt e kaluar pati shumë lufta në Ballkan dhe ne shqiptarët jemi paditur si ata që e kishim “destabilizuar” paqen. Kështu e kemi zgjedhur strategjinë jodhunore për ta mposhtur këtë tezë…Tani kemi dëshmuar para botës se jemi një popull që ka zgjedhur paqen me mjete paqësore dhe jodhunore. Jodhuna është një mënyrë, sepse që tre vite kemi mbetur pa polici, pa parlament, pa qeveri, sepse serbët i kanë dëbuar shqiptarët nga këto institucione. Megjithatë strategjia jodhunore dhe paqësore është më tepër një përcaktim se një nevojë, në mënyrë që bota ta hetojë se jemi të nëpërkëmbur dhe të vetmuar nga të gjithë…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugosllavia, EMI Bologna, 1993, fq. 29-30).
Diplomacia dhe rezistenca paqësore jodhunore e dr. Ibrahim Rugovës
Kjo diplomaci dha fryte ndoshta edhe të papritura dhe të paparashikueshme. Mirëpo si duket ne e kemi një “defekt” ndoshta edhe konstitutiv, të mirën e harrojmë shumë lehtë dhe shpejtë, e të keqen shumë ngadalë, mos të them kurrë. Kështu po ndodh edhe me figurën e Presidentit tonë të parë dhe historik Dr. Ibrahim Rugovën, ku ka pak studime, e ajo që është edhe më keq, aktualizime të porosive të tija.
Dr. Enver Bytyqi strategjinë e Dr. Ibrahim Rugovës e vlerëson kështu në mënyrë përmbledhëse: “Kështu rezistenca e shqiptarëve ishte koncentruar në mosnjohjen e pushtetit serb, në refuzimin e këtij pushteti dhe ligjeve të tij në politikë, në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në çështje sociale, në sipërmarrjet ekonomike e në sistemin e taksave. Bojkoti i shqiptarëve kishte sjellë me vete jo vetëm një risi të re në luftërat ballkanike për liri, pamvarësi e demokraci, por i kishte ndërgjegjësuar shqiptarët në Kosovë e në ish-Jugosllavi se kjo kishte qenë forma më e suksesshme e rezistencës…” (Enver Bityqi, vep. e cit. fq. 103).
Presidenti dr. Ibrahim Rugova gjithnjë i pati në mendje dhe në zemër dy figura tejet të dalluara: Papën Gjon Pali II dhe Nënën Tereze. Këto dy figura markante kishin ndikim dhe frymëzim në jetën dhe në veprën e Ibrahim Rugovës, sepse ai, por edhe populli shqiptar, nëpërmjet tyre arriti ta informonte dhe sensibilizonte botën, mbi të gjitha Amerikën dhe Bashkësinë Evropiane, për gjendjen tonë reale, si dhe për të kërkuar dhe gjetur bashkë me miqët tanë rrugën e lirisë dhe të demokracisë, atë të bashkëjetesës dhe të dialogut ndëretnik dhe ndërfetar, kuptohet, në dobi dhe të mirë të të gjithëve (Lexo: Enver Bytyqi, vep. e cit. fq. 112-119).
Takimet e mia dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me Dr. Ibrahim Rugovën
E kam takuar për herë të parë personalisht në vitin 1981, në Brezovicë, në Takimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ndër të tjera i kam dhuruar tri botime të mia të shtypura nëpërmjet shtëpisë botuese DRITA: “Krishti ndër ne”, katekizëm për rrëfim dhe kungim të parë; Pjesën e disertacionit tim “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri” dhe monografinë time të parë kushtuar Nënës Tereze “Nëna jonë Tereze”.
Ishte shumë i kënaqur dhe i falënderueshëm për këto botime, sidomos për “Besëlidhja e Re”, botimi i “Dritës” dhe përkthimi i Dom Simon Filipaj.
Më tha ndër të tjera: “Kjo qenka një mrekulli e vogël për ditët tona… Nëpërmjet shtypit të mirëfilltë po ringjallet tradita dhe po përtërihet kultura jonë biblike dhe kristiane. Katër libra që shënojnë katër binare tona: Biblën, katekizmin apo edukimin e mirëfilltë tonë, disertacioni i Juaj i rrallë, ndoshta edhe unik për femrën shqiptare, dhe ajo që në veçanti me pëlqen, monografia kushtuar Nënës Tereze… Do t’i lexoj sa më parë dhe pastaj do t’i diskutojmë dhe shqyrtojmë së bashku, sepse janë me interes të veçantë… Ne doemos duhet të takohemi dhe të bashkëpunojmë… Prej ditës së sotme Ju jeni anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, sepse ne kemi nevojë për njerëz dhe literaturë të tillë… Nga zemra u falënderoj!”.
Nga kjo ditë dhe ky takim ne nuk u ndamë më, sepse mirëkuptimi, bashkëpunimi, përplotësimi ishte shumë i natyrshëm aq sa pata përshtypje se jemi rritur dhe edukuar së bashku. Hetova se kishte një kulturë dhe traditë shumë të dalluar, njihte fare mirë historinë e popullit dhe të Kishës katolike gjatë shekujve, sidomos atë gjatë sundimit shekullor turko-otoman. Ishte i hapur për çdo lloj bashkëpunimi dhe komunikimi. Për herë të parë nga goja, mendja dhe zemra e tij e madhe dëgjova fjalën dhe vlerësimin “Kisha jonë katolike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën, traditën, kulturën, qenien tonë kombëtare shqiptare… Mendoj se po vjen koha kur duhet prapë të takohemi dhe të bashkëpunojmë…”.
Ky vlerësimi ishte për mua risi dhe befasi e dorës së parë, sepse siç dihet, gjatë komunizmit dhe ateizmit të Jugosllavisë së Josip Broz Titos, bashkësitë fetare, sidomos Kisha katolike, trajtoheshin si “armiq të Popullit dhe të Shtetit”.
Mbi këtë takim e informova në hollësi Imzot Nikë Prelën, i cili më dëgjoi më vëmendje, por edhe me ndonjë dyshim dhe pyetje. Ndër të tjera ai më tha: “Kujdes, sepse ti je ende shumë i ri e nuk e njeh “politikën” e tyre… Unë i kam njohur mirë nëpër burgje dhe gjyqe, në lëkurën dhe shpinën time… Ndoshta po vjen ndonjë kohe e re”. Dhe i hapi krihet drejt qiellit dhe tha: “Dhashtë Zoti! Ne duhet të punojmë shumë, të lutemi dhe të shpresojmë. Shumë gjatë dhe padrejtësisht kemi vuajtur, e kush e di…”.
Së shpejti qe organizuar një takim i Imzot Nikë Prelës dhe Dr. Ibrahim Rugovës. Që nga ky takim me pak fjalë, por me shumë ndjenja, intuitë, do të thoja edhe “shpirt profetik” këta dy Njerëz u kuptuan, fituan besimin dhe dashurinë për njëri-tjetrin, populli do të thoshte “u gjetën”.
Në skenë ishte Kisha katolike Shkup-Prizren, e cila pa dashje u bë në një mënyrë “zëri i Zotit dhe i Popullit”, bartëse dhe përfaqësuese e shumë proceseve që ishin me shekuj të ngulfatura, të ndaluara, siç është liria qytetare dhe fetare, kultura alternative, jo më ajo komunisto-ateiste, e drejta e popullit Shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Pas vdekjes së Josip Broz Tito-s hetohej se hegjemonia komuniste dhe fryma “kolonialiste” ndaj Kosovës dhe Shqiptarëve nuk funksiononte më. Prej Vitit 1981, demonstratave studentore, punëtore dhe gjithëpopullore, populli ynë gjithnjë e më shumë vetëdijesohej se ndoshta erdhi çasti historik që edhe ne të jemi vetvetja, të lirohemi nga premtimet mashtruese të komunizmit.
Në këto procese prijës dhe vizionar ishte Imzot Nikë Prela, i cili me shumë guxim, përkushtim e filloi “luftën” informative, me shkrime, letra solidariteti, proteste kundër dhunës, burgimeve, montimeve të proceseve gjyqësore, “spastrimeve” që i shkaktonte Jugosllavia ndaj nesh, më mirë të themi Serbia nëpërmjet Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare Imzot Nikë Prela kishte takuar shpesh, gati rregullisht “Disidentin e fshehur” të sistemit, intelektualin e heshtur, por shumë të guximshëm dhe vizionar, Dr. Ibrahim Rugovën, atëherë pak të njohur nga opinioni i gjerë tek ne.
Ky bashkëpunim qe përforcuar nëpërmjet prof. Anton Çettës, i cili e bindi edhe më shumë Imzot Nikë Prelën, ne, se Dr. Ibrahim Rugova është njeri i mirë dhe i besueshëm, me të cilin mund të bisedohet dhe bashkëpunohet lirisht dhe vëllazërisht. Urëlidhësi mes nesh dhe Dr. Ibrahim Rugovës, pa dyshim, ishte prof. Anton Çetta, i cili për së afërmi, do të thoja në shpirt e njihte, nderonte dhe donte Dr. Ibrahim Rugovën.
Dr. Ibrahim RUGOVA – Katedralja “Nëna Tereze” në Prishtinë
Gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, më 26 gusht 2005, Presidenti Rugova tha: “Sot është një ditë e madhe për Kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”. (Prishtinë, 26 gusht 2005)
Mu për këtë unë do ta formuloja kështu vlerësimin tim ndaj tij: Dikush shkruan histori, dikush mbetet në histori, dikush është histori. Dr. Ibrahim Rugova shkruajti histori, si dhe mbeti në histori, dhe çka është edhe më e rëndësishme, Ai është për ne jo vetëm histori, por edhe e tashmja dhe ardhmëri.
Prishtinë, 20 janar 2023