Mirëmëngjesi. Ministre e Drejtësisë Haxhiu, zëvendës-ministër i Punëve të Brendshme Gashani, drejtor i përgjithshëm i Policisë Hoxha, zëvendës-komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral-major Cikaqi, zëvendës-drejtoreshë e Universitetit Northuestern Kamden dhe ndihmës-drejtor i ICITAP-it Filds. Të nderuar mysafirë.
Jam i nderuar që jam këtu për të festuar diplomimin e gjeneratës së shtatë të Shkollës së Stafit dhe Komandës të Policisë të Universitetit Northuestern – të mbështetur nga ShBA-ja, e njohur si ShSKP.
Më lejoni t’ia filloj duke iu bashkuar urimeve të shumta që i merrni sot.
Programi dhjetë javor i Shkollës së Stafit dhe Komandës të Policisë të Universitetit Northwestern është ndër programet më të mira për udhëheqje dhe menaxhim të institucioneve të zbatimit të ligjit që ofrohen në SHBA.
Shumë të diplomuar nga ShSKP-ja shërbejnë në pozita mbikëqyrëse dhe udhëheqëse në agjencitë e zbatimit të ligjit në SHBA, si dhe këtu në Kosovë.
Ky kurs ju përgatit juve, të diplomuarve, për të marrë pozita më të larta të udhëheqjes dhe menaxhimit në shërbimet tuaja përkatëse.
Dëshiroj të ndaj disa mendime të shkurta për temën e udhëheqjes – diçka që e di tashmë keni pasur rastin të mendoni gjatë dhjetë javëve të shkuara.
Dëshiroj të theksoj tri aspekte specifike të udhëheqjes që mendoj se janë jetike për çdo organizatë: vizioni, puna ekipore dhe ndershmëria.
T’ia fillojmë me vizionin.
Dallimi ndërmjet një udhëheqësi dhe dikujt që thjesht vetëm menaxhon ose mbikëqyr të tjerët është se një udhëheqës ka, ndan dhe pranon mendimet e të tjerëve për vizionin afatgjatë rreth qëllimit që synon ta përmbushë organizata.
Një udhëheqës di si të punojë me hisedarët tjerë – kolegët, vartësit, eprorët, si dhe me të tjerët jashtë organizatës – për identifikimin e qëllimeve strategjike që janë pjesë e vizionit të përgjithshëm.
Dhe një udhëheqës i frymëzon të tjerët që t’i pranojnë dhe t’i shtyjnë përpara ato qëllime.
Ja një shembull: në vitin 1961, presidenti Xhon Kenedi sfidoi Shtetet e Bashkuara – qeverinë, Kongresin, komunitetin afarist dhe popullin amerikan – për të dërguar një njeri në Hënë brenda tetë viteve. Dukej e pamundshme, por në një fjalim të famshëm Kenedi tha:
„Zgjedhim që të shkojmë në Hënë këtë dhjetëvjeçar jo sepse është e lehtë, por sepse është e vështirë… sepse ky qëllim do t’na shërbejë për t’i organizuar dhe vlerësuar më së miri energjitë dhe shkathtësitë tona, sepse kjo sfidë është ajo që jemi të gatshëm ta pranojmë, është sfidë të cilën nuk jemi të gatshëm ta shtyjmë për më vonë dhe që synojmë ta fitojmë”. Ky është vizion.
Por asnjë individ nuk mund ta ekzekutojë vizionin i vetëm. Duhet një ekip që vizioni të kthehet në realitet. Një udhëheqës nxit dhe promovon punën ekipore.
Si zyrtarë të policisë dhe të sigurisë publike, e di se tashmë jeni mjaft të familjarizuar me punën ekipore. Llogaritni në partnerët tuaj për t’ju mbështetur ashtu siç edhe ju i mbështetni ata.
Por, të flasim se si duket puna ekipore në nivel më të madh organizativ. E këtu do të citoj një prijës ushtarak amerikan të viteve 1970, gjeneral-lejtnant Ualter Ulmer.
Ulmer po fliste për armatën, por e njëjta analizë mund të zbatohet në çdo organizatë të madhe:
„Thelbi i ‘njësiteve që performojnë në nivel të lartë’ ose ekipeve me siguri më lehtë ndjehet se sa që përshkruhet.
Ekziston një ndjenjë e pandërprerë e misionit. Të gjithë pajtohen se cilat janë prioritetet kryesore. Ka standarde të qarta. Njerëzit i gëzohen punës ekipore”.
Dëshiroj ta mbyll fjalimin me pak fjalë rreth integritetit.
Nuk është e fshehtë që korrupsioni në institucionet e Kosovës është problem, ashtu siç është edhe në institucionet e shumë vendeve tjera, dhe ju, si udhëheqës, do të sfidoheni që të rezistoni dhe ta luftoni korrupsionin në shumë nivele.
Si udhëheqës të lartë, ju duhet të jepni shembull të ndershmërisë dhe integritetit çdo ditë. Kolegët tuaj oficerë po vëzhgojnë, ashtu siç ju vëzhgojnë edhe bashkëqytetarët.
Luftimi i korrupsionit është punë e vështirë, nganjëherë e rrezikshme, por suksesi është i mundshëm.
Për ta përmbledhur, shpresoj që vizioni, puna ekipore dhe integriteti ju rrinë gjithë kohës në mendje ndërsa përmbushni përgjegjësitë tuaja si drejtues të organeve të sigurisë publike dhe të zbatimit të ligjit.
Ju nxis që të shprehni qartë vlerat tuaja dhe çka pritni nga të tjerët dhe të jepni shembull të mirë të udhëheqjes në organizatat tuaja përkatëse – veçanërisht për ata që punojnë për ju.
Shpresoj që ky kurs t’ju ketë dhënë veglat dhe frymëzimin për të qenë zyrtarët profesionistë të sigurisë publike, për të cilët vendi ka nevojë dhe i meriton.
Ju faleminderit dhe ju uroj gjithë të mirat në rrugëtimin tuaj si udhëheqës.