ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Fjala e Bajram Kosumit në komemoracionin për Hysen Gegën (1950-28 korrik 2021)

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Suharekë, 29 korrik 2021
Fjala e Bajram Kosumit,
Sot jemi mbledhur këtu për të përcjellë për herë të fundit njërin prej veteranëve të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, shokun tonë Hysen Gegën. Jemi mbledhur për të ndarë bashkë dhembjen por edhe krenarinë që vepruam bashkë për një qëllim të lartë dhe patëm një shok si Gega.
Gega na ka bërë për vete gjatë gjithë kohës sa ka qenë gjallë: edhe gjatë burgut, edhe gjatë luftës, edhe pas luftës. Se është njeri i pazakonshëm e kuptova qysh nga tregimet e para për sprovat dhe ëndrrat e fëmijërisë si bari fshati. Më tregonte në ditët e burgut të Nishit dhe tregonte aq bukur sa më lindte pa mend. Ai ka qenë rrëfimtar i lindur, epik, por nuk e zhvilloi atë prirje të vet. E pata nxitur mjaft shumë të shkruajë tregime, por nuk e bëri. Lexonte më shumë se një lexues mesatar, por nuk shkruante. Në vend të kësaj tregonte rrëfime të gjalla, me një stil të bukur, dhe, e pranoj, nganjëherë lakmoja që tregimi i tij të ishte imi.
Disa nga këto rrëfime i kam rrëfyer edhe unë vetë para të tjerëve. U tregoja se si Gega, si e kam thirrur gjithmonë, punonte në Gjermani dhe merrte një rrogë të madhe, po mezi ia sillte babës së vet plak pak marka kur vinte në pushime. Më tha: kur vija në pushim ia sillja 800-1000 marka, por kur vinte dita të kthehem në Gjermani ia lypja 3-400 se s’më mbetej asnjë për rrugë. Po ku i leje gjithë ato para, e pyeta? Të gjitha për lëvizjen çlirimtare.
Të dashur vëllezër e motra, edhe sot po e tregoj këtë rrëfim, sepse nuk është fjala për një, dy a tri rroga! Kjo ka zgjatë dhjetë vjet. Dhjetë vjet Gega investoi në lëvizjen çlirimtare gjithçka që fitonte me krahët e tij. Unë e kam treguar shpesh këtë episod dhe e bëja për t’i inspiruar të tjerët, për të pasur shembullin se si punohet për atdhe.
Ai ka qenë i dhënë pas lirisë dhe atdheut tërësisht, pa asnjë rezervë, deri në therori.
Një herë tjetër më tregoi pse iu hidhërua Jusuf Gërvalla. Kur udhëtonim me makinë, më thoshte, unë e ndezja makinën disa minuta më herët, në mënyrë që nëse armiqtë na kishin vënë eksploziv, le të shpërthente me mua në të. Një ditë Jusufi e pikasi këtë dhe më pyeti pse e bëja? U hamenda, por dikur i tregova. Ai aq shumë u hidhërua dhe më kërkoi që më kurrë mos ta përsëris atë veprim. Ne jemi shokë të barabartë, më tha.
Çfarë histori të bukura tregonte për leximin e librave në Burgun e Nishit, për Ana Kareninën e Tolstoit dhe përvojat e të burgosurit politik, profesorit Hasan Ukëhaxha, i cili me autoritetin prej profesori i nxiste të burgosurit politik të lexonin libra. Gega kishte një respekt prej rilindësi për librat. Është epike shkuarja e tij në Tiranë për të blerë libra, në ditët e para pas çlirimit: atëherë kur të gjithë mundoheshin të bënin një vend për të fjetur e për të ngrënë, Gega e merr një kombi dhe shkon në Tiranë për të blerë libra.
Në kohën sa ishim bashkë në Burgun e Nishit unë shkruaja shumë poezi dhe ia lexoja me zë. Ai u dashurua në poezitë e mia. Po në burg çdo gjashtë muaj na merrnin shkrimet dhe na i zhduknin.
Një ditë më tha se do të mi shpëtojë poezitë. Mori një sapun për rroba, firma Adria, i kaltër e i zgjatur, e shpoi në mes më një bisht luge të mprehur dhe i bëri një shpellë të vogël. Pastaj e gjeti një letër të hollë e të gjatë, si letër cigareje, dhe unë i shkrova poezitë e mia në atë letër. Ai e bëri fysht dhe e futi në shpellën e sapunit, e mbylli vrimën me copat e gërryera të sapunit, e mbështolli në mbështjellësin e vet dhe atë sapun e mbajta pesë vjet me vete, kudo që më degdisnin nëpër burgje. Disa nga poezitë e mia të botuara të Fjalori Barbar janë nga sapuni i Gegës.
Kur u takuam pas luftës ai vazhdonte të më tregonte rrëfime të reja të bukura për luftën. Ai luftoi që nga ditët e para dhe kjo është pjesa më krenare e tij: kjo luftë qe Roma e tij, Jerusalemi i tij, Meka e tij.
Pas luftës më tregonte për planin e tij që bjeshkët e Mushitishtit t’i shndërrojë në park rekreativ. Kur shkova ta vizitoj në bjeshkë më tregoi gjërat që zbulonte për atraksion: shtëpizën e dërrasave të ndërtuar në lis, gurrën e ujit që kalon nëpër grykën e mitralozit-trofe e luftës; rranga-dungën për të trembur bishat, fluturimin e lirë me vela, një markë të rakisë me mjaltë dhe me rrënjë bimësh e të tjera. Sa herë më tregonte këto besoja se natyra dhe historia e ka dënuar të merret me burgjet, me luftën, me ndjekjet…, se përndryshe, po të kishte një jetë normale ai do të bëhej zbulues apo shkrimtar i mirë.
Por jo, nuk është më pak i famshëm në rrugën e lirisë. Përkundrazi, si i burgosur politik, si luftëtar i lirisë, si patriot dhe si njeri që beson pafundësisht te atdheu e te liria, ai është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër. Ai bëri një jetë të bujshme, të rrëmbyeshme dhe të vrullshme… dhe lumi i jetës së tij derdhej vetëm në detin e atdheut e të lirisë. Unë e lakmoja jetën e tij të bujshme. Kam takuar plotë shokë të tjerë që e lakmonin jetën e bujshme të Gegës. Mbi dyzet vjet të jetës së tij ia kushtoi lirisë, duke sakrifikuar të gjitha ato që janë më sublimet në jetë. Sa herë takohesha me të, ai më inspironte. Ai bënte veprime të pazakonshme. Shpesh ishte i patundur dhe kokëfortë në këto veprime. I pata thënë mos u merr me fluturimet me vela, se për moshën tënde është e rrezikshme. Ai le që nuk më dëgjoi, përkundrazi, provoi të ma mësojë edhe mua fluturimin. U gëzova shumë kur i mori paratë e dëmshpërblimit të burgut dhe i thashë: realizoje një pjesë të projektit në bjeshkën tënde. Ai tha: do t’ia jap FSK. I thashë jo, mos ia jep, sepse FSK e financon qeveria. Por nuk e binda dot.
Të dashur vëllezër e motra,
Zonja dhe zotërinj,
Sot po e përcjellim njërin prej atyre herakëve të lirisë mbi punën e të cilit është ndërtuar shteti i Kosovës dhe dashuria jonë e pafundme për lirinë. Ai i pati dy aftësi në këtë drejtim:
– një, vepronte. Ai ishte njeri i aksionit. Ai ishte uji që lëvizë rrëmbyeshëm. Dy herë u dënua me burg dhe qe pjesë e UCK që nga fillimi. Aty ku ndizej një flakë e vogël e lirisë, Gega gjendej aty.
– dhe dy, ai rrëfente bukur dhe çdo rrëfim të tij e lidhte me lirinë, me Shqipërinë, me Kosovën, me atdheun dhe e krijonte përshtypjen se ai njeri jetonte vetëm për këto gjëra. Ai të bënte të mendoje se gjërat tjera të kësaj jete, si ushqimi, pija, paraja, pozita sociale, lindja e vdekja etj. janë të dorës së dytë dhe kalimtare, se vetëm liria e atdheu janë të përhershme.
Dhe, Gega nuk bënte zhurmë në këtë rrugë. Veprimet e mëdha, por pa zhurmë. Madje, pas luftës ai u tërhoq në bjeshkën e tij, të cilën e donte aq shumë. Besoj e ka kuptuar që e ka kryer misionin e vet, prandaj u tërhoq pjesërisht në bjeshkë, dhe bëri mirë, për ta ruajtur te vetja idealin e luftëtarit të lirisë, ashtu si ishim në burgje dhe në luftë. Ai e arriti këtë: pas luftës ai dëshmoi se liria është aq e shtrenjtë sa nuk ka asnjë çmim përbaltja e saj. Ai e ruajti figurën e patriotit idealist e të pastër, ashtu si thotë Mitrush Kuteli “Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret.”
Gega po shkon e ne po mbetemi edhe një kohë që ta lakmojmë për jetën që e bëri.
Lutem dhe shpresoj që fëmijët e tij ta kuptojnë çfarë babe kanë pasur! Lutem dhe shpresoj që të tjerët të kuptojnë çfarë gra e burra pati ky gjysmë shekull i Kosovës dhe të motivohen nga ta për bëmat e tyre.
Pushofsh i qetë i dashur Gegë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Artikulli përpara
Artikulli tjetër