Prishtinë, 15 qershor 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Të nderuar gazetarë të pranishëm,
Të dashur qytetarë,
Mirëmëngjesi dhe ju falënderojmë që i jeni përgjigjur ftesës sonë për këtë konferencë për media.
Sapo përfunduam Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt duke marrë si temë veprimin agresor të Serbisë dje, e cila rrëmbeu tre zyrtarë të Policisë së Kosovës në brendi të territorit të Republikës sonë.
Me anëtarët e Këshillit të Sigurisë diskutuam për situatën e përgjithshme të sigurisë, me theks te katër komunat në veri të vendit dhe brezit kufitar me Serbinë. Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre, ndanë të dhënat më të fundit dhe gjithashtu propozuan rekomandime.
Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për përshkallëzim e destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për depërshkallëzim, pra deeskalim dhe për normalizim.
Për këto arsye institucionet tona të rendit dhe sigurisë kanë e rritur nivelin e gatishmërisë.
Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm, janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese.
Cenimi i djeshëm i kufirit nga Serbia, na detyron që të rrisim kontrollet kufitare, që varësisht nga analizat dhe vlerësimet e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesa të qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë apo nuk mund të garantohet siguria
Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse.
Synimi ynë është siguria e siguria fillon te kufijtë.
Ne edhe një herë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policorë dhe u bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar.
Serbia nuk ka ndryshuar asnjëherë në qëllime, motive dhe apetite. Nuk është se po na befason me sjelljen e saj. Ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destabilizim. E kur nuk ka, atëherë është e gatshme dhe sigurisht e aftë që t’i krijon ato. Rrëmbimi i tre Policëve të Kosovës është dëshmia më e qartë dhe më e freskët për këtë.
Ju falemnderit e tash po ia kaloj fjalën Ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Xhelal Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla:
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria në një shtet janë parime normale e vlera të demokracisë. Si shtet me aspirata dhe orientime demokratike, jemi kundër antitezave të saj dhe gjithmonë në përkushtim të plotë të ruajtjes së rendit dhe një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim. Javëve të fundit, Republika e Kosovës është përballur me tentativa për destabilizim të vendit e përshkallëzim të situatës në veriun tonë. Këto tentativa, adresat e urdhëresat i kanë në Beograd, tek fqinji ynë fatkeqësisht armiqësor ndaj nesh, e që qasjen e tillë e përsërit në mënyrë konstante e në vazhdimësi.
Ajo çfarë kemi parë e kemi qenë dëshmitarë gjatë javëve të fundit, janë grupet e maskuara kriminale të dirigjuara dhe orkestruara nga Beogradi, të cilët paturpësisht kanë sulmuar jo vetëm Policinë e Kosovës, por edhe KFOR-in, juve mediave e qytetarët tanë. Ata janë sulmuar me armë zjarri, shok bomba, molotova e mjete të tjera të forta. Pra, ndonëse që dy vite Policia dhe të gjithë ne ballafaqohemi me sulme e me akte kriminale të bandave në veri, 3 javët e fundit kanë qenë më aktive dhe natyrisht kjo vjen si revoltë ndaj veprimeve tona me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë në atë zonë.
Si pasojë e këtyre sulmeve, një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës kanë mbetur të lënduar. Dëshmi këto që tregojnë për masën e dhunës së ashpër dhe burimin e këtyre akteve kriminale. Protestat nuk kanë qenë të qytetarëve, por të prirura nga grupe kriminale famëkeqe e të dërguara me porosi nga Beogradi si “Rojat e Urës”, “Mbrojtja Civile”, “Night Wolves”, “Severna Brigada”.
Liderë të këtyre grupeve të ardhura nga Beogradi, nuk janë të panjohur për autoritetet tona, pasi njihen veprat e aktet e tyre kriminale ndër vite. Një nga ta, udhëheqës në “Mbrojtjen Civile”, Milun Milenkovic-Llune, falë punës së shkëlqyer të Policisë së Kosovës, u arrit të arrestohej. Historiku i dosjes së tij kriminale, tregon për aktivitetet dhe sulmet e paligjshme të ndërmarra ndër vite, lista e të cilave është shumë e gjatë e përmban sulme dhe terror ndaj qytetarëve por edhe forcave të rendit e forcave ndërkombëtare të sigurisë në të shkuarën e në të tashmen.
Të acaruar nga prishja e planeve të tyre, nga puna jonë për ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend dhe vënia para drejtësisë e këtyre kriminelëve, Beogradi ndërmori një hap të papranueshëm dhe të dënueshëm duke kidnapuar tre zyrtarë tanë policorë. Kidnapimi i ndodhur ditën e djeshme, është zhvilluar sipas një plani të planifikuar nga Njësiti Special Anti-terror në kuadër të xhandarmërisë së Serbisë (SAJ – Specijalna antiteroristička jedinica)dhe Njësiti Special i Ushtrisë së Serbisë “Kobra” në zonën kufitare Bare – Tresave (Leposaviq).
Ditën e djeshme kam vizituar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja, i cili ndodhet rreth 1 km brenda kufirit tonë. Bëhet fjalë për një rrugë ku më herët ka pasur kontrabandë dhe pikërisht ajo rrugë është bllokuar nga ana jonë. Pra, rruga është e ndarë në mes, me dy gropa të njëpasnjëshme dhe ka qenë e pamundur që policët të kalojnë në territorin e Serbisë, ashtu sicc propaganda e Beogradit thotë. Kjo është pastër një deformim i ngjarjeve në terren, për t’i ikur përgjegjësisë së tyre, realisht planit të tyre për kidnapim. Në këtë lokacion, në prapavijë në territor të Republikës së Kosovës ka pasur edhe drunj që kanë bllokuar rrugën me qëllim të bllokimit eventual të njësive asistuese të Policisë së Kosovës.
Është e qartë se ky akt kriminal është bërë në shenjë hakmarrje për arrestimin e kriminelit Llune. Ajo çfarë është duke ndodhur është sjellja e një Serbie kriminele, e cila me vite e dekada është duke vepruar njëjtë përmes akteve të tyre kriminale duke u munduar që të minojnë shtrirjen e sovranitetit tonë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Për ne dhe besoj që kështu duhet të jetë dhe për të gjithë botën demokratike, kjo jo vetëm që është e papranueshme por është një incident jashtëzakonisht i rëndë. Ky akt kriminal, duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar, sepse përfaqëson një shkelje të rëndë dhe shfaq edhe një herë fytyrën e vërtetë të Serbisë. Bëjmë thirrje urgjente për lirimin e zyrtarëve tanë policor dhe kthimin e tyre në Kosovë, pranë radhëve të Policisë së Kosovës dhe pranë familjeve të tyre, me të cilët bashkëndjejmë për padrejtësinë e bërë nga Beogradi.
Dua të ritheksoj se ne nuk do të ndalemi e nuk do të zmbrapsemi, në kërkim të drejtësisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Nuk do të ndalemi në kërkim të rendit dhe ligjit dhe një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne jemi në të drejtën tonë dhe do të vazhdojmë të veprojmë sipas ligjit dhe principeve të demokracisë. Çdokush i cili shkel ligjin do të përballet me pasojat ligjore. Askush nuk është imun në këto shkelje. Asnjëri nga këta kriminel nuk është më i fuqishëm se shteti, nuk është më i fuqishëm se institucionet e Republikës së Kosovës prandaj secili prej tyre do të sillet para drejtësisë.
Republika e Kosovës është sovrane dhe demokratike. Qytetarët tanë nuk do të shtypen e nuk do të shkelen, përkundrazi, do të mbrohen. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për aktet e saj.
Ju faleminderit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Atëherë para se t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja, këtu e kemi një foto të hartës, në të cilën mund të shihni se si vendi ku janë kidnapuar tre policët tanë, ndodhet një kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg prej kufirit në thellësi të territorit të Kosovës.
Pra, kidnapimi, rrëmbimi i tre policëve të Kosovës ka ndodh në këtë vend, i cili është thellë në territorin e Kosovës dhe i cili është pra, 1 kilometër larg kufirit në njërën anë, që i bie të jetë pjesa veriperëndimore, pastaj 670 metra larg, që i bie pjesa veriore dhe në pjesën jugperëndimore 300 metra; 1 kilometër, 670 metra dhe 300 metra.
Në të njëjtën kohë, këtu kemi edhe fotografitë e rrugës së prerë, në të cilën shihet qartazi se nuk kanë mundur këta të kalojnë tutje siç pretendon Serbia, që paskan shkruar në Serbi dhe atje qenkan arrestuar. Pra, nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë dhe kjo rruga e prerë këtu është bërë për t’i ndalur këto 16 shtigjet ilegale të kontrabandës, që janë bërë gjatë vitit të kaluar dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të policisë përtej kufirit të Serbisë siç pretendohet, madje as përtej rrugës së prerë, e cila pra ndodhet 1 kilometër, 670 metra dhe 300 metra.
Edhe kjo është një fotografi tjetër, e cila tregon këtë rrugën e prerë dhe pretendimet e rrejshme të Serbisë.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e çizmeve, këpucëve të huaja e në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe prangat lidhëse plastike.
Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar policia në Serbi, kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga, janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne, 1 kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg kufirit me Serbinë dhe në brendi të territorit të Kosovës.
Ajo çfarë mua vazhdon të më habis, është fakti që as të nesërmen me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para juve, nuk del zyrtarisht KFOR-i.
Cili është kuptimi, që të nesërmen, e një ngjarjeje, e cila nuk ishte në mbrëmje, por në mesditë, KFOR-i ende nuk del me shpjegim zyrtar se ku është ky vend. Ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës dhe a e dini çfarë, edhe në këtë moment ne jemi në atë vend, nuk është Serbia, edhe automjeti edhe ushqimi që kanë ngrënë policët, gjithçka është thellë në territorin e Kosovës.
Pra, siç e theksoi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bëhet fjalë për dy formacione të armatosura të Serbisë se kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe me të cilët do të duhej të merret KFOR-i, është Njësia Speciale Anti-terroriste, që ata e quajnë SAJ dhe është Njësia Speciale Ushtarake, që ata e quajnë “Kobra”. Pra, “SAJ” dhe “Kobra” janë njësitë, të cilat duket që kanë bërë vëzhgim dhe më pastaj edhe kidnapim. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë arrestimi. Arrestimin e ka bërë Policia e Kosovës të këtij kreut të krimit të organizuar e të kontrabandës, Milun Milenkoviq Lune, ndërkaq vetë policët kanë përjetuar hakmarrjen e Serbisë për këtë arrestim të tyre, për këtë luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
Atëherë, tash mund t’ju përgjigjemi pyetjeve.
Të bashkëngjitura gjeni fotografitë e prezantuara nga Kryeministri Kurti në konferencë.