ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Fjala e Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Shkrime relevante

Qeveritë Kosovë-Maqedoni e Veriut mbledhje të përbashkët nesër në Prishtinë

-Qeveria e Kosovës sot miratoi nisma para mbledhjes me Qeverinë e...

Shpallen martirë nga Vatikani edhe dy klerikë të tjerë shqiptarë

E shtuna e 16 nëntorit është një ditë historike për Kishën...

Letra nga Janjeva të vitit 1782

Dr. Nusha Zhuba , Romë Letra nga Janjeva Më duhen lekët për të...

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Shpërndaj

Nju Jork,15 tetor 2021

 I nderuar President,

Zonja dhe zotërinj!

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Është nder i madh për mua që të jem sot këtu me ju, si presidente e Republikës së Kosovës.

22 vjet më parë unë po i dëgjoja takimet e Kombeve të Bashkuara mbi fatin e popullit dhe të kombit tonë, ndërsa kërkoja strehim në male për të shmangur granatimet dhe granatat e Ushtrisë Serbe kundër secilit pjesëtar të popullit tim.

Sot, 22 vjet më pas, si presidente e zgjedhur vetëm pak kohë më parë i Republikës së Kosovës, kam privilegjin që ta përfaqësoj popullin tim, GJITHË popullin e Kosovës.

E vërteta është kjo: Unë jam sot këtu mes jush për shkak të vendosmërisë, këmbënguljes dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për ta parë vendin tonë të lirë nga shtypja dhe represioni i një regjimi gjenocidal, si dhe për ta parë atë të pavarur dhe sovran.

Kjo u bë e mundur vetëm falë ndihmës së aleatëve tanë, të cilët besuan në të drejtën tonë për vetëvendosje dhe shtet të pavarur. Ata qëndruan pranë nesh në ditët më të errëta dhe më të ndritura. Për të gjithë ju që besuat në ne atëherë dhe vazhdoni të ecni përkrah nesh ndërsa ne po hapim kapituj të rinj të progresit, dua ta përdor këtë moment për t’ju thënë në emër të popullit të Republikës së Kosovës: faleminderit përzemërsisht!

Ne kemi bërë një rrugë të gjatë që nga ditët së cilave iu referova në krye të kësaj fjale. Historia jonë ende nuk është rrëfyer plotësisht, ndërsa potenciali ynë po përmbushet ditë pas dite – por e ardhmja jonë është e ndritshme dhe unë kam besim të plotë se një ditë ne do t’ju bashkohemi në këtë tryezë, si pjesë e familjes së kombeve që përbëjnë Kombet e Bashkuara.

Shumë kohë ka kaluar nga ajo periudhë. Historia jonë s’është përmbyllur ende dhe shumëçka tjetër nga potenciali ynë pret të shpaloset – por e ardhmja jonë është e ndritshme dhe unë kam besim të plotë se një ditë do të bashkohemi me ju në këtë tryezë, si pjesë e familjes së kombeve që sot përbëjnë Kombet e Bashkuara

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit!

 Ne kemi përjetuar shumëçka dhe sakrifica jonë ka qenë aq e madhe sa të mos na lejojë të bëjmë hapa prapa. Kjo është arsyeja pse ne shikojmë drejt së ardhmes me forcë, guxim dhe besim në veten tonë dhe në potencialin që Republika jonë e re e ka.

Republika e Kosovës, siç e përshkroi dikush kohët e fundit, është një fener shprese për rajonin. Populli i Kosovës beson fort në lirinë, në të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë. Ai beson në vlerat që e bëjnë këtë botë një vend më të mirë dhe në vlerat për të cilat kjo organizatë punon shumë për t’i promovuar. Por, shpresa lulëzon vetëm kur ka besim. Qytetarët tanë besojnë në një të ardhme me mundësi më të mëdha punësimi dhe sundim të ligjit. Sot ata besojnë në një Kosovë në të cilën mbizotëron barazia, gjithëpërfshirja dhe respekti ndaj të gjithëve – dhe po punojmë shumë për t’i kthyer pritjet e tyre në realitet.

Besimi i njerëzve në institucionet e tyre nuk ka qenë kurrë më i lartë.

Nga një vend i shkatërruar nga lufta e një vend i goditur rëndë sot nga pandemia, mund të them me krenari se Kosova është shfaqur si një nga demokracitë më të gjalla në rajon. Këtë vit ne po e përjetojmë perspektivën e një rritjeje dyshifrore të BPV-së.

Investitorët e huaj potencialë do të gjejë sot në Kosovë një vend me një të rinj me të vërtetë të talentuar, me aftësi të larta në teknologji, njohës të shumë gjuhëve të huaja, vendin në të cilin 70% e popullsisë është nën moshën 35-vjeçare. Ata do të gjejnë një vend me sistem taksash të ulëta dhe jashtëzakonisht konkurruese; infrastrukturë të re ligjore, të përputhshme me legjislacionin e BE-së; një vend me normë depërtimi të internetit prej 90%, që na ka mundësuar të bëhemi qendër teknologjike në rajonin tonë.

Sot produktet e Kosovës po bëhen gjerësisht të njohura në tregje si Gjermania, Zvicra, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – por jo vetëm në to. Produktet tona madje po bëjnë rrugën drejt vendeve të tilla si Ukraina, India dhe Kina  dhe shpresojmë që marrëdhëniet politike së shpejti do t’i pasqyrojnë këto lidhje ekzistuese ekonomike.

Me fjalë të tjera, Kosova po ia dëshmon botës frymën e saj transformuese në shumë fusha të ekonomisë, por edhe në sektorë të tjerë. Pavarësisht se është vendi i fundit në Evropë që ka filluar administrimin e vaksinave, Kosova sot jo vetëm që është duke e kryer vaksinimin shumë më shpejt, por i ka tejkaluar vendet e rajonit, si dhe disa vende të BE-së përsa i takon përqindjes së popullsisë së vaksinuar kundër COVID-19.

Mbi të gjitha, Kosova po e jeton një epokë të stabilitetit dhe besim të pashembullt institucional. Reformat tona për të forcuar sundimin e ligjit po kryhen në një nivel rekord dhe ne shpresojmë të bëhemi një shembull i qeverisjes efektive dhe meritokratike jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Unë mund t’ju jap statistika të pafundme për sukseset tona. Historia e Kosovës ka qenë gjithmonë histori e njerëzve të saj. E tillë është edhe sot.

Sot, këtë histori na e dëshmojnë tri gra medaliste të arta olimpike: Majlinda, Nora dhe Distria, të cilat e kanë kthyer Republikën tonë të re, pjesëmarrëse në dy palë lojëra olimpike, në fituese të trefishtë të medaljes së artë olimpike.

Ose, historia vërtet frymëzuese e Fahrije Hotit dhe e grave të Krushës – e portretizuar në mënyrë të përkryer në filmin “Zgjoi”, të cilin ju ftoj ta shikoni, fitues i çmimit të trefishtë të Kosovës në Sundance dhe, shpresojmë, së shpejti fituese e Oscar-it, si dëshmia më e fuqishme për pasojat e luftës dhe mishërim i përsosur i elasticitetit, mbijetesës dhe triumfit.

Historia e Kosovës është historia e vendit të pavarur gati 14-vjeçar, në të cilin njëra ndër deputetet më të votuara është Vasfije Krasniqi – një e mbijetuar e guximshme e përdhunimit seksual gjatë luftës, e cila flet hapur për dhunën e përjetuar, ose Saranda Bogujevci, e mbijetuar e një masakre kundër të gjithë familjes së saj, e cila tani është nënkryetare e Kuvendit. Ajo është histori e vendit në të cilin në zgjedhjet e fundit votat e qytetarëve prodhuan një kuvend të përbërë nga më shumë gra deputete sesa mesatarja e BE -së, vend që sot, për herë të dytë në historinë e tij, udhëhiqet nga një grua.

Krahas këtyre sukseseve të pafundme brenda vendit, diaspora jonë jashtëzakonisht e angazhuar dhe e suksesshme në të gjithë botën vazhdon të shpërthejë me krenari. Nga Dua Lipa dhe Rita Ora, te futbollistët, akademikët dhe shkencëtarët me famë botërore – faleminderit që jeni ambasadorët tanë më të mëdhenj dhe po i tregoni botës më të mirën e Kosovës.

Sot vendi ynë është shembull i një vendi paqedashës i cili ndihmon në kultivimin e paqes gjithandej. Ushtarët tanë shërbejnë përkrah trupave amerikane në misione paqeruajtëse. Ushtarët tanë vazhdojnë të tregojnë profesionalizëm të lartë.

Në mes të njërës ndër krizat më të mëdha në historinë e kohëve të fundit, njerëzit tanë dhe institucionet tona i hapën zemrat dhe mendjet e tyre për qytetarët e Afganistanit që kërkonin strehim. Ky veprim nuk është vetëm pasqyrim i traditës sonë si popull, por edhe konfirmim i gatishmërisë sonë për të qëndruar pranë aleatëve tanë dhe për t’i përkrahur në mënyrë aktive synimet e bashkësisë ndërkombëtare. Duke qenë vetë ish-refugjatë, askush nuk i kupton më mirë vuajtjet e tyre sesa populli i Kosovës.

Kemi edhe përplot gjëra nga historia jonë për t’i ndarë me ju, por tani për tani dua vetëm t’ju lus që t’i mbani zemrat dhe mendjet tuaja të hapura për njerëzit e Kosovës. Ne do ta bëjmë pjesën tjetër.

Ju siguroj, vendi më i ri në Evropë jo vetëm që do t’i tejkalojë pritjet tuaja dhe do të vazhdojë të forcojë shtetësinë e tij, por do të vazhdojë t’ bëjë krenarë aleatët tanë.

 

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Ndërsa diskutojmë për Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dua t’ju drejtohem për një çast të gjithë juve si anëtarë të këtij forumi.

UNMIK-u u krijua 22 vjet më parë, në rrethana krejtësisht të ndryshme nga këto të sotmet. Pas ndërhyrjes së NATO -s për të ndaluar krimet serbe të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin kundër popullit të Kosovës, ky Këshill autorizoi krijimin e një pranie civile ndërkombëtare, për të siguruar një administratë të përkohshme – e përsëris: TË PËRKOHSHME.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar se Rezoluta 1244 ishte e vlefshme vetëm deri në momentin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Ky status u përcaktua një herë e përgjithmonë, më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës e cila, sipas GJND-së ishte në përputhje të plotë me të Drejtën Ndërkombëtare, siç ishte paraparë në propozimin e të dërguarit special të OKB -së, Presidentit Ahtisaari.

Me kërkesën e Serbisë, AP e OKB-së i kërkoi GJND-së të vendoste mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe vendimi ishte i qartë: Asnjë dispozitë e së Drejtës Ndërkombëtare nuk është shkelur. Kështu që ne i bëjmë thirrje Serbisë që ta respektojë ligjin ndërkombëtar, sikur që i bëjmë thirrje secilit anëtar që ende mund të ketë dyshime për pavarësinë e Kosovës që ta njohë atë.

Republika e Kosovës sot është vend i lirë, sovran, i pavarur dhe gjithnjë e më i begatë. Kjo duhet të shërbejë si dëshmi e mjaftueshme për ta bërë të qartë për të gjithë se jo vetëm që UNMIK –u  e ka tejkaluar mandatin e tij, por është gjithashtu në kundërshtim me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Teksa i falënderojmë për punën e tyre në të shkuarën, ju nxisim ju, anëtarët e Këshillit të Sigurimit, që ta përdorni buxhetin tuaj për më mirë. Ndërkohë që e përdorin buxhetin tuaj, i ftoj ata që të jenë të paanshëm dhe të mos dërgojnë masazhe krejtësisht të shtrembëruara për atë që ndodhi në veriun e Kosovës, duke treguar njëanshmëri të skajshme dhe duke kontribuar në ngritjen e mëtejme të tensioneve në rajonin tonë.

 

Shkëlqesi!

Është ironi e dhimbshme që Kosova, një ndër kampionët më të mëdhenj të paqes dhe sigurisë në botë, ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Çdo qytetar i Republikës sonë të re e kupton shkatërrimin që sjell lufta dhe dëshiron që ajo të mos ndodhë kurrë në asnjë vend. Por, po kështu, populli i Kosovës dëshiron ta shohë veten pjesë të bashkësisë ndërkombëtare. Ai dëshiron që ta shohë botën, t’i ushqejë marrëdhëniet me njerëzit gjithandej botës dhe të krijojnë marrëdhënie të reja me ta.

Ne jemi pro-evropianë të pasionuar, po atë pasion e ruajmë ndaj NATO-s. Ne besojmë në një Evropë të bashkuar, si projekt politik të bazuar në vlera. Ne besojmë në paqe dhe në stabilitetin që e ofron NATO-ja.

Por, po kështu, ne besojmë thellësisht në një botë të udhëhequr nga vlerat që i mishërojnë Kombet e Bashkuara. Për sa kohë që Kosova do të jetë jashtë organeve të OKB -së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, përpjekja e kësaj familjeje të kombeve do të jetë gjithmonë larg përmbushjes së plotë të misionit të saj. Projektet e përbashkëta për parandalimin e pandemive të ardhshme, luftimin e ndryshimeve klimatike, përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, ose luftimin e krimit ndërkombëtar po ashtu nuk do të mund të përmbushen plotësisht.

Prandaj, them se është e domosdoshme, ngase jemi vonë , që Kosova të bëhet anëtare e organziatave sikur janë OBSH-së, UNESCO -s, INTERPOL-it dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe që t’i jepet vend i merituar në Konferencën e ardhshme të Palëve, që të jetë në gjendje që të diskutojë së bashku me ju mbi fatin e përbashkët të njerëzimit.

Pa dyshim, ne e konsiderojmë OKB-në, agjencitë e saj dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare si kurorëzim të përpjekjeve tona historike për ta promovuar mirëqenien, paqen dhe sigurinë brenda dhe jashtë vendit. Kjo është arsyeja pse këto anëtarësime janë të rëndësishme për ne dhe pse ato përbëjnë njërën nga shtyllat kryesore të përpjekjeve të politikës sonë të jashtme.

Kosova është gjithashtu e vetëdijshme se bashkëpunimi rajonal është në qendër të ambicies sonë për t’u bashkuar në BE. Por këto iniciativa duhet të jenë të bazuara në rregullat e BE -së dhe kjo është arsyeja pse ne jemi bërë me krenari pjesë e procesit të Berlinit, nisma e vetme që synon anëtarësimin e rajonit tonë në BE.

Më lejoni të sqaroj një gjë në rast se dikush dyshon ende: Kosova ka qenë gjithmonë fqinj paqësor; që nuk i përdor institucionet e tij për të ndërhyrë në punët e brendshme të tjetrit; nuk i përdor institucionet e tij për të krijuar gjithashtu destabilizim të të tjerëve, fqinj që ushqen dhe krenohet me sukseset e të tjerëve. Pikërisht në këtë frymë e shohim edhe bashkëpunimin rajonal.

Rajoni ynë është i vogël, por miqtë e Kosovës brenda tij janë të shumtë. Miq që e njohën luftën tonë dhe realitetin tonë, miq që ecën krah për krah nesh drejt arritjeve tona të përbashkëta dhe ndanë me ne sfida të përbashkëta. Fatkeqësisht, nuk mund të themi se kështu ngjau edhe me Serbinë. Por, ajo që mund të them sot është se, si Kosovë, ne jemi të përkushtuar ta bëjmë këtë edhe me Serbinë.

Dialogu midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë është disejnuar për ta arritur këtë synim. Kosova jo vetëm do të vazhdojë të ulet në tryezë, por do të angazhohet në mënyrë aktive në dialog, qëllimi përfundimtar i të cilit duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Por, nuk është e mundur: që ky dialog të provojë ta shpëtojë karrierën personale të asnjë politikani në Serbi të përfshirë në proces, ose që dialogu të zbresë në aventura të rrezikshme që i përkasin shekullit XIX. Nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e mundur – siç do të mund të dëshironin homologët tanë – që të diskutohet për statusin e Kosovës, i cili është zgjidhur njëherë e përgjithmonë në vitin 2008, me përkrahjen e shumicës nga ju. Dialogu zhvillohet midis dy palësh të barabarta, të cilat duhet të trajtohen të tilla.

Më e rëndësishmja, ky dialog duhet t’u shërbejë atyre që janë përfituesit e fundit: qytetarëve, popujve të të dyja vendeve, duke përmirësuar jetën e tyre dhe duke ndërtuar një të ardhme më të begatë dhe më të sigurt për ta. Pavarësisht se ka qenë viktimë e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, Kosova sot vazhdon të jetë një avokate e fortë për paqen dhe e tillë është përfshirë edhe në dialog me Serbinë.

Këtë e kemi dëshmuar qenë gjatë muajve të fundit, kur Kosova vazhdimisht ka sjellë ide në tryezën e bisedimeve, ndërkohë që Serbia refuzonte gjithçka pa e trajtuar fare përmbajtjen. Serbia duhet të inkurajohet që të vijë në tryezë me mendje të hapur dhe me ide që do ta çojnë rajonin tonë përpara. Dhe, më e rëndësishmja, ajo duhet ta kuptojë se realiteti i Kosovës së pavarur nuk do të ndryshojë kurrë.

Por, ne do të jemi të durueshëm, do të vazhdojmë të jemi palë konstruktive në dialog, duke i paraqitur po ashtu interesat e vendit tonë në mënyrën më të mirë dhe duke kërkuar drejtësi për të zhdukurit me forcë gjatë luftës dhe duke kërkuar mënyra për të siguruar paqe të qëndrueshme.

Nëse duam të jemi të suksesshëm në këtë përpjekje, kemi nevojë që homologu ynë të fillojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Kosova ka zbatuar shumicën dërrmuese të marrëveshjeve, sipas Brukselit.

Sa i takon krijimit të  një shoqate monoetnike, siç specifikohet në vetë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, ajo u paraqit për një vulë miratimi nga gjykata jonë kushtetuese. Kjo gjykatë ka vlerësuar që marrëveshja paraqet shkelje të qartë të kushtetutës sonë, sepse çdo gjykatë që interpreton kushtetutën tonë – kushtetutë e bazuar në idenë e promovimit dhe të përqafimit të shumë etnive – nuk mund të qëndrojë prapa një marrëveshjeje që do të përfundonte duke bërë të kundërtën.

Nga ana tjetër, sipas vetë Bashkimit Evropian-garantues dhe ndërmjetësues i këtij dialogu-Serbia nuk ka zbatuar dy të tretat, DY TË TRETAT e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara. Prandaj ju lutemi, z. Selakoviç mos na mbani ligjërata mbi moszbatimin. Kjo, në të vërtetë, nuk është hera e parë që Serbia injoron detyrimet e saj ligjore. Pastaj, si mund të presim që ky të jetë një proces i besueshëm nëse ata nënshkruajnë, por nuk i zbatojnë ato?

Pavarësisht marrëveshjes së arritur më 2013, së cilës z. Selakoviç iu referua disa herë, Qeveria në Beograd ende nuk i ka shpërbërë strukturat ilegale kriminale që ekzistojnë në veriun e Kosovës. Ata vazhdojnë t’i terrorizojnë dhe t’i frikësojnë serbët që jetojnë në veri të Kosovës, duke mos i lejuar ata që të integrohen në shoqëri. Ata gjithashtu i sfidojnë  institucionet tona të cilat po përpiqen ta sigurojnë sundimin e ligjit në atë pjesë të vendit tonë.

Por, anëtarë të nderuar të këtij Këshilli, më lejoni të jem e qartë për këtë: Lufta kundër krimit të organizuar, pavarësisht nëse ndodh në veri ose në jug, është e panegociueshme dhe duhet të jetë e pakompromis. Të negocioni dhe të bëni kompromis me krimin do të thotë të bëheni pjesë e tij.

Përpjekjet e së mërkurës për sundimin e ligjit nga policia dhe institucionet multietnike të Kosovës nuk mund të etiketohen në asnjë rrethanë si një “veprim në veri”, sepse janë shtrirë në pjesë të ndryshme të Kosovës, kundër personave të etnive të ndryshme, të cilët kishin një gjë të përbashkët: ishin të angazhuar drejtpërdrejt në kontrabandë dhe në krim të organizuar.

Më lejoni t’ju informoj mbi realitetin atje dhe përpjekjet për vendosjen e rendit dhe të ligjit.

Prokurori dhe gjyqtari që kryen hetimin kundër këtij krimi të organizuar ishin të dy serbë, dhe të tillë janë shumica e policëve në veri. 8 shtetas të Kosovës u arrestuan – 6 prej tyre shqiptarë, 1 boshnjak dhe 1 serb, të gjithë shtetas të Kosovës. Si NATO /KFOR-i, ashtu edhe Ambasada e SHBA -ve dhe ambasadat e tjera të vendeve të Quint-it qenë të qartë se ky veprim është ndërmarrë kundër krimit të organizuar në gjithë Kosovën.

Pra, meqë po citonim, më lejoni të sqaroj se cili është pozicioni i vërtetë publik i KFOR-it:

Sipas KFOR-it operacioni u zhvillua në disa komuna, përfshirë ato në veri. Sa i përket miratimit, policia e Kosovës ka autoritetin dhe përgjegjësinë e plotë për ushtrimin e veprimeve për sundimin e ligjit, dhe kur e ndërmerr veprime për ta jetësuar këtë, NUK KA NEVOJË për leje shtesë.

Më lejoni t’i citoj edhe SHBA-të:

SHBA-të janë të shqetësuara nga përgjigja kundër aksionit të policisë, i cili ishte veprim në favor të sundimit të ligjit, në të gjithë Kosovën. Dhuna e drejtuar ndaj policisë, medieve dhe qytetarëve është e papranueshme, ajo duhet të adresohet qartë.

Sipas Mbretërisë së Bashkuar:

Veprimi kundër krimit të organizuar është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe ne mbështesim Qeverinë e Kosovës në veprimet e ndërmarra gjithandej vendit për sundim të ligjit. Përpjekjet për të penguar këtë veprim me dhunë si dhe retorikë nxitëse, shërbejnë vetëm për të ndihmuar ata që kërkojnë të krijojnë ndarje midis komuniteteve në Kosovë.

Ndërsa, sipas Gjermanisë:

Padyshim që pas deklaratës së serbëve, ata thanë “STOP” krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me një natë të kristaltë është i papranueshëm dhe një krahasim i tillë i kontribuon narrativës mbi shtrembërimin dhe mohimin e holokaustit. Mbroni faktet. Kjo është pikërisht ajo që unë jam duke bërë, shkëlqesi, duke mbrojtur faktet dhe gjithashtu ftoj PSSP -në që t’i përfshijë këto citate në raportin e tij të ardhshëm.

Anëtarë të nderuar të Këshillit!

Dallimi thelbësor midis asaj që ka ndodhur në të kaluarën dhe asaj që po ndodh janë përpjekjet tona për zbatim të ligjit: krimi i organizuar nuk njeh etni.. Por, tani lufta kundër krimit ilegal është shumetnike.

Policët shqiptarë të Kosovës dhe serbët policë të Kosovës, njëri pranë tjetrit po luftojnë kundër këtij krimi të organizuar. Gjyqtarët serbë, gjyqtarët shqiptarë, prokurorët serbë dhe prokurorët shqiptarë po e luftojnë krimin e organizuar së bashku. Pra, ky është ndryshimi. Lufta kundër krimit të organizuar është shumetnike, kështu që do të ketë sukses.

Por, ka edhe diçka tjetër: ne jemi dëshmitarë të kërcënimeve të vazhdueshme nga strukturat ilegale të Serbisë në veri dhe të dhunimit të çdoditshëm prej tyre të jetës së serbëve të Kosovës. Por, ndoshta më shqetësuesja është se ne kemi qenë dëshmitarë të përdorimit të kësaj dhune ndaj tyre edhe gjatë disa palë zgjedhjeve të kaluara, siç është detajuar edhe në raportet e BE-së dhe të Departamentit të Shtetit të SHBA –ve.

Sa i takon marrëveshjes për targat, për fat të keq, gjatë dekadës së fundit, Serbia kurrë nuk iu përmbajt marrëveshjes për to. Në vend të kësaj, ata i detyruan qytetarët e Republikës së Kosovës që t’i largonin targat e tyre në mënyrë poshtëruese dhe çnjerëzore sa herë që ata duhej ta kalonin kufirin.

Kur kjo marrëveshje skadoi, Kosova ndërmori parimin e reciprocitetit, siç parashikohet në vetë marrëveshjen. Në këmbim, Serbia përdori strukturat e saj ilegale për të nxitur dhunë dhe për të kryer veprime terroriste, pasi ata dogjën pronat publike duke i sulmuar ato me eksploziv. Ndërkohë, ata i sollën automjetet e tyre ushtarake dhe avionët luftarakë rusë, MIG, në vetëm 1 km larg kufirit tonë. Dhe në një akt të paparë, të panevojshëm dhe armiqësor, ambasadori rus në Beograd, së bashku me atasheun e tyre ushtarak, u shfaq për t’u dhënë trupave serbe fjalë përkrahjeje.

Të dashur miq, cili komb i ashtuquajtur paqedashës kërcënon stabilitetin në mënyrë kaq flagrante në Evropën e shekullit XXI?

Historia jonë nuk fillon në tryezën e negociatave në Bruksel. Ne të gjithë jemi mjaft të rritur për të kujtuar shkatërrimin që ndodhi gjatë viteve ’90 në Ballkanin Perëndimor. Nuk është rastësi që përpjekjet e Serbisë për destabilitetit po ndodhin njëkohshëm në Kosovë, Bosnjë -Hercegovinë dhe Mali të Zi. Ky plan ka një autor, emri i tij është qeveria serbe. Kjo duhet të ngrejë kambanat e alarmit në të gjithë botën, veçanërisht ndër aleatët tanë, që punuan me ne për ta sjellë paqen në rajon.

Vuçiç  shpreh qartazi synimet e tij kur thekson idealet e tij ambicioze dhe të rrezikshme, madje nuk bën asnjë përpjekje për ta fshehur admirimin e tij për ish -shefin e tij, kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Sipas tij, Millosheviçi ishte “udhëheqës i madh serb, synimet e të cilit ishin sigurisht të mira, por rezultatet tona ishin shumë të dobëta”.

Më lejoni të flas për rezultatet e atij regjimi:

Rreth 140.000 njerëz të pafajshëm humbën jetën gjatë luftërave gjenocidale të Millosheviçit në ish -Jugosllavi. Mbi 13.000 njerëz u vranë brutalisht vetëm në Kosovë, 20.000 gra dhe burra u përdhunuan, mbi 1600 të zhdukur me forcë ende mungojnë, ata janë në varre masive në Serbi. Ne kemi numrin më të madh të fëmijëve të humbur për frymë nëse krahasohet me ndonjë luftë tjetër në ish-Jugosllavi. Më shumë se 1 milion shqiptarë u pastruan etnikisht nga shtëpitë e tyre në Kosovë.

Ajo që ndodhi në Kosovë dhe në rajonin tonë, ndodhi para syve tuaj e syve të botës. Asnjë përpjekje e vetme e Serbisë për t’i mohuar krimet e saj ose për të rishikuar historinë nuk do të jetë kurrë e suksesshme për sa kohë që ne kemi një zë.

Por, të dashur kolegë, fjalët “Kurrë mos harroni” nuk duhet të jenë thjesht një slogan. Ne kurrë nuk duhet ta harrojmë fytyrën e vërtetë dhe qëllimet e vërteta të regjimit serb. Fatkeqësisht, ministrat e Millosheviçit po e qeverisin vendin fqinj sot. Strategjia e tyre mund të ketë ndryshuar, por qëllimi i tyre mbetet i njëjtë, ngase ndihmohet nga propaganda e ngjashme me atë që keni dëgjuar sot këtu.

Kur Vuçiç flet për aftësinë e tij, po e citoj, “për të qëlluar objektiva nga një distancë prej 9 kilometrash … thellë brenda territorit të armikut”, ai nuk nënkupton vetëm Kosovën. Brenda atij perimetri përfshihen tetë vende të rajonit, gjashtë nga të cilat janë anëtare të NATO-s. Kur flet për krijimin e një “bote serbe”, ai nënkupton “Serbinë e Madhe”, sintagmë të cilën e keni dëgjuar pambarimisht gjatë viteve ‘90. Nuk mjafton të thuash që beson në idealet evropiane dhe gjithashtu të jesh prodhuesi masiv i ndarjes etnike dhe urrejtjes në të gjithë Ballkanin.

Nuk mjafton të thuash që beson në të drejtat e njeriut, ndërsa ti abuzon në mënyrë sistematike me të drejtat e pakicave përmes pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës dhe zona të tjera të populluara nga shumica shqiptare. Pasivizimi është spastrim etnik përmes mjeteve administrative. Nuk mjafton të thuash që beson në sundimin e ligjit, nëse nuk tregon shenja të luftimit të krimit dhe korrupsionit; nuk mjafton të predikosh lirinë e shprehjes e, në anën tjetër, të ushtrosh fuqishëm kontroll ndaj mediave.

Te dashur kolegë,

Ne kemi një kancer në zemër të Evropës, të nxitur nga dëshirat fashiste për të krijuar një “Botë Serbe” dhe të ndihmuar nga aleati i saj, Rusia. Nëse të gjithë nuk ballafaqohemi urgjentisht me këtë fakt, kam frikë se do të jemi dëshmitarë të ringjalljes së agresionit të Serbisë.

Pavarësia e Kosovës është e përhershme dhe e pakthyeshme, dhe sa më shpejt të gjithë të pajtohen me këtë realitet, aq më mirë do të jetë për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajonin tonë, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. E drejta e Republikës së Kosovës për të ekzistuar nuk mund të mohohet, nuk mund të ndalet dhe, më e rëndësishmja, nuk mund të injorohet.

Shumica e botës e ka njohur Republikën tonë të re, ka ardhur koha që ju të tjerët ta bëni këtë. Sikur thoshte gjyqtari Trinidade nga Brazili, gjyqtar në GJND, i cili, kur po gjyqi po merrte vendim për deklaratën tonë të pavarësisë, i komentoi krimet e Serbisë në Kosovë:

“Shtetet ekzistojnë për njerëzit dhe jo anasjelltas. Asnjë shtet nuk mund të thirret në integritetin territorial për të kryer shkelje të rënda të ligjit humanitar ndërkombëtar, dhe pastaj të përpiqet ta përdorë këtë si një mburojë ose strehë për të shpëtuar nga arritja e ligjit dhe për të gëzuar pandëshkueshmërinë pasi tronditi ndërgjegjen e njerëzimit”. Më tej ai vazhdon: “Një organizatë ndërkombëtare si OKB -ja, e krijuar në emër të popujve të botës, ka plotësisht të drejtë të ndihmojë njerëzit e Kosovës që të bëhen zotër të fatit të tyre, pasi në këtë mënyrë OKB -ja do të veprojë për zbatimin e Kartës së saj”.

Zonja dhe Zotërinj: Ka kaluar më shumë se një dekadë nga koha kur gjyqtari Trinidade qe pjesë e vendimit të GJND -së, i cili vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtueshmërinë të plotë me ligjin ndërkombëtar, dhe që atëherë, njerëzit e Kosovës me të vërtetë janë bërë zotër të fatit të vet. Pra, të dashur miq, ju nxis që të vini të flisni me ne, të dëgjoni anën tonë të historisë, ta shihni vetëm të vërtetën, ta vizitoni Republikën e pavarur të Kosovës dhe të shihni vetë progresin që kemi bërë, dhe të bëheni dëshmitarë të dorës së parë të ngrohtësisë së njerëzve që unë i përfaqësoj.

Republika e Kosovës angazhohet që t’ju bashkohet në adresimin e sfidave dhe përballjen me to, si dhe që bashkë me ju t’i festojë sukseset tona të përbashkëta, si pjesë e familjes së gjerë të kombeve të bashkuara.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu