ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë pritjes me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Shkrime relevante

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot...

Mendime rreth deklaratës së Aleksander Vuçiq për deklaratat e Vesli Clark

Gani I. Mehemti Vuçiq për deklaratat e Clark: S’e kuptoj se në...

Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranoj nënshkrimet e kriminelëve, janë të pavlefshme

Aurel Dasareti Nëse kuislingu Hashim Thaçi nuk ishte kriminel, pse jeton në...

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, në shënjestër të qëllimit të njëjt

Nga: Ryzhdi Baloku, Pejë Nga ngjarjet e përjetuara të gjeneratave të kohës...

Shpërndaj

Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë pritjes me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 2 korrik 2024

Presidente Osmani, kryetar i Kuvendit Konjufca, zyrtarë të Republikës së Kosovës, anëtarë të korit diplomatik, përfaqësues ndërkombëtarë, mysafirë të nderuar dhe miq.

Laura dhe unë kemi nderin t’ju mirëpresim në ambasadën amerikane dhe t’ju falënderojmë që jeni bashkuar me ne dhe ekipin e tonë të ambasadës për ta festuar 248-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Jemi mbledhur së bashku për të festuar diçka që ndodhi në një ditë të ngrohtë vere 248 vjet më parë –– në Filadelfia të Pensilvanisë.

Më 4 korrik 1776, etërit tanë themelues – që të gjithë burra – ia përkushtuan jetën, pasurinë dhe nderin e tyre të shenjtë parimeve dhe vlerave që vazhdojmë t’i ruajmë dhe përpiqemi t’i jetojmë edhe sot.

Jam krenar që vendi im u themelua në bazë të idesë se „të gjithë burrat (dhe do ta shfrytëzoj të drejtën e ambasadorit dhe të them edhe „të gjitha gratë”) janë krijuar të barabartë, se janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë“.

Këto janë fjalë të shenjta për amerikanët, por edhe ide të gjalla për të cilat vazhdojmë të veprojmë.

Madje, edhe pse jo gjithmonë as ne  e as etërit tanë themelues nuk i kemi përmbushur idealet tona më të mëdha, ne vazhdojmë ta përkufizojmë veten dhe shoqërinë tonë dhe të udhëhiqemi prej parimit të barazisë, lirisë dhe të qeverisë, e cila e merr autoritetin dhe pushtetin e saj përmes „miratimit të të qeverisurve”.

Më herët në dhjetor, shumë prej jush e patët rastin ta ndiqnit bashkë me ne filmin „Hamiltoni: shfaqje muzikore”, i cili ekzaminonte sfidat me të cilat përballen demokracitë e reja – në fakt, të gjitha demokracitë.

Porositë e tij të shumta për vlerat dhe rëndësinë e përfshirjes, multikulturalizmit, integritetit dhe kompromisit për të themeluar dhe avancuar një „demokraci të re e të brishtë” dukej se rezononin me audiencën këtu në Kosovë, ashtu siç përkonin edhe me audiencën anembanë Amerikës.

Ky është vit i përvjetorëve të rëndësishëm.  Muajin e kaluar , presidenti Bajden iu bashkua udhëheqësve të tjerë botëror, të pritur nga presidenti francez Makron, për të shënuar 80-vjetorin e operacionit të Ditës-D në Normandi të Francës.

Në atë ngjarje solemne, presidenti Bajden tha:

„Kur flasim për demokracinë – demokracinë amerikane – shpesh flasim për idealet e jetës, lirisë, kërkimit të lumturisë.

Por, ne nuk flasim se sa e vështirë është… se si instinkti më i natyrshëm është të heqësh dorë, të bëhesh egoist, të detyrosh të tjerët, të marrësh pushtetin dhe të mos e dorëzosh kurrë më.

Demokracia amerikane na i kërkon gjërat më të vështira: të besojmë se jemi pjesë e diçkaje që është më e madhe se vetja jonë”.

Idealet e shkruara në aktet themeluese jo vetëm që kanë mundësuar përparimin e Shteteve të Bashkuara, por kanë shërbyer edhe si shembull për shumë vende të tjera, përfshirë Kosovën.

Kohëve të fundit pata rastin të flisja për presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, një patriot i Kosovës, udhëheqës i guximshëm dhe aleat i ngushtë i SHBA-ve.

Shumë vite më parë pata pasur privilegjin të takoja presidentin Rugova dhe e çmoj shumë atë copëzën e Kosovës që ma dha në vitet e 90-ta – një prej gurëve mineralë, për të cilët ai me dëshirë thoshte se janë themel i fortë mbi të cilët është ndërtuar Kosova.

Më pat prekur shumë fakti që presidenti Rugova e mbante një kopje të një dokumenti tjetër të rëndësishëm të Amerikës, „Letër nga burgu i Birmingemit” të Dr. Martin Luter Kingut.

Ndoshta e dini këtë citat të njohur nga Letra e Kingut: „Jemi kapur në një rrjet të pashmangshëm të reciprocitetit, të lidhur për një fije të vetme fati. Çfarëdo që ndikon drejtpërdrejt te një person, tërthorazi do të ndikojë te të gjithë të tjerët”.

Mendoj se mund të pajtohemi se ky pohim i vitit 1963 i dr. Kingut është thellësisht i rëndësishme për situatën këtu në Ballkanin Perëndimor, ku popuj të ndryshëm duhet të gjejnë mënyra për të punuar së bashku dhe për të pasur marrëdhënie fqinjësore.

Ne besojmë fuqishëm se vetëm bashkëpunimi dhe integrimi rajonal bënë të mundur që investitorët dhe bizneset të nxisin rritjen ekonomike, të rinjtë të qëndrojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre këtu dhe që Kosova dhe fqinjët e saj të zhvillohen dhe të përparojnë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës që një çerek shekulli për të vendosur paqe, për të mundësuar siguri dhe për të ndihmuar në ndërtimin e vendit tuaj sovran, të pavarur dhe shumetnik.

Dëshiroj që ta dini se përkushtimi i SHBA-së është afatgjatë dhe apartiak.

Disa prej „heronjve” që e kanë mbështetur Kosovën në kohën e saj më të errët përfshijnë ish-presidentin Bill Klinton dhe ish-sekretaren e Shtetit Medlin Ollbrajt – që të dy anëtarë të Partisë Demokratike, si dhe ish-senatorin Robert Doll – i cili ishte ndër anëtarët më të lartë dhe ish-kandidat presidencial për Partinë Republikane.

Është e drejtë dhe e përshtatshme që të tre kanë ose shtatore ose buste këtu në Prishtinë, duke na e përkujtuar se çka kanë bërë për popullin e Kosovës.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës përballë pengesave dhe përkushtimin e tij për të arritur idealet e shprehura në Deklaratën tuaj të Pavarësisë: „Ne e shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit”.

Në përputhje me trashëgiminë e ish-presidentit Klinton, ish-sekretares Ollbrajt, ish-senatorit Doll, dhe sigurisht angazhimin e vazhdueshëm të presidentit Bajden, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet tuaja për ta realizuar këtë vizion ambicioz dhe thelbësor.

Sot po festojmë 248 vite të Shteteve të Bashkuara si shtet demokratik dhe i lirë.

Muajin e kaluar shënuam 80 vjetorin e Ditës D.

Muajin e ardhshëm do të jemi nikoqirë të samitit në Uashington për shënimin e 75 vjetorit të NATO-s.

Në këtë vazhdë, ne gjithashtu festojmë së bashku më shumë se 16 vjet që kur Kosova arriti pavarësinë e saj dhe mahnitemi me përparimin që populli i Kosovës e ka arritur në këtë periudhë të shkurtër kohore.

Shpresojmë të shohim përparim më të madh për të mirën e tërë popullit të Kosovës.  Dhe unë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara ishin, janë dhe do të jenë me popullin e Kosovës derisa ecni përpara për ta përmbushur këtë vizion.

Në fund, dua të shpreh mirënjohjen tonë për vullnetarët e shumtë, të cilët janë udhëhequr me aq mjeshtëri nga Xhesika Gumusio, Erik Gytshof dhe Piti Itharat për të organizuar këtë ngjarje fantastike.

Gjithashtu, dëshiroj t’i falënderoj sponsorët e shumtë, pa të cilët kjo ngjarje nuk do të bëhej.

Ju faleminderit për zemërgjerësinë tuaj.

Ju faleminderit shumë të gjithëve dhe urime Dita e Pavarësisë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu