ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

“Fletërrufe” nr. 3 ndaj Profesorit Dr. Ramë Buja, anëtarit të dikurshëm të SHP të UÇK-së

Shkrime relevante

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Dje, pasdite, në Gjenevë të Zvicrës, u varros Aktori ynë i njohur Adem Muji

Arif Ejupi Me 21.12.2024 Më 16 dhjetor të këtij viti pas keqësimit të...

Çfarë shkruan Enes Limani, talebani dhe mbetja e njohur osmane…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Shpërndaj

Ibrahim Kelmendi, shkrimtar, Gjermani

I respektuar Profesor!

Meqë qenke gati 4 vite më rinor se unë dhe meqë të kam respektuar përherë si mik, po përcaktohem të të drejtohem miqësisht, e jo si studenti profesorit.
Mendova të përmbahem pa reaguar e debatuar me ato që the në emisionin “presing” (më 22.11.2021), por më “hangër meraku”, mos ndoshta po mendon se nuk e kam tejkaluar ende hidhërimin që më pate shkaktuar kur ishe ministër. Ndoshta e mban mend, në vlugun kur po shkruaja librin reagues, publicistiko-polemik, kundër pamfletit pseudohistorik të historianit Oliver J. Schmitt, pata shfrytëzuar mundësinë e përshtatshme të të lusja për sponsorizim, që të përkthehej e botohej edhe gjermanisht. Shfytëzova Mikun tonë të përbashkët, Xhavit Dakën, të cilin e ke pas angazhuar shef kabineti apo diç ngjashëm. Ai ta ka pas treguar variantin, ende të pa korrektuar, dhe Ti i ke pas miratua 10 mijë Euro. Ai miratim më karikoj me energji që ta rishitja më seriozisht tekstin, që të mos koritja edhe Ministrinë. Kur e përfundova dhe po kërkoja përkthyes(e) për gjermanisht [i kam pas premtuar Akademisë austriake të Shkencave, ku Profesori Schmitt është anëtar, se do ua ofroja librin tim si dëshmi për akuzat që i pata bërë gjatë komunikimit me maila…]. Dëshiroja të botohej njëkohësisht në të dy gjuhët (madje kisha idenë ta bëja një libër dy-gjuhësor edhe për hir të rinisë sonë, tashmë vetëm gjermanishtfolëse). Fatkeqësisht Xhaviti ma dha lajmin dëshprues: “Nuk po e lejon Hashimi (kryeministri) ministrin ”. Vërtetë më patët hidhëruar deri në palcë. Por e ngushëllova veten me sabotimet edhe më vulgare që na i kishit bërë gjatë…
E shkuar, e harruar! – thoshin plakat e urta për raste të ngjashme.
[1]
Në paraqitja Jote [nga minuta 10 e videos], më befasove që relativizove rëndësinë e datës së themelimit UÇK-së, nëse është viti 1994, apo 1993. Megjithatë potencove se 17 Nëntori 1994 duhet të zyrtarizohet si datë themeluese. Një mediokër, nëse mund ta përdorë këtë diskualifikim për ata që nuk kanë arsimimin të lartë, edhe mund të arsyetohen nëse do të mbante qëndrim të ngjashëm. Ti jo! Sepse ka rëndësi, nëse UÇK-në e ka themeluar një kuvend, i mbajtur në Prishtinë, apo një Kryesi (me pse anëtarë të pranishëm), në Zvicër.
Po t’i ofroj emrat e disa pjesëmarrësve në Kuvendin e Katërt të Lëvizjes, mbajtur me 26 e 27 korrik 1993 në shtëpinë e prindërve të Fatmir Brajshorit në Kodrën e Trimave në Prishtinë: Adnan Asllani, Beqir Beqa, Emrush Xhemajli, Fatmir Brajshori, Fazli Velia, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Hashim Thaçi, Isa Krasniqi, Sabri Kiçmari, Xhavit Haziri, Xheladin Gashi dhe të tjerë.
Në mbledhjen e Kryesisë se LPK-së, Dega në emigracion, më 17 nëntor 1994, e mbajtur në Luzern në banesë të Ali Ahmetit, duhet të kenë qenë: Fazli Veliu (kryetar), Muhamet Kelmendi (nënkryetar), Emrush Xhemajli (sekretar), Gafurr Elshani (arkëtar), Ali Ahmeti dhe Xhavit Haliti (anëtarë).
Në rrëfimin tim, që u deklamua në atë emision (nga minuta 23), e paraqita telegrafisht kronologjinë e atyre ndodhive. Po të ndikohesha nga protagonizmi subjektiv, data e 17 nëntorit 1994 do më pëlqente më shumë, sepse aty kisha rrol edhe unë, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm (KP) të LPK-së, Dega në Emigracion. Që do të thotë, KP në mbledhjen e mbajtur më 11 dhjetor 1993, mori vendime që ishin obligative për Kryesinë. Në aspektin statutar KP e zgjedhte kryesinë dhe kryesia merrte obligime nga mbledhjet KP dhe jepte llogari në mbledhje pasuese (mbahej një herë në 3 muaj, ndonjëherë më shpesh).
Shkurt e shqip: Kuvendi i Katërt i Lëvizjes, i mbajtuar më 26 dhe 27 Korrik 1993 në Prishtinë, ka vendos për themelim të UÇK-së!
[2]
Ti ishe bërë anëtar i Shtabit të Përgjithëm (SHP) më 13 nëntor 1998, siç rrëfeve [nga minuta 12]. Meqë euforia e (vet)kënaqësisë duhet të të ketë kaluar deri tani, mund të informosh, sa veta ishin në atë mbledhje të SHP, për çfarë aftësie ushtarake dhe merita të zgjodhen, ishin kompetent të të zgjedhin? Kishte rregullore SHP në atë kohë, që ia jepte të drejtën përkatëse? Ishe Ti i pranishëm në mbledhjen kur ndodhi anëtarësimi Yt? Nëse kanë qenë në “mbledhje” vetëm ata që përmende, kishte legjitimitet?
Pra, në vazhdim keni thanë: “Aty i kam takuar Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin që nuk e njihja atëherë. Dhe Sokol Bashotën, që nuk e njihsha atëherë. Aty unë dhe Fatmir Limaj, më 13 nëtor, jemi ba anëtar Shtabi. Aty e këtej mund t’flas me kompetencë. Përpara kam pas lidhje me këta burra, por megjithatë, unë nuk e kam dit kush ashtë kreu, cilët janë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare t’Kosovës. Aty e kam marrë vesh se anëtarë Shtabi janë këta dhe disa të tjerë që mungonin në atë takim të parë që kur unë u bëra anëtar Shtabi.”
Fatkeqësisht apo fatmirësisht, varët kush e si i qaset, unë jam goxha fanatik i detajeve, sepse kam gris disa palë opinga në universitet të Gjermanisë gjatë viteve 1977-1982. Pa i ra trup nga Kina, “shtabi i rognerit” vetëm se qenka rrit edhe për dy anëtarë, më 13 nëntor 1998! Fatkeqësisht! Paskan munguar gjithë të tjerët, ushtarakët dhe luftëtarët e vërtet, shtylla të operativës të Shtabit rë Përgjithshëm, të cilët as atëherë e as sot nuk e përdorin terminologjinë “udhëheqës të UÇK-së”, por komandantë!
Të mirëkuptoj, ishte opinion i momentit i ndikuar nga atmosfera, por, po ta kishe dëgjuar ndonjëherë, konfidencionalisht apo publikisht “udhëheqësin politik” Hashim Thaçi, të rrëfente se ai, si anëtar i grupit të organizimit të Kuvendit të Katërt dhe pjesëmarrës, për vendimmarrje e atij Kuvendi për themelim të Ushtrisë, do të kishe anuar edhe Ti për 27 korrikut 1993. Apo?
Mund që të interesojnë edhe ca fragmente pararendës historik. Edhe Kuvendi i Tretë, i mbajtur më 3 Tetor 1991 në Kievë të Klinës, kishte vendos që gjithë anëtarësia e Lëvizjes, me moshë e kondicion të volitshëm për guerilë të armatosur, të vetorganizoheshin në grupe guerile, meqë kishte humb kuptimin Lëvizja si organizatë politike, pas organizimit pluralist “legal” të partive politike…
Fakeqësish dezertojnë Gani Syla, që Kuvendi e kishte zgjedh kryetar, edhe Hydajet Hyseni dhe Mehmet Hajrizi, që gjithashtu ishin zgjedh për anëtarë Kryesis dhe të Këshillit të Përgjithshëm. Kështu defunksionalizohet udhëheqja e Lëvizjes. Megjithatë anëtarësia ishte informuar për vendimet që kishte marrë ai Kuvend, prandaj filloj formimi i grupeve guerile…
Mëpastaj kuadrot e Lëvizjes mezi ia kanë dalë të organizojnë një mbledhje në prill 1993, e mbajtur në Kollare të Kërçovës (Makedoni). E kanë quajt “mbledhje konsultative”. Pjesëmarrës: Gafurr Elshani, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Azem Syla, Behajdin Allaçi, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Halil Selimi, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Hidajete Krasniqi, Hysen Gega, Ramadan Pllana, Ilaz Kadolli, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori, etj. Ajo Mbledhje ka zgjedh “grupin e organizimit”, për thirrje dhe organizim të Kuvendit të Katërt. Udhëqës Grupi Adnan Asllani, anëtarë Ramadan Avdiu, Behajdin Allaqi, Bilall Sherifi. Meqë Hashimi po mbetej “jashtë historisë”, aty për aty e akuzon Behajdin Allaqin si spiun i UDB-së. Bheajdini dëshpërohet, jep dorëheqje nga Grupi i organizimit. Katapultohet Hashimi. Pasojnë arrestimet…
Megjithatë, Hashimi përherë i ka hesht Kuvendin e Katërt dhe vendimet e tij, sepse donte ta penetronte si datë historike një ndej me Adem Jasharin në vitin 1992, në Odët të Jasharëve. Fatkeqësisht, më pat rastisë, si “cung kovaçi” që isha, të jem në një ndejë në Odë të Jasharëve pas Lufte, ku Hashimi ndërmori përpjekjen pët ta dezinfomuar e përvetësuar Rifat Jasharin dhe të tjerët, se pikërisht në atë odë, me Adem Jasharin, kishin vendos në vitin 1992 (pat thënë edhe një datë) themelimin e UÇK-së. Ndërhyra që të mos shkretonte më gjatë: “Nuk është fisnike të spekulosh e dezinformofsh këtu, duke shpërdoruar bujarinë mirëpritëse, meqë vet ke qenë në Kuvendin e Katërt në Prishtinë, i mbajtur në korrik 1993, kur është vendos themelimi i UÇK-së!”
Pastaj e kuptova, se e pata “tepruar” me atë ndërhyrje…
[3]
Të falënderoj për vlerësimin “Ibrahimi shumëçka e ka thënë të vërtet.” Më mjafton kaq nga Ti, kësaj radhe. Nëse do të thoshe se të gjitha janë të vërteta, nuk do të besoja, pos nëse do të isha informuar se je konvertuar në “religjion” tjetër, apo se ke përjetuar reflektim të thellë. Pikërisht, ata të “shtabit të rognerit”, as nuk e kanë udhëheq, komanduar e quar përpara Luftën çlirimtare deri në çlirim, por e keni sabuar e komplotuar UÇK-në dhe Luftën e saj çlirimtare, sa keni mund! Vazhdoj të besoj se nuk ke qenë komplotist aktiv, as Ti as Kadriu, dhe as nuk keni pas informim, cilët janë me të vërtet eprorët Tuaj, Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi! Vëm bast, po dëshirove, që Ti nuk ke dëgjuar as nuk ke lexuar raport në ndonjërën nga mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm, – as në përmberje vetëm të anëtarëve të “shtabit të rognerit”, – për financa të UÇK-së, gjegjësisht për planifikim dhe shpënzime të tyre! I kam pyet edhe komandantët e SHP, Sylejman Selimin dhe Agim Çekun, nëse kanë pas ndonjë informim për financat e UÇK-së apo nëse janë pyet ndonjëherë, gjatë kohës sa kanë qenë komandantë. Bile, Agimi pat thënë në të qeshur: “Nuk më ka ofruar ndokush as para xhepi, sa për cigare e kafe, edhe pse nuk kisha nevojë, sepse kisha pension ushtarak rreth 2.000 DM.”
E dinte SHP, në cilëndo përbërje qoftë, se Zona e Drencës nuk kishte “marrë ndihmë e furnizim asnjë lek e fishek nga shtatori 1998 deri në qershor 1999, nga Fondi…”, siç pat informuar Sami Lushtaku në një ndejë rasti (në qershor 1999, në prani të gjithë komandantëve të zonave, edhe të Komandantit Selimi, meqë në Hotel Victory në Prishtinë i hasa bashkë, pas mbledhjes që kishin pas me Komandantin Jacson)? Samiu me atë rast me pat akuzuar si ish bashkëveprimtar i Lëvizjes në Gjermani që kemi qenë. Pyeta Sylejmanin. E pat vërtetuar, duke shtuar me sarkazëm therse: “Na kanë pas mbet pushkët në dorë si huj gardhi…” Ia pata kthye Samiut: “Paske merituar të ngordhsh edhe urije, meqë ke telefonuar për ca telashe me telefona satelitorë, por nuk ke treguar që nuk po furnizoheni me armë, municion, financa. Unë mendoja se drenicaktët, Azemi, Hashimi, Kadria, Ramizi (Lladrovci) i kanë kap rreth 70 % të financave të Fondit dhe po furnizojnë kryesisht Drenicën, duke diskriminuar zonat tjera, prandaj jam angazhuar, përmes korrierëve që keni caktuar, të furnizoj vetëm zonat tjera, duke anashkaluar Drenicën.”
Të vërtet dhe përjetime të rënda, apo jo?
A të kujtohet, në mbledhje të SHP, nga 14 dhjetori 1998, keni diskutuar tragjedinë e 14 dhjetorit, ku janë martizuar Komandanti Mujë Krasniqi me 41 bashkëluftëtarë, në vendin e quajtur Likenët e Hasit, afër kufiri? Dinit se një ditë përpara, më 13 dhjetor, Mujë Krasniqi ishte grind me kUmandant “dajen” (Azem Sylën), bile ka nga ata që e kanë pa dhe kanë informuar se Muja i ka rënë shpullë Azemit?
Duke u bazuar edhe në një ndodhi të 26 qershor 1998, kur po futeshin 65 veta, e Azemi ua “beson” Faredin Gashin (“Farukun”) ta marrin me vete. Rastësht pat informuar Historiani dhe Luftëtari Metë Dura (kaçanikli), Bashkëveprimtar në Lëviza, Nëndega Zvicër, i cili ka qenë aty, bashkë me Sadik Halitjahën dhe Reshat Salihun, kur Azemi ua ka dhënë “Farukun” me vete. Dhe po ai “Faruk” ndahet nga rreshti i aradhës, pak para se të pëlcasin armët sulmuese serbe. Paskam harruar nëse kishin më shumë se vetëm një të plagosur. Mos ndoshta më 14 dhjetor 1998 ndodhi hakmarrje me përmasa të mëdha tragjike, për shkak të asaj shuplake?!
Fatkeqësisht, nuk ka qenë rasti i parë dhe i vetëm, i grindjeve të ngjashme me Azemin. Qysh në prill 1998 Komandanti Qemal Idrizi (“aksidentalisht” edhe ai drenicak), iu pat versul Azemit për një komplot goxha fatkeq. Fati i Azemit që Qemali dëgjoi këshillen time, meqë Qemajli nuk kishte karakter pragmatist as konformist! Edhe Komandantit Bekim Berisha i ka ndodh goxha ngjashëm, kur Azemi e ka thirr për t’i raportuar, pse i kishte marrë armët me kërcënim nga depoja që i përkiste Sektorit logjistik, të cilin e komandonte Azemi. Dhe atë armatim Bekimi e kishin marrë me kërcënim nga depoja po për një aradhë nga Zona e Drenicës, sepse kUmandantët e Sektorit të Azemit refuzonin dhënien e armëve dhe municionit ushtarëve që vinin enkas nga Kosova, pasi furnizimet sabotohe; bile, ka pas “gojëkëqi” që thoshin se njerëzit e Azemit po ua shesin armët e UÇK-së fshatrave që organizoni “mbrojtjen e pragut”!
Detaje, detaje, – mund që i quan cikërrima të pa rëndësishme, sepse përherë shpërdorni arsyetimin taktik: “luftën e fituam”, – por ama përbëjnë tërësinë!
[4]
Pikante qe rrëfimi për takimin me Gjeneralin Clark! Lum si Ti dhe të tjerët që keni pas atë nder e kënaqësi! Por, ta zbërthejmë lutjen e Gjeneralit: “Më ndihmoni ta godas Millosheviqin!” Dhe e komentove se e kishte për lutjen që ta nënshkruani “marrëveshjen”. Nëse do të kishte informacion se ju do ta nënshkruanit, do kishte ndodh ai takim? Pra, ka pas shqetësimin se nuk do ta nënshkruani.
Keqardhje, nuk e kam lexuar doktoratën Tënde për Konferencë të Rambujesë (nëse nuk kam harruar tematikën e doktoratës, edhe pse isha në koktejin festiv për doktoratën Tënde). Mund që ke lexuar rrëfimet e mija, pse Hashimi nuk e nënshkroi në Rambuje “marrëveshjen”, edhe pse gjithë Delgacioni ishi për nënshkrim? Shkurt e shqip: sepse DGSE-ja serbofile franceze, përmes shefit Danjean Arnaud, e komandoi Hashimin të mos e nënshkruante. Ndërsa “fizkulturat” e ndodhura pastaj, për të arsyetuar nënshkrimin më 15 mars 1999, janë vetëm “fizkultura” a la Hashim, më saktësisht a la DGSE. Kur u mor vesh e vërteta që Hashimi kishte refuzuar nënshkrimin në Rambuje, sepse ashtu ishte urdhëruar nga DGSE-ja, atëherë USA, Gjermania, Anglia, duhet ta kenë bind Presideentin e Francës, Zhak Shirak (Jacques René Chirac) që të ndërdynte te DGSE-ja për ta ndryshuar qëndrimin.
Ke rrëfye ndonjëherë për pranin e përhershme në Kshtjellë të “shokut” të Hashimit, Shefit të drejtorisë për Ballkanin, Zotëri Danjean Arrnaud?
Me spekulimet folklorike që bëhen për Konferencë të Rambujesë, sidomos për meritat e Delegacionit të Kosovës, nuk po ndalëm, meqë po e rëndoj tepër “vllaqen”.
[5]
Meqë Ti e potencove të qenit komandant të Azem Sylës dhe zgjedhjen e Sylejman Selimit në “vend të tij” [minuta 34], si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, mund të ofrosh vetëm një fakt konkret, se ndonjë institucion e ka zgjedh apo emëruar Azem Sylën komandant? Nëse e ofron, edhe pse e kam shti peng disa herë tokën që kam trashëguar nga prindët, do ta jap, meqë bëhesh i pari që e fiton bastin.
Vërtet nuk e ke vërejt në Kështjellë se bërthama e “shtabit të rognerit” (Xhaviti, Azemi dhe Hashimi) e paten përjetuar e vuajt si puç zgjedhjen e Komandant Selimit për komandant të SHP?! [Nuk kam njohuri ushtarake, prandaj nuk di nëse shtabet e përgjithshme të ushtrisë zgjedhin komandantin e tyre, apo emërohet nga institucione tjera kopetente? Logjike do të kishte qenë, kush e ka formuar ushtrinë, emëron komandantin e shtabit të përgjithshëm.]
[6]
Për “zgjedhjen” e delegacionit të UÇK-së për Konfencë të Rambujesë, po të informoj për një insert. Gjatë kohes kur SHP po vendoste për përbërje të delegacionit tonë, m’u tha t’i telefona Jakupit, ta lutja që ta propozonte Bardhyl Mahmutin, sepse ai kishte studiuar e magjistruar shkencat politike në Zvicrën frankofone, prandaj ishte kuadri më i përgatitur që e posedonim. Ishte edhe çështja e gjuhës frëngjishte, meqë ambienti në Rambuje ishte frankofon. Mu paraqit Jakupti. Ai shprehu keqardhje që ajo pikë tashmë ishte shqyrtuar dhe m’i tregoi emrat e “zgjedhur”. E luta ta ridiskutonin, me mendim që secili do të ishte i gatshëm të tërhiqej për t’ia lëshuar vendin Bardhylit. Por nuk e hangërt ju “rogneristat”! Fatkeqësisht!
Pyetje: cili nga përfaqësuesit e UÇK-së ishi atëherë më adapt se Magjistri Bardhyl Mahmuti dhe a do të kishe pranuar t’ia liroje vendin Tënd? Edhe ai ishte kuadër i Drejtorisë politke (ishte edhe anëtar i Kryesisë se Lëvizjes)…
[7]
Lidhur me takimin që paska ndodhur me “trojken” evropiane [minuta 43], të kujtohet nëse ke pa Sekretarin e shtetit të Gjermanisë, Zotëri Wofgan Ischinger?
Në vilën qeveritare, që e kishte në shfrytëzim, Zotëri Ischinger na pat ftuar në “koktej” gjithë organizuesve të imigracionit politik shqiptar në Gjermani. Kishte ftuar edhe ndonjë kryetar shoqate, e jo vetëm te neve që ishim në udhëheqje të organizime partiake e politike. Donte të informohen për gjendjen, përcaktimet e angazhimet tona, por edhe të na këshillonte të mos grindeshim e të armiqësoheshim, siç u ka ndodh imigrantëve kurdë. Kur ma pat dhënë fjalën mua në atë tryezë, pas Zonjes Donika Gërvalla që përfaqësonte LDK-në, sapo fillova të flas, Zonja Gërvalla thirri goxha zëshëm: “Nuk duhet t’i ipet fjala këti ekstremisti!” Ischinger ia preu: “Zonjë, këtu jam nikoçir unë dhe po unë e udhëheq diskutimin. Nëse nuk doni ta dëgjoni, mund të dilni jashtë deri sa ta mbaron. Unë dua secili që kam ftuar të flas sa më sinqerisht…”
Kur përfunduam diskutimin dhe u shtrua kokteji, Ischingeri na foli mua dhe dy-tre tjerëve, paska në konfidencë: “Kam pas shumël keqardhje për mashtrimin primitiv që na bënin dy djelmosha, të cilët simulonin sikur janë vetëm korrier që dëgjojnë pyetjet tona, shkojnë në Shtab, marrin përgjigje dhe na i komunikojnë. Në fakt ata vetëm sorollateshin pak kohë për të na mashtruar neve, meqë nuk takonin e nuk konsultonin aske, por na i thoshin mendimet e tyre.” [parafrazim] U sqaruam se e kishte fjalën për Hashimin dhe Kadriun.
Diplomati me përvojë e ka hetuar menjëherë “aventurat” e Hashimit, ndërsa Ti dhe soji Yt, nuk e keni kuptuar atëherë as deri tani! Fatkeqësisht!
“Trojka” ishte vetëm evropiane, apo ishte njëri nga USA?
[8]
Keqardhje për irritimin Tënd ndaj diskualifikimit tim të kryeministrit Fatos Nano si kuisling! [minuta 62]. Unë e kam njohur Z. Nano qysh në vitin 1991. Në vitin 1992 ia pata prish një konfencë shtypi. Atëherë isha i angazhuar si korrespondent i jashtëm i gazetës berlineze TAZ. Nano thirri konfencë për ta diskredituar dekretin e presidentit Sali Berisha që t’u jipej shtetësia të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë londineze. Nano, në cilësi të kryetarit të PS-së, pat broçkullisur se shpejt do jemi vetëm argatë e shërbëtorë të kosovarëve, meqë kanë për t’na i ble të gjitha tokat dhe shtëpitë. U grindem egërsisht. U prish konfenca.
Po i kapërcej detajet argumentuse, për të përmend një ndodhi të gushtit 1998. Presidenti Rexhep Mejdani kishte caktuar pritje dhe takim zyrtar me Kryesinë e LPK-së. Na u ngjit edhe Xhavit Haliti, edhe pse nuk ishte anëtar Kryesie. Pasi përfundoi ceremonia e kurtuazisë përkatëse, meqë më nervozuan Bdri Islami (kryetari) dhe Jashar Salihu (nënkryetari), me elozhet falënderuese për ndihmen që po na ofronte Shqipëria, ndërhyra goxha brutalisht: “Profesor, këta po të mashtrojnë. Ne këtu po paguajmë secilin fishek, kallash dhe secilën bartje të armëve e municionin drejt Kosove, me shumë deviza. Për këtë krim që po bëjnë institucionet shtetërore, keni për t’u gjykuar si tradhtarë kombëtarë…”
Presidenti Mejdani nuk më la ta vazhdoi. Tha një llaf relasues: “Kështu i kemi edukuar studentët e fizikës.” (Më njihe personalisht qysh nga viti 1991.) Pasi mori frymë thellë, iu drejtua Profesorit Fatos Klosi, atëherë kryeshef i SHISH-it: “Nuk po zbatohet urdhri që i kam dhënë Ushtrisë shqiptare që UÇK-ja të furnizohet falas me të gjitha që posedojmë?”
Klosi: “Kanë refuzuar kryeministri Nano dhe ministri i mbrojtjes Hajdaraga. E duan urdhrin me shkrim.”
Mejdani: “Kjo do të thotë se ka ndodh puç ndaj komandanti suprem, e unë ende nuk jam informua?! Urdhra me shkrim nuk jap dot në këtë situatë, sepse i zbulojnë shërbimet armiqësore dhe na akuzojnë për pjesëmarrje aktive në luftë.”
Nuk ia vlen të zgjatëm për ta mbush mendjen, meqë duhet t’u kesh shumë borxhe rogneristëve, prandaj as që guxon të korrigjosh mendimin! Apo?
Mbaje mend, të lutëm, asnjë kamion nuk kemi mund ta lëvizim drejt Tropoje, pa ia paguar haraçin kryeministrit Nano dhe falangave të tij! Këtë na e ka raportuar edhe Azem Syla, në gusht 1998, kur e kemi thirr në mbledhje të Kryesisë, ate dhe Raif Gashin, për të raportuar për angazhimet e dy sektorëve të logjistikës (atë në Tropojë që tashmë e komandonte Gani Nuha) dhe atë në Has që e komandonte Azem Syla.
Pikërisht Nano i ka dhënë urdhër Kryeprokurorit, që të mos hetohet vrasja në pritë që u është bërë Komandantit Ilir Konushevci dhe mjekut Hazir Mala, më 9 maj 1998, nga shoferi i shefit të policisë së Bajram Currit, tropojanit Bislim Demiri…
Dëshi fati i Luftës sonë që më 12 shtator 1998 të vritet Azem Hajdari dhe si pasojë kryeministri Nano u arratis në Makedoni. Kryeministri Majko pat marrë qëndrim, gjithë armët dhe municioni që na duheshin dhe i posedonte Ushtria e Shqipërisë të na jepesh falas! Por “shtabi i rognerit” ishte kundër, sepse u duhej kontrabanda me armë për të kamufluar plaçkën financiare që ia bënin UÇK-së. Jo vetëm kaq. Edhe iu vërsulën me shpifje Kryeministrit Majko, pse mori vendim të na falen armët dhe municioni!! Dhe ende dezinformojnë e shpifin…
[9]
Lidhur me rrëfimin për darkën që keni ngrënë me Fehmiun Ti dhe Jakupi një natë para se Ai të vritet [minuta 73], po të ofroj dy informime telegrafike, meqë më gjerësisht kam informuar Profesorin Latifi. Fehmiu ka bërë kërkesë Kryesisë se Lëvizjes në verë të vitit 1996, meqë i kishte premtuar Ademit për të shkuar me disa bashkëluftëtarë për përforcim. Fatkeqësisht Fehmiu respektonte shumë diciplinën organizative, nuk ishte “anarshist” si unë. Vetëm në mars 1997, pas rreth 9 muajve, iu ka miratuar kërkesa nga Kryesia (në kuadër të cilës ishte edhe Sektori i Rëndësisë së Vëçantë). U bë organizimi për të hy në Kosovë. Fakeqësisht më 6 maj 1997 në kufi u martirizua Luan Haradinaj, që ishte në krye të aradhës, si udhëzues. Fehmiu qe plagos me atë rast. Edhe Abedin Rexha qe plagos më rëndë, ndërsa Ramush Haradinaj u plagos më leht…
Në fillim të majit 1998 “gojëkëqijtë” kanë fol se Fahmiu e Jakupi janë grindur mes tyre. Shkak ka qenë urdhri i Fehmiut, në cilësi të komandantit, që të mbyllet shkolla në Drenas për shkak të sigurisë se fëmijëve. Jakupi, i cili ishte dervish i kuislingut Ibrahim Rugova, e ka kundërshtuar. Kjo grindje ka qenë “merita” kryesore e Jakupit që “shtabi i rognerit” ta emëronte ate për zëdhënës. Apo mendon Ti se Jakupi kishte merita ekstra, pse ka vuaj burg politik për lajthitjen e tij në kaudër të OMLK-së?
Fehmiu, për hir të mbarëvajtjes se Luftës, ka përbi komplotin që ia ka bërë “shtabi i rognerit”, duke shpërdoruar grindjen që ka pas me Jakupin, dhe sigurisht, ka vlerësuar se nuk ishte rendi as vendi që t’iu informon për sabotazhin që ia kanë bërë Xhaviti e Azemi, duke e bllokuar Kryesinë rreth 9 muaj që të mos ia miratonte kërkesën.
Meqë e diskreditova Jakuptin, duke mos respektuar rendin për mirësjellje mëshiruese, sepse tashmë është në burg për akuzë “të padrejtë”, po të informoj për dy goditje të rënda që na i ka bërë, sepse ende nuk kishte reflektuar për destruktivitetin “marksist-leninist” gjatë viteve të 1970-ta. E para, ishte teksti i betimit për UÇK. Fatkeqësisht ai dhe ndonjë tjetër, që mund ta ketë ndihmuar, po mendonin se UÇK është organizatë politike që cakton vet platformën ideopolitike. Prandaj formuloi “tekstin betues”, me përcaktim se UÇK-ja po luftonte për bashkim kombëtar. Këtë platformë nuk e kishim atëherë, sepse nuk donim të luftonim kundër krejt “bote”. E dyta, një serbofile ishte komanduar ta intervistonte Zëdhënsin Krasniqi. Ishte hiç më pak se Renata Flotau, gazetare e revistës më antiamerikane e më serbofile në Gjermani, famëkeqja DER SPIEGEL. Ajo e intervistoi Jakupin në serbisht, sepse ajo është edhe serbofone. Mua më tronditi telefonata e redaktorit për Europë Juglindore në redaksie të DER SPIEGEL, Miku gjithashtu i tronditur, Roland Schleicher. Me bërtiti për atë diversion, siç e diskualifikoi ai, që përmbante intervista e Jakupit. Ma dërgoi tekstin me fax. E luta ta modifikonte sa më shumë përgjigjen e Jakupit, ku thoshte që UÇK po lufton për bashkimin kombëtar, që të bëhej më plastik. Pranoi lutjen time. Kur ka dalë revista nga shtyp ika plas bomba në redaksie të revistës, pse Rolandi kishte ndryshuar përgjigjen. Ishte ankuar serbofilja Renata. Pronari e dëbon nga puna Rolandin për atë ndërhyrje flagrante në tekst…
[10]
Në minutën 81 ke rrëfyer një ndodhi për trimërinë e Hashim Thaçit. Do të mirëkuptoja ta kisha dëgjuar nga Ti këtë rrëfim para Konferecës se Rambujesë, sepse nuk e dinim që Hashimi është marionetë e shërbimeve armiqësore, por nuk kam mirëkuptim tani, kur edhe ke doktoruar për atë Konfencë.
Mund që të kanë ra në sy disa të huajt që vinin në Kosovë, gjoja si luftëtarë. Ata ishin të dërguar nga shërbimet e tyre, për të pas informata sa më konkrete nga terreni. Dy nga ata ishin francezë, që kujdestaronin pranë vendqëndrimeve të SHP. Edhe ata ishin njësoj “trima”, si Hashimi, sepse angazhimet e tyre rakordoheshin praprakisht me institucione përkatëse të Serbisë – që të mos u ndodhte vrasja as “pahiri” e “gabimisht”.
Edhe më vonë [minuta 93] ke thënë, “më rrezik ishte të hyje e të dalje shpesh në Kosovë e nga Kosova”, duke lavdëruar hyrje daljet e Hashimit. Pse kishte nevojë Hashimi të hynte e të delte aq shpesh?! Vërtet, kujt i duhej ai jashtë Kosove, apo në Kosovë?
Kur të kalosh në Makedoni, kërko kryepolicin Zymri Qamili (qe është avancuar edhe zv-ministër i brendshëm atje për hir të “meritave”…). Ai do të tregon, si e ka e sa herë e ka transportuar Hashimin me auto të policisë makedone, nga Qafëthana në Jazhincë dhe anasjelltas. Këto hyrje-dalje të Hashimit ndodhnin kryesisht kur diplomatët operativë ndërkombëtarë paralajmëronin e merrnin leje nga Beogradi për të kontaktuar përfaqësuesit e UÇK-së. Prandaj Hashimi ishte trim, sepse terrenin ia pastronin nga minat shërbimet armiqësore…
[11]
Ke dezinformuar [nga minuta 82]: “ata janë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po dënohen padrejtësisht”. Keqardhje, nuk i ka hije nivelit Tënd arsimor! Edhe nëse do të ishte e vërtetë që ata paskëshin qenë krerë, – rëndom ushtritë nuk kanë krerë e udhëheqës, por ende qenke i skllavëruar nga mendësia se UÇK ishte organizatë politike, akoma më keq, juntë ushtarake, – do të duhej të përbaheshe për ta thënë tani, sepse kështu po e komprometon UÇK-në me “krerë” të akuzuar nga kryeprokurori amerikan si pjesëtarë të “ndërmarrjes se përbashkët kriminale”! UROJ të mos dënohen si kriminelë lufte, por nëse ndodh të dënohen, në cilin xhep do t’i fshehesh këto broçkullisje destruktive që ke thënë tani?! Fatmirësisht vet të akuzuarit, sidomos Hashimi dhe Kadriu, kanë respektuar e po respektojnë ato institucione të Republikës së Kosovës!
[12]
Fatmirësisht ke thënë një të vërtetë [në minutën 90] të pjesshme: “Ai Shtab i Përgjithshëm (…) e ka udhëheq luftën më të lavdishme që ka bërë populli shqiptar, përveq kohës Skendër Beut!”
Duhet të ketë qenë viti 1997 kur ishim në një ndejë në Mynhen (nuk më kujtohet nëse ishim në banesë të Rifat Jasharit apo të Ramiz Lladrovcit). Ishim mbledh për të diskutuar për betjat që patën ndodh në afërsi të Skenderajt. Në një rast Hashimi pat përdor slogan të ngjashëm glorifikues, si ky Yti.
Fatkeqësisht iu pata kundërvënë: “Më duket ti nuk ke studiuar histori, por i ke ble notat. Si mund të glorifikohet UÇK-ja tani, që mund të ketë vetëm rreth 150 guerilë, me ca sulme sporadike guerile, me ushtritë kryengritëse të Lidhjes se Prizrenit e të Hasan Prishtinës. Kjo e fundit përbëhej nga rreth 12 mijë kryengritës që hynë si çlirimtarë në Shkup në gusht 1912?!”
Vërtet, kujt po i duhen këto glorifikime tepër hiperbolike, që po provokojnë komprometim të UÇK-së? Më është shkaktuar dyshimi se kjo është pjesë e luftës speciale për ta komprometuar UÇK-në, sepse edhe me glorifikime të hiperbolizuara ndodhin komprometime, jo vetëm me kritika. Fatkeqësisht, këso glorifikimesh po përdorin pak karar sidomos sabotuesit, profiterët e komplotistët e Luftës, duke u krekosë se ishin kUmandantë!
Që ta dish, ai Shtab është formuar para se të angazhohej “shtabi i rognerit” për ta kap, më 11 mars 1998, fal kryeluftëtarëve dhe ushtarakëve në Kosovë, që sfiduan sabotimet e komplotet e “shtabit të rognerit”! Shtabi i Përgjithshëm i kishte mbi 30 anëtarë, prandaj tre marioneta komplotiste nuk ia kanë dalë ta kapin e komandojnë të terin, edhe pse në dukje, si rrjedhojë e imponuar nga shërbimet armiqësore, prezantoheshin si përfaqësues “zyrtar”. UÇK-ja e Vegjëlisë çlirimtare sfidoi Serbinë, shërbimet armiqësore dhe marioneta komplotiste! Apo mos ndoshta hiersia Jote intelektuale beson se shërbimet armiqësore nuk kishin penetrua në Shtab të Përgjithshëm asnjë marionetë?!
[13]
Mezi po përmbahem pa reaguar kundër shpifjes Tënde këmbëngulëse, të ritheksuar [nga minuta 92]: “Kreu i UÇK-së ka qenë Hashim Thaçi!” Besoj, edhe në familjen Tende nuk do të lejonin ta shpallje zot shpije Hashimin. Ndërsa unë e quaj ofendim e komprometim, të gënjesh se Hashim ishte kreu i UÇK-së tonë! Thirri mendjes të lutëm, nëse nuk i ke “shit drutë apo shpirtin”, sepse mund që gjatë procesit gjyqësor kryeprokurori Smith na surprizon me fakte nga dosjet e Parisit dhe Beograd.
Po anashkaloj kësaj radhe pa e komentuar dyshimin për “zhdukjen” e Bashkëveprimtarit dhe Bashkëluftetarit Behajdin Allaqi…

SHËNDET, MBARËSI, RESPEKTE!

PS.:
Po ofroj një si “qershia mbi torte”, që të kuptosh më lehtë gabimet, shpërdorimet, manipulimet, viktimizimet, komplotet, që kemi bërë, krahas veprimtarisë çlirimtare.
Përmende “Partia e luftës Kosovës” [nga minuta 11], për të cilën the që është formuar në vitin 1984 (sa mbajta mend, meqë po përtoj ta ridëgjoj gjithë emisionin).
Në fund të vitit 1983 ishim në mbledhje të Këshillit Ekzekutiv, gjegjësisht Kryesisë se Lëvizjes. Emrin e plotë Lëvizja atëherë e kishte: Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ). Mbledhjet rëndom i mbanim në banesë të Hasan Malës dhe Saime Isufit në Biel të Zvicrës. Si më i rryeri që ishte, mbledhjet i drejtonte Xhafer Shatri (pa qenë i zgjedhur kryetar). Na pat propozuar të miratonim diç që e paraqiti si udhëzim nga udhëheqja e Lëvizjes në Kosovë. Meqë udhëzimi nuk më pëlqeu, pata kërkuar ta paraqet udhëzimin origjinal që i kishte ardh nga Kosova. U mundua të arsyetohet se do t’i duheshin dy orë kohë që ta gjente. Me çukë mushke këmbëngula, e dua për ta pa edhe nëse na duhen dy ditë për ta gjet. Ndërprem mbledhjen. Dola me shetit buzë liqeni. Pas dy orësh vazhduam mbledhjen. Ai prezanto me tangarllëk një letër që ngjante me qenë e shkruar me ngjyrë të kaftë. Zuri të rrëfente teknikën konspirative që e përdorte për atë komunikim me udhëheqje në Kosovë. Pra, shkruante letren me tamel dhe pranuesi duhej ta ngrohte me kujdes që të pjekej qumështi dhe ashtu delte teksti. Ia mora letrën nga dora për ta ngop kurreshtjen. Meqë mu duk kaligrafi e parë, tërhoqa fletoren që Xhaferi mbante përpara në tavolinë. Menjëherë iu drejtova me ton agresiv: “Mashtrues, për ta sajuar këtë letër t’u dëshen dy orë?! Ky është dorëshkrim yti. Shihne secili, është i njëjtë me kaligrafinë e shkrimit që ka në fletore…”
Tashmë edhe Hasani dhe Saimja u binden shpejt, meqë Xhaferi ishte mbyll në kuzhinë që ta sajonte letrën dhe kishte porosit të mos e pengonte askush , sepse do dekonspirohej vendi ku po i fshehte gjerat sekrete në kuzhinë.
Praktikës manipuluese përmes truqeve aq ordiner u doli boja me atë rast. Xhaferi shumë herë ka dërguar udhëzime në Kosovë, “në emër” të Këshillit Ekzekutiv të Lëvizjes në Emigracion, pa na pyet as pa na informuar neve, njëkohësisht na na impononte vendime “në emër” të udhëheqjes se Lëvizjes në Kosovë, e cila, në fakt nuk ekzistonte. Kështu u viktimizuan edhe Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha dhe ndodhen burgosje, me akuzë se i përkisnin asaj “partie të luftës”.
Fatkeqësisht këto truqe komplotiste nuk i kuptonim ne idealistët sektaristë, primitivë, romantikë, revolucionarë, “marksistë-leninistë”, prandaj na manipulonin, shpërdoronin e viktimizonin. Këso truqesh komplotiste përdornin shërbimet, si mas preventive për të dobësuar e shkatërruar veprimtarinë çlirimtare. Por i (sh)përdornim edhe neve, sepse mendonim që ashtu po bënim veprime në kuadër të kauzës çlirimtare, si rasti kur kemi themeluar Frontin e Kuq Popullor në vitin 1978…
Vazhdon t’i quash vlerë e sakrificë patriotike e revolucionare manipulimet, shpërdorimet dhe viktimizimet që i keni vuajt atëherë, si pjesëtarë të asaj “partie të luftës”, komandant i se cilës që vetshpallë “gjenerali” Kadri Osmani?!

TUNG

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu